Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 July 2025Main stream

Nuk arkëtuan 40 mln lekë në arkat e Bashkisë së Fierit/ Gjykata rishikon masat për katër zyrtarët, ish-nënkryetarja vijon në arrest shtëpie

By: V K
26 July 2025 at 16:00

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen në pyetje të katër personave nën hetim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Seanca e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku gjyqtarja Aurora Tusha, ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen në pyetje të katër personave nën hetim për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike.

Mësohet se ish-nënkryetarja Adela Hysenaj dhe Vasil Çeku, ky i fundit drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, do të vijojnë të mbahen në “arrest shtëpie”.

Ndërkohë Anisa Cjapi, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier dhe Martin Dodi, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës publike dhe kanë masën “detyrim paraqitjeje”.

Gjykata ka revokuar masën “ndalim për të dalë jashtë shtetit” për Dodin, ndërkohë që Çekut i është hequr pezullimi nga detyra, por mbetet në “arrest shtëpie”.

Vendimi u shpall më 26 korrik 2025 dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditësh.

Personat janë nën hetim për shkelje të detyrës në ushtrimin e funksioneve publike dhe ndërhyrje të paligjshme në vendimmarrje zyrtare.

 

V E N D I M  I  S H K U R T U A R

“NË EMËR TË REPUBLIKËS”

“Për verfikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit”

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e përbërë nga: GJYQTARE – AURORA TUSHA

Asistuar nga sekretare gjyqësore Esmeralda Hyseni, sot në Fier, më datë 26.07.2025 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, kërkesën penale me Nr.1397 regj.Them që i përket:

KËRKUES: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga prokurori z. Ervis Alliaj.

PERSON NËN HETIM: A. H. e mbrojtur nga av.Gëzim Hajderaj, i zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.

E DYSHUAR:  Për  veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 245/1 dhe 248 i Kodit Penal.

PERSON NËN HETIMA.C, nga av. Mexhit Dyrmishi, caktuar kryesisht nga gjykata, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.

E DYSHUAR:  Për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

PERSON NËN HETIM:   M. D, i mbrojtur nga av.Rozeta Plaku, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.

I DYSHUAR: Për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

PERSON NËN HETIM:  V. Ç, mbrojtur nga av.Rozeta Plaku, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.

I DYSHUAR: Për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal

OBJEKTI:  Kërkesë për marrjen në pyetje të personave nën hetim A. H  A.C, M. D dhe V. Ç

BAZA LIGJORE:Neni 248 i Kodit të Procedurës Penale

Gjykata, bazuar në nenet 228, 229, 232, 237, 240 dhe 248 KPP, pasi dëgjoi palën kërkuese, personat nën hetim dhe mbrojtësit e zgjedhur prej tyre me deklarim në seancë gjyqësore;

V E N D O S I :

  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për marrje në pyetje të personave nën hetim A. H, A.C, M. D dhe V.Ç.
  2. Të vijojë zbatimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim H, , të caktuar me vendimin nr.62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si e dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
  3. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa e saj………….
  4. Të vijojë zbatimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim C, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  5. Të revokojë masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim D. Vijimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim M.D, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si i dyshuar për veprën penale Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
  6. Vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal dhe karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Ç, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Revokimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim V. Ç, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  7. Urdhërohet personi nën hetim Ç të mos largohet nga banesa e tij.
  8. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me ekzekutimin e këtij vendimi.
  9. Shpenzimet gjyqësore të lihen siç janë kryer.
  10. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Juridiksionit te Përgjithshëm të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi.                 

U shpall në Fier, sot më datë 26.07.2025!

The post Nuk arkëtuan 40 mln lekë në arkat e Bashkisë së Fierit/ Gjykata rishikon masat për katër zyrtarët, ish-nënkryetarja vijon në arrest shtëpie appeared first on Albeu.com.

Goditja e rrjetit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine/ SPAK del me njoftim zyrtar

By: V K
26 July 2025 at 15:33

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka goditur një rrjet ndërkombëtar droge.

Mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.

Prokuroria e Posaçme, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:

A. H.

K. H.

E.N.

E. A.

P. D.

I. Ll.

Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.

Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.

Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:

Shuma monetare në total:

Euro: 43,470 €

Franga zvicerane: 5,000 CHF

Automjete:

3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.

Mjet lundrues:

1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.

Armë zjarri:

3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.

Ora të luksit:

1 orë Rolex, model 126613LN

1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68

Telefona celularë:

16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.

Karta bankare dhe dokumente financiare:

19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.

Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.

Pajisje elektronike:

1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.

8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.

1 NVR Hikvision.

2 radio komunikimi Baofeng.

Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:

Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.

Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.

Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.
Etj.

Episodet të trafikut të drogës

Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Episode të sekuestrimi të kokainës

Spanjë – shkurt 2020

Sekuestruar 400 kg.

Belgjikë – prill 2020

Sekuestruar 989.1 kg.

Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020

Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.
Holandë – qershor 2020

Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://www.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-waarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen )

Holandë – tetor 2020

Sekuestruar 1484.07 kg.

