Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

“S’guxon të tregosh kurrë”, Nishori rrëfen për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës

4 August 2025 at 21:59

Ramadan Nishori, i mbijetuar i luftës në Kosovë, ka ndarë për publikun përvojën e tij të dhunës seksuale në ciklin e emisioneve “Heshtja që vret – Klithma e vërtetës së luftës”.

Nishori kujton ditët e fundit të shtatorit 1998, kur një ofensivë e ushtrisë serbe e detyroi atë dhe shumë të rinj të largoheshin nga Negroci drejt bjeshkëve të Kasmaqit dhe më pas në grykën e Baicës së Drenasit.

Aty, përjetuan një tjetër ofensivë më 27 shtator, ku ushtria serbe e rrethoi zonën dhe ndau burrat dhe djemtë nga gratë në fund të grykës.

“Na kanë hyp nëpër kamiona, na kanë sjell, qysh kanë ditur ata. Edhe na cuan në stacion policor në Drenas. Ish frika pa na çuar në stacion, a po na çojnë në Ferronikel, na vrasin e na djegin në furra. Mendja kah nuk shkon në ato momente. Por na çuan në stacion të policisë…”, ka treguar Nishori.

Ai rrëfen se pas mbërritjes në stacion, pas mesnate, iu nënshtrua testit të parafinës. Pas kësaj, teksa po prite të intervistohej nga policia serbe, një nga policët e stacionit e dhunoi seksualisht në një banjo të objektit, ndërsa i dyti u përgatit për të njëjtën gjë.

Ndërhyrja e një polici shqiptar që shërbente si përkthyes, e shpëtoi Nishorin nga një dhunim i dytë.

“Na shtinen, në garazha të stacionit. Edhe nuk vonoi shumë, pas pak kohe filluan të na marrin me rend. Naj bojshin testin e parafinës, me kqyr a kemi përdoru armë. Tash pasi e bojshin testin, kanë qenë ato zyret, ku na marrin në pyetje. Një (polic) shqiptar ka qenë edhe ai e ka atë ditë rolin e përkthyesit. E njoh me emër e mbiemër…

Pas mesnatës më ka ardh rendi mua. Ma bën testin. U dashke me prit, deri te lirohen dhomat me na marrë në pyetje. Aty kanë ardhur dy polic me uniforma. Edhe me kanë kap zhag, dhe me kanë shti në një banjo. Edhe njani prej tyre më dhunoi”, ka shtuar Nishori.

“Këtu u bë i dyti gati për dhunë. Prej britmave t’mija ka ni ky shqiptari që ka punuar. Edhe ka ardhur edhe më ka nxjerr prej aty. Dhe më ka shti në këto zyret që na merrshin në pyetje”, ka rrëfyer më tej Nishori në Debat Plus.

Pastaj, Nishori tregon se u kërcënua nga policët serbë që të mos tregonte se çfarë i kishte ndodhur.

“Ata që më merrnin në pyetje, policia civile, ia nisën të më kërcënojnë. Më thanë kjo çka ka ndodh kurrë nuk guxon me kallxu. Mua atë ditë nuk më morën në pyetje. Tash unë kur dola i pa rrahur, pse nuk të rrehen ty, këta që ishin jashtë. Tash çka me thënë, nuk mundesha me kallxu kërkujt (për dhunimin). Atë natë kemi nejt aty, vetëm britma kemi dëgjuar, njerëz që dilshin të përgjakur e të llomitur”, ka treguar Nishori.

The post “S’guxon të tregosh kurrë”, Nishori rrëfen për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Kosova pranohet anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (EAfA)

4 August 2025 at 19:51

Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale dhe Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze evropiane.

Sipas njoftimit, ky anëtarësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), e cila ka qenë e përkushtuar në fuqizimin e arsimit profesional dhe përafrimin e tij me kërkesat reale të tregut të punës.

Synimet kryesore të këtij anëtarësimi përfshijnë:

Përfshirjen aktive të sektorit privat në arsimin dual;

Zgjerimin e ofertës për arsimin dual në bashkëpunim me bizneset;

Integrimin e arsimit dual në aftësimin dhe riaftësimin e të rriturve;

Krijimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;

Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale.

Përmes EAfA-së, Kosova fiton mundësinë të angazhojë organizata të tjera vendore si odat ekonomike, shoqatat sektoriale dhe partnerët socialë në platformë, duke ndërtuar partneritete strategjike me kompani, organizata rinore dhe institucione arsimore në të gjithë Evropën.

EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit praktikat profesionale cilësore dhe efektive, mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, promovon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje, dhe forcon angazhimin e autoriteteve vendore.

“Anëtarësimi i Kosovës në EAfA pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional, duke e forcuar pozitën e vendit si një partner serioz që synon cilësinë dhe integrimin në standardet evropiane të arsimit dhe punësimit”, thuhet në njoftim.

