Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

SHBA vendos tarifa për arin, çmimi në bursën amerikane arrin rekord historik

By: Rovena
8 August 2025 at 15:50

Më 8 gusht, kontratat e së ardhmes për arin në SHBA shënuan një nivel rekord prej 3,534 dollarësh për troi ons, pas një vendimi të papritur nga administrata e Donald Trump për të vendosur tarifa mbi importet e shufrave të arit me peshë një kilogram dhe 100 ons. Ky vendim, i ndërmarrë nga Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP), përmbysi një praktikë të gjatë tregtare dhe erdhi në kundërshtim me dokumentet e mëparshme zyrtare që e përjashtonin arin në shufra nga tarifat doganore.

Ky zhvillim u cilësua si një goditje e rëndë për tregun global të arit dhe sidomos për Zvicrën, eksportuesen më të madhe të këtij metali të çmuar. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Zvicrës tashmë ishin tensionuar pas njoftimit të një tarife prej 39% ndaj importeve zvicerane vetëm një javë më parë.

Për pasojë, çmimet e kontratave të së ardhmes për arin në bursën Comex në New York u shkëputën ndjeshëm nga çmimet spot (ato aktuale në treg), duke krijuar një diferencë mbi 100 dollarë për ons. Kjo ndarje sinjalizon trazira të mundshme në tregun ndërkombëtar të arit, pasi shumë investitorë dhe institucione financiare përdorin kontratat e Comex-it për të mbrojtur pozicionet e tyre. Analistët paralajmërojnë se një situatë e tillë mund të dobësojë rolin e Nju Jorkut si qendër kryesore e tregtimit të arit, duke rritur interesin për tregje alternative.

Analistja Joni Teves nga UBS e quajti vendimin një “befasi të madhe” dhe theksoi shqetësimet për pasojat afatgjata që mund të ketë në mënyrën si tregtohet dhe sigurohet ari në nivel global. Sipas saj, kjo situatë mund të çojë në kërkimin e formave të reja të zgjidhjes së kontratave të së ardhmes, qoftë përmes produkteve të reja apo zhvendosjes së tregut në vende të tjera.

Vendimi i CBP-së, i formalizuar në një letër më 31 korrik, riklasifikon shufrat e arit në një kod doganor që nuk përfitoi nga përjashtimet e mëparshme. Megjithëse një dokument i Shtëpisë së Bardhë më 2 prill kishte deklaruar se “ari në shufra” do të përjashtohej nga tarifat, ky përjashtim nuk u aplikua për shufrat me peshë 1 kg dhe 100 ons.

Ndërkohë, tregtarët e arit kishin filluar të grumbullonin rezerva të mëdha në SHBA gjatë muajve të fundit, në pritje të mundësisë që ari të përfshihej në tarifat e reja. Ky parashikim i kujdesshëm, sipas John Reade nga Këshilli Botëror i Arit, ka ndihmuar që lëvizjet e çmimeve të mos jenë edhe më të ashpra.

Megjithatë, disa pjesëmarrës në treg besojnë se CBP mund të ketë bërë një gabim në interpretimin e kodit doganor dhe shpresojnë që vendimi të rishikohet në të ardhmen.

FOTOLAJM/ Parlamenti italian në ngjyrat e Palestinës, deputetët sfidojnë heshtjen me akt simbolik

By: Rovena
8 August 2025 at 15:25

Si shenjë simbolike dhe revolte, deputetët e partisë opozitare italiane Lëvizja Pesë Yjet (M5S) morën pjesë në një seancë të Dhomës së Deputetëve të veshur me ngjyrat e flamurit palestinez të kuqe, të zezë, të bardhë dhe të gjelbër.

Ata u ulën të shpërndarë në mënyrë të tillë që trupat e tyre formuan flamurin palestinez, duke dërguar një mesazh të fortë simbolik në mbështetje të kauzës palestineze.

Gjatë fjalës së tij, deputeti i M5S Riccardo Ricciardi tha se nuk kishin sjellë flamurin palestinez fizikisht, pasi kishin frikë se do t’ua konfiskonin. Ai shtoi se flamuri i Palestinës tashmë është kthyer në një simbol universal të atyre që luftojnë për njerëzimin. Ricciardi kritikoi ashpër qeverinë italiane, duke e akuzuar për heshtje dhe bashkëpunim të heshtur me qeverinë izraelite, ndërkohë që “një popull po masakrohej”. Ai akuzoi autoritetet se kishin “shtrënguar duart e përgjakura të Netanyahut”.

