Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

Maliq, zjarri përfshin sipërfaqe pyjore e kullota

25 July 2025 at 13:54

Një zjarr ka përfshirë një pyll dhe kullota në fshatin Strelcë të Njësisë Administrative Gorë në bashkinë e Maliqit.

Kanë qenë banorët të cilët kanë njoftuar zjarrfikësen, e cila është nisur me forca të shtuara drejt vendit ku ka rënë zjarri.

Drejt vatrës janë nisur edhe forca të tjera për ndihmë përfshirë këtu bashkinë dhe policinë.

/abcnews.al/

Shfrytëzonin fëmijët e mitur për të lypur/ Dy të proceduar në Durrës

25 July 2025 at 13:41

Durrës- Dy persona janë proceduar penalisht pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur në zonën e plazhit.

Gjithashtu në Prokurori janë referuar për vlerësim pesë raste të lypjes nga shtetas të tjerë, moshave 21 – 40 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Kampioni në fuqi doli i dyti në etapën numër 18/ Çiklisti slloven la sërish pas rivalin e madh, Vingegaard

25 July 2025 at 13:02

Nuk fitoi as këtë herë, dhe as nuk qe nevoja. Tadej Pogaçar ka objektiv kryesor të fitojë Turin e Francës, dhe jo thjesht etapa individuale, dhe dhe ai iu afrua edhe më shumë suksesit përfundimtar pas segmentit të 18-të.

Ishte Ben O’Konor që kurorëzoi një shkëputje prej 16 kilometrash në rrugëtimin ndoshta më rraskapitës të këtij edicioni, të gjatë 171.5 km, dhe me 3 ngjitje ikonike, që janë të kategorisë maksimale të vështirësisë.

Diferenca në lartësi arriti 5 500 metra, ndërsa mbërritja në Kurshevel ishte në lartësinë 2 304 metra mbi nivelin e detit, më e madhe e Klasikes franceze këtë vit.

Pikërisht në ngjitjen finale, në Kodrën e famshme, Kol de la Loze, u luajt ndoshta drama vendimtare e Turit 2025.

Ndërsa australiani O’Konor shkoi I sigurt drejt fitores së etapës, Vingegard provoi për herë të parafundit shanset e tij, duke sulmuar Pogaçarin.

Kampioni në fuqi I rezistoi ofensivës së parë, po ashtu përballoi edhe mësymjen e dytë të danezit.

Kur erdhën metrat e fundit, çiklisti slloven bëri sulmin e tij duke lënë rivalin e tij të madh 9 sekonda prapa.

Ky ishte ndoshta konfirmimi përfundimtar që 26-vjeçari do ta fitojë Turin për herë të katërt, dhe do ta mbajë deri në fund të veshur Fanelën e Verdhë.

Pogaçar ka 4 minuta e 26 sekonda avantazh ndaj Vingegardit, ndërsa mbetet edhe etapa e fundit malore, më pas një itinerar kodrinor, si dhe shëtitja në bulevardet e Parisit të dielën e 27 korrikut.

Elbasan/ Zjarri aktiv prej ditësh, për shuarjen e vatrave angazhohen 90 forca operacionale

25 July 2025 at 12:21

Në zonën e Shmilit, një nga zonat malore më të mëdha në qarkun e Elbasanit, vijon puna nga ekipet zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit. Zjarri vijon të jetë aktiv që prej të shtunës dhe ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, shkurre e masive me pemë frutore.

Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Elbasan, Ndriçim Sinani bëri me dije se edhe sot forcat operacionale janë në terren që prej orëve të para të mëngjesit duke u përballur me kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer, temperaturave mjaft të larta dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Në operacion janë angazhuar rreth 90 efektivë nga strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, forcat e ushtrisë si dhe punonjës të bashkisë.

Ndërhyrja është duke u zhvilluar në mënyrë të koordinuar me mjete zjarrfikëse dhe pajisje të specializuara , ndërsa në zona të paarritshme me automjete po punohet edhe me mjete rrethanore dhe forca fizike.

