Sulmuesi kosovar, Fatjon Bunjaku, në një intervistë për portalin Telegrafi.com, ka rrëfyer prapaskenat e transferimit të tij nga FC Malisheva te AF Elbasani, pritjen që i është bërë në klubin shqiptar dhe pritshmëritë e trajnerit Ivan Gvozdenovic. Ai ka folur gjithashtu për synimet ambicioze këtë sezon, arsyet pse nuk u realizuan ofertat nga Rumania, idhullin e tij në futboll dhe ëndrrën për të veshur fanellën e Kombëtares A të Kosovës.
Pas një sezoni të shkëlqyer me FC Malishevën dhe paraqitjeve të spikatura në Ligën e Konferencës, por edhe më parë në futbollin e Kosovës, Fatjon Bunjaku ka nisur aventurën e tij të parë jashtë Kosovës me fanellën e AF Elbasanit.
Bunjaku ka treguar se transferimi te AF Elbasani ishte rezultat i punës së tij të palodhur dhe formës së mirë që tërhoqi vëmendjen e drejtuesve shqiptarë. Pas bisedimeve mes klubeve dhe përfaqësuesit të tij, marrëveshja u finalizua shpejt, duke i hapur rrugën një kapitulli të ri në karrierën e tij. Ai u prit me krahë hapur nga shokët e skuadrës, stafi dhe trajneri Gvozdenovic, i cili pret shumë nga ai.
“Transferimi im te Elbasani erdhi si rezultat i paraqitjeve të mira individuale me klubin e FC Malishevës, duke shtyrë drejtorin sportiv të AF Elbasanit, Elton Guranjakun të kontaktoj me mua qysh para përfundimit te sezonit. Por, pasi përfunduam ndeshjet në Ligën e Konferencës me skuadrën e Malishevës, unë lajmërova përfaqësuesin tim, Labinot Talla, që të flas me klubin e Malishevës dhe të gjejmë një zgjidhje që i kënaq të dyja palët. Pas bisedimeve me klubin e FC Malishevës dhe AF Elbasanit, ne gjetëm një rrugë së bashku dhe finalizuam transferimin”, ka thënë fillimisht Bunjaku për Telegrafin.
“Pritja në ekipin e AF Elbasanit ishte tepër e mire si nga lojtarët, stafi i trajnerëve, drejtuesit e klubit, por po ashtu edhe nga trajneri Ivan Gvozdenovic, i cili ka pritshmëri mjaft të mëdha nga unë këtë sezon”, shtoi vushtrriasi.
Synimet e tij janë të qarta: pjesëmarrja në garat evropiane për të tretin vit radhazi dhe, pse jo, lufta për titullin kampion me Elbasanin. Me ofertat e dështuara nga Rumania pas Ligës së Konferencës, Bunjaku ka zgjedhur të fokusohet te projekti i ri në Shqipëri, duke u frymëzuar nga idhulli i tij Cristiano Ronaldo, por duke ruajtur stilin personal.
“Synimet e mia me klubin e Elbasanit janë sigurisht dalja në Evropë pasi që kam dy vite radhazi që e arrij këtë gjë me ekipin që kam qenë dhe pse jo të synojmë diçka shumë të madhe për klubin që është titulli kampion. Për synimet e mia individuale ashtu si çdo sulmues pretendoj të shënoj gola dhe ti ndihmoj ekipit me asistime”.

“Kisha marrë dy oferta nga Rumania pas ndeshjes se parë në Ligën e Konferencës kundër Vikingur nga përfaqësuesi im Labinot Talla, nga klubi UTA në Superligë dhe Sepsi në Ligën e Parë, por që dështuan pasi që klubi UTA nuk kishte mundësi të paguante kartonin tim të plotë pa mundësi përqindjeje kurse pas bisedave të gjata me përfaqësuesin tim Labinot Talla ne vendosem që mos të shkoj në Sepsi pasi ka qenë në Ligën e Parë”, nënvizoi 21-vjeçari.
“Lojtari im i preferuar është Cristiano Ronaldo, dhe gjatë gjithë karrierës sime kam përcjell atë si luan, por që nuk e kam kopjuar dhe aq shumë. Unë jam Fatjoni, kam stilin tim të të luajturit dhe dua te mbahem mend për lojën time dhe si Fatjon Bunjaku”.


Paraqitjet me Kosovën U21 i kanë dhënë shtysë për të ëndërruar një thirrje nga Kombëtarja A në të ardhmen e afërt.
“Po kam bërë paraqitje të mira me Kosovën U21 dhe jam krenar, dhe po në të ardhmen pres ftesë edhe nga Kombëtarja A për ndeshje zyrtare apo miqësore”, përfundoi sulmuesi kosovar. /Telegrafi/

The post Fatjon Bunjaku: Nga Malisheva te Elbasani – synon Evropën dhe ëndërron Kombëtaren e Kosovës appeared first on Telegrafi.