L’Italia deve stare dalla parte giusta. I nostri governanti dicono che non bisogna riconoscere lo Stato di Palestina, che non si deve sanzionare Israele, che non si devono stracciare le intese militari con un governo criminale. Noi continueremo a dire che bisogna schierarsi di… pic.twitter.com/2dcgF6Aioj

— Giuseppe Conte (@GiuseppeConteIT) August 6, 2025

Kryetari i M5S, Giuseppe Conte, publikoi në rrjetet sociale një fotografi të deputetëve të veshur me ngjyrat e flamurit palestinez, duke theksuar se Italia duhet të qëndrojë në anën e drejtë të historisë dhe të mbështesë të drejtat e popullit palestinez, përfshirë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës.

Kjo protestë e pazakontë tërhoqi vëmendje të madhe në Itali dhe jashtë saj. Shumë qytetarë dhe mbështetës të çështjes palestineze ndanë në rrjetet sociale imazhe nga seanca, duke shprehur mbështetje për mesazhin e M5S dhe duke kritikuar qëndrimin zyrtar të qeverisë italiane ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme./abcnews.al

Trump synon Romën për dialogun me Putin. Asnjë koment nga Meloni

By: Rovena
8 August 2025 at 14:59

Sipas burimeve italiane të kontaktuara nga gazeta La Repubblica, Donald Trump ka diskutuar me kryeministren italiane Giorgia Meloni, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar dje, mbi mundësinë që Roma ndoshta Vatikani të jetë mikpritëse e një takimi me presidentin rus Vladimir Putin.

Nga ana e Kryeministrisë italiane (Palazzo Chigi) deri më tani nuk ka asnjë koment apo konfirmim zyrtar për këtë çështje.

E njëjta burim thekson se ideja është e ndërlikuar dhe mund të jetë tashmë e hedhur poshtë. Sipas raportimeve, që citon dy burime pranë negociatave, Roma ishte një nga opsionet e mundshme për organizimin e një takimi mes Trump dhe Putin në ditët në vijim. Në diskutim kanë qenë edhe vende të tjera evropiane.

Megjithatë, një burim anonim i cituar nga agjencia ruse Tass ka mohuar këtë mundësi, duke deklaruar se takimi “nuk do të mbahet në Evropë”./abcnews.al

Inflacioni drejt objektivit/ Rritje e lehtë si pasojë e turizmit. Në korrik, 2.5 përqind

By: Rovena
8 August 2025 at 14:33

Inflacioni  ka nisur rritjen ndërsa parashikohet të arrijë në objektivin prej 3% të vendosur prej Bankës së Shqipërisë në fillim të vitit të ardhshëm.

INSTAT ka publikuar indeksin e çmimeve të konsumit  i cili ka shkuar në 2.5% nga 2.4% që ishte një muaj më parë. Ky rezulton se është një ndër nivelet më të larta të regjistruara brenda një viti. Kjo rritje e çmimeve lidhet veçanërisht me  periudhën e verës kur kërkesa për shërbime turistike, hotele, kafene dhe restorante rritet ndjeshëm.

Krahasuar me muajin Korrik 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”  ndjekur nga “Hotele, kafene dhe restorante” me 2 %.  Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 0,4 %.

Vetëm pak javë më parë Banka e Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit  në 2.5 % si një masë kjo për të stabilizuar nivelin e çmimeve në vend ndërsa në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ky nivel u la i pandryshuar./abcnews.al

 

 

 

Hamasi akuzon Izraelin për “krime lufte” pas vendimit të Netanyahut për pushtimin e plotë të Gazës

By: Rovena
8 August 2025 at 13:19

Hamasi e ka cilësuar si “krim lufte” vendimin e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Sipas një deklarate të shpërndarë për mediat, Hamas tha se ky plan i shpallur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpjegon edhe tërheqjen e papritur të Izraelit nga raundi më i fundit i bisedimeve për armëpushim.

“Palët ndodheshin pranë një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve,” thuhet në deklaratë.

Hamasi theksoi gjithashtu se, gjatë ndërmjetësimeve me Egjiptin dhe Katarin, kishte treguar “fleksibilitet dhe gatishmëri për të bërë të mundur arritjen e një armëpushimi”.