Episode të sekuestrimit të hashashit

Rimini, Itali – korrik 2020

Sekuestruar 275 kg.

Bari, Itali – mars 2021

Sekuestruar 400 kg.

Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020

Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.

Episode të tjera

Francë – shkurt 2020

Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.

Modus Operandi

Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.

Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar.

Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Adnan Xholi:

“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare”.

Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit, të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike.

Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi.

Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao.

Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve.

Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.

Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia. Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.

Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:

“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal”.

The post Goditja e rrjetit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine/ SPAK del me njoftim zyrtar appeared first on Albeu.com.

Zbulohen bisedat në “SKY ECC”/ SPAK godet rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike, kush janë biznesmenët e përfshirë…

By: V K
26 July 2025 at 15:05

SPAK godet një grup kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. 6 nga 7 pjesëtarët e grupit përfunduan në pranga në kuadër të një aksioni të organizuar gjatë të premtes, ndërsa i fundit rezulton të jetë jashtë vendit.

Vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosman, Ermir Ndreaj, pronar i disa kompanive, si dhe Ilir Lloshi u arrestuan përkatësisht në Palasë dhe Elbasan.

Plarent Dervishajt dhe Erion Alibejt, iu komunikuan akuzat në ambientet e paraburgimit, ku mbahen për vepra të tjera të rënda penale, si vrasje dhe atentate mafioze.

Goditja e grupit erdhi pas zbërthimit të qindra komunikimeve në Sky ECC, por dhe dëshmisë e të penduarit Erion Alibej, i njohur me nofkën “Krymi”.

Gjatë aksionit, ku u ushtruan kontrolle në Palasë në vila luksoze si dhe në Tiranë u sekuestruan bizhuteri të shtrenjta, orë dhe makina luksoze.

Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat për “Trafik narkotikësh, grup kriminal, kryerja e veprave nga grupi strukturuar dhe armëmbajtje.

Erion Alibej, u përball me debate të forta në një seance Gjykatën e Posaçme me Plarent Dervishajn, ku ky i fundit po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, me 1 nëntor 2019 me një të vrarë e dy të plagosur.

Alibej njihet si kundërshtar i përbetuar i vëllzërve Franc e Hajdar Çopja, të cilët kanë drejtuar një nga organizatat me të rrezikshme kriminale.

The post Zbulohen bisedat në “SKY ECC”/ SPAK godet rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike, kush janë biznesmenët e përfshirë… appeared first on Albeu.com.

Të paktën 25 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, disa po merrnin ndihma

By: V K
26 July 2025 at 15:00

Gjatë natës së kaluar, të paktën 25 palestinezë u vranë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe të shtënat nga forcat izraelite, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë dhe shërbimit të ambulancës.

Ngjarja ndodh në një kohë kur bisedimet për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, janë pezulluar dhe situata humanitare në territorin palestinez po përkeqësohet ndjeshëm.

Shumica e viktimave, sipas stafit të spitalit Shifa, u qëlluan teksa prisnin pranë pikëkalimit Zikim, një nga korridoret hyrëse për ndihma humanitare.

Sulme ajrore goditën gjithashtu një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, duke shkaktuar katër viktima të tjera. Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi incidentet.

Ngjarjet ndodhin në sfondin e një bllokimi diplomatik. Pas një raundi të pasuksesshëm bisedimesh, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tërhoqën ekipet e tyre negociuese, duke rritur pasigurinë për të ardhmen e procesit të armëpushimit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi të premten se po shqyrtohen “opsione alternative” përtej dialogut me Hamasin, ndërsa grupi palestinez tha se bisedimet mund të rifillojnë javën e ardhshme, duke e quajtur tërheqjen e delegacioneve një “taktikë presioni”.

Ndërmjetësit Egjipt dhe Katar, kanë konfirmuar pezullimin e përkohshëm të bisedimeve, pa dhënë një datë për rifillimin e tyre.

Sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave humanitare, Gaza po përballet me një krizë urie në rritje.

Raportet flasin për njerëz që vdesin nga kequshqyerja, përfshirë fëmijë të vegjël. Një nga rastet është ai i Yazanit, një 2-vjeçar nga qyteti i Gazës, i diagnostikuar me kequshqyerje të rëndë.

Përkundër pretendimeve të ushtrisë izraelite se po lejon ndihmat humanitare të hyjnë pa kufizime, OKB-ja njofton se përpjekjet e saj pengohen nga kufizimet e lëvizjes të vendosura nga Izraeli dhe nga incidentet e plaçkitjeve të organizuara.

Pak ditë më parë, në të njëjtin pikëkalim Zikim, ku ndodhën të shtënat e fundit, të paktën 80 palestinezë u vranë gjatë një përpjekjeje masive për të marrë ndihma.

Ushtria izraelite kishte deklaruar se turmat përbënin një “kërcënim të drejtpërdrejtë”.

Për herë të parë pas disa muajsh, Izraeli ka pranuar dërgesa ajrore ndihmash me kërkesë të Jordanisë.

