Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

FOKUS – Ruanda do të pranojë deri në 250 emigrantë nga SHBA-ja

8 August 2025 at 22:50

KIGALI, 8 gusht /ATSH/ – Qeveria e Ruandës tha se do të pranojë deri në 250 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një marrëveshjeje të arritur me Uashingtonin, por pa dhënë detaje mbi kategoritë e personave që mund të zhvendosen në vend, sipas ”The Guardian”.

Fushata e dëbimeve e administratës Trump ka përfshirë edhe marrëveshje për të dërguar persona në vende të treta, ndër të cilat Sudanin e Jugut dhe Esvatinin.

 “Ruanda ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pranojë deri në 250 emigrantë,” tha zëdhënësja e qeverisë, Jolande Makolo.

Sipas saj, marrëveshja u pranua sepse pothuajse çdo familje ruandeze kishte përjetuar vështirësitë e zhvendosjes.

Emigrantëve që mbërrijnë do t’u ofrohet trajnim, kujdes shëndetësor dhe strehim.

Nuk ka ende një afat kohor për zbatimin e planit, ndërsa qeveria tha se detaje të tjera do të jepen më vonë.

Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ndërmarrë disa hapa për të përshpejtuar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve që nuk janë vendlindja e tyre.

Administrata e tij e ka mbrojtur këtë praktikë duke thënë se disa shtete nuk pranojnë kthimin e shtetasve të tyre. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Ruanda do të pranojë deri në 250 emigrantë nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRLANDË – Dublini drejt ndalimit të tregtisë me vendbanimet izraelite

8 August 2025 at 22:28

DUBLIN, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Irlanda synon të vazhdojë me miratimin e një ligji që ndalon importin e mallrave nga vendbanimet izraelite të paligjshme në territoret e pushtuara palestineze.

Kjo vjen pasi më shumë se dhjetra anëtarë të kongresit amerikan kanë kërkuar që Irlanda të futet në listën e vendeve që bojkotojnë Izraelin nëse miratohet ligji.

Zëvendëskryeministri irlandez Simon Harris deklaroi se, pavarësisht kundërshtimeve, Irlanda ka për qëllim të miratojë projektligjin.

Vendimi vjen mes kritikave globale ndaj Izraelit, pas miratimit nga kabineti i sigurisë i Izraelit të një plani për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Koalicioni qeveritar irlandez, i përbërë nga Fine Gael, Fianna Fail  dhe një grup të pavarurish, ishte zotuar për ndalimin e importit të mallrave nga territoret palestineze të pushtuara në programin e qeverisë së janarit.

“Njerëzit në Irlandë, në Evropë dhe në gjithë botën ndihen jashtëzakonisht të shqetësuar për aktivitetet gjenocidi që po shohim në Gaza, për fëmijët që po vdesin nga uria, dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, u shpreh Harris sot për gazetarët.  /Ad.Ab./

The post IRLANDË – Dublini drejt ndalimit të tregtisë me vendbanimet izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Azerbajxhani dhe Armenia do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje

8 August 2025 at 22:15

UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të presë sot në Shtëpinë e Bardhë, një “samit paqeje” mes kundërshtarëve të hershëm, Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Trump e njoftoi takimin në platformën e tij “Truth Social”, duke thënë se presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan do të merrnin pjesë në këtë samit.

Zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane thanë se dy liderët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për ndërtimin e një rruge tregtare në jug të Armenisë – e cila do të quhet “Trump Route for International Peace and Prosperity”,  (Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar).

Kjo rrugë do t’i japë Azerbajxhanit qasje të pakufizuar në eklavën e tij autonome të Nakhçivanit.

Kjo enklavë është e shkëputur nga pjesa tjetër e Azerbajxhanit dhe rrethohet nga Armenia, Irani dhe Turqia.

Projekti, që SHBA-ja e sheh si pjesë të një traktati më të gjerë paqeje, synon të nxisë tregtinë, tranzitin dhe transportin e energjisë në Kaukazin e Jugut.

Zyrtarët amerikanë thanë se do të vendosen garanci për të siguruar përdorimin paqësor të rrugës.

Presidenti Trump tha se SHBA-ja do të nënshkruajë gjithashtu marrëveshje bilaterale me të dy vendet për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të çliruar plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Azerbajxhani dhe Armenia do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BJELLORUSI – Lukashenko: Nuk do të kandidoj sërish për president

8 August 2025 at 22:07

MINSK, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaroi se nuk ka ndërmend të kërkojë një tjetër mandat presidencial.

“Jo, nuk kam ndërmend ta bëj këtë”, tha Lukashenko në një intervistë me video të publikuar sot nga revista amerikane “Time”në Minsk.

Lukashanko ka qenë president i Bjellorusisë që nga viti 1994, duke e afruar vendin ngushtë me Moskën nën udhëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Ai pritet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2030, pasi fitoi një tjetër mandat në janar, zgjedhje të cilat u konsideruan nga komuniteti ndërkombëtar si as të lira dhe as të ndershme.

Ai mohoi që djali i tij më i vogël, Nikolai, 20 vjeç, të mund ta pasojë një ditë si president.

Edhe pse nuk e përjashtoi mundësinë që pasardhësi i tij të ndjekë një kurs tjetër politik, ai theksoi se “njeriu që do të udhëheqë Bjellorusinë nuk duhet t’i hedhë gjërat poshtë menjëherë”.