Po ashtu, lëvizja palestineze akuzoi qeverinë izraelite se nuk po tregon interes për fatin e pengjeve izraelite që ndodhen në Gaza.

Nga ana tjetër, Netanjahu deklaroi se Izraeli nuk ka synim të mbajë territorin e Gazës, por dëshiron të krijojë një “perimetër sigurie”. Ai shtoi se plani përfshin dorëzimin e territorit “forcave arabe”, por nuk dha detaje mbi strukturën e pritshme të qeverisjes./abcnews.al

Shkodër/ Gjendet i pajetë trupi i një 47-vjeçari, dyshohet se shkak është bërë pickimi nga bletët

By: Rovena
8 August 2025 at 13:15

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, në fshatin Nënmavriq, është gjetur nga familjarët, në afërsi te banesës, trupi i pajetë i 47-vjeçarit Z. V.

Nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht, dyshohet se 47-vjeçari e ka humbur jetën, si pasojë e pickimit nga bletët. Grupi hetimor po heton për të dokumentuar rrethanat e rastit./abcnews.al

Kina “ringjall” Ajnshtajnin/ Hapet në Pekin dyqani i parë me robotë humanoidë

By: Rovena
8 August 2025 at 12:58

Imagjinoni të ecni mes robotësh që luajnë shah, përgatisin ushqim apo ju përshëndesin me zë të ngrohtë, ndërsa një kopje robotike e Albert Ajnshtajnit ju vështron me buzëqeshje. Kjo nuk është skenë nga një film fantastiko-shkencor, por realiteti i ri në zemër të Pekinit.

Robot Mall, dyqani më i ri dhe më inovativ në kryeqytetin kinez, hapi dyert të premten, duke ofruar më shumë se 100 lloje robotësh për të gjitha shijet dhe nevojat nga ndihmës shtëpiakë inteligjentë, deri te robotë që imitojnë figura të famshme të historisë.Dyqani është krahasuar me një koncesionar makinash, pasi ofron jo vetëm shitje, por edhe pjesë këmbimi dhe shërbime mirëmbajtjeje për robotët.

“Kina ka investuar fuqishëm në industrinë e robotikës dhe inteligjencës artificiale, në përpjekje për të përballuar sfida si rënia e ritmit të rritjes ekonomike dhe plakja e popullsisë,” tha për mediat e huaja drejtori i dyqanit, Wang Yifan. Sipas tij, “nëse robotët do të bëhen pjesë e mijëra familjeve, nuk mjafton vetëm kontributi i kompanive robotike”.

Çmimet e robotëve variojnë nga 2 mijë juanë (rreth 278 dollarë amerikanë) deri në disa milionë juanë. Vizitorët mund të ndërveprojnë me një shumëllojshmëri robotësh, përfshirë robotë në formë qenësh apo lojtarë shahu.

Një pjesë e veçantë e dyqanit i dedikohet pjesëve të këmbimit dhe shërbimeve teknike për mirëmbajtjen e robotëve. Robot Mall ndodhet pranë një restoranti tematik, ku klientët shërbehen nga robotë dhe ushqimi përgatitet nga kuzhinierë mekanikë.

Kina e ka vënë industrinë e robotikës në qendër të politikave të saj zhvillimore. Vetëm gjatë vitit të fundit, subvencionet për këtë sektor kanë kapur vlerën e mbi 20 miliardë dollarëve. Qeveria kineze po planifikon gjithashtu krijimin e një fondi prej 1 trilion juanësh për të mbështetur start-up-et në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale.

Hapja e Robot Mall përkon me fillimin e Konferencës Botërore të Robotëve, e cila nisi të premten në Pekin dhe do të zgjasë pesë ditë. Sipas mediave shtetërore kineze, këtë vit në aktivitet pritet të ekspozohen mbi 1,500 produkte nga më shumë se 200 kompani vendase dhe të huaja.

Ndërkohë, Pekini po përgatitet të presë Lojërat e Para Botërore të Robotëve Humanoidë, që do të zhvillohen nga 14 deri më 17 gusht, me pjesëmarrjen e ekipeve nga mbi 20 vende, të cilët do të konkurrojnë në disiplina si atletikë, vallëzim dhe futboll./abcnews.al

Aksident i shumëfishtë në autostradën Lushnje-Fier

By: Rovena
8 August 2025 at 12:36

Një aksident i shumëfishtë ka ndodhur në vendin e quajtur “Pushimi shoferit” në autostradën Lushnje-Fier.

Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale por është bllokuar qarkullimi rrugor duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh në autostradë. Policia e qarkullimit rrugor me forca shtesë ka devijuar kalimin e mjeteve nga autostrada drejt fshatrave Kemishtaj dhe Krutje përkohësisht deri ne normalizimin e trafikut.

Ndërkohë grupi i punës po dokumenton  aksidentin ku disa makina janë përplasur dhe kanë pësuar dëme materiale. Fluksi i mjeteve që përshkojnë autostradën është tepër i lartë në këtë periudhë./abcnews.al

Do u shiste armë zjarri një grup kriminal, arrestohet 28-vjeçari nga Shkodra

By: Rovena
8 August 2025 at 11:28

Policia e Tiranës ka arrestuar në Allias një 28-vjeçar banues në Shkodër. Dyshohet se 28-vjeçari do t’ua shiste armët e zjarrit, shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.

Sipas informacioneve të policisë, ai ka qenë me precedent të mëparshëm si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.

“Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal

Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Indonezia do të trajtojë 2 mijë të plagosur nga Gaza në ishullin e pabanuar Galang

By: Rovena
8 August 2025 at 11:19

Indonezia, vend me shumicë myslimane, ka bërë të ditur se do të ofrojë trajtim mjekësor për rreth 2 mijë banorë të plagosur të Gazës në një qendër mjekësore të përshtatur në ishullin e pabanuar Galang, pranë ishullit Sumatra. Sipas zëdhënësit të presidentit indonezian, Hasan Nasbi, qëllimi është ofrimi i ndihmës së përkohshme për viktimat e luftës në Gaza.

“Indonezia do të ofrojë ndihmë mjekësore për rreth 2 mijë banorë të Gazës që janë plagosur ose janë nxjerrë nga rrënojat,” deklaroi Nasbi në një konferencë për shtyp të enjten në Jakarta.

Pacientët do të transportohen në ishullin Galang, i cili dikur ka shërbyer si kamp refugjatësh për azilkërkues vietnamezë. Përveç trajtimit mjekësor, pritet që aty të strehohen përkohësisht edhe familjarët e tyre. Pas shërimit, ata do të rikthehen në Gaza, shtoi Nasbi, pa dhënë detaje të mëtejshme për kohën apo garancitë e kthimit.

Ky zhvillim vjen pas raportimeve të muajit korrik nga Axios, ku thuhej se drejtori i agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, kishte kërkuar ndihmën e SHBA-së për të bindur disa vende, përfshirë Indonezinë, Libinë dhe Etiopinë, që të pranonin një numër të madh palestinezësh nga Gaza.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Indonezisë e ka mohuar kategorikisht këtë raport, duke deklaruar për The Guardian se qeveria “nuk ka diskutuar kurrë një plan të tillë me askënd”.

Plani i trajtimit të palestinezëve të plagosur në Galang vjen disa muaj pas propozimit të presidentit indonezian, Prabowo Subianto, për të strehuar përkohësisht palestinezë të plagosur, propozim që u kritikua nga disa udhëheqës të lartë fetarë në vend, të cilët e panë atë si të ngjashëm me idetë e ish-presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Ulemave të Indonezisë, Buya Anwar Abbas, shprehu shqetësim se trajtimi jashtë Gazës mund të përdoret si manovër nga Izraeli për të thelluar pushtimin e territorit palestinez. Ai theksoi se ndihma mjekësore duhet të ofrohet në vetë Gazën.

“Si një komb që ka përjetuar 350 vjet kolonializëm, Indonezia duhet të jetë vigjilente ndaj mashtrimeve të pushtuesve,” tha ai.

Edhe përfaqësues të organizatës më të madhe myslimane në vend, Nahdlatul Ulama, shprehën dyshime mbi planin, duke ngritur pikëpyetje nëse ekziston ndonjë garanci që palestinezët e plagosur do të mund të kthehen në Gaza.

“Ka shumë palestinezë që ende nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi. Ky plan mund t’i hapë rrugë Izraelit për të zgjeruar pushtimin e tij,” tha një përfaqësues i lartë i organizatës.