Sipas drejtorit të emergjencave civile në Bashkinë e Elbasanit në masivin pyjor Lugaxhi – Dritas prej 6 ditësh vazhdon  puna pa ndërprerje për izolimin e vatrave të zjarrit.

Terreni mjaft i vështirë  dhe era e fortë kanë penguar vazhdimisht punën e forcave zjarrfikëse, ushtrisë     agjencisë së shërbimeve publike, emergjencave civile dhe  punonjësve të shërbimit pyjor.

Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat apo jetën e banorëve, por po merren të gjitha masat për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve pasi gjatë kësaj jave flakët përparuan edhe në territorin e dy fshatrave të bashkisë Librazhd.

Puna për shuarjen e zjarrit do të vijojë deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të tij, ndërsa strukturat në terren janë në gatishmëri të lartë për çdo përkeqësim të situatës.

Situata me zjarret, Ministria bën bilancin: 29 vatra në 24 orët e fundit, 10 prej tyre ende aktive

25 July 2025 at 11:39

29 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, 10 prej të cilave janë ende aktive, ndërsa 4 janë në monitorim.

Vatrat më problematike janë regjistruar në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

Ndërsa në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.

Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës.

Ndërkohë ekipet zjarrfikëse janë angazhuar edhe gjatë ditës së sotme për të neutralizuar vatra përfundimtare të zjarrit.

Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë,  ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.

Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.

Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.

Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit.

Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.

Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë  rreth 70 forca të strukturave operacionale. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.

Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:

  • 52 automjete zjarrfikëse
  • 680 forca operacionale
  • 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
  • 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:

  • 140 efektivë të Forcave të Armatosura
  • 2 helikopterë nga Forca Ajrore
  • 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në

/abcnews.al/

Sekuestrohen pasuri të ish-ambasadorit/ Apartamente dhe llogari bankare në emër të Edmond Çaçës

25 July 2025 at 11:16

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë sekuestruar pasurit të ish-ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar Edmond Çaça dhe bashkëshortes së tij, B.C.

“Hetimet mbi procedimin penal nr.1838 të vitit 2019, nisën pas referimit të materialit kallëzues nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKPI) për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim“ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi Çaça ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të  parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.

Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kryesisht, procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025, në ngarkim të këtij shtetasi dhe personit të lidhur (B.C), bazuar në Ligjin nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.

Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme.

Sa më sipër, prokuroria kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestrimin e pasurive të paluajtshme/luajtshme si më poshtë:

  1. Pasuri e paluajtshme, “Truall“, Nr.2/279 në pronësi të E. Ç., e mbyllur, e cila aktualisht vijon në:
  2. a) Pasurinë nr.2/285, vol. 68, fq.71 dhe pasurinë nr 2/286, vol.68, fq. 72, Z.K. 8330.
  3. Pasurinë nr 2/371, vol. 61, fq. 153, Z.K. 8330.

Pjesa takuese e shtetases B.C. është 10/33 e pasurisë truall, me siperfaqe 8250 m2;

  1. Pasuri e paluajtshme, apartament, nr.146/46+1-34, vol. 54, fq. 194, ZK 3292, me sipërfaqe 65.5 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  2. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/11, vol. 7, fq. 20, ZK 2380, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  3. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/20, vol. 6, fq. 232, ZK 2380, me sipërfaqe 300 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
  4. Pasuri e paluajtshme “Pyll” me sipërfaqe 10.000 m2 dhe e kufizuar në favor të E.Ç. dhe B. C. sipas Kontratës së Shitjes së Pasurisë së Paluajtshme me Rezervë me Kalim Pronësie Nr. 4094 Rep, Nr. 978 Kol datë 09.08.2020, me referencën nr. 3829; dhe
  5. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, nr 1/51+3-19, e zones kadastrale 2364 me siperfaqe 52.63 m2;
  6. Sekuestrimin e pasurive të luajtshme si më poshtë vijon:
  7. Llogari ndihmese interesi në “Credins Bank”, gjendje kreditore 90.093,76 euro, në emër të shtetases B.C.

