Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Shkollë verore për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore

30 July 2025 at 14:47

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Në kuadër të projektit ndërkufitar IPA “SMART4YOU2” është finalizuar me sukses shkolla verore me tematikë: “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nëpërmjet restaurimit dhe konservimit”.

Aktiviteti, i zhvilluar në bashkëpunim me partnerë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, kishte në qendër monumentet e kulturës të të dy vendeve, duke ofruar një shkëmbim të pasur eksperiencash mes studentëve shqiptarë dhe maqedonas.

Shkolla Verore shërben si një hapësirë e rëndësishme formimi profesional dhe ndërveprimi ndërkulturor për brezat e rinj të angazhuar në ruajtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët.

Ky projekt është financuar nga Projekti IPA-SMART4YOU2.

/r.e/

The post Shkollë verore për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kompozitori i shquar dhe “Nderi i Kombit”, Tonin Harapi

30 July 2025 at 13:25

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Më 30 korrik 1992, ndërroi jetë kompozitori i shquar shqiptar, Tonin Harapi.

Studenti dhe pjesëmarrësi që në moshë të hershme në formacionet orkestrale klerikale, do të ishte një nga muzikantët më frymëzues të muzikologjisë shqiptare. Pas lufte, në vitin 1947 u bë pjesë e Liceut Artistik të Tiranës dhe figura e tij do të spikaste shpejt për harmoninë e tingujve të luajtur në piano. Harapi i përket brezit të vonë të studentëve shqiptarë, që nuk mundën t’i përfundonin studimet në Rusi pranë konservatorit “Çajkovski”.

Pas ardhjes në atdhe, u bë pjesë e degës së kompozicionit pranë Konservatorit të Tiranës. Pjesët e kompozuara prej tij në piano do të mbahen mend jo vetëm nga studiuesit e fushës, por edhe nga studentë dhe shumë dashamirës të muzikës.

Titulli veprës së tij të fundit “Requiem” do të rezultonte profetik, pasi do të vihej në skenë vetëm pas vdekjes së kompozitorit. Gjithashtu, pas vdekjes do të vlerësohej edhe për meritat e tij artistike me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

/r.e/

The post Kompozitori i shquar dhe “Nderi i Kombit”, Tonin Harapi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkrimtarja shqiptare, kandidate për Booker Prize 2025

30 July 2025 at 11:53

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi sot se shkrimtarja shqiptare, Ledia Xhoga, është kandidate për çmimin e madh të letërsisë, Booker Prize 2025.

Xhoga, me romanin e saj “Misinterpretation”, renditet në listën e gjatë të pretendentëve për këtë çmim prestigjioz.

Ledia Xhoga është shkrimtarja e dytë shqiptare që kandidon për Booker Prize pas Ismail Kadaresë që e ka fituar çmimin, “The International Booker Prize”, në vitin e themelimit të kësaj kategorie, në 2005. Kadare ishte njëri prej kandidatëve edhe dy herë të tjera, në 2017-n dhe në 2024-n.

Fituesi i këtij viti për Booker Prize do të shpallet më datë 10 nëntor 2025.

Booker Prize është çmimi kryesor letrar në botën anglishtfolëse, dhe ka sjellë njohje, shpërblim dhe lexues për letërsinë artistike për më shumë se pesë dekada. Ai u dha për herë të parë në vitin 1969.

Ky çmim synon të inkurajojë më shumë leximin e letërsisë artistike cilësore nga e gjithë bota dhe tashmë, sipas stitistikave, e ka pasur një ndikim. Puna jetike e përkthyesve shpërblehet me çmimin prej 50 000 paund të ndarë në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit. Çdo autor dhe përkthyes në listën e ngushtë merr gjithashtu 2500 paund.

1 nga 4

/r.e/

The post Shkrimtarja shqiptare, kandidate për Booker Prize 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: “Onufri” i Beratit, çdo ditë mikpret qindra vizitorë

30 July 2025 at 09:27

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Të shumtë janë vizitorët që shohin nga afër pasuritë që ruan në fondin e tij Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se janë me qindra vizitorë nga e gjithë bota, që çdo ditë mikpriten nga “Onufri”, i cili u ofron atyre një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike përmes ikonave të rralla dhe audioguidës në disa gjuhë të huaja.

Muzeu Ikonografik “Onufri” ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”. Arkitektura ku është vendosur muzeu është kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.

