Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

MOSKË – Peskov: Rusia nuk do t’i përmbahet më moratoriumit për raketat me rreze të mesme veprimi

5 August 2025 at 17:57

MOSKË, 5 gusht /ATSH/- Rusia tha sot se nuk do të vendoste më kufizime se ku do të dislokohen raketat me rreze të mesme veprimi që mund të mbajnë koka bërthamore, sipas “Reuters”.

Një ditë pasi Rusia tha se po hiqte atë që e quajti – një moratorium të njëanshëm për vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi – zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se kjo ishte një përgjigje e detyruar ndaj lëvizjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

“Rusia nuk ka më kufizime për këtë çështje, Rusia nuk e konsideron më veten të kufizuar nga asgjë”, tha Peskov.

“Rusia e konsideron veten të drejtë, nëse është e nevojshme, të marrë masa të përshtatshme, të ndërmarrë hapa të përshtatshëm”, shtoi ai.

Analistët perëndimorë të sigurisë thanë se “moratoriumi”, në fakt, kishte vdekur prej kohësh – nëse kishte ekzistuar ndonjëherë – por njoftimi rus ishte menduar si një sinjal agresiv ndaj Perëndimit – në një kohë tensioni të lartë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Kjo i dërgon një mesazh Evropës: mos harroni se i kemi këto raketa”, tha Nikolai Sokov, një ish-negociator sovjetik dhe rus për kontrollin e armëve.

“E gjithë ideja është që evropianët të mendojnë më shumë për atë që po planifikojnë të bëjnë, ose t’i qetësojmë paksa”, shtoi ai.

Sokov tha se njoftimi i Rusisë ishte një formalitet duke pasur parasysh vendosjen e një rakete të re hipersonike me rreze të mesme veprimi të quajtur “Oreshnik”, të cilën e testoi në Ukrainë nëntorin e kaluar.

Presidenti Vladimir Putin tha javën e kaluar se “Oreshnik” kishte hyrë në prodhim dhe ishte dorëzuar në forcat e armatosura.

Putin tha gjithashtu, se “Oreshnik” do te dislokohej edhe në Bjellorusi, një aleat i Rusisë që kufizohet me tre vende të NATO-s.

Analistët ushtarakë thanë se mund të qëllohet me koka luftarake konvencionale ose bërthamore. //a.i/

The post MOSKË – Peskov: Rusia nuk do t’i përmbahet më moratoriumit për raketat me rreze të mesme veprimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky dhe Trump diskutojnë finalizimin e marrëveshjes SHBA-Ukrainë për dronët

5 August 2025 at 17:43

KIEV, 5 gusht /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, sipas “Reuters”.

Zelensky tha se biseda e tyre u fokusua në sanksionet ndaj Rusisë dhe finalizimin e një marrëveshjeje SHBA-Ukrainë për dronët.

“Draft-marrëveshja për dronët është përgatitur tashmë nga pala ukrainase, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë në detaje dhe ta finalizojmë atë”, shkroi ai në X.

Biseda e tyre vjen ndërsa autoritetet ukrainase thanë se sulmet ruse vranë gjashtë persona në lindje te vendit, dhe plagosën të paktën 12 persona.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ajrore përpara afatit të së premtes të vendosur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të negociuar një marrëveshje drejt paqes ose në të kundërt Moska do të perballet me sanksione masive.

Presidenti Zelensky tha se Rusia kishte lëshuar më shumë se 25 dronë “Shahed” të projektuar nga Irani në qytet, duke goditur infrastrukturën civile.

“Hekurudha u dëmtua, përfshirë një depo dhe një stacion”, tha ai në mediat sociale, duke shtuar se të paktën 10 persona ishin plagosur në sulm.

Afati i fundit i presidentit Trump po afrohet pas tre raundesh bisedimesh për paqe në Stamboll dështuan të bënin përparim në një armëpushim të mundshëm, me të dyja palët që mbeten larg njëra-tjetrës.

Afati i fundit i presidentit Trump po afron pasi tre raunde bisedimesh për paqe në Stamboll dështuan në arritjen e një armëpushimi të mundshëm.

Ushtria ruse ka përshkallëzuar sulmet dhe ka përshpejtuar avancimin e saj në terren për të pushtuar më shumë territor ukrainas.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff do të vizitojë Rusinë këtë javë, dhe pritet të takohet me presidentin Vladimir Putin, përpara afatit të sanksioneve të së premtes. //a.i/

 

 

The post KIEV – Zelensky dhe Trump diskutojnë finalizimin e marrëveshjes SHBA-Ukrainë për dronët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përdorimi i internetit në Rusi mund të jetë frustrues, i ndërlikuar dhe madje i rrezikshëm

5 August 2025 at 17:05

MOSKË, 5 gusht /ATSH/- Video në YouTube që nuk ngarkohen. Një media online e pavarur – që prodhon vetëm një faqe bosh. Lidhje interneti në celular që nuk funksionon për disa orë ose ditë. Qëndrimi online në Rusi mund të jetë frustrues, i ndërlikuar dhe madje i rrezikshëm, sipas AP.

Nuk është një problem rrjeti, por një përpjekje nga autoritetet për ta vënë internetin nën kontrollin e plotë të Kremlinit.

Autoritetet miratuan ligje kufizuese dhe ndaluan shumë faqe interneti dhe platforma. Teknologjia është perfeksionuar për të monitoruar dhe manipuluar trafikun online.

Ndërsa është ende e mundur të anashkalohen kufizimet duke përdorur aplikacione të rrjetit privat virtual, ato bllokohen gjithashtu rregullisht.

Autoritetet kufizuan më tej aksesin në internet këtë verë duke mbyllur lidhjet e internetit në celular dhe miratuar një ligj që ndëshkon përdoruesit për kërkimin e përmbajtjes që ata e konsiderojnë të paligjshme.

Presidenti rus, Vladimir Putin i kërkoi qeverisë të ndalojë shërbimet e huaja të internetit dhe urdhëroi zyrtarët të hartonin një listë platformash nga shtete “jo miqësore” që duhet të kufizohen.

Ekspertët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut thanë se shkalla dhe efektiviteti i kufizimeve ishin alarmante.

