Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

“Djali dhe perlat”, shfaqje baleti në COD

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:56

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) mirëpriti në hollin protokollar të kryeministrisë një shfaqje të veçantë nga qendra kulturore “Balet Sprint”, nën drejtimin e Rezarta Sulejmanit.

Shfaqja me titull simbolik “Djali dhe perlat” nuk ishte thjesht një performancë baleti, por një mesazh i fortë për t’u rikthyer tek arti, muzika, kërcimi dhe e bukura. Ajo erdhi si një ftesë për fëmijët dhe të rinjtë që të lidhen më shumë me botën krijuese dhe të shkëputen, qoftë edhe për pak, nga teknologjia.

Me një përvojë 25-vjeçare, prej të cilave 10 vjet në Itali dhe 15 në Shqipëri, Rezarta Sulejmani ka sjellë në skenë breza të tërë fëmijësh të pasionuar pas artit dhe baletit./atsh/KultPlus.com

Skandali i “KissCam” – A ekziston më privatësia në kohën e rrjeteve sociale

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:40

Një moment në dukje i padëmshëm gjatë një koncerti të Coldplay mori përmasa virale, kur “KissCam” kapi një çift që u përpoq (pa sukses) të shmangte kamerën. Brenda pak orësh, videoja u shpërnda në rrjetet sociale me meme, parodi dhe spekulime për identitetin e tyre.

Përdoruesit online nuk humbën kohë për të zbuluar se kush ishin. Kompania e teknologjisë Astronomer më vonë konfirmoi se personat në video ishin CEO-ja dhe shefja e burimeve njerëzore të saj. Si pasojë e zbulimit, CEO-ja dha dorëheqjen gjatë fundjavës.

Ngjarja ndezi diskutime të gjera rreth etikës në biznes, përgjegjësisë së drejtuesve dhe pasojave të konflikteve të interesit. Por ajo hapi edhe një debat më të madh: në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur online, a ekziston më privatësia në hapësira publike?

Nga kamerat e sigurisë e deri te telefonat e çdokujt, pamjet e përditshmërisë sonë mund të filmohen dhe shpërndahen në çdo moment. Në ambiente si stadiume apo koncerte, shikuesit janë bërë pjesë e spektaklit. Dhe ndërsa dikur këto momente mbeteshin brenda vendit ku ndodhnin, sot ato përhapen me shpejtësi në internet.

Profesori Ellis Cashmore, autor i librit “Celebrity Culture”, thekson:
“Nuk mund të flasim më për privatësi në kuptimin tradicional. Nëse je në një koncert me qindra njerëz, nuk mund të presësh privatësi.”

Pasi videoja shpërtheu online, ndodhi edhe ajo që ekspertët e quajnë “doxing”, identifikimi dhe ekspozimi publik i individëve në video. LinkedIn-et e të dy punonjësve u mbyllën dhe media nuk arriti të kontaktojë asnjërin për koment.

Madje, edhe persona që nuk ishin në video u përfshinë gabimisht. Një grua që ndodhej pranë çiftit u komentuar dhe gjykua, me pretendimin se ishte punonjëse e kompanisë, gjë e cila më vonë u mohua zyrtarisht.

Mary Angela Bock, pedagoge në Universitetin e Teksasit, thotë:
“Nuk është vetëm kamera që përbën rrezik, por sistemi i shpërndarjes. Një moment mund të bëhet viral dhe të ketë pasoja reale, emocionale dhe profesionale për ata që shfaqen në të.”
Ndërsa teknologjia avancon me shpejtësi, shoqëria duket se nuk ka ecur në të njëjtin hap me rregullat etike. Ekspertët ngrenë shqetësimin se, në përpjekjen për të argëtuar veten dhe të tjerët online, shpesh harrojmë pasojat për individët që bëhen “objekte” virale.

“Media sociale ka ndryshuar shumë,” thotë Bock.

“Por ne ende nuk kemi zhvilluar një kulturë të përgjegjshme për ta përballuar atë.”

Por derisa të vihen rregulla apo ligje, Bock thotë se të gjithë duhet të senibilizohemi dhe të mendohemi mirë para se të shpërndajmë një video./anabel/

114 Vjet nga rizbulimi i Machu Picchu: Hiram Bingham zbulon qytetin e lashtë të Inkave

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:20

Më 24 korrik 1911, eksploruesi amerikan Hiram Bingham bëri një zbulim historik në Peru: Machu Picchu, qyteti i lashtë inka, që ishte harruar për shekuj me radhë, u rizbulua dhe bëhet një nga atraksionet më të njohura të botës.