Nga ky kompleks ka mbetur vetëm kisha, e cila është ndërtuar në vitin 1797, por që mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Nga të dhënat historike, dimë se Katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur mjediset e komuniteteve fetare kaluan nën administrimin e shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo, piktorët me mbiemër Çetiri e shumë piktorë të tjerë anonimë.

/r.e/

The post Gonxhja: “Onufri” i Beratit, çdo ditë mikpret qindra vizitorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi

30 July 2025 at 08:30

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Në Mal të Zi u mbajt konferenca e përbashkët përfundimtare për përgatitjen e dosjes drejtuar UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.

Konferenca e përbashkët mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga palët dhe grupet e interesit, aktorët lokalë, donatorët, ekspertët, ministritë përkatëse dhe sekretariati i UNESCO-s.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, dosjet përkatëse të nominimit janë gati për t’u dorëzuar në ministritë përkatëse dhe do të shërbejnë për dy komponentë të rëndësishëm: prezantimin e rezultateve e arritjeve të projektit, si dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të krijuar SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed-Transboundary Biosphere Reserve/ Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës-Rezervë Biosferë Ndërkufitare).

Konferenca përfundimtare shërbeu për të prezantuar arritjet dhe për të përcjellë një mesazh angazhimi dhe bashkëpunimi rajonal për publikun e gjerë. Përmes programit të rezervave të biosferës, një zhvillim i qëndrueshëm i gjelbër është i mundur për rajonin dhe për ta arritur këtë, ndryshimi i mentalitetit dhe i qëndrimit është i domosdoshëm. Gjithashtu, një harmonizim dhe partneritet i palëve të interesuara, është çelësi i suksesit.

Në fund të konferencës panairi i kulturave dhe natyrës shfaqi mundësitë dhe potencialet e rajonit të ardhshëm të Biosferës.

/r.e/

The post Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Miqësisë

30 July 2025 at 08:00

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Miqësisë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2011, me motivacionin se miqësia midis popujve, vendeve, kulturave dhe individëve mund të frymëzojë përpjekjet për paqe dhe të ndërtojë ura midis komuniteteve.

Asambleja e Përgjithshme njeh në dokument rëndësinë e miqësisë si një “ndjenjë fisnike dhe e çmuar në jetën e qenieve njerëzore në mbarë botën”.

Në nderim të kësaj dite, OKB-ja inkurajon qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile të zhvillojnë aktivitete dhe iniciativa që kontribuojnë në promovimin e një dialogu midis qytetërimeve, solidaritetit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit.

Këtë vit, ndërsa bota përballet me diferenca të thella midis kombeve, brenda shoqërive, madje edhe brenda familjeve, thirrja për miqësi nuk është sentimentale. Është thelbësore. Ajo na nxit të guxojmë të besojmë në diçka më të mirë. Është një thirrje për të imagjinuar një të ardhme ku ndryshimi nuk do të thotë distancë dhe ku besimi është më i fortë se frika. Nëpërmjet miqësisë, ne nuk përballemi vetëm me botën ashtu siç është, por fillojmë ta formojmë botën ashtu siç do të donim të ishte.

/r.e/

The post Dita Ndërkombëtare e Miqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 July 2025Main stream

Gonxhja prezanton para kineastëve strategjinë për krijmtarinë audiovizuale

29 July 2025 at 17:03

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, zhvilluan sot një takim me kineastët shqiptarë mbi vizionin dhe hapat konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në Shqipëri.

Ministri Gonxhja e cilësoi si një moment te rëndësishëm për të ndarë me komunitetin e industrive kreative prioritetet për të ardhmen, duke vendosur në qendër transparencën, rritjen e standardeve profesionale dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Gjatë takimit, së bashku me përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, u prezantuan pikat kryesore të strategjisë së re për audiovizualin, e ndërtuar mbi nevojat dhe potencialin e tregut vendas dhe ndërkombëtar, rregulloren e re të aplikimit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e cila synon të thjeshtojë procedurat dhe të krijojë më shumë hapësira për projekte cilësore si dhe mundësitë konkrete që ofron Media Desk i Creative Europe për përfshirjen e kineastëve shqiptarë në rrjete dhe bashkëprodhime evropiane.

“Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me partneritete të qëndrueshme, mund të ndërtojmë një ekosistem të fortë për krijimtarinë audiovizuale në Shqipëri, një sektor që jo vetëm përfaqëson identitetin tonë kulturor, por edhe ka potencial real për zhvillim ekonomik dhe diplomaci kulturore”, u shpreh kreu i MEKI-t, Blendi Gonxhja.