Autoritetet duken më të afta në këtë drejtim tani, krahasuar me përpjekjet e mëparshme, kryesisht të kota, për të kufizuar aktivitetet online, dhe po i afrohen izolimit të internetit në Rusi. //a.i/

 

 

The post Përdorimi i internetit në Rusi mund të jetë frustrues, i ndërlikuar dhe madje i rrezikshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Ish-shefat e ushtrisë dhe spiunazhit izraelit kundërshtojnë zgjerimin e luftës në Gazë

5 August 2025 at 16:44

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu la të kuptohej sot për një veprim më të gjerë ushtarak në Gazën e shkatërruar, edhe pse ish-shefat e ushtrisë dhe shërbimit sekret izraelit bënë thirrje për t’i dhënë fund luftës gati 22-mujore, sipas AP.

Presioni i ri mbi Netanyahun erdhi ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se numri i të vdekurve palestinezë kishte tejkaluar 61,000.

Zyrtarët e Shëndetësisë raportuan vdekje të tjera të palestinezëve të uritur që kërkonin ushqim në pikat e shpërndarjes.

Ndërsa dëshpërimi rritet, Organi Mbrojtës Izraelit që koordinon ndihmën njoftoi një marrëveshje me tregtarët vendas për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës.

Ish-zyrtarët e Sigurisë që bënë thirrje përfshinin ish-udhëheqës të Shërbimit të Sigurisë së Brendshme – “Shin Bet” të Izraelit, agjencisë së spiunazhit “Mossad” dhe ushtrisë – dhe ish-kryeministrin Ehud Barak.

Në një video të postuar në media sociale këtë javë, ata thanë se anëtarët e qeverisë së ekstremit të djathtë po e mbanin Izraelin “peng” në zgjatjen e konfliktit.

“Objektivat e Netanyahut në Gazë janë “një fantazi”, tha Yoram Cohen, ish-kreu i “Shin Bet”.

Netanyahu njoftoi dje se do të mbledhë Kabinetin e tij të Sigurisë për të drejtuar ushtrinë në fazën tjetër të luftës, duke lënë të kuptohet se veprime edhe më të ashpra ishin të mundshme.

Netanyahu tha se objektivat e tij përfshinin mposhtjen e Hamasit, lirimin e të 50 pengjeve të mbetura dhe sigurimin që Gaza të mos kërcënonte më kurrë Izraelin, pasi sulmi i udhëhequr nga Hamasi në vitin 2023 shkaktoi luftën.

Media izraelite raportoi një mosmarrëveshje midis Netanyahut dhe shefit të ushtrisë, gjeneral-lejtënant Eyal Zamir.

Raportet, duke cituar zyrtarë anonimë në zyrën e Netanyahut, thanë se kryeministri po e nxiste ushtrinë – e cila kontrollon rreth tre të katërtat e Gazës – të pushtonte të gjithë territorin – një hap që mund të rrezikonte pengjet, të thellonte krizën humanitare dhe të izolonte më tej Izraelin, ndërkombëtarisht.

Raporte të ndryshme thanë se Zamir ka kundërshtuar këtë hap dhe mund të japë dorëheqjen. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Ish-shefat e ushtrisë dhe spiunazhit izraelit kundërshtojnë zgjerimin e luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dolly Parton shpallet Ikona e Rekordeve Botërore Guinness

5 August 2025 at 16:31

LOS ANXHELES, 5 gusht /ATSH/-  Ylli amerikan i muzikës “Country”, Dolly Parton, është shpallur Ikonë e Rekordeve Botërore “Guinness” për mbajtjen e 11 titujve rekordthyes, sipas “Euronews”.

Në kuadër të 70-vjetorit, “Guinness World Records” ka nderuar yllin amerikan, Dolly Parton, si një nga ikonat e tyre.

Kompania – e cila rendit arritjet e rekordeve botërore – i ka dorëzuar Parton, 79 vjeç,  certifikatën e “Ikonës”, pasi këngëtarja e ‘Jolene’ mban 11 tituj rekordthyes.

Këto përfshijnë shumicën e disa dekadave radhazi me 10 albumet më të mira në listën e “Billboard Country”, shumicën e albumeve në studio të publikuara nga një këngëtare (grua) “Country” dhe shumicën e nominimeve për çmim “Grammy” për një artiste të muzikës “Country”.

Parton ishte gjithashtu këngëtarja e parë “Country” që u nominua për EGOT – një “Emmy”, një “Grammy”, një “Oscar” dhe një “Tony” – i njohur edhe si “Grand Slam i biznesit të spektaklit”.

“Dolly është padyshim një nga kompozitoret dhe interpretueset më të famshme në historinë e muzikës “Country” – siç pasqyrohet në shumë certifikata të saj të “Guinness World Records”, por ndikimi i saj shtrihet përtej botës muzikore”, tha Craig Glenday, kryeredaktor në “Guinness World Records”.

“Ajo është vërtet një legjendë e gjallë dhe është një nder t’i japim statusin e Ikonës së GWR”, shtoi ai.

Ajo ka kryer një sërë aktiviteteshe bamirëse dhe filantropike të Parton përmes “Fondacionit Dollywood”, të themeluar në vitin 1988.

Institucioni mbështet arsimimin e fëmijëve në shtetin e saj të lindjes, Tennessee.

“Biblioteka e Imagjinatës së Dolly Parton”, ka shpërndarë më shumë se 285 milionë libra në nivel global që nga viti 1995.

Përveç karrierës së saj muzikore, Parton ka luajtur në filma si “9 to 5” në vitin 1980 dhe “Steel Magnolias” në 1989 – dhe është nominuar dy herë për çmim “Oscar” për këngën origjinale të komedisë “9 to 5”, dhe “Travelin’ Thru from Transamerica” në filmin “Transamerica”.

Në qershor, Parton u njoftua do të nderohej në nëntor me çmimin humanitar “Jean Hersholt” – një statujë “Oscar” që u jepet figurave të Hollivudit të njohura për “promovimin e mirëqenies njerëzore dhe kontributin në korrigjimin e pabarazive”.

“Guinness World Records” botoi librin e parë në Londër në vitin 1955 dhe ka shitur më shumë se 143 milionë kopje në mbi 100 vende që atëherë.

Certifikata e “Ikonës” u është dhënë më parë yjeve përfshirë Beyoncé, Taylor Swift, Sir Paul McCartney dhe Sir Elton John. //a.i/

The post Dolly Parton shpallet Ikona e Rekordeve Botërore Guinness appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Alanews”: Gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë për pushime verore

5 August 2025 at 09:34

ROMË, 5 gusht /ATSH/- Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një nga destinacionet më të njohura për italianët, dhe në vitin 2025, trendi është më i fortë se kurrë, shkruan Andrea Casamassima në të përditshmen italiana “alanews.it”.