Ministria e Jashtme e Indonezisë ka riafirmuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete dhe ka theksuar se “kundërshton me forcë çdo përpjekje për zhvendosje të detyruar të palestinezëve”.

Ishulli Galang ka qenë kamp refugjatësh i administruar nga OKB-ja deri në vitin 1996 dhe është shfrytëzuar si spital për trajtimin e pacientëve gjatë pandemisë së COVID-19 në vitin 2020.

 

Turqia i bën thirrje Izraelit të ndalë planet për luftë në Gaza

By: Rovena
8 August 2025 at 10:56

Turqia ka reaguar ndaj planit të Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe arritjen e një armëpushimi.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke thuhet se Izraeli duhet të heqë dorë nga planet e tij për luftë dhe të angazhohet në negociata për një zgjidhje me dy shtete.

Sipas Turqisë, vazhdimi i luftës përbën një kërcënim serioz për sigurinë globale.

Ankaraja i ka bërë thirrje gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjnë për të ndalur zbatimin e planit të ri izraelit./abcnews.al

Çfarë është kabineti i sigurisë i Izraelit?

By: Rovena
8 August 2025 at 10:48

Kabineti i sigurisë i Izraelit, i njohur gjithashtu si Komiteti Ministror për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, është organi përgjegjës për drejtimin e politikave të sigurisë kombëtare dhe të jashtme të vendit.

Ky komitet është më i vogël se kabineti i plotë qeveritar dhe, përveç kryeministrit, përfshin domosdoshmërisht ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme, të Drejtësisë, të Financave dhe të Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri ka të drejtë të emërojë edhe ministra të tjerë në këtë kabinet, për sa kohë që numri i përgjithshëm i anëtarëve nuk tejkalon gjysmën e ministrave të kabinetit të plotë.

Aktualisht, në përbërje të kabinetit të sigurisë janë disa udhëheqës të partive të koalicionit qeverisës dhe deputetë të lartë. Ndër ta janë edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich të dy figura të së djathtës ekstreme të cilët kundërshtojnë marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe kanë kërcënuar me dorëheqje në rast të miratimit të saj.

E rëndë në Llogara/ Qëllohen me çifte 22 kuaj, dyshohet për shkak të konkurrencës mes pronarëve

By: Rovena
8 August 2025 at 10:22

22 kuaj janë qëlluar me armë çifte në zonën Dukat–Llogara në afërsi të zonës Gropat e Pirit, ku disa prej tyre kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë dhe është bërë e ditur edhe policia.

Sipas dyshimeve të para, autorët mund të jenë gjuetarë të paligjshëm, që kanë vepruar gjatë natës. Nga të shtënat, jo të gjithë kuajt kanë ngordhur, disa janë ende të plagosur, ndërsa tre prej tyre po marrin trajtim mjekësor. Pjesa tjetër nuk është gjetur ende dhe vijojnë kërkimet neper malit te Karaburunit

Burime nga zona bëjnë me dije se motivi mund të lidhet me konkurrencën ose konflikte mes pronarëve që zhvillojnë guida me kuaj. Disa prej kafshëve të qëlluara ishin të lira në pyjet e Llogarasë për t’u parë nga turistët, ndërsa të tjera përdoren për shëtitje dhe guida turistike.

Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori dhe po punojnë për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi ditën e djeshme, shtetasi K. K., banues në Orikum, ka bërë kallëzim se në malin e Llogarasë, ku mban të lëshuar një tufë me kuaj, ka konstatuar se dy prej tyre kanë pësuar dëmtime, dyshohet nga armë gjahu”, njofton policia./abcnews.al

Shpërndante kokainë në lagje të ndryshme të Durrësit, pranga 43-vjeçarit

By: Rovena
8 August 2025 at 10:00

Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi shpërndante doza kokainë në lagje të ndryshme të qytetit. Policia sekuestroi 250 gramë kokainë, doza me lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celularë dhe automjeti që përdorte 43-vjeçari për të shpërndarë lëndën narkotike.

“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një sasi tjetër lënde narkotike të dyshuar kokainë, e futur në disa qese, si dhe një peshore elektronike, me peshë totale 250 gramë, që shërbente për peshimin e lëndës narkotike në doza”, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

OpenAI prezanton GPT-5, një hap i madh drejt inteligjencës artificiale

By: Rovena
8 August 2025 at 09:38

OpenAI ka prezantuar GPT-5, përditësimin e ri të modelit të saj kryesor të gjuhës artificiale që përdoret në ChatGPT. Sam Altman e konsideron këtë model një përmirësim të madh dhe një hap të rëndësishëm drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale. GPT-5 është i avancuar në fushat e matematikës, shkencës dhe programimit, dhe do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit me kufizime për versionin falas.

