“Ligji do të godasë çdo abuzim”, Rama: Nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ligjore për mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta në qytetet shqiptare, duke theksuar se prona private nuk mund të cënojë interesin kolektiv.
Gjatë fjalës së tij me deputetët dhe drejtuesit e bashkive, Rama tha se do të prapakthehen të gjitha dokumentet që legalizojnë ndërhyrje në mjediset e përbashkëta, duke i cilësuar ato si abuzime që cenojnë të drejtën e komunitetit.
Ai theksoi se ndonëse prona ka karakter individual, në zonat urbane ajo merr edhe një funksion shoqëror, dhe çdo shkelje në këtë drejtim do të përballet me forcën më të ashpër të ligjit. Kryeministri shtoi se nuk synohet dëmtimi i biznesit, por vendosja e një rendi të ri komunitar që garanton të drejtën e qytetarëve për hapësira të lira dhe të përbashkëta.
“Çdo mjedis i përbashkët është një mjedis i përbashkët i të gjithëve dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrim një masë ligjore për të prapakthyer të gjitha dokumentet që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të të gjithë këtyre komuniteteve. Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë dhe të thotë që e kam këtë lokalin bashkë me këtë çatinë ndërkohë që atje është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën, sepse ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar.
Prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social kur është fjala në një hapësirë ku jetojnë shoqëria, për këtë arsye e gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë të re dhe një rend të ri komunitar në të gjitha qytetet tona. Të gjithë ata që do i bien ndesh jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më të dobëtit në këtë anë, por do i bien desh të drejtës së fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur që të jetojnë në një pellg komunitar së bashku do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit.
E vërteta është që një pjesë jo e vogël e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimin e këtyre ngrehinave dhe i falënderoj. Patjetër që ne nuk jemi këtu për të fshirë nga dheu biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran. Ky është kryeqyteti i Mesdheut, është vend mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtëm, tavolinat, karriget e shumë të tjera janë gjëja më normale, por jo kur zënë vendin ku kalojnë njerëzit”, tha kryeministri Rama./abcnews.al