Me fluturime direkte që fillojnë nga 15-20 euro, hotele të përballueshme dhe një ofertë turistike që përfshin vendet kulturore, natyrën dhe detin e kristaltë – Toka e Shqiponjave ka hyrë zyrtarisht në radarin e vizitorëve me buxhet të kufizuar.

Tirana është porta perfekte për të eksploruar Rivierën Shqiptare, shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Evropës, ende e paprekur nga turizmi masiv që ka përfshirë destinacionet e njohura.

Dhe e gjithë kjo mund të kushtojë më pak se një darkë në një qytet italian: për më pak se 100 euro, mund të organizoni një fundjavë ose mini-pushim me histori, shije autentike dhe det të kristaltë.

Fluturime me kosto të ulët dhe akomodime të përballueshme: kombinimi perfekt për ata që udhëtojnë nga Italia

Fluturime direkte për në Tiranë nisen çdo ditë nga Roma, Milano, Bari, Venecia dhe Bolonja, nga linja ajrore si “Ryanair”, “WizzAir” dhe “Albawings”.

Çmimet, veçanërisht nëse rezervohen disa javë më parë, variojnë nga 15 deri në 30 euro për vajtje.

Aeroporti Nënë Tereza i Tiranës është rreth 30 minuta larg nga qendra e qytetit me autobusë dhe taksi me kosto të ulët.

Sapo të mbërrini, Tirana ofron akomodime për të gjitha buxhetet, por ofertat më të mira gjenden në bujtina ose apartamente Airbnb.

Fjetja në qendër të qytetit mund të kushtojë vetëm 20 euro për natë për person, shpesh me mëngjes të përfshirë.

Shumë turistë italianë zgjedhin të kalojnë një natë në kryeqytet për të vizituar vende ikonike si Sheshi Skënderbej, Bunk’Art 2 apo lagjen e Bllokut, një ish-zonë e ndaluar gjatë regjimit komunist, tani e mbushur me kafene, bare koktejesh dhe art rruge.

Nga Tirana në Rivierë: det i kristaltë, rërë e bardhë dhe pak turistë

Megjithatë, surpriza e vërtetë vjen sapo të largoheni nga Tirana. Një udhëtim treorësh me makinë ose autobus ju çon në bregdetin jugor të Shqipërisë, ku shpaloset një peizazh perfekt si në kartolinë.

Ksamili, me ujërat e tij bruz dhe ishujt e arritshëm me not ose me varkë, është një nga destinacionet më të njohura.

Plazhet ofrojnë shërbime me çmime të përballueshme: një shezlong dhe një ombrellë mund të kushtojnë 5-8 euro në ditë.

Qytete të tjera si Dhërmiu, Himara dhe Gjipeja ofrojnë plazhe me guralecë të bardhë, ujëra të pastra të ngjashme me ato të Sardenjës dhe një klimë të ngrohtë, edhe në gusht.

Këtu, akomodimi është i përballueshëm: për 25-30 euro nata, mund të flini në banesa të pastra, shpesh me pamje nga deti.

Për ata që udhëtojnë me dy ose më shumë persona, është e lehtë të ndajnë shpenzimet dhe të kursejnë.

Sa kushtojnë realisht pushimet në Shqipëri, duke filluar nga Tirana?

Ja një shembull konkret i shpenzimeve ditore për ata që nisen nga Italia dhe duan të eksplorojnë detin dhe qytetet:

Fluturimi vajtje-ardhje Itali-Tiranë: 30–40 euro
Akomodimi (2 netë në një bujtinë): 40–50 euro
Transporti Tiranë-Rivierë (autobus ose makinë e përbashkët): 5–10 euro
Ushqimi tipik shqiptar (pjata lokale + kafe dhe mëngjes): 10–15 euro në ditë
Totali i vlerësuar për 2–3 ditë: 90–100 euro për person

Turistët që qëndrojnë më gjatë do të gjejnë çmime edhe më të favorshme: për më pak se 300 euro, mund të kaloni një javë të tërë midis Tiranës dhe jugut, duke shijuar një udhëtim që ndërthur kulturën, natyrën dhe relaksin.

Deti më i pastër vetem dy orë larg Italisë: Pse Shqipëria është destinacioni i ri italian i verës?

Përtej çmimit, ajo që e bën përvojën në Shqipëri unike është atmosfera. Njerëzit janë mikpritës, kuzhina është e shijshme, dhe plazhet janë ende autentike dhe të pakomplikuara.

Ndryshe nga shumë vendpushime verore evropiane, këtu nuk ndihesh sikur je në një destinacion të ndërtuar për turistët, por në një vend që i përjeton verat në mënyrë spontane.

Kjo është edhe arsyeja pse italianët kthehen vit pas viti. Tirana nuk është më një ndalesë, por pika ideale e nisjes për një aventurë që kombinon çmimin e përballueshëm, bukurinë dhe autenticitetin. //a.i/

https://www.alanews.it/lifestyle/sempre-piu-italiani-scelgono-lalbania-per-le-vacanze-estive-da-tirana-al-mare-turchese-con-meno-di-100-euro-a-testa/

 

 

 

The post “Alanews”: Gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë për pushime verore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës

4 August 2025 at 22:04

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi sot se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet ushtarake në zonat ku besohet se mbahen pengje, sipas “Euronews”.

“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve”, tha Netanyahu në një video të postuar në X.

“Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë: ‘Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi” dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”, shtoi ai.

Zyra e Kryeministrit tha gjithashtu në një mesazh drejtuar Shefit të Shtabit, Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir, “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë ju duhet të jepni dorëheqjen”.

Netanyahu dhe Zamir kanë qenë në kundërshtim me mënyrën se si po zhvillohet lufta në Gazë – mes tensioneve që kanë arritur kulmin e tyre sot.

Vendimi i raportuar i kryeministrit izraelit vjen pas disa muajsh bisedimesh për armëpushim midis qeverisë së tij dhe Hamasit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përsëritura.

Izraeli është përballur gjithashtu me presion ndërkombëtar në rritje për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pasi Hamasi publikoi një video ku shfaqeshin pengje izraelite të dobësuara që mbahen në Gaza, të cilat grupi tha se ishin rezultat i bllokadës së ndihmës humanitare nga Izraeli në territorin e shkatërruar nga lufta.