Bingham, i cili udhëhoqi një ekspeditë nga Universiteti i Yale-së, e gjeti Machu Picchun të fshehur mes maleve të Perusë, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme të qytetërimit inka dhe historisë së tij të pabesueshme. Ky zbulim i dha botës një mundësi të jashtëzakonshme për të studiuar dhe kuptuar më mirë jetesën dhe arritjet e inkasve, transmeton KultPlus.

Machu Picchu është një nga vendet më të njohura dhe më të vizituara në botë, dhe konsiderohet një nga 7 Mrekullitë e Botës Moderne, një dëshmi e jashtëzakonshme e mjeshtërive arkitektonike dhe inxhinierike të qytetërimit Inka./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë, Minca Benedejčič

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:19

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik në vendin tonë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores Benedejčič në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Gjatë mandatit të Ambasadore Benedejčič, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani i uroi znj. Benedejčič suksese në angazhimet e mëtejme./KultPlus.com

Parku i vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun, tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:08

Parku i vetëm detar kombëtar i Shqipërisë, Sazan-Karaburun, po shijon një sezon turistik të suksesshëm, duke tërhequr një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj. Udhëtimi me anije drejt këtij parku natyror ofron mundësinë për të kaluar një ditë të paharrueshme në gjirin e Vlorës, duke eksploruar bukuritë e natyrës dhe atraksionet e veçanta të këtij vendi unik.

Kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar se për muajin qershor, 8876 turistë vizituan parkun Sazan-Karaburun, dhe numri i vizitorëve vijon të rritet edhe gjatë muajit korrik. Vizitorët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, duke bërë që ky park të jetë një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë eksperienca të veçanta natyrore dhe kulturore, transmeton atsh

Në portin e Vlorës operojnë 12 anije turistike të licencuara për të kryer udhëtime në këtë park. Sazan-Karaburuni është një atraksion kryesor për ata që duan të shijojnë peizazhe mahnitëse detare dhe të zbulojnë monumentet natyrore të këtij parku, i cili shtrihet në një sipërfaqe detare prej rreth 1,9 km.

Një nga atraksionet më të vizituara është Shpella e Haxhi Aliut, e njohur për bukurinë e saj natyrore dhe historinë që fshihet brenda saj. Po ashtu, Gjiri i Gramës, i njohur si skaji më i largët jugor i parkut detar, ofron një përvojë të paharrueshme për vizitorët që kërkojnë relaks dhe qetësi. Ishulli i Sazanit, një tjetër atraksion i njohur, është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët që kërkojnë të zbulojnë bukuri të veçanta natyrore.

Parku ofron gjithashtu një eksperiencë të jashtëzakonshme natyrore në brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit dhe Gjirit të Djallit, duke ofruar mundësi për peshkim dhe relaks në një ambient natyror unikal.
Një tjetër arsye për të vizituar këtë park është biodiversiteti i tij i pasur. Breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinët, dhe peshkaqenët janë disa nga speciet që e bëjnë këtë park të rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemit detar.

Sazan-Karaburuni, si parku detar më i rëndësishëm i Shqipërisë, vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët, duke ofruar një përvojë të pasur dhe të veçantë në natyrën shqiptare./KultPlus.com

‘Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes’

By: Kult Plus
24 July 2025 at 15:05

Thënie nga Alexander Dumas

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më të forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bën dhurata.”./ KultPlus.com

Presidenti i UNI- Universum, Alejtin Berisha, i ftuar në CNN Turk – “Kosova, destinacion i sigurt dhe cilësor për studime universitare”

By: Kult Plus
24 July 2025 at 14:50

Në një paraqitje të veçantë në emisionin “Tercih Zamanı” në CNN Türk, Alejtin Berisha, Kryetar i Bordit të UNI Universum International College, prezantoi mundësitë që ky institucion ofron për studentët ndërkombëtarë, me fokus të veçantë tek ata nga Turqia.

Ai theksoi se Kosova po kthehet në një destinacion atraktiv për studime universitare, falë sigurisë, mikpritjes dhe kostos së përballueshme të jetesës. Ndërkohë, Universiteti Universum është lider në ndërkombëtarizim dhe cilësi akademike, duke ofruar:

  •  Statusin e institucionit #1 në Kosovë për projekte Erasmus+
  •  Diploma të dyfishta me partnerë nga Gjermania dhe SHBA
  •  200+ partneritete për mobilitet ndërkombëtar
  •  Mijëra studentë nga rajoni dhe 1200+ studentë ndërkombëtarë

Universum ofron një përvojë gjithëpërfshirëse akademike dhe kulturore, duke kombinuar arsim cilësor, eksperiencë globale dhe mbështetje të plotë për studentët, përfshirë bursa deri në 50%.

