DNIPROPETROVKS, 8 gusht /ATSH/ – Ushtarët ukrainas në fushën e betejës u shprehën sot skeptikë për një zgjidhje diplomatike të luftës, ndërsa afati i presidentit amerikan Donald Trump për Kremlinin që të bëjë paqe mbërriti, dhe ai po shqyrton një samit të mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi pushtimin e Ukrainës, sipas AP-së.
I zhgënjyer që Putin nuk iu përgjigj thirrjeve të tij për të ndaluar bombardimin e qyteteve ukrainase, Trump, gati dy javë më parë, e afroi ultimatumin e tij për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë dhe vendosjen e tarifave dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, nëse Kremlini nuk ndërmerr hapa drejt një marrëveshjeje.
Nuk ishte e qartë se çfarë hapash kishte ndërmend të ndërmerrte sot presidenti Trump. Kur u pyet dje nëse afati do të zbatohej, Trump duke iu referuar Putinin tha se “varet nga ai. Do të shohim çfarë do të thotë. Varet nga ai. Jam shumë i zhgënjyer”.
Përpjekjet e Trump për të ushtruar presion mbi Putinin që të ndalojë luftimet nuk kanë sjellë deri tani asnjë përparim. Ushtria më e madhe e Rusisë po avancon ngadalë më thellë në Ukrainë me kosto të mëdha në trupa dhe pajisje, ndërsa vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase.
Rusia dhe Ukraina janë ende shumë larg në kushtet e tyre për paqe.
Ushtarët ukrainas thonë se janë gati të vazhdojnë luftën
Forcat ukrainase janë të angazhuara në beteja intensive përgjatë një vije fronti prej 1 000 kilometrash që shtrihet nga verilindja në juglindje të Ukrainës.
Zona e Pokrovskut në rajonin lindor të Donetskut po merr goditjen kryesore, ndërsa Rusia kërkon të depërtojë në rajonin fqinj të Dnipropetrovskut. Ukraina ka mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore ushtarake.
Luftime të ashpra po zhvillohen gjithashtu në rajonin verior të Sumit, pranë kufirit, ku forcat ukrainase po përballen me ushtarët rusë për të penguar dërgimin e përforcimeve nga aty drejt Donetskut.
Në zonën e Pokrovskut, një komandant tha se beson që Moska nuk është e interesuar për paqe.
“Është e pamundur të negociohet me ta. Opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, tha Buda, komandant i brigades” Spartan”.. Ai përdori vetëm nofkën e tij, në përputhje me rregullat e ushtrisë ukrainase.
“Do të doja që ata të bien dakord dhe që e gjithë kjo të ndalet, por Rusia nuk do të pajtohet. Nuk dëshiron të negociojë. Pra, opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, shtoi ai.
Në rajonin jugor të Zaporizhjës, një komandant i artilerisë me nofkën “Varshava “ tha se trupat janë të vendosura të zmbrapsin pushtimin rus.
“Ne jemi në tokën tonë, nuk kemi ku të shkojmë”, tha ai. “Kështu që qëndrojmë, nuk kemi zgjedhje”.
Putin zhvillon një sërë telefonatash
Kremlini njoftoi sot se presidenti Putin pati një bisedë telefonike me liderin kinez Xi Jinping, gjatë së cilës ai e informoi atë për rezultatet e takimit të tij më herët këtë javë me të dërguarin e Trump, Steve Witkoff. Zyrtarët rusë thanë se Xi “shprehu mbështetje për zgjidhjen afatgjatë të krizës ukrainase”.
Putin pritet të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm. Kina, së bashku me Korenë e Veriut dhe Iranin, kanë ofruar mbështetje ushtarake për përpjekjet e Rusisë në luftë, sipas SHBA-së.
Kryeministri indian Narendra Modi tha në X se kishte zhvilluar gjithashtu një telefonatë me Putinin për të folur mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë. Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për blerjet e saj të naftës ruse, të cilat, sipas presidentit amerikan, po ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë.
Telefonatat e Putinit pasuan bisedat e tij me liderët e Afrikës së Jugut, Kazakistanit, Uzbekistanit dhe Bjellorusisë, tha Kremlini.
Analistët thonë se Putin po synon të lodhë Perëndimin
Trump njoftoi dje se do të takohej me Putinin edhe nëse ky i fundit nuk pranon të takohet me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Kjo ka ngjallur frikë në Evropë se Ukraina mund të anashkalohet në përpjekjet për të ndalur konfliktin më të madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Komentet e Trump pasuan një deklaratë të Putinit se ai shpreson të takohet me Trumpin që javën e ardhshme, ndoshta në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtëpia e Bardhë tha se ende po punon për detajet e çdo takimi të mundshëm.
“Instituti për Studimin e Luftës” në Uashington u shpreh dje në një vlerësim se “Putin mbetet i painteresuar për t’i dhënë fund luftës dhe po përpiqet të marrë lëshime bilaterale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paa u angazhuar në mënyrë domethënëse në një proces paqeje”.
“Putin vazhdon të besojë se koha është në anën e Rusisë dhe se ajo mund të lodhë Ukrainën dhe Perëndimin”, shtoi instituti .
Orban dëshiron që Evropa të përfshihet më shumë në zgjidhjen e konfliktit
Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot se Evropa duhet të marrë drejtimin në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Orban tha se liderët e Gjermanisë dhe Francës duhet të shkojnë në Moskë “për të negociuar në emër të Evropës”. Përndryshe, “do të mbetemi jashtë menaxhimit të çështjeve të sigurisë së kontinentit tonë”, tha Orbán për kanalin shtetëror hungarez.
Orban, një kritik i ashpër i Bashkimit Evropian, tha se shqetësimet e Evropës se një samit Trump–Putin mund të mos adresojë interesat e kontinentit, do të thotë se ajo duhet të marrë iniciativën diplomatike. /Ad.Ab./
The post ANALIZË – Ushtarët ukrainas skeptikë për paqe, ndërsa skadon afati i Trump për Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.