Videot patën një ndikim të rëndësishëm në publikun izraelit dhe shkaktuan protesta nga mijëra njerëz të shtunën në mbrëmje dhe thirrje për një marrëveshje armëpushimi. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

“Politico” artikull për kryeministrin Rama: Ambicia për Shqipërinë pa para në dorë deri në 2030-ën

4 August 2025 at 21:25

TIRANË, 4 gusht /ATSH/- Plani për të ndaluar paratë e gatshme deri në fund të dekadës do të jetë i vështirë për t’u realizuar – në një vend ku nuk u besohet bankave, sipas “Politico.eu”.

Në një vend ku paratë e gatshme janë mbret, ambicia e kryeministrit Edi Rama për ta lënë Shqipërinë pa para deri në vitin 2030 do ta kthente shoqërinë përmbys.

Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre nën dyshek – pranë AK-47-shit të tyre, sipas një shakaje kombëtare – në vend që t’i fusnin në banka.

Por nëse Rama e plotëson dëshirën e tij, Shqipëria do të bëhet ekonomia e parë pa para të gatshme në botë.

Shumë nga arsyet për këtë është se për momentin kaq shumë transaksione ndodhin nën banak.

“Eliminimi i parave të gatshme është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, tha Selami Xhepa, profesor i Shkencave Ekonomike në Universitetin e Tiranës.

Problemi është se sistemi bankar dhe shoqëria mund të mos jenë gati për të ndërmarrë këtë hap.

Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur kartëmonedhat larg syve të të tjerëve dhe duke këmbëngulur në pagesa fizike, me para në dorë, sa herë që është e mundur.

Edhe në udhëzuesit turistikë për Shqipërinë, shprehja “paraja është mbret” shpesh shfaqet si këshillë për vizitorët.

Edhe pse shumica e dyqaneve zinxhir ose restoranteve më të mëdha pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë e telekomunikacionit dhe dyqanet ushqimore nuk pranojnë.

Në një dyqan rrobash në qendër të Tiranës, nuk ishte e mundur të paguaje me një kartë digjitale. E njëjta gjë ndodh edhe kur hipën në një taksi apo autobus.

Qeveria e qendrës së majtë kërkon ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkroi si një “ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën (pa përmendur uljen e të ardhurave tatimore).

Vlerësimet e vendosin ekonominë gri – pjesën e ekonomisë që nuk llogaritet në statistikat zyrtare – në midis 29% dhe 50% të produktit të brendshëm bruto (PBB).

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Shqiptare tha se qeveria dhe institucionet do të hartonin një plan për të hapur rrugën për pagesat me karta digjitale, me hapat e mëtejshëm që përfshijnë një kufi për blerjet e bëra me monedhë fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor dhe lançimin e pagesave të menjëhershme SEPA menjëherë pas kësaj.

Kapërcimi i traumës bankare në Shqipëri

Një nga problemet është se shqiptarët thjesht nuk i pëlqejnë bankat. Një sondazh i kohëve të fundit e kryeer nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë zbuloi se vetëm 34% e popullsisë u besonte atyre.

Banka Botërore raportoi se më pak se 50% e shqiptarëve kanë një llogari bankare.

Banka e Shqipërisë thotë se 78% “kanë qasje” në një llogari bankare, më pak se mesatarja evropiane prej 96%.

Jo të gjithë janë të bindur se plani ka kuptim. Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike të opozitës dhe ish-zëvendëskryeministër, tha përpjekja për të mbyllur zonat gri të ekonomisë duke ndaluar paratë e gatshme ishte “si të vrisje pula duke përdorur artileri”.

Ai e quajti idenë një “sulm ndaj lirisë personale të mbajtësve legjitimë të kartëmonedhave”.

Ndërsa u pajtua se bankat shqiptare mund të jenë “të ngathëta dhe të shtrenjta”, rregullimi më i zgjuar dhe më shumë konkurrencë nga platformat e parave online dhe kriptovalutat do të ishin një rrugë më e mirë sesa ndalimi i përdorimit të parave të gatshme.

Pollo kishte pak shpresë se një shoqëri pa para të gatshme do të reduktonte pastrimin e parave.

Erald Kapri, një anëtar i sapozgjedhur i parlamentit për Partinë e Mundësive të qendrës së djathtë, tha se dyshonte se politika ishte në lojë.

“Është vetëm një nga ato ide të Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale të vendit, siç janë korrupsioni ose kostoja e lartë e jetesës”, tha ai.

Trauma post-komuniste

Ideja e kalimit gjithnjë e më shumë pa para të gatshme po ndiqet nga shumë vende të zhvilluara, si Suedia, Estonia dhe Irlanda.

Megjithatë, Shqipëria është një çështje tjetër dhe skepticizmi publik është i kuptueshëm.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me “kompanitë e investimeve”, filluan të shfaqeshin duke premtuar norma interesi tepër të larta deri në 19% për depozitat.

Disa kompani u rritën shpejt në më shumë se 25, dhe në kulmin e kësaj çmendurie, një në gjashtë shqiptarë kishin investuar para – në shumë raste, të gjitha kursimet e tyre të jetës – në skemat piramidale.

Investitorët e hershëm morën pagesa bujare, por këto u bënë më të vogla dhe më pak të shpeshta ndërsa sistemi u përkul nën peshën e vet.

Deri në janar të vitit 1997, kompanitë e para filluan të falimentonin, duke i nxitur shqiptarët të përpiqeshin të tërhiqnin fondet e tyre në masë, duke krijuar një rreth vicioz të një kolapsi të mëtejshëm.

Deri në mars, vendi ishte në kaos dhe kishte filluar rebelimi. Ushtarët dhe policia braktisën postet e tyre, dhe turma shqiptarësh të zemëruar dhe të thyer akuzuan qeverinë se nuk i kishte ndaluar mashtrimet dhe madje kishte përfituar prej tyre.

Rreth 2 000 njerëz u vranë në përleshjet midis qytetarëve dhe autoriteteve, dhe nga bandat e armatosura me më shumë se një milion armë të grabitura nga depot shtetërore të armëve.

Në përgjithësi, u humbën rreth 1,2 miliardë dollarë – ekuivalente me gjysmën e PBB-së në atë kohë.

Kjo periudhë shkaktoi një valë emigrimi, duke e kthyer vendin vite prapa në aspektin e zhvillimit të tij dhe duke shkatërruar besimin e qytetarëve në institucionet bankare dhe shtet.