Intervista me një media amerikane shihet si shenjë e një zbutjeje të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump, i cili pritet të takohet me Putinin në ditët e ardhshme për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë. /Ad.Ab./

 

The post BJELLORUSI – Lukashenko: Nuk do të kandidoj sërish për president appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

MUZIKË – Fansat e Taylor Swift mblidhen në Vjenë, një vit pas alarmit për terrorizëm

8 August 2025 at 21:40

VJENË, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Disa qindra fansa të Taylor Swift u mblodhën sot në Vjenë, një vit nga alarmi për terrorizëm që shoqëroi koncertet e planifikuara të yllit amerikan në kryeqytetin austriak.

Fansat kënduan së bashku, shkëmbyen byzylykë miqësie dhe zbuluan një pllakë përkujtimore që promovon miqësinë dhe dënon urrejtjen.

Tubimi u zhvillua në rrugën “Corneliusgasse”, emri i së cilës lidhet me këngën e Swift “Cornelia Street”.

Frika nga një sulm i afërt detyroi organizatorët të anulonin tre koncerte të Swift në Vjenë në gusht 2024.

Një vit më parë, “Corneliusgasse” ishte bërë pikë takimi për shumë fansa që kishin udhëtuar në qytet për koncertet dhe vazhduan të festonin pavarësisht anulimeve të eventit muzikor.

“Pllaka përkujtimore shërben si kujtesë që urrejtja nuk ka vend këtu, dhe nuk do të lejojmë që terrori dhe urrejtja të na marrin gëzimin e muzikës dhe jetës”, tha organizatori i klubit të fansave, Lex Dimitrijevic.

Swift kishte planifikuar të performonte përpara 65 000 fansa në stadiumin “Ernst Happel” më 8, 9 dhe 10 gusht si pjesë e turneut të saj “Eras”.

Pak para koncertit të parë, një i dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan.

I dyshuari kryesor, tani 20 vjeç, po planifikonte një sulm terrorist islamik  ndaj koncertit. /Ad.Ab./

 

The post MUZIKË – Fansat e Taylor Swift mblidhen në Vjenë, një vit pas alarmit për terrorizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit

8 August 2025 at 20:53

TEL AVIV, 8 gusht  /ATSH-DPA/  Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Gjermaninë se po “shpërblen” Hamasin me vendimin e saj për të ndaluar eksportin e armëve drejt Izraelit, të cilat mund të përdoreshin në luftën 22-mujore në Rripin e Gazës.

Zyra e tij njoftoi se ai e shprehu zhgënjimin në një bisedë sot me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Sipas deklaratës, në vend që të mbështesë luftën e drejtë të Izraelit kundër Hamasit, i cili kreu sulmin më të rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti , Gjermania po shpërblen terrorizmin e Hamasit me një embargo armësh ndaj Izraelit”,  thuhet në njoftim.

Netanyahu i ka thënë Merz se qëllimi i Izraelit nuk është marrja nën kontroll e Rripit të Gazës, por çlirimi i tij nga Hamasi.

Vendimi i Merz, që përbën një ndryshim të madh në politikën e jashtme gjermane, u mor disa orë pasi Këshilli i Sigurisë i Izraelit ra dakord për një ofensivë të re ushtarake për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. /Ad.Ab./

 

The post TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – JD Vance: SHBA-BM mospërputhje për Gazën, por ndajnë të njëjtin qëllim

8 August 2025 at 19:14

LONDËR, 8 gusht /ATSH-DPA/ Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë “mospërputhje” mbi mënyrën se si t’i përgjigjen krizës në Gaza, por ndajnë një qëllim të përbashkët për t’i dhënë fund luftës, gjatë takimit sot me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, për çështjet e Lindjes së Mesme dhe të Ukrainës.

Vance konfirmoi se Uashingtoni nuk ka “asnjë plan” për të njohur Palestinën, të cilën Britania e Madhe ka premtuar ta njohë nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim.

Ai lavdëroi “mikun e tij të mirë” Lammy dhe tha se Britania e Madhe  dhe SHBA-ja duhet të punojnë bashkë për të “sjellë më shumë paqe” në botë, pasi “kanë shumë gjëra të përbashkëta”.

Megjithatë, Vance u shpreh qartë se ekzistojnë dallime në qëndrimet mes dy qeverive mbi mënyrën e trajtimit të luftës dhe krizës humanitare në Gaza.

I pyetur nga gazetarët mbi planet britanike për të njohur Palestinën, ai tha se “qartësisht, Britania e Madhe do të marrë vendimin e vet. Ne nuk kemi plane për të njohur shtetin palestinez. Nuk e di se çfarë do të thotë realisht ta njohësh një shtet palestinez duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”.

Ai shtoi se të dy palët duan ta “zgjidhin problemin” e Gazës, por “mund të kenë disa mospërputhje mbi mënyrën e realizimit të atij qëllimi Është një situatë e vështirë dhe nuk mund të dimë saktësisht si ta zgjidhim një problem kaq kompleks”. /Ad.Ab./

The post LONDËR – JD Vance: SHBA-BM mospërputhje për Gazën, por ndajnë të njëjtin qëllim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KALIFORNI – Zjarri detyron evakuimin e mijëra banorëve në veri të Los Anxhelesit

8 August 2025 at 18:34

LOS ANXHELES, 8 gusht /ATSH/ – Një zjarr i madh në zonat në veri të Los Anxhelosit ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen, sipas Ap-së

“Canyon Fire”, që nisi dje pasdite, u përhap me një shpejtësi mbi 19.7 km² deri në orën 23:00 dhe po përparon drejt lindjes, duke hyrë në Los Anxhelos, sipas departamentit të zjarrfikësve të kontesë Ventura.