The post Kosova pranohet anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (EAfA) appeared first on Telegrafi.

​Mbyllet një klinikë në veri, inspektorati gjen mangësi të rënda dhe rrezik për pacientët

4 August 2025 at 19:24

Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Mitrovicën Veriore, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndërmarrë masa ndaj një klinike private me licencë, duke e mbyllur përkohësisht atë pas një inspektimi të detajuar në terren.

Gjatë kontrollit, janë identifikuar dhe larguar rreth 30 produkte mjekësore me afat të skaduar, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve.

Po ashtu, janë konstatuar parregullsi në sistemin e ventilimit, si dhe mospërputhje në dokumentacion, përfshirë mungesën e noterizimit të disa dokumenteve të rëndësishme, gjë që përbën shkelje të standardeve profesionale dhe ligjore.

Autoritetet kanë bërë të ditur se nesër do të dalin në terren edhe Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor, për të kryer asgjësimin e artikujve të dyshimtë dhe për të thelluar hetimet rreth funksionimit të klinikës.

Ndërkohë, vijon procedura e rregullt administrative për marrjen e masave ndëshkuese, që përfshijnë edhe pezullimin e mundshëm të licencës, deri në përmirësimin e të gjitha mangësive të evidentuara.

Autoritetet lokale kanë theksuar se veprime të tilla janë të domosdoshme për garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë në shërbimet shëndetësore që u ofrohen qytetarëve.

The post ​Mbyllet një klinikë në veri, inspektorati gjen mangësi të rënda dhe rrezik për pacientët appeared first on Telegrafi.

“Për pesë vite, urimin nga Haga e mori vetëm përmes telefonit”, nëna e Hashim Thaçit feston 88-vjetorin

4 August 2025 at 19:18

Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka publikuar një fotografi të nënës së ish-presidentit të Kosovës, Hyrë Thaçi, e cila ka mbushur 88 vjet.

Në postimin e tyre shoqëruar me fotografinë, theksohet pritja emocionale e nënës për urimin e të birit, Hashimit, i cili tash e pesë vjet ndodhet në paraburgim në Hagë dhe e ka uruar atë vetëm përmes telefonatave apo videolidhjeve.

“Nëna Hyrë që mbushi 88 vjet me padurim e priti urimin e djalit të saj, Hashimit, i cili në këto pesë vjetët e fundit e uroi vetëm përmes telefonatave apo videolidhjeve nga burgu i Hagës”, thuhet në njoftim.

Më tej, në postim thuhet se nëna Hyrë nuk është vetëm nëna e një burguari, por nënë e një lideri që ka bërë histori dhe për të cilin krenaria mbetet e palëkundur.

“Ajo është shumë krenare për djalin e saj dhe pret që së shpejti të kthehet në shtëpi e të festojnë së bashku! Liri për çlirimtarët!”, përfundon mesazhi i fondacionit.

The post “Për pesë vite, urimin nga Haga e mori vetëm përmes telefonit”, nëna e Hashim Thaçit feston 88-vjetorin appeared first on Telegrafi.

Kurti me video-mesazh në gjuhën serbe njofton për 121 vende pune të hapura në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica”

4 August 2025 at 19:14

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë hapur 121 vende të reja pune në katër komunat veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në një video-mesazh në gjuhën serbe, të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se këto vende pune janë shpallur nga Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica”, i cili tashmë ka krijuar njësitë punuese në këto komuna.

Sipas Kurtit, konkursi për 68 prej këtyre vendeve të punës do të përfundojë më 8 gusht, ndërsa për 53 të tjerat më 19 gusht 2025.

“Ujësjellësi Rajonal ‘Mitrovica’ ka formuar njësitë punuese dhe ka shpallur konkurse për 121 vende pune në komunat: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Konkursi për 68 vende pune mbyllet këtë të premte, me 8 gusht, ndërsa për 53 vendet e tjera mbyllet më 19 gusht,” tha Kurti.

Kurti i ftoi qytetarët e këtyre komunave që të vizitojnë faqen zyrtare të KRU Mitrovica për informata të mëtejshme dhe të aplikojnë për pozitat e hapura: https://www.kru-mitrovica.com/konkurset/.

The post Kurti me video-mesazh në gjuhën serbe njofton për 121 vende pune të hapura në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica” appeared first on Telegrafi.

A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër?

4 August 2025 at 17:39

Teksa punimet për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen fundit, ka shqetësime për funksionalitetin e tyre.

Ka mbetur më pak se një muaj deri në afatin e fundit për përfundimin e punimeve, të paktën ashtu siç ka deklaruar kryeministri ë detyrë Albin Kurti, në vendosjen e gurthemeleve.

Në emisionin FIVE të televizionit Dukagjini, dy njohës të çështjeve juridike dhe të sigurisë, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Visar Rrecaj, kanë folur mbi fatin e këtyre urave që priten të lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit të ndarë.