Kërkesa e Prokurorisë u gjet e drejtë nga Gjykata e cila vendosi sekuestrimin e pasrive si më sipër, cituar, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025.

Negociatorët iranianë dhe perëndimorë bisedime në Stamboll mbi programin bërthamor

25 July 2025 at 11:08

Delegacionet e diplomatëve nga Irani dhe grupi nga Gjermania, Franca dhe Britania po vazhdojnë bisedimet në Stamboll.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, takimi ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe do të mbahet në nivel zëvendësministrash të Jashtëm.

Berlini, Parisi dhe Londra synojnë që të shtojnë presionin mbi Teheranin. Kërkesat kryesore të evropianëve përfshijnë lejimin e inspektorëve të OKB-së për qasje në objektet bërthamore të Republikës Islamike dhe sqarimin e fatit të rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar 60%, i cili ka humbur që nga sulmet ajrore të SHBA-së në tre objekte kryesore iraniane në qershor.

/abcnews.al/

Akuzohet në Spanjë për kultivim droge, kapet në Gjirokastër 39-vjeçari

25 July 2025 at 09:58

GJIROKASTËR- Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Sabadell, Spanjë në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe për vjedhje të energjisë elektrike, vepra për të cilat në Kodin Penal të Spanjës, maksimumi i dënimit është 6 vjet burgim.

Ndërkohë Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë.

/abcnews.al/

VIDEO/ Vihen në kontroll zjarret që përfshinë fshatrat në Gjirokastër

25 July 2025 at 09:46

Janë vënë në kontroll flakët e zjarrit në fshatrat Plesat, Kardhiq, Prongji në Bashkinë Gjirokastër.

Zjarri është arritur të neutralizohet pas një operacioni të vështirë. Në operacion morën pjesë efektivë zjarrfikës, punonjës të bashkisë si edhe 15 forca të Ushtrisë.

Megjithatë grupet janë ende në terren dhe po bëjë monitorim të zonës për çdo riaktivizim të mundshëm.

/abcnews.al/

Konflikti me Kamboxhian, Tajlanda paralajmëron se përplasjet rrezikojnë të shkojnë drejt luftës

25 July 2025 at 09:35

Përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias që shkaktuan edhe viktima rrezikojnë të përshkallëzohen.

Mosmarrëveshjet mes dy vendeve datojnë thuajse një shekull më parë. Të dy vendet ndajnë një kufi të gjatë dhe të pyllëzuar me zona që të dyja palët i pretendojnë. Ka pasur edhe shkëmbime zjarri në të kaluarën, por që u qetësuan me kalimin e kohës.

Ndërkohë situata aktuale vijon të mbetet shqetësuese, dhe kryeministri në detyrë Phumatham Wechayachai ka deklaruar se konflikti rrezikon të shkojë drejt luftës.

Ndërkohë më shumë se 100,000 civilë janë zhvendosur në Tajlandë nëpër disa provinca kufitare, ndërsa 1,500 familje në provincën Oddar Meanchey të Kamboxhias janë evakuuar.

/abcnews.al/

Dosja “Toyota Yaris”/ SPAK dërgon për gjykim Astrit Vladim dhe Erida Lazimin, do të ndikonin te një gjyqtar

25 July 2025 at 09:30

SPAK ka mbyllur hetimet për fraksionin e dytë të dosjes “Tyota Yaris”, duke dërguar për gjykim Astrit Vladim dhe Erida Lazimin.

Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, Astrit Vladi i ka kërkuar të pandehurës, Erida Lazimi, e cila ushtron profesionin e avokates të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar shtetasit, Alfred Vladi.

Sipas SPAK e pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar personat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon hetimet paraprake për episode të tjera të kryerjes së veprave penale të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

Njoftimi i plotë;

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 24.7.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal, nr.26/1/1 viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:

  1. Astrit Vladi, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, i parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021).
  1. Erida Lazimi, e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021).