Në fund të intervistës, Berisha u bëri thirrje prindërve dhe maturantëve që të mbështesin fëmijët në ndjekjen e pasioneve të tyre, duke zgjedhur një ambient modern dhe ndërkombëtar si Universum.

🎓 Krijo suksesin tënd me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University – universiteti më i madh publik në SHBA.

📲 Apliko tani në: +383 44 144 062 

APLIKO: https://universum-ks.org/apliko/
📧 info@universum-ks.org
🌐 Ndiqni UNI në Facebook & Instagram

Një Dritare Ndaj Kujtesës – Ekspozita: “Shot / Reverse Shot” – Barry Lewis

By: Kult Plus
24 July 2025 at 14:37

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor GOCAT, ekspozita “Shot / Reverse Shot” sjell më shumë sesa një përzgjedhje fotografish, ajo ndërton një dialog të thellë vizual mes të kaluarës dhe të tashmes, një përballje intime me kujtesën kolektive të Shqipërisë. Kjo ekspozitë hap një fushë reflektimi ku imazhi bëhet formë rrëfimi dhe rikujtimi, e ku historia e afërt merr formë përmes dritës dhe hijes.

Në qendër të ekspozitës janë fotografitë arkivore të artistit britanik Barry Lewis, të realizuara në vitet 1990 dhe1991, në një Shqipëri të izoluar dhe periudhë tranzicioni. Këto nuk janë vetëm dokumente të një realiteti të vështirë, por sinjale të mbushura me tension, pasiguri dhe ndjeshmëri. Përballë tyre qëndrojnë veprat e disa artistëve shqiptarë bashkëkohorë, sikurse Koloreto Cukalli,Kristanja Çene, Roland Tasho dhe Ervin Bërxolli,  të cilët poashtu dialogojnë me të shkuarën përmes gjuhës së artit.

Elton Koritari dhe Burim Myftiu, kuratorë të ekspozitës, e shohin fotografinë si një medium unik që kapërcen kohën dhe bëhet gjithmonë aktual. Puna klasike që bëhet, me kalimin e kohës merr edhe dimension bashkëkohor sepse fotografia si medium është një nga format më të përhapura.

Vetë Barry Lewis, i cili u rikthye në Shqipëri pas më shumë se tri dekadash, shpreh habinë e tij për ndryshimet, por edhe për vazhdimësinë emocionale që vendi mban me të kaluarën. “Më shumë se 30 vjet më vonë dhe isha thjesht i mrekulluar. Njerëzit gjithmonë kanë qenë mikpritës, por në vitin 1990 ishte një tjetër realitet,” kujton ai.

“Shot / Reverse Shot” është një përpjekje për të rindërtuar fijet e kujtesës ndërbrezore dhe për të ofruar një reflektim të ri mbi një periudhë që, edhe pse historike, është ende thellësisht e pranishme. Ajo fton vizitorin të mendojë jo vetëm për atë çfarë kemi qenë, por edhe për atë çfarë jemi sot dhe mund të bëhemi nesër.

Ekspozita është organizuar nga GOCAT, me mbështetjen e Fondacionit MANE, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të mbështetur artin, dialogun dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. E hapur për publikun deri më 7 shtator, hyrja është pa pagesë./KultPlus.com

Frika e Princ Harry: A do ta shpallë William “non grata” kur të bëhet mbret?

By: Kult Plus
24 July 2025 at 14:30

Drama në familjen mbretërore britanike nuk ndalet, dhe sërish në qendër të vëmendjes është princi Harry. Sipas raportimeve nga mediat britanike, burime pranë pallatit thonë se Harry është thellësisht i shqetësuar për të ardhmen e tij në Mbretërinë e Bashkuar, posaçërisht në rastin kur princi William të bëhet mbret. Fjala që përshkruan frikën e tij: “banish”, që nënkupton përjashtim të plotë nga vendi dhe oborri mbretëror.

Biografi mbretëror Tom Bower i tha gazetës The Mirror se Harry ka frikë se William do ta shpallë persona non grata, duke e larguar përfundimisht nga jeta publike britanike:
“Harry është i dëshpëruar. Ai ka frikë reale se nuk do të ketë më asnjë rol kur Charles të mos jetë më në fron.”

Përpjekje të fshehta për pajtim me Mbretin
Për të shmangur një të ardhme të tillë, Harry po përpiqet të rindërtojë marrëdhëniet me babanë e tij, Mbretin Charles. Një takim jozyrtar dhe i mbajtur në fshehtësi është zhvilluar së fundmi në Londër, në ambientet e klubit Royal Over-Seas League, mes përfaqësuesve të Harry-t dhe ekipit të ngushtë të mbretit. Mediat e përshkruajnë si një përpjekje të vogël për pajtim.