Sipas Sopjanit, nuk duhet përjashtuar skenari ku në ditën e përurimit të urës, KFOR-i mund të vendosë patrulla në të dhe të lejojë vetëm kalimin e këmbësorëve, njësoj siç ka ndodhur me urën kryesore të qytetit.

Ai shton se KFOR-i mund të dalë me një vlerësim të situatës së sigurisë dhe ta ndalojë qarkullimin e automjeteve, nëse kjo shihet si cenim i sigurisë.

“Nuk përjashtohet mundësia në asnjë rrethanë që KFOR-i në ditën e inaugurimit t’i vendos dy patrulla në urë, dhe të thotë se mund të kalojnë vetëm këmbësorë, sikur në këtë urën kryesore. Pasi që ata mund të dalin më një vlerësim të situatës së sigurisë, që mund të vlerësojnë që qarkullimi  i automjete mund të cenojë edhe sigurinë përgjithshme në atë pjesë”, ka thënë Sopjani.

Në të njëjtën linjë, avokati Rrecaj thekson se ndërtimi i urave në të njëjtën vijë me atë ku ndodhet KFOR-i i vendosur, krijon rrezik të përsëritjes së masave ekzistuese.

“Marrë parasysh qëndrimin e KFOR-it dhe pozitën ku ata janë të vendosur dhe krahasuar me distancën, ku këto dy ura të reja po ndërtohen, që do të thotë janë në të njëjtën vi, në të njëjtin vend. Atëherë ekziston mundësia që KFOR-i të marrë masa të njëjta, t’i lërë të qarkullojnë vetëm këmbësorët. Dhe njëkohësisht t’i mbyll për qarkullim për vetura…”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tyre, ndërtimi i këtyre urave është më shumë një veprim simbolik dhe populist sesa një zgjidhje reale.

The post A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër? appeared first on Telegrafi.

Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare

4 August 2025 at 17:36

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas Kamberit, kallëzimi penal është dorëzuar bashkë me kolegët deputetë Ahmedin Skrijelj dhe Minela Kalender, pas deklaratave të Bërnabiqit lidhur me protestat e zhvilluara ditë më parë në Novi Pazar.

“Dhe dëgjuam thirrjen ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra të tjera të neveritshme”, kishte deklaruar kryeparlamentarja serbe në një konferencë për shtyp, deklaratë që u bë shkak për reagimin e deputetëve.

Kamberi thekson se kjo fjali e Bërnabiqit stigmatizon fenë islame dhe identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe të komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtin besim, duke i asociuar ata me diçka “të neveritshme”, “të rrezikshme” dhe “të huaj”, në një shoqëri që, sipas tij, ende nuk është shkëputur nga nacionalizmi i egër i viteve ’90.

“Ky nuk është një veprim politik, por një thirrje për drejtësi”, ka shkruar Kamberi, duke shtuar se gjuha e urrejtjes nuk mund të trajtohet vetëm si çështje politike apo morale, por është mbi të gjitha çështje ligjshmërie dhe drejtësie.

The post Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare appeared first on Telegrafi.

Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt

4 August 2025 at 17:21

Reshjet e fuqishme të shiut dhe breshërit kanë përfshirë disa rajone të vendit, Brezovicën, Gjilanin, Ferizajn dhe disa fshatra të Gjakovës.

Në fshatin Gaçkë të Ferizajt, ka shkaktuar dëme të mëdha në prodhimet bujqësore të fermerit Mursel Osmani.

Pamjet nga terreni tregojnë shkatërrim të plotë të kulturave bujqësore, përfshirë speca, shalqinj, pemë frutore dhe perime të tjera.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se reshjet kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Apelohet që organet komunale, Ministria e Bujqësisë dhe mekanizmat përkatës të reagojnë sa më parë.

The post Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt appeared first on Telegrafi.

Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit

3 August 2025 at 23:51

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi për personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.

Mësohet se gjatë gjithë së dielës është kërkuar me intensitet nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykderdhjen e Semanit në veri.

Në operacionin e kërkim shpëtimit janë përdorur 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore, 1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë), 1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë) dhe 1 motor uji (me 2 efektivë). Po ashtu për kërkimin e shtetasit ende të paidentifikuar kanë dalë në det të hapur 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë.

Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det, por pa rezultat.

Mësohet gjithashtu se operacioni do të vijohet edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare, raporton tch.

The post Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit appeared first on Telegrafi.

Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium

3 August 2025 at 23:36

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar.

Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.

Sipas Denajt, ky është një financim nga Qeveria Shqiptare, që synon bashkimin e 50 fermerëve prodhues të ullirit dhe vajit të ullirit në qarkun Berat dhe zonat përreth. “Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj tha se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë. “Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo.

Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.

The post Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium appeared first on Telegrafi.

“Na mashtruat për Kosovën” – Vuçiq, ndërkombëtarëve: Turp për ju, ju kopilë

3 August 2025 at 23:08

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i fajësuar ata për, siç tha, dobësimin e Serbisë ndërkohë që ndihmojnë shtetet e tjera në rajon të forcohen.

