Presidenca daneze e Bashkimit Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ministrja për Çështjet Europiane, Marie Bjerre, i bëri thirrje forcave politike që të mbështesin planin ambicioz të qeverisë Rama, për tu anëtarësuar sa më parë në familjen europiane.
“Ne e vlerësojmë objektivin e Shqipërisë për të vazhduar progresin në rrugën e integrimit. Inkurajojmë të gjitha forcat politike që të mbështesin planin ambicioz për përfundimin e negociatave të anëtarësimit. Ne presim që të mbajmë konferencën e radhës ndërqeveritare me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, për të hapur kapitullin e katërt të grupit mbi axhendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme”, tha ministrja daneze Çështjet Europiane, Marie Bjerre.
Në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Ministrja daneze vlerësoi reformat e ndërmarra nga vendi ynë edhe pse thotë se korrupsioni vijon të mbetet problem. Sipas saj, Shqipëria është pararojë në procesin e integrimit, sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria po bën përparim të madh, po zbaton reformat e kërkuara. Ne e dimë që ata nuk janë ende gati për anëtarësim të plotë në BE. Ka probleme të tilla si korrupsioni. Ky proces për momentin është hapje e kapitujve të negociatave. Nuk po flasim për mbylljen e tyre, sepse deri atëherë nevojiten më shumë reforma. Do të jetë një proces zgjerimi i bazuar në meritë, jo vetëm në rastin e Shqipërisë, por dua të them se është një nga vendet në Ballkanin Perëndimor që po tregon rezultate konkrete në këtë proces”, shtoi ministrja daneze.
Një ditë më parë, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, rikonfirmoi mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
“Me Shqipërinë, ne mund të arrijmë finishin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në këtë mënyrë, këto dy vende (Shqipëria dhe Mali I Zi) do të jenë në gjendje të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së brenda mandatit të këtij Komisioni Evropian”, u shpreh Marta Kos.
Shqipëria është në pritje për hapjen e dy grupkapitujve të fundit në muajin shtator. Behet fjalë për Agjenda e Gjelbërt dhe Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni.
Ndërkohë, burime për Abc News thonë se në fund të vitit do të nisë edhe mbyllja e grupkapitujve, të cilat do të nisin pikërisht me “Marrëdhëniet me Jashtë”. Në këtë grupkapitull, Shqipëria ka marrë jo pak vlerësime nga Bashkimi Europian edhe për shkak të linjëzimit të politikë së jashtme me atë të bllokut./abcnews.al