Banka të shtrenjta

Gjatë pothuajse tre dekadave që nga ajo kohë, bankat kanë dështuar në rindërtimin e besimit.

“Një pjesë e problemit, është se bankat ofrojnë pak përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo i dekurajon njerëzit nga hapja e llogarive dhe përdorimi i kartave bankare dhe transfertave digjitale”, tha profesor Xhepa.

“Shumica prej tyre kanë mbajtur norma interesi diskriminuese. Të larta për kreditim dhe shumë të ulëta për kursime. Pagesat ndërkombëtare kanë pasur gjithashtu tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët”, tha ai.

Pagesat digjitale vendase midis bankave shqiptare kanë tarifa të larta transaksionesh – kostoja e dërgimit të 500 eurove ishte deri në 50 euro – ndërsa normat për format e tjera të transaksioneve mund të jenë po aq të larta sa i përket kostos.

Kurset e këmbimit bankar midis lekut dhe euros janë gjithashtu të njohura për mungesën e konkurrencës.

Edhe në dyqane, bizneset kundërshtojnë faktin që duhet të paguajnë deri në 3,5% për transaksion për përpunimin e kartave.

“Disa biznese madje u faturojnë klientëve një vlerë shtesë për pagesën me kartë”, tha Brumbulli,  i Shoqatës Bankare.

Kjo i ndihmon bizneset të shmangin taksat, pasi pagesat me para në dorë shpesh nuk kryhen nëpërmjet arkës.

Ndërsa ambicia për të hequr dorë nga pagesat cash deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi ende varet nga futja e infrastrukturës së pagesave digjitale me kosto të ulët dhe të lehtë për t’u aksesuar – duke përfshirë potencialisht një monedhë digjitale të bankës qendrore ose një platformë kombëtare pagesash të menjëhershme.

Edhe pse Banka e Shqipërisë ka studiuar monedha të tilla dhe “stablecoin” – një lloj kriptomonedhe – si mjete të mundshme, nuk ekziston një plan zyrtar.

Pa një plan të hartuar për mekanizma të tillë, plani i Ramës rrezikon të mbetet aspirues.//a.i/

 

 

 

The post “Politico” artikull për kryeministrin Rama: Ambicia për Shqipërinë pa para në dorë deri në 2030-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA propozon garanci deri në 15,000 dollarë për viza turistike dhe biznesi

4 August 2025 at 21:20

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/-  Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të kërkojnë një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një veprim që mund ta bëjë procesin të papërballueshëm për shumë njerëz, sipas AP.

Në një njoftim që do të publikohet nesër në Regjistrin Federal, departamenti tha se do të niste një program pilot 12-mujor – sipas të cilit njerëzit nga vendet që konsiderohen se kanë norma të larta tejkalimi të afatit dhe kontrolle të brendshme të pamjaftueshme të sigurisë së dokumenteve – mund të detyrohen të paraqesin garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur të aplikojnë për vizë.

Propozimi vjen ndërsa administrata Trump po shtrëngon kërkesat për aplikantët për vizë.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do të duhej t’i nënshtroheshin një interviste shtesë ballë për ballë, diçka që nuk kërkohej në të kaluarën.

Përveç kësaj, departamenti ka propozuar që aplikantët për programin e Lotarisë së Diversitetit të Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

Sipas një njoftimi paraprak, në faqen e internetit të Regjistrit Federal, tha se programi pilot do të hynte në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi i tij zyrtar dhe se ishte i nevojshëm për të siguruar që qeveria e SHBA-së nuk do të ishte përgjegjëse financiarisht nëse një vizitor nuk i përmbahej kushteve të vizës së tij.

“Të huajt që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes ose kënaqësi dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga departamenti – si vende me norma të larta qëndrimi të tejkaluara të vizave, ku informacioni i shqyrtimit dhe verifikimit konsiderohet i mangët, ose që ofrojnë shtetësi me investim – nëse i huaji ka marrë shtetësi pa kërkesë për qëndrim, mund t’i nënshtrohen programit pilot”, thuhej në njoftim.

Vendet e prekura do të listohen sapo programi të hyjë në fuqi. Garancia mund të hiqet në varësi të rrethanave individuale të aplikantit.

Garancia nuk do të zbatohet për qytetarët e vendeve të regjistruara në Programin e Heqjes së Vizave, i cili mundëson udhëtimin për biznes ose turizëm deri në 90 ditë.

Shumica e 42 vendeve të regjistruara në program janë në Evropë, dhe të tjerat në Azi, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Obligacionet e vizave janë propozuar në të kaluarën, por nuk janë zbatuar. Departamenti Amerikan i Shtetit tradicionalisht e ka dekurajuar kërkesën për shkak të procesit të deklarimit dhe shkarkimit të një garancie dhe për shkak të keqkuptimeve të mundshme nga publiku.

Megjithatë, departamenti tha se pikëpamja e mëparshme nuk mbështetet nga asnjë shembull apo provë e kohëve të fundit, pasi bonot e vizave nuk janë kërkuar përgjithësisht në asnjë periudhë të kohëve të fundit. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA propozon garanci deri në 15,000 dollarë për viza turistike dhe biznesi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Qeveria voton për shkarkimin e prokurores së përgjithshme

4 August 2025 at 20:56

JERUSALEM, 4 gusht /ATSH/- Kabineti izraelit votoi unanimisht sot për shkarkimin e prokurores së përgjithshme, duke përshkallëzuar një ngërç të gjatë midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe gjyqësorit –  të cilin kritikët e shohin si një kërcënim për institucionet demokratike të vendit, sipas AP.

Gjykata Supreme e ngriu këtë vendim ndërsa do të shqyrtojë ligjshmërinë e tij.

Netanyahu dhe mbështetësit e tij akuzojnë prokuroren e përgjithshme Gali Baharav-Miara për tejkalim të kompetencave të saj – duke bllokuar vendimet e qeverisë së zgjedhur – përfshirë një veprim për të shkarkuar kreun e gjencisë së Sigurisë së Brendshme të Izraelit, një tjetër zyrë në dukje apolitike.

Ajo tha se ekziston një konflikt interesi pasi Netanyahu dhe disa ish-ndihmës të tij po përballen me një sërë hetimesh penale.

Kritikët akuzojnë Netanyahun, i cili është në gjyq për korrupsion, për minimin e pavarësisë gjyqësore dhe për përpjekjen për të fokusuar pushtetin në duart e qeverisë së tij të koalicionit, më nacionaliste dhe fetare në historinë e Izraelit.