Në një fjalim të mbajtur të dielën, Vuçiq tha se i ishin bërë shumë premtime nga ndërkombëtarët lidhur me zgjedhjet në Kosovë, por ato nuk ishin mbajtur.

“Turp për ju, ju kopilë”, deklaroi ai në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Duke komentuar për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçiq tha se Serbia ishte shtyrë të heshtë dhe të shikojë përpara, me premtime se “askush nuk do ta prekë Kosovën”.

“Ishte e vështirë dhe e dhimbshme për një serb ta shihte. Ne heshtnim, na detyruan të heshtnim, na thanë të shikonim drejt së ardhmes, atje nuk ka më luftëra dhe konflikte. Askush nuk do ta prekë Kosovën, është e juaja. Keni edhe Republikën Serbe, gjithçka po shkon normalisht. Pastaj serbët thanë, Kosova nuk mund të bëhet, tani do t’ju marrim 14 përqind të territorit tuaj…”, deklaroi ai.

Por sipas tij, më vonë pasuan kërkesa të reja dhe humbje të territorit.

“Ata [të huajt] forcojnë gjithçka përreth nesh dhe vetëm na dobësojnë ne. Në vend që të thonë se bënë një gabim për Kosovën apo për Republikën Serbe, ata nuk pranojnë asgjë. Sepse të mëdhenjtë, të fortët, arrogantët nuk gabojnë kurrë, por gabojmë vetëm ne, të vegjlit. Ata që nuk duan të jenë shërbëtorët e tyre”, shtoi ai.

“Dhe një serb nuk do të jetë shërbëtori juaj.”

Në fund, Vuçiq iu referua drejtpërdrejt situatës në Kosovë duke shprehur zhgënjimin e tij me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe qëndrimin e tyre ndaj Serbisë dhe popullit serb në Kosovë, shkruan NOVA, përcjell Telegrafi.

The post “Na mashtruat për Kosovën” – Vuçiq, ndërkombëtarëve: Turp për ju, ju kopilë appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 3 August 2025Main stream

Zjarr i madh në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, dëme materiale rreth 20 mijë euro

3 August 2025 at 21:16

Një zjarr i madh ka përfshirë një lokal përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj sot rreth orës 18:53, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia e Kosovës në Ferizaj njoftoi se menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, patrullat policore si dhe Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor në Kaçanik.

Po ashtu, është njoftuar edhe njësia e KEDS-it, e cila ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonë për të shmangur rrezikun e përhapjes së mëtejme të zjarrit.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se zjarri ka nisur nga djegia e disa gomave të vendosura jashtë lokalit, e më pas është përhapur në një gomisteri, duke prekur gjithashtu pjesërisht edhe një lokal tjetër dhe një pjesë të një shtëpie përreth,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë në Ferizaj, Vesel Gashi.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dyshohet të jenë rreth 20 mijë euro.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë janë ende në proces.

The post Zjarr i madh në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, dëme materiale rreth 20 mijë euro appeared first on Telegrafi.

Kurti premtoi 160 çerdhe, përgjigjet Nagavci: Deri me tani 22 çerdhe janë përuruar

3 August 2025 at 21:12

Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit ka deklaruar se deri tani janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe, ndonëse Qeveria Kurti premtoi ndërtimin e 160 çerdheve në mandatin katër vjeçar.

Kur u pyet se sa çerdhe janë kryer, Nagavci tha se 22 çerdhe janë përuruar dhe iu është prerë shiriti, që i bjen vetëm 13.75% prej asaj që është premtuar që do të kryhen brenda një mandati qeverisës.

“Janë disa që janë në përfundim, disa prej tyre janë adoptim, disa janë çerdhe të reja. Nëse e shohim me buxhet janë diku afër 40 milionë euro. Nëse e krahasojmë me të gjitha qeveritë paraprake, për 17 vite d.m.th Ministria e Arsimit ka ndërtuar vetëm 4 çerdhe në vlerë 1.2 milionë euro, ndërkohë në mandatin tonë, pra për një mandat kemi ndërtuar 70 ose janë në proces të ndërtimit 71 çerdhe.” – tha Nagavci në “Kallxo Përnime”.

Sa i përket ndërtimit të çerdheve në Prishtinë, ministrja në detyrë pretendoi se pati neglizhencë nga Komuna e Prishtinës për të lëshuar leje të ndërtimit të çerdheve.

“Kemi dërguar disa letra zyrtare, ka pasë neglizhencë të vazhdueshme në Komunën e Prishtinës në raport me investimet… Komuna e Prishtinës, ish-drejtoreshat [e Arsimit] edhe drejtorët e Urbanizmit, nuk na kanë pajisë me leje të ndërtimit në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë punimet. Pra, nuk ka asnjë kërkesë të Komunës së Prishtinës që ne nuk e kemi plotësuar” – shtoi Nagavci.