Të paktën 400 forca zjarrfikëse, si dhe avionë e helikopterë, janë angazhuar në përballjen me flakët. Zjarri është afër liqenit “Piru” dhe pranë zonës rekreative “Lake Castaic”, që u prek më parë nga zjarri “Hughes” në janar.

Kushtet atmosferike janë të favorshme për përhapjen e flakëve; mot me diell, i nxehtë dhe i thatë, temperatura rreth 38°C dhe lagështi minimale.

Dymijë e shtatëqind persona janë evakuuar, ndërsa 700 struktura janë nën urdhër evakuimi. Mbi 14 000 banorë dhe 5 000 struktura janë nën paralajmërim evakuimi.

Zyrtarët paralajmërojnë se rreziku nga zjarret do të mbetet i lartë në Kaliforni gjatë fundjavës, ndërsa një tjetër zjarr masiv në “Los Padres National Forest” është aktualisht më i madhi i këtij viti në shtet, duke djegur një sipërfaqe mbi 402 km²  dhe duke kërcënuar qindra shtëpi. /Ad.Ab./

 

The post KALIFORNI – Zjarri detyron evakuimin e mijëra banorëve në veri të Los Anxhelesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Ushtarët ukrainas skeptikë për paqe, ndërsa skadon afati i Trump për Rusinë  

8 August 2025 at 17:54

DNIPROPETROVKS, 8 gusht /ATSH/ – Ushtarët ukrainas në fushën e betejës  u shprehën sot skeptikë  për një zgjidhje diplomatike të luftës, ndërsa afati i presidentit amerikan Donald Trump për Kremlinin që të bëjë paqe mbërriti, dhe ai po shqyrton një samit të mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi pushtimin e Ukrainës, sipas AP-së.

I zhgënjyer  që Putin nuk iu përgjigj thirrjeve të tij për të ndaluar bombardimin e qyteteve ukrainase, Trump, gati dy javë më parë, e afroi ultimatumin e tij për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë dhe vendosjen e tarifave dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, nëse Kremlini nuk ndërmerr hapa drejt një marrëveshjeje.

Nuk ishte e qartë se çfarë hapash kishte ndërmend të ndërmerrte sot presidenti  Trump. Kur u pyet dje nëse afati do të zbatohej, Trump duke iu referuar  Putinin tha se “varet nga ai. Do të shohim çfarë do të thotë. Varet nga ai.  Jam shumë i zhgënjyer”.

Përpjekjet e Trump për të ushtruar presion mbi Putinin që të ndalojë luftimet nuk kanë sjellë deri tani asnjë përparim. Ushtria më e madhe e Rusisë po avancon ngadalë më thellë në Ukrainë me kosto të mëdha në trupa dhe pajisje, ndërsa vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase.

Rusia dhe Ukraina janë ende shumë larg në kushtet e tyre për paqe.

Ushtarët ukrainas thonë se janë gati të vazhdojnë luftën

Forcat ukrainase janë të angazhuara në beteja intensive përgjatë një vije fronti  prej 1 000 kilometrash  që shtrihet nga verilindja në juglindje të Ukrainës.

Zona e Pokrovskut në rajonin lindor të Donetskut po merr goditjen kryesore, ndërsa Rusia kërkon të depërtojë në rajonin fqinj të Dnipropetrovskut. Ukraina ka mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore ushtarake.

Luftime të ashpra po zhvillohen gjithashtu në rajonin verior të Sumit, pranë kufirit, ku forcat ukrainase po përballen me ushtarët rusë për të penguar dërgimin e përforcimeve nga aty drejt Donetskut.

Në zonën e Pokrovskut, një komandant tha se beson që Moska nuk është e interesuar për paqe.

“Është e pamundur të negociohet me ta. Opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, tha Buda, komandant i brigades” Spartan”.. Ai përdori vetëm nofkën e tij, në përputhje me rregullat e ushtrisë ukrainase.

“Do të doja që ata të bien dakord dhe që e gjithë kjo të ndalet, por Rusia nuk do të pajtohet. Nuk dëshiron të negociojë. Pra, opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, shtoi ai.

Në rajonin jugor të Zaporizhjës, një komandant i artilerisë me nofkën “Varshava “ tha se trupat janë të vendosura të zmbrapsin pushtimin rus.

“Ne jemi në tokën tonë, nuk kemi ku të shkojmë”, tha ai. “Kështu që qëndrojmë, nuk kemi zgjedhje”.

 Putin zhvillon një sërë telefonatash

Kremlini njoftoi sot se presidenti Putin pati një bisedë telefonike me liderin kinez Xi Jinping, gjatë së cilës ai e informoi atë për rezultatet e takimit të tij më herët këtë javë me të dërguarin e Trump, Steve Witkoff.  Zyrtarët rusë thanë se Xi “shprehu mbështetje për zgjidhjen afatgjatë të krizës ukrainase”.

