BRUKSEL – BE shtyn vendimin për paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë
sankBRUKSEL, 15 korrik /ATSH-DPA/- Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian nuk arritën të miratonin unanimisht sot paketën e 18-të të sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi Sllovakia vuri veton.
“Jam vërtet e trishtuar që nuk arritëm këtë marrëveshje sot”, tha shefja e Punëve të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pas takimit ministror në Bruksel, ku lufta në Ukrainë ishte në krye të axhendës.
Grupi i propozuar i masave ndëshkuese synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë – në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim – pa kushte në Ukrainë.
Megjithatë, sanksionet u pezulluan pasi kryeministri sllovak, Robert Fico muajin e kaluar tha se nuk ishte gati ta mbështeste propozimin, duke përmendur shqetësimet në lidhje me importet e gazit të Sllovakisë.
“Duhet të them se ishim shumë afër për të siguruar miratimin e Sllovakisë”, tha Kallas.
“Tani, topi është në fushën e Sllovakisë dhe ne duhet ta arrijmë këtë marrëveshje”, shtoi ajo.
Të 27 anëtarët e BE-së duhet të mbështesin sanksionet e reja përpara se ato të mund të zbatohen.
“Sanksionet janë të nevojshme për t’i kufizuar Rusisë mjetet për të zhvilluar këtë luftë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të rrisë kostot, për të ndaluar agresionin e Moskës”, tha Kallas.
Me të mbërritur në takim, ministri gjerman për Evropën, Gunther Krichbaum, tha se masat e reja duhet të miratoheshin sa më shpejt të ishte e mundur.
“Është e rëndësishme të ndërmerren veprime vendimtare për të siguruar që Rusia të vihet nën presion dhe që Ukraina të vihet në një pozicion më të fortë negociues”, tha ai.
“Vetëm atëherë do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje e drejtë në fund të ditës”, shtoi ai.
Sipas planeve, çmimi maksimal ndërkombëtar për eksportet e naftës ruse do të ulet në 45 dollarë për fuçi, nga 60 dollarë për fuçi – por masa nuk arriti të marrë mbështetje unanime në takimin e G7, muajin e kaluar.
“Edhe nëse amerikanët nuk janë dakord, por vendet e tjera të G7 janë dakord, atëherë ne do të ecim përpara me masën”, tha Kallas.
Kallas tha se e mirëpriti njoftimin e SHBA-së për dërgimin e armëve mbrojtëse në Ukrainë. //a.i/
The post BRUKSEL – BE shtyn vendimin për paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.