Prej 71 çerdheve në proces të ndërtimit, ajo tha se tri prej tyre janë në kryeqytet.

KALLXO.com e ka pyetur Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe Samir Shahinin, drejtorin e Arsimit në këtë komunë, më 01.08.2025, për pretendimet e Nagavcit se pati neglizhencë dhe nuk iu lëshua leje për ndërtimin e çerdheve. Ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.

The post Kurti premtoi 160 çerdhe, përgjigjet Nagavci: Deri me tani 22 çerdhe janë përuruar appeared first on Telegrafi.

Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shtator

3 August 2025 at 19:43

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar të dielën se janë vendosur trarët kryesorë në urën e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë vendosur gjithsej 18 trarë, ndërsa ka shtuar se ura pritet të përfundojë dhe të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në muajin shtator.

“Një muaj e dy ditë prej kur filluam. U betonuan pilotat e betonit, u përgatitën, armuan e betonuan themelet e urës, u përgatitën, armuan e betonuan shtyllat e urës. Dje e sot u vendosën 18 trarë të cilët ishin përgatitur, armuar e betonuar në një punishte në Bair të Mitrovicës”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke bashkëngjitur edhe disa fotografi nga terreni.

Sipas tij, punimet tashmë janë në fazën përfundimtare, ku ka mbetur vetëm betonimi i pllakës së urës dhe shtrimi i asfaltit.

The post Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shtator appeared first on Telegrafi.

Kush është Flodian Plaku, i dyshuar për vrasje që konsiderohej me rrezikshmëri të lartë

3 August 2025 at 18:53

Flodian Plaku, që u arrestua në Orikum, teksa u kap me dy armë zjarri me vete, është një nga tre të akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjes.

41-vjeçari konsiderohej nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedent të mëparshëm penal.

Për Plakun, i cili mban edhe mbiemrat Seriani dhe Mamo, i shpallur në kërkim që më 26 korrik, policia kreu disa aksione në Vlorë dhe në qytete të tjera për arrestimin e tij dhe kur të gjitha rezultuan të pasuksesshme. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar, ndërsa arrestimi u bë i mundur sot.

Për eliminimin e Bejtjes, thellimi i hetimeve ngarkoi me veprën e vrasjes me dashje dhe Ilir Beqarajn të arrestuar disa ditë pas ngjarjeve.

Sipas hetuesve Beqaraj me makinën e Edison Haxhiut largoi autorët nga fshati “Hasan”, ku dogjën makinën, drejt Bubqit. Ndërsa për Haxhiun rëndon vetëm akuza e ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’. Personat që u përfshinë në vrasjen e Bejtjes dyshohet se ishin njerëzit e Roan Brahimit, i ekzekutuar në një atentat një vit më parë në Athinë.

Gentjan Bejtja u qëllua me breshëri automatiku pasditen e 15 marsit. Më herët, ai i kishte shpëtuar disa atentateve po kurrë nuk bashkëpunoi me autoritetet për të treguar se kush e donte të vdekur.

Më 4 Korrik 2023, po në të njëjtin vend dhe me të njëjtin mekanizëm, atij iu vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, dhe iu plagosën 2 djemtë e tij, raporton tch.

The post Kush është Flodian Plaku, i dyshuar për vrasje që konsiderohej me rrezikshmëri të lartë appeared first on Telegrafi.

Hasani Presioni i ndërkombëtarëve për themelimin e Gjykatëd Speciales ishte i papërballueshëm

3 August 2025 at 17:53

Nait Hasani, deputeti i PDK-së, thotë se iu kërkua të votonte këtë gjykatë, megjithëse sipas tij, ai ishte kundër themelimit të një gjykate që do ta gjykonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë deklaratë, Hasani e bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, derisa shtoi se themelimi i Speciales u bë nga një presion i përballueshëm i ndërkombëtarëve.

Ndër të tjera, ai potencon se punimet në Gjykatën Speciale në Hagë është dashur të ndalen në momentin që u konstatua që nuk ka elemente të trafikimit të organeve, çështje për të cilën, sipas tij, edhe u formua kjo gjykatë.

“Të kthehesh 10 vjet prapa, është bukur shumë kohë, por ngjarjet të cilat i përjetojmë përditë, edhe në ditët e sotshme, janë aktualet, pikërisht para 10 vjetëve kur kanë filluar. Gjykata Speciale nuk ka filluar më 3 gusht 2015, por ka filluar nga 2011-ta. Atëherë nga raporti  i Dick Marttyt. Tani nga Asambleja Parlamentare. Por nga viti 2014 e merr formën e prerë. Ne nuk kemi gjetur elemente të trafikimit të organeve, por ka elemente për trajtimin jo të drejtë gjatë luftës. Këtu është dashur të kuptohej drejtë çështja atëherë, dhe të mbyllet. Sepse kërkesa ka qenë për trafikim organesh, sepse gjykatat tona kanë gjykuar mjaftueshëm për krime lufte”.