Ky model sjell veçori të reja, si “vibe coding” për krijimin e softuerëve sipas udhëzimeve me tekst. OpenAI numëron mbi 700 milionë përdorues aktivë në javë dhe synon një vlerësim prej 500 miliardë dollarësh. Reagimet ndaj GPT-5 janë të përziera; ndërsa përmirëson kodimin dhe arsyetimin, ai nuk arrin plotësisht inteligjencën e përgjithshme artificiale.

GPT-5 konkurron me modele të tjera si ai i Elon Musk dhe është klasifikuar si me rrezik të lartë për përdorime të mundshme të dëmshme. OpenAI fiton kryesisht nga abonimet dhe këtë javë publikoi edhe një model të hapur për të sfiduar konkurrencën në tregun global të inteligjencës artificiale.

OKB: Pasoja “katastrofike” nëse Izraeli zgjeron operacionet ushtarake në Gaza

By: Rovena
8 August 2025 at 09:32

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se zgjerimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës mund të ketë “pasoja katastrofike”.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca, gjatë një raportimi në Këshillin e Sigurimit të martën, e cilësoi planin izraelit si “jashtëzakonisht shqetësues”.

“Kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të vërë më tej në rrezik jetën e pengjeve që ndodhen ende në Gaza,” deklaroi Jenca.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit u thirr nga Izraeli, pas publikimit të një videoje nga Hamasi ku shfaqeshin dy pengje izraelitë në gjendje të rënduar fizike.

Në fjalën e tij, Jenca e përshkroi pamjen ku pengu Evaytar David detyrohej të gërmonte varrin e vet si “tronditëse”, ndërsa imazhet e tij dhe të Rom Braslavsky i cilësoi si “fyerje ndaj vetë njerëzimit”.

Kultivoi lëndë narkotike në parcelën e tij, arrestohet në flagrancë 58-vjeçari në Mallakastër

By: Rovena
8 August 2025 at 09:22

58-vjeçar nga Mallakastra ka rënë në prangat e policisë. Kastriot Xhemalaj u arrestua në flagrancë pasi kishte mbjellë në një parcel 77 bimë lëndë narkotike.

“Nga kontrollet, në fshatin Visokë u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 77 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, u kap në flagrancë, në parcelë, shtetasi K. Xh., 58 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale Kultivimi i bimëve narkotike”, njofton policia./abcnews.al

“Porta e Ferrit” drejt shuarjes/ Nga shpërthimi sovjetik te atraksioni që mban gjallë Turkmenistanin

By: Rovena
8 August 2025 at 09:16

Krateri i famshëm në Darvaza, i njohur si “Porta e Ferrit”, vazhdon të digjet që prej vitit 1971, kur një shpim aksidental i gjeologëve sovjetikë çoi në shembjen e tokës dhe çlirimin e një sasi të madhe gazi. Me qëllim shmangien e një katastrofe shëndetësore nga gazi toksik, ata i vunë flakën vendit, duke supozuar se zjarri do të shuhej për disa ditë. Sot, më shumë se pesëdhjetë vjet më vonë, flakët ende nuk janë shuar.

Në vitin 2022, ish-presidenti Gurbanguly Berdymukhamedov dha urdhër për shuarjen e kraterit, duke theksuar se emetimet e gazit dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e popullsisë. Për më tepër, ai nënvizoi se humbja e gazit përbën një dëm ekonomik për vendin, i cili mbështetet gjerësisht te eksporti i gazit natyror.

Megjithatë, zbatimi i këtij urdhri është përballur me sfida të mëdha teknike. Specialistët e kompanisë shtetërore Turkmengaz thonë se struktura gjeologjike e nëntokës në Darvaza është komplekse, me shtresa të shumta gazi të ndërthurura me ujë, që ushqejnë vazhdimisht flakët. Ndryshe nga një depo e zakonshme gazi që shterohet, ky formacion vazhdon të lëshojë gaz në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas deklaratave të Turkmengaz, intensiteti i zjarrit është ulur mbi tre herë dhe kontrolli mbi fluksin e gazit është përmirësuar. Megjithatë, të dhënat mbeten të pakta dhe të paverifikueshme, ndërsa zona është e mbyllur për publikun.