Netanyahu i ka mohuar akuzat duke thënë se është viktimë e një “gjuetie shtrigash” nga zyrtarë gjyqësorë armiqësorë të nxitur nga media.

Një përpjekje e qeverisë së Netanyahut për të rishikuar gjyqësorin në vitin 2023 shkaktoi protesta masive disa mujore dhe shumë vëzhgues besojnë se kjo e dobësoi vendin përpara sulmit të Hamasit, më 7 tetor – që shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.

“Lëvizja për Qeverisje Cilësore” në Izrael, një grup i njohur mbikëqyrës, tha se kishte paraqitur një peticion urgjent në Gjykatën Supreme pas votimit të sotëm.

Grupi tha se më shumë se 15 000 qytetarë i ishin bashkuar peticionit, duke e quajtur shkarkimin prokurores së përgjithshme “të paligjshëm” dhe “të paprecedentë”.

Në një deklaratë, grupi akuzoi qeverinë për ndryshimin e procedurave të shkarkimit vetëm pasi dështoi të shkarkonte ligjërisht Baharav-Miara sipas rregullave ekzistuese.

Gjithashtu, “Lëvizja për Qeverisje Cilësore” përmendi një konflikt interesi në lidhje me gjyqin në vazhdim të Netanyahut.

“Ky vendim e kthen rolin e prokurores së përgjithshme në një emërim politik. Beteja ligjore do të vazhdojë derisa ky vendim i gabuar të përmbyset”, tha grupi. //a.i/

The post IZRAEL – Qeveria voton për shkarkimin e prokurores së përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Tarifat amerikane ndaj Indisë do të rriten ndjeshëm

4 August 2025 at 19:14

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat ndaj Indisë, sipas “Bloomberg”.

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet në Tregun e Hapur për fitime të mëdha”, shkroi sot Trump në “Truth Social”.

“Atyre nuk u intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës. Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën e paguar nga India për SHBA-në”, shtoi ai.

Tarifat gjithëpërfshirëse të njoftuara nga presidenti Trump do të hyjnë në fuqi, këtë javë.

Javën e kaluar, Trump njoftoi një tarifë prej 25% për mallrat nga India, duke përfshirë një taksë shtesë importi për shkak të blerjes së naftës ruse nga vendi.

Trump e ka drejtuar zemërimin e tij si ndaj Indisë ashtu edhe ndaj Kinës për blerjet e naftës ruse.

Kina e quajti kërkesën një pengesë kyçe në bisedimet tregtare, ndërsa India nuk është zotuar të ndalojë blerjet dhe po i nxit qytetarët të mbështesin mallrat vendase.

India po përballet me tarifa prej 25% për eksportet e saj në SHBA – sipas planeve që Trump i ndërmori javën e kaluar.

Trump nënshkroi një urdhër për të rritur tarifat ndaj Kanadasë në 35%, ndërsa vendosi norma nga 10% në 40% për dhjetëra partnerë.

Këto tarifa do të hyjnë në fuqi të plotë këtë javë, ndërsa Trump duket se do ta ndryshojë në mënyrë dramatike peizazhin tregtar të SHBA-së.

Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha se raundi i fundit i tarifave është “pothuajse i përcaktuar” dhe nuk ka gjasa të ndryshojë. //a.i/.

The post SHBA – Trump: Tarifat amerikane ndaj Indisë do të rriten ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE pezullon kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj

4 August 2025 at 19:12

BRUKSEL, 4 gusht /ATSH/- Bashkimi Evropian njoftoi sot se do të pezullojë kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj, sipas “Reuters”.

Vendimi vjen pas marrëveshjes tregtare mes SHBA-së dhe BE-së të arritur, javën e kaluar.

“Bashkimi Evropian do të pezullojë dy paketat e kundërmasave tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj – pas një marrëveshjeje me presidentin e SHBA-së Donald Trump”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Marrëveshja BE-SHBA lë shumë pyetje të hapura, duke përfshirë tarifat për pijet alkoolike, dhe urdhri ekzekutiv i Trump javën e kaluar që vendos tarifa për shumicën e mallrave të BE-së në 15% nuk përfshinte përjashtime të tilla si për automjetet dhe pjesët e tyre.

Zyrtarët e BE-së thanë se presin që së shpejti të pasojnë më shumë urdhra ekzekutivë.

“BE vazhdon të punojë me SHBA-në për të finalizuar një Deklaratë të Përbashkët, siç është rënë dakord më 27 korrik”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

“Duke pasur parasysh këto objektiva, Komisioni do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të pezulluar me gjashtë muaj kundërmasat e BE-së kundër SHBA-së, të cilat duhet të hyjnin në fuqi më 7 gusht”, shtoi ai.

Tarifat hakmarrëse janë të ndara në dy pjesë: njëra në përgjigje të detyrimeve të çelikut dhe aluminit të SHBA-së, dhe tjetra në përputhje me tarifat bazë dhe ato të automjeteve të Trump. //a.i/

The post BRUKSEL – BE pezullon kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zvicra përgatit një ofertë më tërheqëse për SHBA-në për të shmangur tarifën prej 39%

4 August 2025 at 17:45

ZYRIH, 4 gusht /ATSH/- Zvicra hyn në këtë fazë të re – e gatshme për të paraqitur një ofertë më tërheqëse – duke marrë parasysh shqetësimet e SHBA-së dhe duke kërkuar të lehtësojë situatën aktuale të tarifave, tha ministri i Biznesit Guy Parmelin, ndërsa ekspertët paralajmëruan se tarifat e importit prej 39% të shpallura nga presidenti Donald Trump mund të shkaktojnë një recesion në Zvicër, sipas “Bloomberg”.

Gjithashtu, ai përjashtoi kundërmasat për momentin. Me taksat e reja – më të lartat midis vendeve industriale – të planifikuara të hyjnë në fuqi të enjten, presidentja dhe ministrja e Financave Karin Keller-Sutter thirrën një takim urgjent të Këshillit Federal qeverisës për të diskutuar se si do të vazhdohet.

Negociatorët me Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike kanë kontaktuar tashmë homologët e tyre amerikanë për të provuar të gjejnë një rrugë përpara.

Berna po përqendrohet në arritjen e të paktën një afati kohor më të gjatë se të enjten, sipas një zyrtari të afërt me bisedimet, duke shtuar se çdo gjë që përmirëson situatën aktuale do të ishte një fitore.