“Por me presionin ndërkombëtar, që ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe ka qenë i papërballueshëm në kuptimin politik të kohës, dhe me premtimet po ashtu se ne do të qëndrojmë me juve, në mbrojtje të vlerave, dhe nuk do të lejojmë keqpërdorimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e akuzuarve, por që do të merret me çështjen e individëve, po kjo politikë ka qenë jo e drejtë, për shkak se është kërkuar drejtpërdrejt edhe nga unë që ta jap votën, pikërisht për Gjykatën. Në bisedë të drejtpërdrejtë me Hashimin, Kadrinë, brenda grupit, kam thënë ‘jo’, s’ka mundësi ta votoj një gjykatë që gjykon luftën tonë. Askund në botë nuk ka gjykata etnike, gjykata bëhen për krime lufte, pavarësisht etnitetit, gjuhës, fesë. Por te ne ishte e përcaktuar, Gjykatë Speciale për dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Hasani.

The post Hasani Presioni i ndërkombëtarëve për themelimin e Gjykatëd Speciales ishte i papërballueshëm appeared first on Telegrafi.

Gjendja e hyrje-daljeve në pikëkalimet kufitare të Kosovës

3 August 2025 at 17:06

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat më të fundit mbi fluksin në pikat kufitare të Kosovës, ku më e ngarkuara mbetet pika kufitare te Dheu i Bardhë.

Automjetet që po dalin nga Kosova përmes kësaj pike po përballen me pritje prej 30 deri në 40 minuta, ndërsa kolona ka arritur deri në 250 metra. Në hyrje, pritjet janë më të shkurtra, 5 deri në 10 minuta, me kolona deri në 10 metra.

Pritje më të theksuara ka edhe në Jarinje dhe Muçibabë, ku pritjet në hyrje janë deri në 10-15 minuta, ndërsa kolonat shkojnë deri në 50 metra. Në dalje nga këto pika, pritjet janë më të lehta.

Në pikën kufitare në Vërmicë, dalja kërkon 10-15 minuta, me një kolonë prej 15-25 metrash, ndërsa në hyrje janë shënuar pritje prej 5-10 minutash dhe kolonë prej 30 metrash.

Në të gjitha pikat tjera kufitare, përfshirë Merdarë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Kullë, Stançiq e Glloboçicë, fluksi është i menaxhueshëm me pritje që nuk kalojnë 5-10 minuta dhe pa kolona të theksuara.

Sa i përket qarkullimit të kamionëve, situata është stabile në të gjitha pikat kufitare, me pritje që variojnë ndërmjet 3 deri në 5 minuta, dhe pa kolona të regjistruara/Telegrafi/

The post Gjendja e hyrje-daljeve në pikëkalimet kufitare të Kosovës appeared first on Telegrafi.

Nataliteti në rënie në Kosovë, ekspertët kërkojnë veprim institucional

3 August 2025 at 16:58

Në vitet e fundit nataliteti ka shënuar rënie në Kosovë. Faktorët ekonomikë, migrimi i popullsisë, karriera si dhe ndryshimi i stilit të jetesës, konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të lindin më pak apo të mos lindin fare fëmijë.

Profesoresha universitare Mimoza Dushi, demografe, nuk e sheh shumë shqetësuese këtë rënie, ndërsa profesori Besim Gallopeni thotë se në Kosovë mungojnë politikat pro-nataliste.

Gjatë vitit 2024 në Kosovë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave, janë regjistruar gjithsej 21 mijë e 487 lindje, ndërsa 10 mijë e 230 lindje janë regjistruar jashtë vendit. Krahasuar me vitet paraprake, ka pasur rënie të natalitetit.

ASK-ja në një përgjigje për Radio Kosovën ka thënë se në vitin 2023 janë regjistruar 21 mijë e 654 lindje, në vitin 2022, 22 mijë e 632, në vitin 2021, 22 mijë e 830 dhe në vitin 2020 janë regjistruar 21 mijë e 907.

Profesoresha e Demografisë në Universitetin e Prishtinës, Mimoza Dushi, tha për Radio Kosovën se është fakt që shkalla e natalitetit ka filluar të bjerë, mirëpo këtë nuk e sheh shqetësuese, për faktin se rënia e natalitetit është trend botëror. Dushi theksoi se si shoqëri në tranzicion, ka filluar të ndryshojë edhe stili i jetesës në Kosovë.

