Zjarri në Dishnicë, Filo: Ndërhyrje me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen
TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Prej orëve të para të mëngjesit, strukturat e Emergjencave Civile, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, punonjës të Njësisë Administrative Bulgarec dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor kanë rinisur punën në terren për vënien nën kontroll të zjarrit që ka përfshirë zonën malore të fshatit Dishnicë.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur se zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa terreni i thepisur po e bën të vështirë ndërhyrjen nga toka.
“Strukturat po veprojnë me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen më tej të flakëve dhe për të mbrojtur sipërfaqet pyjore, banesat dhe jetën e banorëve”, tha Filo, i cili shtoi se ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, çka e bën edhe më të rëndë këtë akt që dëmton natyrën, pasurinë dhe sigurinë publike.
Kryebashkiaku Sotiraq Filo bëri apel për bashkëpunim dhe raportim të menjëhershëm nga komuniteti për çdo rast të dyshimtë. “Vetëm së bashku mund të parandalojmë dëme të tilla”, u shpreh Filo. /j.p/
The post Zjarri në Dishnicë, Filo: Ndërhyrje me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.