Putin pritet të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm. Kina, së bashku me Korenë e Veriut dhe Iranin, kanë ofruar mbështetje ushtarake për përpjekjet e Rusisë në luftë, sipas SHBA-së.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në X se kishte zhvilluar gjithashtu  një telefonatë me Putinin për të folur mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë. Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për blerjet e saj të naftës ruse, të cilat, sipas presidentit amerikan, po ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë.

Telefonatat e Putinit pasuan bisedat e tij me liderët e Afrikës së Jugut, Kazakistanit, Uzbekistanit dhe Bjellorusisë, tha Kremlini.

Analistët thonë se Putin po synon të lodhë Perëndimin

Trump  njoftoi dje se do të takohej me Putinin edhe nëse ky i fundit nuk pranon të takohet me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Kjo ka ngjallur frikë në Evropë se Ukraina mund të anashkalohet në përpjekjet për të ndalur konfliktin më të madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e Trump pasuan një deklaratë të Putinit se ai shpreson të takohet me Trumpin që javën e ardhshme, ndoshta në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtëpia e Bardhë tha se ende po punon për detajet e çdo takimi të mundshëm.

“Instituti për Studimin e Luftës” në Uashington u shpreh dje në një vlerësim se “Putin mbetet i painteresuar për t’i dhënë fund luftës dhe po përpiqet të marrë lëshime bilaterale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paa u angazhuar në mënyrë domethënëse në një proces paqeje”.

“Putin vazhdon të besojë se koha është në anën e Rusisë dhe se ajo mund të lodhë Ukrainën dhe Perëndimin”, shtoi instituti .

Orban dëshiron që Evropa të përfshihet më shumë në zgjidhjen e  konfliktit

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot  se Evropa duhet të marrë drejtimin në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Orban tha se liderët e Gjermanisë dhe Francës duhet të shkojnë në Moskë “për të negociuar në emër të Evropës”. Përndryshe, “do të mbetemi jashtë menaxhimit të çështjeve të sigurisë së kontinentit tonë”,  tha Orbán për kanalin shtetëror hungarez.

Orban, një kritik i ashpër i Bashkimit Evropian, tha se shqetësimet e Evropës se një samit Trump–Putin mund të mos adresojë interesat e kontinentit, do të thotë se ajo duhet të marrë iniciativën diplomatike. /Ad.Ab./

 

The post ANALIZË – Ushtarët ukrainas skeptikë për paqe, ndërsa skadon afati i Trump për Rusinë   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin flet me aleatët para samitit të mundshëm me presidentin Trump

8 August 2025 at 16:25

MOSKË, 8 gusht  /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi sot bisedime me aleatët para një samiti të mundshëm me presidentin amerikan Donald Trump mbi luftën në Ukrainë.

Kremlini njoftoi se Putin e informoi presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, dhe homologun e tij kazak, Kassym-Jomart Tokayev, në një bisedë telefonike, lidhur me bisedimet e tij me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, të mërkurën në Moskë.

Putin e Witkoff  u shprehën në favor të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila filloi me pushtimin në shkallë të gjerë nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Sipas raportimeve nga Minsku dhe Pekini, presidenti  rus ka biseduar gjithashtu në telefon me liderin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe presidentin kinez Xi Jinping.

As SHBA-ja dhe as Rusia nuk kanë dhënë informacion mbi propozimet që Witkoff paraqiti në Moskë për përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, është rënë dakord për zhvillimin e samitit të parë mes liderëve amerikanë dhe rusë që nga viti 2021, i cili mund të mbahet në ditët e ardhshme.

Vendndodhja e takimit nuk është bërë ende e ditur. /Ad.Ab./

 

The post RUSI – Putin flet me aleatët para samitit të mundshëm me presidentin Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMSTERDAM – Holanda përjashton njohjen e shtetit palestinez për momentin

7 August 2025 at 22:28

AMSTERDAM, 7 gusht /ATSH/ – Qeveria holandeze deklaroi  sot se nuk do të njohë shtetin palestinez për momentin, pavarësisht shqetësimeve në rritje të opinionit publik për situatën në Gaza.

Megjithatë, ministri i Jashtëm, Caspar Veldkamp pranoi se veprimet e Izraelit në territorin e shkatërruar nga lufta “po dëmtojnë sigurinë dhe identitetin e vet Izraelit”.

Qëndrimi i Holandës bie në kontrast me disa vende të tjera aleate të NATO-s. Franca ka paralajmëruar se do ta njohë shtetin palestinez në shtator, ndërsa Britania ka deklaruar se do ta bëjë këtë nëse Izraeli nuk merr masa për të lehtësuar vuajtjet në Gaza dhe nuk pranon armëpushim.

Duke folur në një debat të jashtëzakonshëm parlamentar për Gazën, Veldkam tha se “Holanda nuk planifikon të njohë një shtet palestinez për momentin”.

Ai gjithashtu hodhi poshtë thirrjet për ndalimin e importeve të armëve nga Izraeli, duke argumentuar se Holanda i jep përparësi prokurimeve nga burimet e brendshme dhe të BE-së përpara vendeve të treta.

Megjithatë, ai theksoi se vendi kishte marrë tashmë “masa të rëndësishme,” përfshirë ndalimin e udhëtimit për dy ministra izraelitë.