“Ne jemi vend në zhvillim, që do të thotë se jemi në tranzicion. Në tranzicion ndryshojnë të gjithë komponentët demografikë, lindjet, vdekjet, ka lëvizje të popullsisë dhe shoqëria gjithmonë ndryshon evoluon nën ndikimin e faktorëve ekonomikë. Ka ndryshuar pozita e femrës në shoqëri, ndryshon statusi shoqëror i mashkullit, i femrës, madhësia e familjes, prandaj ndryshon kërkesa për numrin e pasardhësve. Sot e kemi femrën në nivele më të larta të shkollimit, e kemi të punësuar, është shndërruar në faktor ekonomik dhe sa më i madh numri i të ardhurave, aq më i vogël numri i fëmijëve. Ka ndryshuar niveli i shkollimit, pozitat, niveli i të ardhurave dhe femrat janë orientuar më shumë në karrierë”, tha Dushi për Radio Kosovën.

Sipas të dhënave që ka gjetur profesoresha Dushi, në dy vitet e fundit ka pasur diku rreth 31 mijë lindje në Kosovë.

“Kemi pasur rënie deri në vitin 2022, ndërsa në dy vitet e fundit kemi rritje për 2 mijë lindje më shumë brenda vitit. Që popullsia me mbet në nivelin e zëvendësimit, një çift bashkëshortor, duhet të lind të paktën 2,1 fëmijë, që do të thotë që çdo i dhjeti çift bashkëshortorë duhet të lind tre fëmijë, në mënyrë që popullsia as të mos rritet e as të mos zvogëlohet. Nëse rritet deri në 2.2; 2.3; 2.4, atëherë popullsia shkon duke u rritur. Ndërsa, 2.53, është norma për shkak se jo e gjithë popullsia merr pjesë në riprodhim. Një pjesë e popullsisë, 7 për qind, biologjikisht është popullsi sterile, që nuk merr pjesë në riprodhim, pastaj është pjesa e popullsisë që do të heq dorë nga lindjet, pjesa e popullsisë që nuk duan të hyjnë në martesë. Pra, të gjitha këto ndikojnë në zvogëlimin e shkallës të lindshmërisë”, shtoi ajo.

Dushi theksoi se problemi me statistikat në Kosovë është edhe regjistrimi i të lindurve në diasporë, pasi regjistrohen edhe në Kosovë në bazë të vendlindjes së nënës. Ndërsa bëri një krahasim me vendet e Evropës, që sipas saj dallimi është se në Kosovë ende nuk është hequr dorë nga lindja.

“Në vendet skandinave të Evropës, mbi 50 për qind të fëmijëve i kanë jashtë martesorë. Ndërsa ne, prej 7 deri në 8 fëmijë në vitet e ‘50-ta, kemi rënë në dy fëmijë, por nuk kemi hequr dorë nga ta. Ne ende i ruajmë normat e shoqërisë tradicionale, që të rinjtë tanë ende nuk kanë hequr dorë nga martesa dhe nuk kanë hequr dorë nga martesa. Jemi ende në nivelin e zëvendësimit dhe jemi në shkallën me të madhe të natalitetit në Evropë”, tha ajo.

Sipas demografes Dushi, vendet me shkallë të ulët të natalitetit zhvillojnë politika që stimulojnë popullsinë për të realizuar një numër më të madh të lindjeve.

“Stimulimi nuk është 10 euro, 30 apo 40 euro për një lindje, nuk quhet kjo politike. Politika është pushim i lehonisë për të dy prindërit, është shkollimi falas për fëmijë, politikë është sikurse vendet e tjera që kanë ardhura për fëmijët prej momentit kur të lindë deri në moshën 18 – vjeçare. Pra, këto janë politika, që barrën e rritjes së fëmijës e merr shteti”, nënvizon ajo.

Ndërkohë, profesori i Sociologjisë, Besim Gallopeni, tha për Radio Kosovën se rënia e natalitetit është një fenomen i shfaqur gjerësisht në shumë vende, përfshirë edhe Kosovën dhe lidhet me një sërë faktorësh.

“Migrimi i jashtëm, sidomos i të rinjve dhe çifteve të reja, ka ndikuar ndjeshëm në bazën e popullsisë që kontribuon në natalitetin apo shtimin e popullsisë në përgjithësi. Duhet përmendur edhe ndryshimet në stilin e jetës dhe vlerat familjare, ku hyjnë faktorët siç është shtyrja e martesës apo hyrja ë vonshme në martesë dhe është rritur mosha mesatare e martesës mbi të 30-tat për të dyja gjinitë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në periudhën reproduktive të popullsisë. Kushtet ekonomike dhe socialë janë faktorë të tjerë që ndikojnë, pasi shumë të rinj sot bëjnë planifikime se sa janë në gjendje të ndërtojnë një bazë të qëndrueshme ekonomike dhe sociale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e familjes përmes rritjes, ushqyerjes dhe edukimit të fëmijëve të tyre, tha ai.

Gallopeni foli edhe për mungesën e politikave pronataliste.

“Kosova ende nuk ka politika popullative, që do të ndikonte pozitivisht në ruajtjen e një stabiliteti demografik dhe më pas edhe social e ekonomik, kulturor e të tjerë”, tha ai.