/r.e/

The post Gonxhja prezanton para kineastëve strategjinë për krijmtarinë audiovizuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohja “de jure” e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha

29 July 2025 at 13:35

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Më 29 korrik të vitit 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin e pavarur shqiptar.

Në shenjë mospajtimi me shpalljen e pavarësisë, vendet ballkanike vazhdonin të mbanin trupat e tyre në territorin shqiptar. Duke marrë rolin e arbitrit mes palëve ndërluftuese, në maj të 1913-s, u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku u nënshkrua Traktati i Paqes, në bazë të të cilit Perandoria Osmane detyrohej të hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë. Në përfundim të punimeve, më 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha vendosën që Shqipëria të shpallej Principatë Autonome, sovrane dhe e trashëgueshme.

Konferenca e Ambasadorëve erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftrat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera të lidhura me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve.

Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

/r.e/

The post Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohja “de jure” e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Produksioni shqiptar i baletit “Fatalita” vihet në skenën e Teatro Massimo të Palermos

29 July 2025 at 11:53

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Shfaqja “Fatalita” u jetësua edhe në skenën prestigjioze të Teatro Massimo të Palermos.

“Fatalita” është një balet në katër tablo, me koreografi nga i mirënjohuri Toni Candeloro, nën asistencën e primabalerinës Enada Hoxha.

Produksioni është kuruar deri në detaj nga kostumografja Edlira Qyshka dhe Florian Çanga (video design). Vënia në skenën e Teatro Massimo ishte vijimi i rrugëtimit ndërkombëtar të këtij baleti, pas premierës së suksesshme në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë.

Shfaqja përmbledh katër kryevepra botërore, “Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina”, ku heroina është gruaja që vdes. Koreografi Toni Candeloro përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë: Stop dhunës dhe nënshtrimit të gruas, që fundi i saj të mos jetë fatal.

“Fatalita” është një produksion i krijuar në Tiranë që ngjitet në një nga teatrot më të rëndësishëm të Europës dhe me vete çon artin, pasionin dhe profesionalizmin shqiptar.

/r.e/

The post Produksioni shqiptar i baletit “Fatalita” vihet në skenën e Teatro Massimo të Palermos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protagonistët e komedisë “Pallati 176” në kinemanë verore të DPA-së

29 July 2025 at 10:52

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Komedia brilante e Adelina Balashit, “Pallati 176”, u shfaq mbrëmjen e djeshme në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Megjithëse ka regjistruar një numër rekord shfaqjesh, pjesëmarrja e publikut tejkaloi parashikimet. Në aktivitetin e zhvilluar në oborrin e DPA-së, mes të tjerësh ishin të pranishëm edhe vetë aktorët protagonistë: Eva Alikaj, Gëzim Rudi, Elida Janushi, si edhe Edon Qesari, i biri i regjisorit të ndjerë Andon Qesari, dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të filmit.

Nëndrejtoresha e përgjithshme e DPA-së, Marinela Ndria theksoi rëndësinë e vlerësimit të kontributit të artistëve shqiptarë, nëpërmjet risjelljes së realizimeve që i kanë rezistuar kohës. “Në këto dy sezone, asnjëherë kjo kinema verore nuk është mbushur kaq shumë. Falenderoj të gjithë kastin, të gjithë ato yje që i kemi lart në qiell sot”, tha Ndria.

Në vijim, e mori fjalën aktorja Janushi, e cila përshëndeti angazhimin e DPA-së lidhur me përzgjedhjen e kësaj shfaqjeje teatrale, në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë. “Më bëhet qejfi që vitet kanë kaluar dhe “Pallati 176” mbetet në vëmendjen tuaj”, u shpreh Janushi.

Më tej, mbajti një fjalë rasti edhe aktorja Eva Alikaj, që nënvizoi se Ilir Bezhani (aktori që interpretonte Sandrin) e kishte parashikuar se kjo do të ishte një shfaqje që do të mbushte teatrin. “Jo vetëm që kishte të drejtë, por kjo i kaloi parashikimet e të gjithëve. Është kthyer në një kult”, tha Alikaj.