“Kjo luftë nuk është më një luftë e drejtë, ajo tashmë po dëmton sigurinë dhe identitetin e Izraelit”,  përfundoi Veldkamp.

The post AMSTERDAM – Holanda përjashton njohjen e shtetit palestinez për momentin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

NJU JORK – OKB kundërshton përshkallëzimin e luftës në Gazë

7 August 2025 at 21:45

NJU JORK, 7 gusht /ATSH–DPA/ – Kombet e Bashkuara thanë sot se kundërshtojnë zgjerimin e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.

“Ne qëndrojmë fort kundër çdo përshkallëzimi të konfliktit. Situata është jashtëzakonisht shkatërruese”, tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq në Nju Jork.

Haq shtoi se konflikti kishte shkaktuar më shumë se 60 000 viktima gjatë dy viteve luftimesh.

“Kërcënimi për vuajtje të mëdha humanitare, përfshirë urinë në shkallë të gjerë, është real dhe mund të përkeqësohet nëse lufta intensifikohet më tej”, paralajmëroi ai.

Deklarata e OKB-së erdhi në të njëjtën kohë kur Kabineti i Sigurisë së Izraelit u mblodh  për të diskutuar hapat e ardhshëm në luftën në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur mbështetjen për pushtimin e plotë të Gazës, pavarësisht kundërshtimeve nga drejtuesit ushtarakë, të cilët shqetësohen se një përshkallëzim i konfliktit mund të rrezikojë pengjet e mbetura, që mbahen nga grupi palestinez Hamas. /A.Ab./

 

 

The post NJU JORK – OKB kundërshton përshkallëzimin e luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Tronditet modeli ekonomik dhe neutraliteti i Zvicrës, pas tarifave amerikane

7 August 2025 at 21:06

GJENEVË, 7 gusht ATSJ-DPA/  – Zvicra, e njohur për çokollatën, djathin, bankat dhe Alpet, u përball sot me një tronditje të fortë ekonomike, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi një tarifë të papritur prej 39% ndaj mallrave zvicerane.

Kjo masë ka tronditur thellësisht ekonominë e vendit alpin, e cila varet shumë nga eksportet.

“Ekonomia jonë ka përballuar shumë stuhi”, u përpoq të qetësonte opinionin presidentja Karin Keller-Sutter.

Ajo njoftoi gjithashtu masa ndihmëse nga qeveria për kompanitë që do të detyrohen të reduktojnë orarin e punës për shkak të mungesës së porosive nga SHBA.

Por, nën sipërfaqe, situata në qarqet ekonomike është shumë më e zymtë. Dhjetëra mijëra vende pune mund të jenë në rrezik.

Shoqata e industrisë Swissmem paralajmëroi se, nëse këto tarifa nuk hiqen, eksportet e sektorit të teknologjisë drejt SHBA-së do të jenë “praktikisht të vdekura.”

Damien Cottier, deputet i partisë liberal-demokrate, e quajti këtë tarifë të ashpër “sulm ndaj Zvicrës”.

 Ekonomia dhe neutraliteti në trysni

Me një popullsi prej vetëm 9 milionë banorësh, Zvicra mbështetet fuqishëm te eksportet. SHBA –ja është partneri më i madh tregtar i saj, duke përbërë 18% të eksporteve në vitin 2024.

Por kjo krizë shkon përtej ekonomisë. Ajo sfidon edhe politikën tradicionale të neutralitetit të Zvicrës, një shtyllë e diplomacisë së saj qëllimisht të kujdesshme dhe të balancuar.

Historiani Sacha Zala deklaroi në shkurt për radion SRF se “diplomacia e heshtur funksionon deri në një pikë. Por është një iluzion të mendosh se vetëm pse je sjellë ‘mirë’ nuk do të ndëshkohesh”.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Zvicra ka qenë nën trysni për të hequr dorë nga neutraliteti klasik. Ajo u bashkua me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por refuzoi të lejojë transferimin e municioneve zvicerane drejt Ukrainës. Kritikët thonë se vendi ka bërë shumë pak për të gjetur ose ngrirë asetet e oligarkëve rusë.

 Rriten thirrjet për afrimin me BE

Kriza aktuale ka ndezur sërish debatin e brendshëm për pozicionin e Zvicrës jashtë Bashkimit Evropian.

Deputetja socialdemokrate Franziska Roth shkroi javën e kaluar në Instagram se “kishte ardhur koha të heqim dorë nga vetëkënaqësia e ‘ne vetëm kundër botës’ dhe të ndërtojmë një rrugë të përbashkët me Evropën”.

Edhe grupet e biznesit janë gjithnjë e më të shqetësuara. Ndërkohë që kompanitë evropiane përballen me një tarifë shumë më të ulët, vetëm 15%, ato kanë një përparësi të qartë konkurruese ndaj Zvicrës.

Shoqata “Economiesuisse”, edhe para shpalljes së tarifave amerikane,  ka deklaruar se “pozicioni ynë gjeografik e bënte thelbësore bashkëpunimin e ngushtë me BE-në”.

Por marrëdhëniet Zvicër-BE mbeten të tensionuara. Marrëveshja kornizë e vitit 2021 për thellimin e lidhjeve dështoi në momentet e fundit. Partia dominante e djathtë, SVP, e kundërshton çdo përpjekje për rinovimin e saj.