Sipas Gallopenit edhe lëvizjet demografike në Kosovë kanë pasur një ndikim të ndjeshëm në natalitet.

“E tëra kjo ka bërë që ne të kemi rreth 11 mijë lindje brenda një viti apo më pak se dy fëmijë për një grua, që nënkupton se jemi ne një fazë shumë kritike të rritjes demografike. Po ashtu, nëse i referohemi regjistrimit të popullsisë, kuptojmë që Kosova brenda pak më shumë se një dekade ka humbur mbi 200 mijë banorë”, ka thënë ai.

Gallopeni foli edhe për pasojat që mund të ketë nga rënia e natalitetit.

“Shumë shkolla do të mbyllen, në mungesë të numrit të nxënësve, shumë vendbanime rurale do të zvogëlohen, mbase edhe do të shuhen në mungesë të numrit të popullsisë,  sigurisht do të rritet mosha e tretë e popullsisë, që e rëndon bazën ekonomike dhe buxhetin e shtetit. Kjo bën që ne mos të jemi në gjendje që në të ardhmen të mbulojmë nevojat tona për fuqi punëtore. Kjo përbën një shqetësim shumë të madh”, tha ai.

Gallopeni, iu bëri thirrje institucioneve përkatëse që sa më parë të mbledhin ekspertë për të bërë politika popullative në interes të vendit.

Të lindur gjallë sipas viteve dhe gjinisë në Kosovë
Viti Gjithsej Femra Meshkuj
2020 21907 10567 11340
2021 22830 10982 11848
2022 22632 11016 11616
2023 21654 10447 11207
2024 21487 10374 11113

The post Nataliteti në rënie në Kosovë, ekspertët kërkojnë veprim institucional appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Publikohet dizajni i dronit “SKIFTERI M1” – projekti shqiptar drejt përfundimit

31 July 2025 at 23:44

Ridvan Aliu, shefi i Future Minds Academy, ka prezantuar dizajnin e parë të dronit “SKIFTERI M1”, një projekt që sipas tij është drejt finalizimit dhe do të shënojë një hap historik për teknologjinë shqiptare.

“Dizajni autokton shqiptar SKIFTERI M1 është drejt përfundimit”, ka njoftuar Aliu, duke publikuar pamje të modelit të parë të këtij droni që do të ketë karakteristika të avancuara teknike:

Hapja e krahëve (wingspan): 14 metra

Shpejtësia: 400 km/h

Kapaciteti i ngarkesës (payload): 140 kilogramë

Sipas tij, projekti i plotë “SKIFTERI” do të lanohet në muajin gusht dhe do të përfshijë pesë produkte të ndryshme, me një investim fillestar prej 4 milionë dollarësh.

Produktet që pritet të prezantohen janë:

SKIFTERI M1

SKIFTERI K1

SKIFTERI FPV

SKIFTERI Tethered

SKIFTERI Satellite

Aliu e ka cilësuar këtë nismë si “fillimin e një projekti historik për kombin shqiptar”, duke sinjalizuar ambicie të mëdha për zhvillimin teknologjik dhe inovacionin vendas në fushën e pajisjeve ajrore pa pilot.


 

The post Publikohet dizajni i dronit “SKIFTERI M1” – projekti shqiptar drejt përfundimit appeared first on Telegrafi.

Mustafa: Qeveria në detyrë po përkrah veprimet e ZRrE-së në kundërshtim me ligjin dhe interesin e ekonomisë

31 July 2025 at 19:09

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar ndaj sjelljes së Qeverisë dhe ministrave në detyrë, të cilët, sipas tij, po veprojnë pa asnjë kontroll parlamentar dhe pa përgjegjësi institucionale.

Ai ka kritikuar përkrahjen që kjo qeveri po i jep Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta imponuar tregun e lirë të energjisë, pavarësisht vendimeve të gjykatave dhe dëmeve serioze që po i shkaktohen sektorit privat.

“ZRrE nuk ka kompetencë të vendosë për tregun e lirë, siç po pretendon ministrja e Ekonomisë. Këto vendime duhet të bazohen në ligj dhe në vendimet e gjykatave, që mbrojnë të drejtat e bizneseve, punëtorëve të tyre, investimeve dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe konkurrencës,” u shpreh Mustafa.

Sipas tij, Ligji parasheh kalimin në treg të lirë vetëm kur ekzistojnë kushte të favorshme për konkurrencë të ndershme dhe përfitime për sektorin privat – jo në dëm të tij.

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj një qasjeje shkatërruese”.

“Shteti varet nga fuqia e ekonomisë. Çfarë mbetet nga shteti nëse ia rrënojmë edhe këtë ekonomi?”, përfundoi Mustafa.

The post Mustafa: Qeveria në detyrë po përkrah veprimet e ZRrE-së në kundërshtim me ligjin dhe interesin e ekonomisë appeared first on Telegrafi.

❌
❌