Lëvizja e Uashingtonit erdhi si një surprizë pasi bisedimet përpara afatit të 1 gushtit dukeshin premtuese. Një telefonatë e së enjtes në mbrëmje u përqendrua në suficitin tregtar të Zvicrës në mallra me SHBA-në.

Qeveria zvicerane theksoi sot se mbingarkesa nuk ishte rezultat i ndonjë praktike të padrejtë tregtare.

Eksportet e tepërta të arit të Zvicrës janë pjesërisht fajtore për bilancin e çekuilibruar tregtar.

Vendi është qendra më e madhe e rafinimit në botë për metalin e çmuar, me miliarda dollarë ar që rrjedh vazhdimisht brenda dhe jashtë vendit. //a.i/

The post FOKUS – Zvicra përgatit një ofertë më tërheqëse për SHBA-në për të shmangur tarifën prej 39% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shein” gjobitet me 1 milion euro për mashtrim të klientëve

4 August 2025 at 17:15

ROMË, 4 gusht /ATSH/- Autoriteti italian i konkurrencës (AGCM) i vendosi sot një gjobë prej 1 milion eurosh (1,16 milion dollarë) një nga kompanive më të mëdha të modës, (fast fashion), “Shein” – të themeluar në Kinë – për mashtrimin e klientëve në lidhje me ndikimin mjedisor të produkteve të tij, sipas “Reuters”.

Ky është sanksioni i dytë financiar ndaj “Shein” nga një autoritet evropian i konkurrencës në pak më shumë se një muaj, pasi Franca gjobiti kompaninë me 40 milionë euro më 3 korrik për zbritje të rreme dhe pretendime mashtruese mjedisore.

Gjoba italiane iu vu “Infinite Styles Services Co. Limited”, një kompani me qendër në Dublin – që operon faqen e internetit të “Shein” në Evropë, pas një hetimi të AGCM të nisur shtatorin e kaluar.

Në një deklaratë, “Shein” tha se kishte bashkëpunuar plotësisht me AGCM dhe kishte ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar shqetësimet e ngritura.

AGCM tha se mesazhet e qëndrueshmërisë mjedisore dhe përgjegjësisë sociale në faqen e internetit të “Shein” ndonjëherë ishin të paqarta, të përgjithshme dhe/ose tepër emfatike, dhe në disa raste të tjera mashtruese.

“Pretendimet e “Shein” mbi dizajnin e sistemit rrethor dhe riciklueshmërinë e produktit u raportuan si të rreme ose të paktën konfuze dhe kredencialet e gjelbra të koleksionit të saj “evoluSHEIN by design” – ishin të ekzagjeruara”, tha rregullatori.

“Shein” promovon koleksionin “evoluSHEIN by design” – si rroba të bëra duke përdorur prodhim më të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.

AGCM tha se konsumatorët mund të mashtrohen duke menduar se koleksioni është bërë me materiale që janë plotësisht të riciklueshme, një fakt që, duke marrë parasysh fibrat e përdorura dhe sistemet ekzistuese të riciklimit, është i pavërtetë. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post “Shein” gjobitet me 1 milion euro për mashtrim të klientëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Skocia goditet nga stuhia “Floris”, me erëra të forta të pazakonta për stinën e vitit

4 August 2025 at 16:55

EDINBURG, 4 gusht /ATSH/- Autoritetet në Skoci anuluan transportin hekurudhor, mbyllën parqet dhe paralajmëruan banorët të lidhnin trampolinat e oborreve, pasi një stuhi e rrallë verore solli erëra potencialisht shkatërruese në Britaninë veriore, sipas AP.

Zyra Meteorologjike e Britanisë së Madhe lëshoi sot një paralajmërim (të verdhë) për goditjen e Skocisë nga stuhia “Floris” – që do të thotë se ekziston një rrezik potencial për jetën dhe pronën, veçanërisht nga valët e mëdha në zonat bregdetare.

Rrjeti Hekurudhor i Skocisë njoftoi erëra me shpejtësi deri në 145 km/orë.

Era dhe shiu i rrëmbyeshëm po godasin në kohën më të ngarkuar të vitit për turizmin, me qindra mijëra turistë që dynden në Festivalin e Edinburgut “Fringe”dhe evente të tjera arti.

“Edinburgh Military Tattoo”, një nga atraksionet më të mëdha turistike të qytetit, tha se po anulonte performancën e planifikuar sot në natyrë, në Kështjellën e Edinburgut.

Kompanitë hekurudhore anuluan shërbimet në pjesën më të madhe të Skocisë dhe disa kalime tragetesh u anuluan gjithashtu.

“Stuhia “Floris”, gjithashtu mund të godasë pjesë të Irlandës së Veriut, Uellsit dhe Anglisë veriore”, tha Zyra Meteorologjike. //a.i/

 

The post METEO – Skocia goditet nga stuhia “Floris”, me erëra të forta të pazakonta për stinën e vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave

4 August 2025 at 07:34

GAZË, 4 gusht /ATSH/-Forcat izraelite hapën zjarr pranë dy vendeve të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli, ndërsa turma palestinezësh të uritur kërkonin ushqim, duke vrarë të paktën 10 persona, thanë dje në mbrëmje punonjësit shëndetësorë – një ditë pasi zyrtarët amerikanë vizituan Fondacionin Humanitar të Gazës, sipas AP.

Ka kaluar gati një javë që kur Izraeli, nën presionin ndërkombëtar mes krizës së urisë në Gazë, njoftoi pauza të kufizuara humanitare dhe dërgesa nga ajri që synonin të sillnin më shumë ushqim për mbi 2 milionë banorët, pas rreth 22 muajsh lufte.

Por Kombet e Bashkuara, partnerët dhe palestinezët thanë se po dërgohen shumë pak ndihma – ndersa furnizime të grumbulluara jashtë Gazës presin miratimin e Izraelit.

Banorë të dëshpëruar dhe grupe kriminale nxjerrin me forcë furnizimet nga kamionët që hyjnë në zonën e ndihmës – përpara se të mbërrijnë në depo për shpërndarje.

Ekspertët këtë javë thanë se “skenari më i keq i zisë” po ndodhte në enklavën e rrethuar.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thadje se shtatë palestinezë të tjerë kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë një fëmijë.