Megjithatë, jo të gjithë në pallat janë entuziastë. Burime mbretërore kanë shprehur shqetësimin se çdo kontakt me mbretin mund të përdoret nga Harry për përfitime mediatike. Dyshimi mbizotëron dhe besimi mungon.

William dhe Kate qëndrojnë larg
Princi William dhe Princesha Kate nuk ishin pjesë e këtij takimi “sekret”, as nuk dërguan ndonjë përfaqësues. Sipas burimeve nga Daily Mail, mungesa e tyre nuk ishte e rastësishme dhe fakti që takimi u bë publik konsiderohet si dëshmi e mungesës së besimit të plotë:

“Nuk është rastësi që nuk ishin të përfshirë. Publikimi i takimit flet vetë.”

Kjo tregon se, ndërsa mbreti Charles mund të jetë i gatshëm për një farë afrimi, William dhe Kate preferojnë të mbeten jashtë çdo përpjekjeje që zhvillohet nën vëmendjen e publikut.

Reagimi i ashpër i ekipit të Harry-t
Pas shpërndarjes së lajmit për frikën e Harry-t nga përjashtimi, ekipi i tij komunikues reagoi menjëherë duke mohuar zërat për panik apo ndjesi paranoje:

“Është qesharake se si më shumë flasin ata që dinë më pak.”

Pavarësisht mohimeve, zërat për tensionet nuk po shuajnë. Klima në oborrin mbretëror mbetet e trazuar dhe e mbushur me mosbesim.

Çfarë pritet më tej?
Ngjarja madhore Invictus Games që do të mbahet në Birmingham në vitin 2027, shihet si një mundësi e re për bashkim. Harry thuhet se dëshiron të ftojë publikisht të atin dhe vëllain. Por, deri më tani, nuk ka asnjë sinjal që William do të pranojë.

Deri atëherë, pyetja mbetet: a është ky fundi i dramës mbretërore apo vetëm një kapitull tjetër në një sagë që s’ka ndërmend të mbarojë? Në Buckingham, një gjë është e sigurt asgjë nuk ndodh rastësisht./vizionplus

Andrra e Jetës (Trina)

By: Kult Plus
24 July 2025 at 14:00

Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.

II

U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me ‘j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu’ u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n’sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd’ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n’votër
e fryni n’zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t’mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal’ i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s’hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t’plasun,
tue nduk’ at’ shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t’dy, si kija,
mbi t’shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n’shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin’ e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.

III

Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag’tin’ e vet.

Bij’, mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan’ e mos çil gojën
se e lumja Zojë t’bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n’dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

Rri, bij’ se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.

Rihanna rrëfen si i rrit fëmijët: “Duhet të jenë jashtë, jo para ekranit”

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:59

Në një intervistë të fundit për Entertainment Tonight, Rihanna ka ndarë më shumë mbi përvojën e saj si nënë, duke theksuar ndikimin që ka pasur babai i saj, Ronald Fenty, në stilin e saj të prindërimit. Ajo ka dy djem, RZA (3 vjeç) dhe Riot (1 vjeç), dhe është aktualisht shtatzënë me fëmijën e tretë.

Sipas këngëtares, babai i saj ishte gjithmonë një shembull i fuqishëm për të si prind, duke i mësuar asaj dashurinë për natyrën dhe aventurat jashtë. Rihanna ka përshkruar se babai e kishte përgatitur për të rritur fëmijët e saj në një ambient ku ata do të ishin të lirë, duke u angazhuar jashtë dhe duke e shmangur teknologjinë. Ajo ka theksuar se dëshiron që fëmijët e saj të mos rriten si fëmijë të varur nga tabletët, por të kenë mundësi të kalojnë kohë të çmuar jashtë dhe të zhvillohen në mënyrë të natyrshme.

“Gjithmonë kam ëndërruar se çfarë lloj gjyshi do të ishte për ta, dhe më përgatiti për këtë rol,” tha Rihanna, duke shtuar se babai i saj ishte gjithashtu pjesa më argëtuese e fëmijërisë së saj, që përfshinte aktivitete si vrapimi zbathur në natyrë dhe të tjera që i jepnin një ndjenjë lirie.

Përkundër mesazhit të saj pozitive dhe të shëndetshëm, komentet e Rihanna kanë shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale. Disa prindër kanë shfaqur kundërshtime ndaj qasjes së saj dhe e kanë akuzuar për gjykim, duke theksuar se është e lehtë për një miliardere si Rihanna të flasë për prindërimin kur ka staf dhe mundësi të pakufizuara. Disa përdorues në Reddit shprehën shqetësimin se komente të tilla mund të nënvlerësojnë vështirësitë e prindërve të zakonshëm, të cilët nuk mund të përballojnë angazhimin e plotë ndaj fëmijëve siç bën Rihanna.