Në vend të afrimit me BE-në, ministri i ekonomisë Guy Parmelin, pjesë e SVP-së, u ka bërë thirrje kompanive që të gjejnë tregje të reja eksporti. /Ad.Ab./

 

 

The post ANALIZË – Tronditet modeli ekonomik dhe neutraliteti i Zvicrës, pas tarifave amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës, pa lëshime territoriale

7 August 2025 at 20:23

KIEV, 7 gusht /ATSH/ – Ndërsa po përgatitet një takim kokë më kokë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin “në ditët në vijim”, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përpiqet të sigurojë që Ukraina të mos lihet jashtë zhvillimeve diplomatike, sipas “CBS News”.

Gjatë një vizite të të dërguarit amerikan Steve Witkoff  dje në Moskë , Uashingtoni propozoi një takim trepalësh mes Trump, Zelensky dhe Putin, ku Trump do të shërbente si ndërmjetës.

Por Moska e ka refuzuar këtë mundësi, duke preferuar një takim dypalësh me Trump, që do të ishte një fitore simbolike për Rusinë dhe takimi i parë i këtij lloji që nga nisja e luftës.

Presidenti Zelensky u shpreh në Telegram se kishte folur me kancelarin gjerman Friedrich Merz për një “paqe me dinjitet” – që do të garantonte sigurinë e Evropës për dekada.

“Ukraina nuk i druhet takimeve dhe pret të njëjtin guxim nga pala ruse. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës”,  shkroi ai në Telegram – një frazë që është përdorur shpesh edhe nga vetë Trump.

Putini ka shprehur më herët gatishmërinë për një takim me Zelensky, por vetëm në “fazën përfundimtare” të negociatave, kur kushtet për paqe të jenë të qarta dhe të paravendosura.

Kievi, aktualisht, refuzon të bëjë lëshime territoriale dhe nuk pranon as të fillojë diskutime për dorëzimin e Krimesë, që është një kërkesë kyçe për Rusinë.

Ndërkohë, gjashtë muajt e fundit janë shoqëruar me intensifikim të sulmeve me dronë dhe raketa nga të dyja palët – duke e bërë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

Ukraina mbetet e varur nga ndihma perëndimore, pavarësisht lodhjes së publikut në SHBA dhe Evropë ndaj luftës. /Ad.Ab./

 

The post UKRAINË – Zelensky: Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës, pa lëshime territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – SHBA: Vendimi për aneksimin e Gazës u takon vetëm izraelitëve

7 August 2025 at 19:38

DAMASK / JERUZALEM, 7 gusht /ATSH/Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi në një intervistë  se vendimi për të aneksuar Rripin e Gazës i takon vetëm qeverisë izraelite, duke theksuar se SHBA-ja nuk do të diktojë hapat e Izraelit, sipas “CBS News”

“Është një vendim që vetëm izraelitët mund ta marrin”, tha Huckabee, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të diskutojë me ministrat e lartë mundësinë e zgjerimit të kontrollit ushtarak në Gazë.

Huckabee shtoi se presidenti Trump është i gatshëm të ofrojë “këshillë e mençuri” nëse i kërkohet, por theksoi se nuk është puna jonë  t’u themi çfarë duhet apo s’duhet të bëjnë ”.

Në lidhje me situatën humanitare në Gaza, Huckabee pranoi se njerëzit atje po vuajnë nga uria, por fajësoi Kombet e Bashkuara për refuzimin e ndihmës që nuk ka mbrojtje ushtarake dhe Hamasin për vjedhje të ndihmave.

Megjithatë, Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se nuk ka prova që ndihmat po vidhen nga Hamasi. Huckabee u shpreh skeptik ndaj kësaj deklarate.

Ai përmendi fondacionin e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, Gaza Humanitarian Foundation (GHF), si një nga mënyrat më efektive për shpërndarjen e ndihmës, me plane për zgjerimin e qendrave të ndihmës nga 4 në 16.

Për të ardhmen e palestinezëve në Gaza, Huckabee tha se shumë duan të qëndrojnë dhe të rindërtojnë, por ka edhe nga ata që duan të largohen. Ai këmbënguli se askush nuk duhet të detyrohet të largohet.

Për sa i përket zgjidhjes me dy shtete, ai tha se nuk është pozicioni i tij si ambasador për të vendosur.

“Është një qëllim aspirativ, por kur pyet për detajet, askush nuk ka përgjigje të qarta”, përfundoi Huckabee. /Ad.Ab./

 

The post IZRAEL – SHBA: Vendimi për aneksimin e Gazës u takon vetëm izraelitëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin më të madh ndër dekada

7 August 2025 at 17:03

PARIS, 7 gusht /ATSH/ – Zjarri më i madh në Francë në dekadat e fundit ka lënë pas një gjurmë shkatërrimi, duke djegur mbi 160 kilometra katrorë në jug të vendit dhe duke marrë jetën e një personi, njoftuan sot autoritetet lokale të enjten, sipas AP-së.

Zjarri nisi të martën dhe përfshiu masivin e Corbieres në rajonin Aude. Pavarësisht përpjekjeve të mbi 2 100 zjarrfikësve dhe avionëve me ujë, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll. Moti  e nxehtë dhe i thatë për javë te tëra përhapi me shpejtësi flakën, megjithëse temperaturat më të freskëta dhe erërat më të qeta gjatë natës e zbutën disi situatën.