Ky procedim penal është ndarë nga ai i mëparshëm me nr.26/1, datë 26.12.2024, për veprat penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319/ç, 283/a dhe 287 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme të cilat provojnë se:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë në datën 14.09.2020 është zhvilluar seanca paraprake për gjykimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.71 viti 2020 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” , e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, Astrit Vladi i ka kërkuar të pandehurës, Erida Lazimi, e cila ushtron profesionin e avokates, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar shtetasit, Alfred Vladi etj.

E pandehura Erida Lazimi i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, Astrit Vladi aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar përsonat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon hetimet paraprake për episode të tjera të kryerjes së veprave penale të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

“Inteligjenca Artificiale” mik i adoleshentëve, mbi 70 përqind e zgjedhin për biseda serioze dhe këshilla

24 July 2025 at 15:28

Inteligjenca Artificiale është bërë një “mik” i pandashëm i njerëzve, sidomos adoleshentëve. Një studim i Common Sense Media zbuloi se mbi 70% e adoleshentëve ndihën po aq mirë nga ndërveprimi me inteligjencën artificiale, sa edhe kur flasin me miq të vërtetë.

Ata i drejtohen gjithnjë e më shumë për këshilla, mbështetje emocionale dhe vendimmarrje.

“Common Sense Media” zbuloi se gati një e treta e adoleshentëve thanë se bisedat me inteligjencën artificiale janë të paktën po aq të kënaqshme sa ato me njerëz të vërtetë. Dhe një e treta e përdoruesve adoleshentë, preferojnë më shumë inteligjencën artificiale se njerëzit, për biseda serioze.

Ekspertët paralajmërojnë se ky trend mund të dëmtojë aftësitë sociale dhe shëndetin mendor, pasi adoleshentët mbështeten në inteligjencën artificiale për vlerësim dhe shmangin sfidat e botës reale. Shqetësimet përfshijnë gjithashtu përmbajtje të papërshtatshme dhe mungesën e rregullimit të platformave të inteligjencës artificiale.

Platformat që gjejnë më shumë përdorim tek adoleshentët janë Replika ose edhe faqet e njohura ChatGPT apo Claude, te cilat kryesisht u përgjigjen pyetjeve.

Rreziqet e mundshme të fëmijëve që krijojnë marrëdhënie me chatbot-e morën vëmendje të madhe në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar kur një djalë 14-vjeçar nga Florida vdiq nga vetëvrasja pasi zhvilloi një lidhje emocionale me një Chatbot.

/abcnews.al/

Lirimi i hapësirave publike/ Balluku: Bizneset gjatë akseve kombëtare, 7 ditë afat për zhvendosje vullnetare

24 July 2025 at 14:58

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka ndjekur nga afër situatën në aksin Kombinat-Ndroq-Plepa për heqjen e subjekteve tregtare.

Ajo u shpreh se aksioni për lirimin e hapësirave do të vijojë, ndërsa bëri thirrje që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të lirojnë vetë hapësirat, ndërsa paralajmëroi edhe gjoba.

“Duhet të lirohen të gjitha hapësirat, të respektohen distancat nga asfalti. Edhe në aksin e Niklës situata është alarmante, ne do të jemi aty në ditët në vijim”, tha ajo.

Balluku theksoi se të gjitha subjektet që janë të vendosura jashtë çdo kriteri duke u kthyer në rrezik për përdoruesit, nuk do të ketë aspak tolerancë.

“Zero tolerancë për të gjitha subjektet që, jashtë çdo kriteri, janë vendosur pranë akseve rrugore, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e rrugës”, theksoi Balluku.

Lapaj humb mandatin (dhe fytyrën)/ Gjikondi: Debat i shëmtuar mes të rinjve

24 July 2025 at 13:38

Juristja Brizida Gjikondi komentoi në “News Line” në ABC News përplasjen dhe debatin mes Adritik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Gjikondi u shpreh se i njeh të dy personazhet, ndërsa e cilësoi si një shëmti konfliktin mes tyre, duke thënë se dha një shije jo të mirë lindjes së energjive të reja. Megjithatë sipas saj, në këtë histori i jep të drejtë (edhe pse jo të pastër), Adriatik Lapajt pasi sipas saj ka qenë personi që ka pasur më shumë impakt.