Në nderim të regjisorit Andon Qesari ishte i ftuar i biri, Edon Qesari, i cili tha se kjo vepër e mbajtur mend përmendësh, prapë vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut artdashës. “Krijuesit janë të pandërgjegjshëm se ç’janë duke bërë. Vetëm spektatorët arrijnë t’i ndërgjegjësojnë ata. Besoj se ky është rasti klasik se një vepër artistike jep përjetësinë”, vlerësoi Qesari.

Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Kinemaja Verore e DPA-së, e cila ka një kapacitet prej 140 ulësesh, i adresohet veçanërisht nxënësve dhe studentëve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Së bashku me sallën e leksioneve dhe të trajnimeve, “Auditorin” dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore bashkëkohore.

/r.e/

The post Protagonistët e komedisë “Pallati 176” në kinemanë verore të DPA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

29 July 2025 at 09:23

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.

 

 

The post Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Tingujt dhe gjuha e arbëreshëve mbushin Pazarin e Vjetër të Korçës

28 July 2025 at 13:39

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Fundjava solli në Pazarin e Vjetër të Korçës një udhëtim muzikor nga zemra e Arbërisë, aktivitetin ArbNight – Ethno Pulse.

Ky aktivitet u organizuar nga Qendra e Artit, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me COD-in (Qendra për Hapje dhe Dialog) si dhe me mbështetjen e Bashkisë Korçë.

Mes tingujve të historisë dhe atmosferës magjike të rrugicave korçare, publiku u magjeps nga interpretimet e veçanta të fizarmonicistit arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Sicili), i shoqëruar nga këngëtari Bledi Polena dhe kitaristi Nuçiel Doko.

Koncerti pati pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Sicilisë, si dhe këngë të dashura të muzikës arbëreshe, duke e bërë këtë mbrëmje të paharrueshme për qytetarët dhe turistët që qëndruan për ta shijuar deri në fund. ArbNight solli në çdo hap, një kujtim ku çdo tingull fliste arbërisht.

/r.e/

The post Tingujt dhe gjuha e arbëreshëve mbushin Pazarin e Vjetër të Korçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Arshi Pipa

28 July 2025 at 11:18

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.

Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës.

Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie. U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e internimit (Durrës, Gjirokastër, Korçë, Burrel etj.) U lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959.

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare.

Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C.

/r.e/

The post Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Arshi Pipa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje restauruese në Kishën e Shpërfytyrimit në Herbel

27 July 2025 at 07:45

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore po i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Specialistët e IKTK-së po punojnë për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit në Herbel, të Dibrës.
Punimet përfshijnë ndërhyrje strukturore në themele, restaurimin e fasadave të dëmtuara, riparimin e çarjeve, restaurimin e dyshemesë me pllaka guri dhe ruajtjen e elementeve të vjetra të tavanit.

Kisha e Shpërfytyrimit, i përket Mesjetës së Hershme dhe është e kulturës bizantine. Kisha ndodhet në jugperëndim të fshatit Herbel, në një kodër të lartë. Ka ndërtim të thjeshtë, pronaus-abside. Absida trefaqeshe i takon parapushtimit turk dhe shërben si altar. Në mes të absidës gjendet një dritare e ngushtë dhe e lartë. Muratura është me gur gëlqeror e lidhur me llaç gëlqereje dhe tulla. Tullat janë të vendosura mes gurëve dhe mes rreshtave.

Kjo kishë është shpallur Monument Kulture që në vitin 1970.

1 nga 5

The post Ndërhyrje restauruese në Kishën e Shpërfytyrimit në Herbel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEKI, ftesë kineastëve për të diskutuar strategjinë e re për audiovizualin

25 July 2025 at 14:12

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ftoi të gjithë kineastët shqiptarë të marrin pjesë në një takim informativ mbi strategjinë e re për zhvillimin e sektorit audiovizual. Në takim do të jetë i pranishëm edhe kreu i MEKI-t, Blendi Gonxhja, kryetari i sapoemëruar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë nga British Council.

Takimi do të zhvillohet më 29 korrik në HangArt, në Kinostudio.

MEKI bëri të qartë se, ky është një moment i rëndësishëm për të marrë informacion të drejtpërdrejtë mbi strategjinë e re për audiovizualin; rregulloren e re të aplikimit në QKK; mundësitë që ofron Media Desk i Creative Europe.