Ndihma është “larg të qenit e mjaftueshme”, tha qeveria gjermane nëpërmjet zëdhënësit, Stefan Kornelius. //a.i/

The post GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BRAZIL – Lula i hapur për dialog me Trump për tarifat amerikane

3 August 2025 at 18:49

BRAZILIA, 3 gusht /ATSH-ANSA/- Presidenti Brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva përsëriti dje në mbrëmje në një postim në rrjete sociale se ai mbetet i hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Ata që përcaktojnë fatin e Brazilit janë brazilianët dhe institucionet e tyre”, tha presidenti brazilian duke rikonfirmuar qëndrimin e tij diplomatik.

“Tani për tani, ne po punojmë për të mbrojtur ekonominë, kompanitë dhe punonjësit tanë, dhe për t’iu përgjigjur tarifave të qeverisë amerikane”, shtoi ai.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump tha se presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva mund ta telefononte atë në çdo kohë – për të diskutuar tarifat dhe mosmarrëveshjet e tjera midis vendeve.

“Presidenti Lula mund të flasë me mua kurdo që të dëshirojë”, tha dje Trump duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë e dua popullin brazilian, por njerëzit që drejtojnë Brazilin bënë gjënë e gabuar”, shtoi presidenti amerikan.

Të mërkurën e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendoste një tarifë prej 50% për produktet braziliane, duke argumentuar se praktikat e administratës Lula do të dëmtonin kompanitë amerikane, do të shkelnin lirinë e shprehjes dhe do të ndikonin në interesat strategjike të SHBA-së”. //a.i/

The post BRAZIL – Lula i hapur për dialog me Trump për tarifat amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIAD – Arabia Saudite ekzekuton tetë dënime me vdekje brenda një dite të vetme

3 August 2025 at 18:46

RIAD, 3 gusht /ATSH/- Arabia Saudite ekzekutoi tetë persona brenda një dite të vetme, sipas raporteve të medias shtetërore, ndërsa përdorimi i dënimit me vdekje rritet në monarkinë e Gjirit, veçanërisht për veprat penale që lidhen me drogën, sipas Skytg24.

Agjencia zyrtare e Shtypit Saudite (SPA) raportoi se katër somalezë dhe tre etiopianë u ekzekutuan dje në rajonin jugor të Najranit – të akuzuar për kontrabandë hashashi në mbretëri.

Një saudit u ekzekutua gjithashtu për vrasjen e nënës së tij.

Që nga fillimi i vitit 2025, Arabia Saudite ka ekzekutuar 230 persona, sipas AFP, bazuar në raportet zyrtare.

Nga këta, 154 u ekzekutuan për vepra penale që lidhen me drogën.

Në vitin 2024, mbretëria kreu 338 ekzekutime, një rekord që ka të ngjarë të tejkalohet sërish këtë vit.

Analistët e lidhin këtë rritje me “luftën kundër drogës” të mbretërisë të nisur në vitin 2023, me procedurat ligjore kundër të arrestuarve që tani janë drejt përfundimit. //a.i/

The post RIAD – Arabia Saudite ekzekuton tetë dënime me vdekje brenda një dite të vetme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIDNEJ – Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë duke kërkuar paqe dhe ndihmë në Gazë

3 August 2025 at 17:46

SIDNEJ, 3 gusht /ATSH/- Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Urën e Portit në shi, në Sidnej -duke kërkuar paqe dhe që ndihma humanitare të lejohet në Gaza, ndërsa kriza e urisë në enklavë thellohet, sipas CNN.

Protesta, e mbështetur nga figura të shquara si Julian Assange, përkon me rritjen e presionit diplomatik ndërkombëtar mbi Izraelin.

Policia tha se në protestë morën pjesë 90 000 persona, shumë më tepër se vlerësimi fillestar prej 10 000 nga organizatori para demonstratës.

Australia ka qenë nën presion në rritje për të njohur shtetësinë palestineze, pasi Franca, Kanadaja dhe Britania e Madhe njoftuan se do ta shqyrtonin atë me disa kushte – në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – që do të mbahet në shtator. // a.i/

The post SIDNEJ – Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë duke kërkuar paqe dhe ndihmë në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë pasi militantët e Gazës publikuan video që tregonin robër të dobësuar

3 August 2025 at 17:32

TEL AVIV, 3 gusht /ATSH/- Dhjetëra mijëra protestues u bashkuan në një tubim në Tel Aviv dje në mbrëmje për të kërkuar lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza, pas publikimit të videove propagandistike që tregonin dy robër izraelitë të dobësuar, sipas CNN.

Videot e publikuara nga grupet militante Hamas dhe Xhihadi Islamik Palestinez këtë javë treguan pengjet izraelite, Evyatar David dhe Rom Braslavski në një gjendje të rëndë fizike.

Në një video, David – jashtëzakonisht i dobët – shfaqet duke hapur një gropë për atë që ai e quan varrin e tij.

Pjesëmarrësit në tubim – disa prej të cilëve mbanin pankarta që shkruanin “Ndalojeni luftën” dhe “Mos lini askënd pas” – panë një pjesë të videos me David- që ishte projektuar në një ekran të madh pasi familja e tij dha leje që të shikohej.

Ata janë midis 50 pengjeve që mbeten në territor, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Në atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për të ushtruar presion mbi autoritetet izraelite, grupet militante publikuan videot ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur dhe ndërsa palestinezët përballen me një krizë në rritje të urisë në enklavë.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se 13 persona kanë vdekur nga kequshqyerja në 48 orët e fundit, përfshirë një fëmijë, duke e çuar numrin total të të vdekurve nga uria që nga fillimi i konfliktit në vitin 2023 në 175.

Në tubim, Ofir Braslavski, babai i Rom, tha se nuk e njohu të birin kur e pa për herë të parë.

“Romi im është i uritur për bukë, i etur për ujë, i sëmurë, i thyer fizikisht dhe i shkatërruar mendërisht. Fëmija im po vdes!” tha ai.

“Ju drejtohem juve, kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu: Mjaft! Qasja me faza ndaj marrëveshjeve ka dështuar”.

“Merrni vendimin që tani – përfundoni luftën dhe sillini të gjithë këtu. Pengjet, ushtarët e rënë, luftëtarët, rezervistët dhe ata të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ne duam të rehabilitohemi, të kthehemi në jetë, të marrim frymë”, shtoi ai. //a.i/

The post TEL AVIV – Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë pasi militantët e Gazës publikuan video që tregonin robër të dobësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