Një përdorues shkruajti:
“Rihanna është miliardere. Nuk dua të më japë leksione për prindërimin dikush që ndoshta ka një dhomë lodrash në një vilë me staf që i shikon fëmijët tek vrapojnë ‘të lirë’, ndoshta në një plazh privat.”

Megjithatë, shumë përdorues e përkrahën Rihanna-n dhe shprehën mbështetje për mënyrën si ajo po rrit fëmijët e saj. Disa komentues ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e aktivitetet jashtë dhe zhvillimit të natyrshëm të fëmijëve, përmes të cilëve ata mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve, dhe ndërveprimin social.

Një përdorues komentoi:
“Fëmijët kanë nevojë të mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve dhe ndërveprimin me të tjerët. Kjo humbet tek ata që përdorin tableta pa kufij.”

Përkundër kritikave, Rihanna ka mbetur besnike ndaj filozofisë së saj të prindërimit dhe ka shprehur se është e gatshme të vazhdojë me këtë qasje natyrale dhe të balancuar për fëmijët e saj./KultPlus.com

Një foto e Geraldinës në kopshtin zoologjik të Stokholmit në 1939

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:38

Nga Aurenc Bebja

“Ce soir” ka botuar, të hënën e 24 korrikut 1939, në faqen n°8, fotografinë e rrallë të mbretëreshës Geraldinë dhe motrave të mbretit Zog në kopshtin zoologjik të Stokholmit.

Ish-sovranët e Shqipërisë kishin nisur një udhëtim të gjatë në Evropë. Gjatë qëndrimit të tyre në Suedi, Mbretëresha Geraldinë dhe motrat e Mbretit Zog përfituan të bënin një vizitë të gjatë në kopshtin zoologjik të Stokholmit./ KultPlus.com

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/ce-soir-1939-vizita-e-mbretereshes-geraldine-dhe-motrave-te-mbretit-zog-ne-kopshtin-zoologjik-te-stokholmit-foto-ekskluzive/

Pasuria e lënë pas nga “Princi i Errësirës”, Ozzy Osbourne

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:30

Ozzy Osbourne, ikona e skenës së heavy metal dhe protagonisti i kulturës globale pop, vdiq më 22 korrik 2025, në moshën 76 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

Vdekja e tij u konfirmua në një deklaratë për gazetën The Sun: “Me trishtim të patreguar njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ndërroi jetë këtë mëngjes, i rrethuar nga familja e tij. Kërkojmë që privatësia jonë të respektohet.”

Trashëgimia e Osbourne, si kulturore ashtu edhe financiare, është e pamatshme. Pasuria e tij vlerësohet në 220 milionë dollarë, fryt i një karriere që zgjati pesë dekada dhe që ndikoi jo vetëm në muzikë, por edhe në televizion dhe në prodhimet live.

Karriera e tij filloi me Black Sabbath dhe vazhdoi me një karrierë të suksesshme solo, duke shitur miliona disqe. Ozzfest , turneu muzikor që ai themeloi në vitin 1996, fitoi mbi 100 milionë dollarë dhe shiti pesë milionë bileta.

Televizioni e katapultoi atë edhe më lart. Reality show “The Osbournes” (MTV, 2002) ndryshoi peizazhin televiziv dhe i dha atij një brez të ri fansash. Familja fitoi 800,000 dollarë në sezonin e parë dhe 5 milionë dollarë për anëtar në të dytin.

Gruaja e tij Sharon, fëmijët Jack dhe Kelly, si dhe marrëveshjet e tij për miratim, reklamim dhe botim kontribuan në një perandori biznesi me vlerë 251 milionë dollarë. Pavarësisht shëndetit të tij në përkeqësim, Ozzy ruajti një ndikim global deri në fund./KultPlus.com

Alexandre Dumas, shkrimtari që na magjepsi me romanet aventureske dhe historike

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:25

Nga Albert Vataj

Ka autorë që nuk lexohen thjesht: ata përthithen, mbeten në lëkurë dhe në gjak, bëhen pjesë e rritjes dhe e ëndrrës sonë të hershme. Për shumë prej nesh, Alexandre Dumas është kjo trashëgimi e papërsëritshme: orë të gjata leximi të fshehtë pas mureve të fëmijërisë, aventura që frymojnë edhe sot, emocione të paharrueshme që na ndezën pasionin për letërsinë. Nuk është çudi që presidenti francez Jacques Chirac, në vitin 2002, kur eshtrat e tij u zhvendosën në Panteon, aty ku prehen korifejt e Francës, e përmblodhi kështu këtë ndjesi universale:

“Me ty është fëmijëria, orët e leximit të shijuar në fshehtësi, emocionet, pasioni, aventura dhe ndjesia që hyjnë në Panteon. Me ty ëndërruam. Me ty ende ëndërrojmë.”