MEKI i ftoi kineastët të jenë të pranishëm për të bashkëbiseduar për të ardhmen e industrisë audiovizuale shqiptare, duke e cilësuar këtë takim si një hap të përbashkët drejt më shumë mundësive, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /j.p/

 

The post MEKI, ftesë kineastëve për të diskutuar strategjinë e re për audiovizualin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“La Traviata”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri

25 July 2025 at 11:21

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Më 25 korrik të vitit 1942, opera e mirënjohur e Verdit, “La Traviata”, u vu për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

Operan e Giuseppe Verdi-t e solli kompania artistike italiane “Carro di Tespi Lirico”.

Në vitin 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). “Carro di Tespi Lirico” mbulonte operan dhe këngën lirike, ndërsa tri të tjerat vinin në skenë pjesë teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte, deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë, teatrin dhe operan lirike.

Me përjashtim të “La Traviata”, trupa Carro di Tespi Lirico dha edhe disa shfaqje të tjera në korrik të 1942. Me gjasë, kjo ishte hera e parë që një opera lirike vihej në skenë në Shqipëri. Skena u vendos në krye të Viale del Impero (sot “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi “Nënë Tereza”. /j.p/

1 nga 3

The post “La Traviata”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali i muzikës elektronike Lumina, Filo: Korça, skenë e ritmit dhe dritës

25 July 2025 at 09:49

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Sotiraq Filo (@sotiraqfilo)

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.

Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.

Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.

“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.

Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës. /j.p/

1 nga 5

The post Festivali i muzikës elektronike Lumina, Filo: Korça, skenë e ritmit dhe dritës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja e Bashtovës, gati të presë vizitorët

25 July 2025 at 09:02

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Kalaja e Bashtovës është gati të mirëpresë vizitorët, pas përfundimit të punimeve për konservimin dhe restaurimin e saj.

Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore, i ndërtuar në shekullin XV nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e drithit, është restauruar përmes një sërë ndërhyrjesh të kujdesshme që synojnë ruajtjen e strukturës, zbulimin e historive të saj të fshehura dhe përshtatjen për një përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Mes shumë ndërhyrjeve të realizuara aty, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, renditi restaurimin e mureve dhe kullave, përmirësimin e aksesit dhe kushteve të sigurisë, kërkimet arkeologjike të detajuara, zhvillimin e një sistemi interpretues me multimedia interactive si dhe ngritjen e një qendre moderne për vizitorët.

Kjo ndërhyrje u realizua në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /j.p/

1 nga 5

The post Kalaja e Bashtovës, gati të presë vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisi në Prishtinë festivali operistik “Ramë Lahaj & Friends”

24 July 2025 at 15:18

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mbrëmjen e djeshme, publiku pati kënaqësinë të përjetojë një natë magjike në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj & Friends”.

Festivali operistik e nisi rrugëtimin e tij me një mbrëmje kushtuar këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha.

Artistë të njohur si mezzosopranoja nga Egjipti Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda si edhe arbëreshë, të shoqëruar nga Gent Rushi Group, sollën emocione të veçanta për publikun.

Me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, ky edicion i festivalit përçoi mesazhin e bashkimit përmes artit, duke e shndërruar natën në një përvojë të paharrueshme për qytetarët e Prishtinës.

“Kryeqyteti është krenar që mbështet këtë ngjarje të veçantë, e cila promovon kulturën, talentin dhe historinë tonë muzikore në skenën ndërkombëtare”, shkroi në rrjetet sociale kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama.

Festivali do t’i sjellë publikut një numër të madh artistësh të vlerësuar ndërkombëtarisht. Kulminacionin ky festival do ta ketë me shfaqjen në sheshin Skënderbeu të Prishtinës, natën e 2 gushtit, kur do të interpretojë Orkestra Simfonike e RTSH-së. Ky do të jetë i pari koncert i saj ku bashkëpunon me “Ramë Lahaj & Friends”. /j.p/

The post Nisi në Prishtinë festivali operistik “Ramë Lahaj & Friends” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

95-vjetori i vdekjes së patriotit Bajo Topulli

24 July 2025 at 15:04

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ 95 vjet më parë u nda nga jeta atdhetari Bajo Topulli.

Bajo Topulli u arsimua në Stamboll, ku u brumos me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos. Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i Gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë” (1905), ku u mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën dhe ku gjetën një situatë po aq të ndezur patriotike. Aty u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund.

Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Pas shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet me radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijmë t’i themi Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”. /j.p/

The post 95-vjetori i vdekjes së patriotit Bajo Topulli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