“Zjarri nuk është më në përhapje, por ende nuk është nën kontroll, ” tha prefekti rajonal Christian Pouget. “Beteja nuk ka përfunduar ende. Rreziku për shpërthime të reja mbetet për disa ditë”.

Zjarri ka përfshirë 15 komuna në masivin e Corbieres, duke shkatërruar ose dëmtuar të paktën 36 shtëpi. Një person humbi jetën në banesën e tij, ndërsa të paktën 13 të tjerë u plagosën, përfshirë 11 zjarrfikës. Tre persona, që rezultonin të zhdukur, janë gjetur.

Po zhvillohet një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ka lënë pas një peizazh të zi me pemë të djegura dhe hi. Kryetari i bashkisë së Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse, Xavier de Volontat, tha se “do të duhen vite për të rindërtuar këtë zonë”.

Banorët dhe turistët në zonat përreth janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi, përveç rasteve kur urdhërohen të evakuohen. Të evakuuarit janë strehuar në qendra emergjente në 17 komuna.

Zjarri nisi në fshatin Ribaute në rajonin Aude, një zonë pyjore me shumë kantina vere. Rreth 8–9 kilometra katrorë vreshta janë djegur.

Sipas ministres së tranzicionit ekologjik, Agnès Pannier-Runacher, ky zjarr është pasojë e qartë e ndryshimeve klimatike dhe thatësirës. Ky është zjarri më i madh që nga krijimi i databazës kombëtare të zjarreve në vitin 2006.

Europa Jugore ka përjetuar shumë zjarre të mëdha këtë verë, teksa shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e temperaturave të larta dhe thatësirës. Më herët, një zjarr në Marsejë plagosi rreth 300 persona.

Sipas shërbimit klimatik “Copernicus” të BE-së, Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me dyfishin e mesatares globale që nga vitet 1980. /Ad.Ab./

The post FRANCË – Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin më të madh ndër dekada appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Bllokohet foltorja pas urdhërit për arrest shtëpie për ish-presidentin Bolsonaro.

6 August 2025 at 22:51

RIO DE ZHANEJRO, 6 gusht /ATSH-DPA/ – Ligjvënës dhe senatorë të krahut të djathtë kanë zënë foltoret në të dy dhomat e Kongresit brazilian në shenjë proteste kundër arrestit të shtëpisë të urdhëruar për ish-presidentin Jair Bolsonaro.

“Nuk do të largohemi derisa presidentët e të dy dhomave të takohen për të zgjidhur një problem të sovranitetit kombëtar”, tha Sostenes Cavalcante, kreu i grupit parlamentar i Partisë Liberale (PL) të ekstremit të djathtë të Bolsonaros.

Bolsonaro u vu të hënën në arrest shtëpie me urdhër të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes për shkelje të kufizimeve të vendosura nga gjykata në një rast që lidhet me akuzat për komploti në një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2022.

Politikanët kanë bërë thirrje për një votim mbi procedurat e shkarkimit kundër Moraes, si dhe një amnisti për persona të përfshirë në sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në janar 2023.

Derisa të ndodhë kjo, ata synojnë të bllokojnë të gjitha votat në Kongres.

Pasi Bolsonaro u mund në zgjedhjet e Brazilit në vitin 2022 nga rivali i krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, mbështetësit e tij, të cilët refuzuan të pranonin fitoren e Lulës, sulmuan Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial në Brasília më 8 janar 2023, duke shkaktuar dëme të mëdha.

olsonaro ka mohuar të gjitha akuzat që lidhen me përpjekjen për grusht shteti. /Ad.Ab./

 

The post BRAZIL – Bllokohet foltorja pas urdhërit për arrest shtëpie për ish-presidentin Bolsonaro. appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEKNOLOGJI – Gjermania drejt legalizimit të ruajtjes nëntokësore të CO2

6 August 2025 at 22:27

BERLIN, 6 gusht /ATSH- DPA/  – Qeveria e Gjermanisë miratoi sot projektligjin që do të legalizonte ruajtjen nëntokësore të dioksidit të karbonit, një hap kyç në strategjinë e saj për të përmbushur objektivat klimaterike.

Planet përfshijnë zhvillimin e një rrjeti kombëtar të transportit të CO2 për të lehtësuar kapjen dhe ruajtjen e karbonit (CCS), veçanërisht për sektorët industrialë që janë të vështirë për t’u zbutur.

Vendimi i kabinetit shënon një ndryshim të rëndësishëm politik. Deri më tani, përdorimi i teknologjive CCS është bllokuar në mënyrë efektive në Gjermani.

Projektligji duhet të miratohet ende nga ligjvënësit në parlament.

Ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche e përshkroi paketën si një “moment historik” në dekarbonizimin e industrisë gjermane. Robert Habeck, paraardhës I ministres Reiche, kishte propozuar gjithashtu legjislacion të ngjashëm, por mosmarrëveshjet politike në qeverinë e mëparshme të koalicionit i prishën këto plane.

Legjislacioni do të lejonte që CO2 të kapet në vendet industriale, të transportohet nëpërmjet tubacioneve dhe të ruhet nën tokë, kryesisht nën shtratin e detit në zonën ekskluzive ekonomike të Gjermanisë. Magazinimi në ujërat bregdetare dhe zonat e mbrojtura do të ndalohet.