Një jetë e gdhendur në fjalë dhe në aventura
Alexandre Dumas, shkrimtari legjendar i romaneve historike dhe aventureske, mbetet një nga autorët më të lexuar e më të përkthyer të të gjitha kohërave. I lindur më 24 korrik 1802 në Villers-Cotterêts, Francë, ai u pagëzua me emrin Alexandre Dumas Davy de la Pailleterie. Babai i tij, gjenerali Thomas-Alexandre Davy de la Pailleterie, një figurë e jashtëzakonshme me origjinë nga Haiti, kishte marrë mbiemrin Dumas në nder të së ëmës, Marie-Césette Dumas, një grua e skllavëruar që mbartte në gjak një histori tjetër bote. Kështu, në damarët e shkrimtarit do të rridhnin bashkë gjaku aristokrat dhe kujtesa e një populli të robëruar. Gjenerali Thomas-Alexandre, që do të quhej nga bashkëluftëtarët “Djalli i Zi”, i përcolli të birit historitë e trimërisë dhe idealet që e shoqëruan gjithë jetën. Por ai vdiq kur Alexandre ishte vetëm katër vjeç, duke lënë familjen në varfëri dhe pa mbështetje.

Nga leximi i fshehtë te gjuha e artit
Dumas u rrit me një uri të pashuar për libra. Ai lexonte gjithçka që i binte në dorë dhe, me një vullnet të jashtëzakonshëm autodidakt, mësoi edhe spanjisht. Kjo etje për dije dhe tregime do ta çonte drejt një karriere që nisi me drama, por që do të gjente shpërthimin e madh në romanet e serializuara. Në bashkëpunim me Auguste Maquet dhe të tjerë, ai krijoi vepra që e kthyen në një fenomen kulturor.
Një univers i pandërprerë aventuresk

Në rrëfimet e tij gërshetohen heroizmi, intriga, skandali dhe romantizmi. Tetë vëllimet me ese mbi raste të famshme historike – nga Lucrezia dhe Cesare Borgia te Karl Ludwig Sand – tregojnë një mendje kureshtare dhe të paepur. Por fama e tij do të merrte dritë të pakonkurueshme me romanet “Tre Musketierët”, “Konti i Monte Kristo” dhe kapitujt e paharruar mbi “Njeriun me maskë të hekurt”. Përmes tyre, Dumas nuk thjesht krijoi personazhe, por ndërtoi mite që i rezistuan kohës.

Ai gjithashtu botoi cikle të tjera madhështore, si romanet e Marie Antoinette, seria Valois, dhe përfshiu edhe fantazinë në romanin “The Wolf Leader”, një pararendës i temave mbi ujqërit e mitit dhe natyrës së egër. Këto krijime u përhapën në të gjithë Europën dhe përtej saj, duke e bërë emrin e Dumas një sinonim të aventurës dhe të imagjinatës.

Mes shkëlqimit dhe rrëzimit
Me të ardhurat e mëdha që fitoi, Dumas bleu dhe ndërtoi Château de Monte Cristo në Port-Marly – një strehë e krijimit dhe mikpritjes, e mbushur me festa dhe net të gjata rrëfimesh. Por shpenzimet marramendëse dhe një jetë e shpenguar e çuan në borxhe të rënda. Për t’i shpëtuar kreditorëve, ai u largua në Belgjikë dhe më pas në Rusi, ku vazhdoi të botojë, të udhëtojë dhe të krijojë.

Nga varri në Panteon
Dumas u nda nga jeta më 5 dhjetor 1870 në Puys, në shtëpinë e të birit, Alexandre Dumas (i biri), gjithashtu shkrimtar i njohur. Fillimisht u varros në qytetin e lindjes, por historia do t’i rezervonte një nderim të vonuar: në vitin 2002, eshtrat e tij u zhvendosën në Panteonin e Parisit, aty ku prehen figurat më të ndritura të kulturës franceze – mes tyre Victor Hugo, Émile Zola dhe Jean-Jacques Rousseau. “Alexandre Dumas më në fund do të zërë vendin e tij pranë Victor Hugo, Émile Zola dhe vëllezërve të tij në letërsi,” u shpreh atë ditë Jacques Chirac.

