TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishte sot e pranishme në inspektimin e punimeve për rehabilitimin e nëntë pallateve në zonën e Sukthit.
Kryebashkiakja e Durrësit u shpreh se ky investim i rëndësishëm rehabiliton nëntë pallate, në të cilat do të ndërhyhet në rikonstruksionin e fasadave duke kryer veshje me sistem kapot, me qëllim efiçencën e energjisë.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit e ka cilësuar këtë një premtim të mbajtur ndaj banorëve të Sukthit që e kanë pasur kërkesë kryesore rehabilitimin e këtyre pallateve.
“Kjo zonë do të transformohet ashtu si lagjet 12, 16 dhe 18. Pra, ky investim do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj lagjeje si dhe rritjen e vlerës së pronës së tyre”, u shpreh Sako.
“Nëntë pallate që do të vishen të gjitha me sistemin kapot. Këto pallate janë një pjesë e paketës që ne kemi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Përveç investimeve në rrugë, kemi filluar punimet edhe në sheshin ku është prishur pallati dhe po bëjmë riparimin në këto nëntë pallate që kanë një komunitet të konsiderueshëm familjesh.”
Sako u shpreh se “kjo është një praktikë pune që e kemi bërë në disa lagje të Durrësit, në atë 16, 18 dhe organizuam një plan pune që të preknim dhe njësitë administrative, meqenëse Qeveria Shqiptare na e mbështeti financimin. Dhe kështu kemi filluar me disa pallate në zonën e Sukthit dhe i gjithë procesi do të vazhdojë me faza”.
/a.f/r.e/
The post Rehabilitimi i nëntë pallateve në Sukth, Sako: Përmirësohet cilësia e jetës së banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.