“Unë i njoh të dy personazhet sepse dikur kanë qenë pjesë e aktivizmit e shoqërisë civile dhe më ka lënë një shije të keqe. Sepse shëmtimi i atij debati nuk dëmtoi vetëm ata si forca politike, por dha një impakt negativ për çdo lindje të re apo energjie të re. Ata shëmtuan dhe i dhanë një hije jo të mirë personazhe që vijnë nga aktivizmi. Ata në listat e hapura vendosën vetën e tyre dhe në listat e mbyllura vendosën njerëz të afërm që të mos kishin pabesi dhe këtë formë e përdorën shumë. Nuk arritën t’i shkojnë deri në fund hapjes së listave. Në këtë histori i jap të drejtë zotit Lapaj edhe pse nuk është e drejtë e pastër, por sepse ka qenë personi që ka pasur më shumë impakt në terren”, tha ndër të tjera Gjikondi.

/abcnews.al/

Vuloset 11 maji/ Gjikondi: Asnjë surprizë. Në listat e mbyllura Berisha vendosi “kamikazët” e tij

24 July 2025 at 13:25

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e ankimimit të PD për Elbasanin, Durrësi dhe Fierin duke vulosur në këtë mënyrë edhe rezultatin.

Juristja Brizida Gjikondi në një intervistë në “News Line” në ABC News u shpreh se vendimi i sotëm nuk ishte aspak surprizë. Gjithashtu hodhi kritika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha se qëllimi i tij ishte vetëm zvarritja e procesit.

“Nuk ka asnjë surprizë e gjitha ka qenë pjesë e strategjisë së Berishës, për të zvarritur situatën. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Berisha të ketë njohur zgjedhjet. Por pritet që në shtator kjo “opozitë ligjore”, të rishikojë komplet qasjen e saj. Në listat e mbyllura ka zgjedhur të gjithë yzmeqarët e tij, ka synuar të ketë një grup të gatshëm që do jenë kamikazët e tij. Berisha ka qenë i vetëdijshëm se nuk ka pasur vjedhje në zgjedhje, dhe të gjithë komisionerët e tij nuk kanë pasur asnjë kontestim”, tha ajo.

/abcnews.al/

Debate në Këshillin Bashkiak/ Diskutohet rendi i ditës, opozita kërkon shkarkimin e Veliajt

24 July 2025 at 13:10

TIRANË- Ka nisur mbledhja e Këshilli Bashkiak. Mbledhja drejtohet nga Anuela Ristani.

Që në nisje të mbledhjes nuk kanë munguar edhe debatet. Ndërkohë opozita kërkon të fusë në rendin e ditës, kërkesë për shkarkimin e Veliajt.

Gjatë fjalës së saj, Anuela Ristani Kryetare e Komanduar e Bashkisë së Tiranës u ndal te një sërë çështjes, fillimisht duke folur për zjarret e cila bëri thirrje për një vëmendje të vazhdueshme. Ajo tha se deri më tani situata me zjarret është në kontroll dhe se të gjitha shërbimet janë në terren.

Po ashtu theksoi se edhe aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara me pa të drejtë tha se ka qindra denoncime, ndërsa kërkoi edhe mirëkuptimin e qytetarëve lidhur me këtë çështje, duke nënvizuar se ky aksion do të vijojë.

 

 

Lëvizte me armë zjarri, arrestohet 44-vjeçari në Vlorë

24 July 2025 at 11:42

VLORË- Një 44 vjeçar është arrestuar nga policia pasi u ka kap duke lëvizur me kallashnikov dhe municion luftarak.

44-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Zjarr në Selenicë, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit malor  

24 July 2025 at 11:05

Zjarri ka përfshirë zonën e Sevasterit në Bashkinë e Selenicës. Zjarri ka prekur një sipërfaqe të konsiderueshme toke.

Ndërhyrja është bërë edhe më e vështirë për shkak të terrenit të thepisur. Ndërkohë deri më tani nuk ka rrezik për zonat e banuara.

❌
❌