Një trashëgimi që nuk shuhet
Dumas mbetet një autor që lexuesit e ndjejnë si të tyrin, pavarësisht brezit. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 100 gjuhë dhe kanë frymëzuar mbi 200 filma, duke e kthyer atë në një prej shkrimtarëve më të dashur të shekullit XIX dhe më gjerë. Edhe sot, dorëshkrime të pabotuara – si “Kalorësi i fundit”, i botuar në vitin 2008 – na kujtojnë se zëri i tij ende ka rrëfime për të ndarë.

Clive Christian Imperial Majesty: Parfumi që kushton sa një apartament luksoz

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:05

Në botën e luksit dhe ekskluzivitetit, Clive Christian ka hedhur një hap tjetër përpara me krijimin e Imperial Majesty No.1, një parfum që ka një çmim të jashtëzakonshëm, duke e bërë atë një prej produkteve më të shtrenjta në botë. Ky parfum mund të merret për mbi 400,000 euro për një shishe gjysmë litri, një shumë që mund të blinte një apartament luksoz në disa nga qytetet më të shtrenjta të botës.

Detaje të jashtëzakonshme:

Shishja: Prej kristali Baccarat, e punuar me dorë për të ofruar një estetikë të jashtëzakonshme dhe të veçantë.

Qafa e shishes: E zbukuruar me ari 18 karatësh, duke theksuar gjithashtu pasurinë dhe traditën e këtij produkti.

Diamanti: Në vend të një tufe zakonshme, shishja ka një diamant 5 karatësh, duke i shtuar një element të jashtëzakonshëm luksit.

Prodhimi: Vetëm 10 shishe janë prodhuar në botë, dhe shumica e tyre janë dorëzuar me Bentley privat, duke e bërë këtë parfum edhe më të ekskluzivizuar dhe të vështirë për t’u gjetur.

Tradita Historike:
Clive Christian ka lidhje të ngushta me familjen mbretërore britanike, pasi shtëpia e parfumeve ka marrë lejen nga Mbretëresha Viktoria për të përdorur kurorën mbretërore në produktet e saj. Kjo traditë u trashëgua dhe vazhdoi me një nga krijimet më të njohura të markës: Imperial Majesty – një edicion special i parfumit të njohur No.1.

Aroma:
Imperial Majesty ka një aromë të pasur dhe aristokratike, që përmban nota të bergamotit, mandarinës siciliane, vaniljes, sandalit dhe vetiverit. Ky parfum është i përshkruar si “parfumi i zemrës së Clive Christian”, një kompozim që sjell elegancë dhe rafinim të papërshkrueshëm.
Ky parfum është një simbol i luksit të pakufizuar, një mundësi për ata që mund të përballojnë shpenzime të jashtëzakonshme dhe që kërkojnë diçka të veçantë, që shkon përtej aromës së zakonshme dhe bëhet një investim në artin e parfumerisë./KultPlus.com

Filmi biografik për Michael Jackson “Michael” shtyhet për në 24 Prill 2026

By: Kult Plus
24 July 2025 at 12:56

Filmi biografik i shumëpritur i Michael Jacksonit, “Michael”, do të zhvendoset për një shfaqje botërore më 24 prill, si në kinematë e rregullta ashtu edhe në Imax, duke hequr dorë nga data e mëparshme e tetorit.

Lionsgate ka marrë përsipër shpërndarjen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Universal do të shpërndajë në të gjithë botën – me përjashtim të Japonisë. Kino Films është përgjegjëse në Japoni. Filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua, ndërsa skenari është nga John Logan. Roli i Jackson luhet nga Jafar Jackson, nipi i Mbretit të Popit. Graham King, i cili fitoi një Oscar për The Departed, është producent.

Sipas sinopsisit zyrtar të filmit: “Michael” kronikon udhëtimin e superyllit global për t’u bërë i njohur në botë si Mbreti i Popit, duke ofruar një vështrim intim në jetën dhe trashëgiminë e qëndrueshme të njërit prej artistëve më me ndikim dhe më të shquar që njerëzimi ka njohur ndonjëherë .”

Në maj, CEO i Lionsgate, John Feltheimer, kishte deklaruar se filmi “ka të ngjarë” të zhvendosej në vitin 2026. Edhe pse xhirimet përfunduan në maj 2024, projekti kaloi nëpër rixhirime dhe montazhi fillestar ishte i gjatë. Madje kishte mendime për ta ndarë atë në dy pjesë. Informacionet e fundit sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, buxheti i prodhimit është 155 milionë dollarë. Filmi do të publikohet nga FX në Ditën e Shën Valentinit 2026.

Përkujtojmë sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe patriotit Bajo Topulli

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:48

Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos.

Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vjetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!… / KultPlus.com

Dimali shënon festën e trashëgimisë kulturore: Tradita, artizanati dhe historia në zemër të qytetit

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:46

Qyteti i Dimalit është bërë pritës i aktivitetit festiv kushtuar trashëgimisë kulturore, ku u shpalosën për pjesëmarrësit traditat, artizanati dhe historia e qytetit.

Pedonalja u ndez nga një festë shumëngjyrëshe ku u ndërthurën këngët popullore, valet e krahinës dhe ekspozitat me punimet artizanale. E veçanta e këtij aktiviteti ishin veshjet tradicionale të zonës të trashëguara brez pas brezi të realizuara nga nxnënësit e shkollave të zonës.

Angazhimi i thuajse të gjithë komunitetit i dha një tjetër dimension festës, duke promovuar trashëgiminë kulturore si një pjesë e pa ndarë e identitetit të qytetit.“Ne ndodhemi në një festë të trashëgimisë kulturore duke prezantuar të gjitha projektet që shkollat kanë prezantuar gjatë gjithë vitit, gjithashtu dhe projektet artizanale në bazë të njësive administrative apo qëndrave artizanale”, tha Albano Kora, organizator.

Organizatorët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili ndërthur traditat e qytetit, të cilat fatkeqësisht po harrohen me kalimin e viteve, transmeton euronews.

“Festa e trashëgimisë kulturore në zemër të Dimalit, ky është një projekt që i cili jetëson jetën e Dimalit, falë projekteve të ndryshme, projekteve rinore të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore janë projekte fantastike të cilat sjellin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi Vilson Shehu, organizator gjithashtu.

Festa kushtuar trashëgimisë kulturore u mirëprit nga publiku vendas duke dëshmuar lidhjen e fortë të banorëve me historinë dhe traditat e të parëve.

”New York Times” përzgjedh Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:33

Gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

”Një tjetër verë me temperatura përvëluese në të gjithë Evropën i ka nxitur turistët të kërkojnë mënyra krijuese për të mposhtur vapën”, shkruan Gabe Castro-Root për ”New York Times”.

Kur temperaturat rriten ndjeshëm, Akropoli apo maja e Kullës Eiffel ndonjëherë mund të mbyllen, por plazhet janë të hapura dhe në formën e tyre më të mirë.

Mund të vallëzoni gjithë natën në rërë në Shqipëri, të bëni windsurf në Sardenjë ose të bëni ecje në një dunë gjigante në Francë. Ose mund të shijoni ditët e gjata të diellit arktik në Norvegji.

Por, plazhi i Dhërmiut, në Rivierën Shqiptare, tërheq adhuruesit e diellit dhe turistët e shumtë me festivale të shumta muzikore gjatë gjithë verës.

Riviera Shqiptare është vendosur si një alternativë ndaj brigjeve të mbushura me njerëz të Kroacisë dhe Greqisë, falë plazheve si Dhërmiu.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është gjithashtu një destinacion kryesor për ata që duan të festojnë, pasi zona organizon disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Kajaku dhe zhytja me maskë janë aktivitete të njohura dhe rrënojat e një aeroplani luftarak të epokës sovjetike vetëm disa qindra metra larg bregut të plazhit të afërt të Dhrimadhes janë një atraksion i veçantë për zhytësit.

Shtigjet e ecjes dhe ullishtat në zonë ofrojnë pamje panoramike të detit dhe malet Kerautine, që ngrihen në lindje, janë piktoreske si nga plazhi ashtu edhe gjatë ecjeve përgjatë rrugës dredha-dredha bregdetare./atsh/KultPlus.com

24 Korrik 1969: Apollo 11 kthehet në Tokë pas zbarkimit të parë në Hënë

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:15

Më 24 korrik 1969, anija kozmike Apollo 11 u kthye me sukses në Tokë, duke përmbyllur misionin e parë historik në të cilin njeriu zbarkoi në Hënë. Pas më shumë se tetë ditësh udhëtim në hapësirë, astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins u rikthyen të sigurt, duke u ulur në Oqeanin Paqësor, ku u pritën nga forcat amerikane të shpëtimit.

Ky moment kulmoi një nga përpjekjet më të mëdha të njerëzimit dhe u ndoq drejtpërdrejt nga miliona shikues në mbarë botën. Vetëm disa ditë më parë, më 20 korrik, Armstrong kishte hyrë në histori me fjalët e tij ikonike: “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin.

Misioni i Apollo 11 konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha shkencore dhe teknologjike të shekullit XX dhe hapi rrugën për misione të tjera në hapësirë. Sot, pas 55 vjetësh, ky sukses mbetet simbol i guximit, bashkëpunimit dhe mundësive të pafundme që ofron shkenca./KultPlus.com

❌
❌