Fokusi është në sektorët ku emetimet janë aktualisht të pashmangshme, siç është prodhimi i çimentos, gëlqeres dhe aluminit. Këto procese ende nuk mund të dekarbonizohen nëpërmjet elektrifikimit ose zëvendësimit të materialeve. Megjithatë, ligji do të përjashtonte në mënyrë të qartë emetimet nga termocentralet me qymyr nga ruajtja nëpërmjet kësaj metode.

Qeveria gjithashtu dëshiron të mundësojë ndërtimin e tubacioneve të CO2 dhe të lejojë pjesëmarrjen gjermane në projektet e magazinimit ndërkufitar, siç janë ato në Norvegji. Ndërsa magazinimi i përhershëm i CO2 në tokë nuk do të lejohet në të gjithë vendin, shtetet do të kenë mundësinë ta legalizojnë atë nëpërmjet legjislacionit rajonal. /Ad.Ab./

The post TEKNOLOGJI – Gjermania drejt legalizimit të ruajtjes nëntokësore të CO2 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Presidentja zvicerane në Uashington për të shmangur tarifën prej 39 %

6 August 2025 at 22:19

ZYRIH, 6 gusht /ATSH/ – Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, tha se pati sot një “takim shumë të mirë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndërsa Zvicra përpiqet të arrijë një marrëveshje për të shmangur një tarifë shkatërruese prej 39% mbi eksportet e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Reuters

Sipas një burimi zviceran të njohur me diskutimet, Uashingtoni mund të kërkojë më shumë eksporte energjie dhe të mbrojtjes drejt Zvicrës. Në këmbim, zviceranët po synojnë të ulin taksat doganore mbi mallrat që shesin në SHBA, që është tregu i tyre më i madh i eksportit dhe një blerës i rëndësishëm i orëve zvicerane, makinerive dhe çokollatës.

“Patëm një takim shumë të mirë sot. Kishim një shkëmbim shumë miqësor dhe të hapur” u tha Keller-Sutter gazetarëve pas takimit në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Keller-Sutter nuk iu përgjigj një pyetjeje nëse Zvicra do të ofronte diçka më shumë për të shmangur tarifën 39% që është planifikuar të vendoset mbi produktet e saj.

Në rrjetet sociale, Keller-Sutter më pas shkroi se ajo dhe Rubio kishin “diskutuar për bashkëpunimin dypalësh, situatën e tarifave dhe çështje ndërkombëtare”.

Zvicra u trondit javçn e kaluar nga vendimi i presidentit Donald Trump për të aplikuar këtë normë të lartë,një nga më të lartat që ai ka shpallur që nga nisja e riformatimit global të tregtisë , e cila rrezikon të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë eksportuese të Zvicrës.

Keller-Sutter dhe Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, udhëtuan dje për në Uashington për negociata të minutës së fundit, me qëllim uljen e tarifave para se ato të hyjnë të enjten në fuqi.

Parmelin kishte ngritur më parë mundësinë që Zvicra të blejë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje më të favorshme.

Sipas një marrëveshjeje që BE arriti me Uashingtonin muajin e kaluar për të siguruar një tarifë më të ulët prej 15%, Brukseli ra dakord të blejë 750 miliardë dollarë në LNG, naftë dhe produkte energjie bërthamore gjatë tre viteve të ardhshme.

Ndërsa BE-ja nuk bëri ndonjë premtim zyrtar për të blerë më shumë armë amerikane, ajo i sygjeroi negociatorëve amerikanë se furnizuesit amerikanë do të përfitonin nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, në përputhje me angazhimet më të larta të NATO-s, të rëna dakord nën presionin e Trump-it. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Presidentja zvicerane në Uashington për të shmangur tarifën prej 39 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia tani duket më e prirur drejt një armëpushimi

6 August 2025 at 21:35

KIEV, 6 gusht /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Rusia dukej “më e prirur” për një armëpushim, por paralajmëroi se detajet e çdo marrëveshjeje të mundshme janë thelbësore dhe as Ukraina dhe as SHBA-ja nuk duhet të mashtrohen nga Moska, sipas “Reuters”.

Deklarata erdhi pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump raportoi se takimi i të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff  me udhëheqësin rus Vladimir Putin sot në Moskë kishte patur “progres të madh”, megjithëse Trump nuk dha detaje specifike rreth diskutimeve.

Pas takimit të Witkoff me Putinin, Zelensky mori pjesë në një telefonatë me presidentin Trump ku ishin të pranishëm dhe aleatë evropianë.

“Ukraina do ta mbrojë patjetër pavarësinë e saj. Ne të gjithë kemi nevojë për një paqe të qëndrueshme dhe të besueshme. Rusia duhet t’i japë fund luftës që ajo vetë e filloi”, shkroi Zelenskiy në X.

Së fundmi, Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj Putinit dhe ka vendosur një afat deri të premten që Rusia të bëjë paqe me Ukrainën, përndryshe do të përballet me sanksione më të ashpra. Ndërsa Trump e cilësoi vizitën e Witkoff si shumë produktive, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se sanksionet dytësore ndaj vendeve që bëjnë biznes me Rusinë pritet të hyjnë të premten në fuqi.

“Presioni ndaj (Rusisë) funksionon. Por gjëja më e rëndësishme është që të mos na mashtrojnë në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,  shtoi Zelensky. /Ad.Ab./

 

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia tani duket më e prirur drejt një armëpushimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