Pavarësisht shqetësimeve mjedisore dhe përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, Darvaza është kthyer në një nga atraksionet e rralla turistike të Turkmenistanit. Turistë nga brenda dhe jashtë vendit udhëtojnë me orë të tëra për të parë këtë fenomen të pazakontë natyror. Megjithatë, intensiteti më i ulët i flakëve po zhgënjen vizitorët, dhe agjencitë turistike vendase janë të shqetësuara për ndikimin që një shuarje e plotë do të kishte në industrinë e tyre.

“Shumica e vizitorëve që marrin viza për të hyrë në Turkmenistan vijnë kryesisht për të parë Darvazën. Nëse ajo shuhet, shumë agjenci do të humbasin burime të rëndësishme të ardhurash”, thotë një punonjës i një agjencie udhëtimesh në Ashgabat.

Krateri në Darvaza mbetet sot një simbol i trashëgimisë sovjetike, një burim i vazhdueshëm ndotjeje, por edhe një dritare e rrallë për tërheqjen e vizitorëve në një nga vendet më të mbyllura dhe të izoluara të botës. Dilema mes ruajtjes së mjedisit dhe përfitimeve ekonomike nga turizmi dhe burimet natyrore mbetet e hapur.

SHBA dyfishon në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e Nicolas Maduro

By: Rovena
8 August 2025 at 09:00

Shpërblimi për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, është dyfishuar nga Shtetet e Bashkuara, duke arritur në 50 milionë dollarë. Ky vendim përfaqëson një rritje të konsiderueshme nga shifra e mëparshme prej 25 milionë dollarësh, e caktuar nga administrata Trump në janar.

Pam Bondi, Prokurore e Përgjithshme e SHBA-së, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale të enjten, e cilësoi Maduron si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë. Ajo theksoi se ai ka bashkëpunuar ngushtë me grupe kriminale si Tren de Aragua, Cartel of the Suns dhe kartelin famëkeq të Sinaloas në Meksikë. Sipas Bondit, kërcënimi që Maduro përbën për sigurinë kombëtare të SHBA-ve ka qenë arsyeja kryesore pas vendimit për të dyfishuar shpërblimin.

Në të njëjtën kohë, Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë hapa konkretë: janë sekuestruar më shumë se 700 milionë dollarë pasuri të lidhura me Maduron, duke përfshirë dy avionë privatë dhe nëntë automjete. Gjithashtu, sasi të mëdha kokaine të kapura janë lidhur drejtpërdrejt me aktivitetet e presidentit venezuelan.

Në reagim ndaj këtij zhvillimi, Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, ka dënuar deklaratat dhe veprimet e SHBA-ve, duke i cilësuar si një “maskaradë qesharake” dhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga skandali Epstein në SHBA.

Akuza zyrtare ndaj Maduros u ngrit në vitin 2020 nga një gjykatë federale amerikane për çështje që lidhen me drogën. Fillimisht u ofrua një shpërblim prej 15 milionë dollarësh, i cili më pas u rrit në 25 milionë gjatë presidencës së Joe Biden. Tani, kjo shumë është barazuar me shpërblimin e dhënë për kapjen e Osama bin Laden pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Ngjarjet kanë marrë një tjetër kthesë në qershor, kur një ish-drejtor i inteligjencës ushtarake të Venezuelës pranoi fajësinë për trafik droge dhe narko-terrorizëm në SHBA. Ky veprim ka forcuar edhe më tej akuzat ndaj zyrtarëve të lartë të Venezuelës për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar droge që synonte tregun amerikan.

Megjithë presionin ndërkombëtar dhe akuzat e rënda, Maduro vazhdon të qëndrojë në pushtet, pasi u rizgjodh në vitin 2024 në një proces zgjedhor të kontestuar nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe disa shtete të Amerikës Latine.

Së fundmi, një marrëveshje e arritur nga administrata Trump çoi në lirimin e 10 qytetarëve amerikanë të burgosur në Karakas. Si pjesë e këtij kompromisi, SHBA-të lehtësuan sanksionet ndaj gjigandit të naftës Chevron, duke i mundësuar kompanisë të rifillojë aktivitetin në Venezuelë.

❌
❌