Ato përfshijnë ushqime bazë dhe qumësht për foshnja. Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Jordaninë, ka njoftuar se po përgatit dërgesa urgjente të ndihmave britanike.

Ndërkohë, organizata World Central Kitchen

njoftoi rifillimin e operacioneve të gatimit në Deir al-Balah, pas një ndërprerjeje të detyruar për shkak të mungesës së furnizimeve.

Ajo shpreson të shpërndajë rreth 60.000 vakte në ditë, më pak se gjysma e kapacitetit të saj të zakonshëm.

The post Të paktën 25 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, disa po merrnin ndihma appeared first on Albeu.com.

Gjimnastet kuqezi fitojnë medalje të bronztë në botërorin e Portugalisë

By: V K
26 July 2025 at 14:46

Gjimnastika shqiptare, është përfaqësuar denjësisht në kampionatin botëror të “World Gym for Life Challenge” të mbajtur në Portugali, duke fituar medaljen e bronzit.

Sipas Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, vajzat kuqezi dhuruan një performancë fantastike, teksa morën edhe përgëzimet e jurisë.

Në garë u vendosën 33 shtete nga e gjithë bota, teksa në total në Lisbonë ishin rreth 3800 sportiste.

Shqipëria u përfaqësua me gjimnastet: Merili Islami, Mishela Bitanji, Maria Zefi, Sara Moleci, Nil Elbasani, Nadia Daci, Enesa Sulaj, Chloe Qenanaj, Ilenia Sevdari, Silja Muhameti, Megi Papadhami, Iris Kadiu, Leandra Çela dhe Melisa Agolli.

Pa dyshim që meritë për këtë sukses, të gjimnasteve nga mosha 7-12 vjeç, kanë trajnerët e ekipit kombëtar, sekretarja e përgjithshme e Federatës Eliriana Karaj, por edhe presidenti Leonard Lulaj.

Vajzat të cilat morën pjesë në këtë kampionat ishin të ekipeve të Beratit, Shkodrës, Lushnjes dhe Tiranës.

The post Gjimnastet kuqezi fitojnë medalje të bronztë në botërorin e Portugalisë appeared first on Albeu.com.

Zjarri me përmasa të mëdha aktivizohet në zonën e Konispolit, rrezikohen banesat (VIDEO)

By: V K
26 July 2025 at 14:28

Gjatë ditës së sotme, një zjarr i madh masiv është aktivizuar në zonën e Konispolit. Zjarri nisi dje në fshatin Ninat, ku gjatë natës, shërbimet zjarrfikëse të Konispolit dhe banorë kanë punuar për ta shuar.

Ndërsa sot është aktivizuar përsëri në fshatin Markat, duke rrezikuar dhe banesa.

Sipas informacionit nga terreni, deri tani është djegur një banesë në Markat, ndërsa banorët i kanë nxjerrë nga banesat.

Për momentin është vetëm një zjarrfikëse. Në ndihmë kanë shkuar edhe efektivë të Policisë Sarandë dhe zjarrfiksja e Fibiqitm njëherazi edhe dy të ushtrisë.

 

The post Zjarri me përmasa të mëdha aktivizohet në zonën e Konispolit, rrezikohen banesat (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Dhunohej nga burri, gruaja largohet nga shtëpia/ Policia arreston 58-vjeçarin në Tropojë (EMRI)

By: V K
26 July 2025 at 13:59

Pas zhdukjes së një 48-vjeçarje në Tropojë, e cila rezulton e larguar nga banesa prej datës 22 Korrik, dyshohet se fshihet një ngjarje e rëndë kriminale.

Hetimet e thelluara identifikuan dhe zbardhën një rast dhune sistematike nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes, e dyshuar me pasoja të rënda.

Vihet në pranga shtetasi Imer Shpata, 58-vjeç, që ushtonte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes.

Bashkëshortja është larguar nga banesa më datë 22.07.2025 dhe vijon të jetë në kërkim.

Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri automatike.

Njoftimi i policisë:

Tropojë

Hetimet e thelluara identifikuan dhe zbardhën një rast dhune sistematike nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes, e dyshuar me pasoja të rënda.

Vihet në pranga 58-vjeçari që ushtonte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes.
Bashkëshortja është larguar nga banesa më datë 22.07.2025 dhe vijon të jetë në kërkim.
Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri automatike.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e shtetases N. Sh., 48 vjeçe, e cila është larguar nga banesa më datë 22.07.2025. Dyshohet se pas këtij largimi mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale.

Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në banesën e 58-vjeçarit I. Sh., banues në fshatin Bujan, dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Sh., se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj.

Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi I. Sh., 58 vjeç.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, janë angazhuar shërbime të specializuara të Policisë për kërkimin e 48-vjeçares, me dyshimin se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

The post Dhunohej nga burri, gruaja largohet nga shtëpia/ Policia arreston 58-vjeçarin në Tropojë (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Zbardhet vrasja e babait në Fier/ Vajza e sulmoi, i dashuri e mbajti

By: V K
26 July 2025 at 12:56

Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja e ndodhur në fshatin Frashër të Fierit, ku një vajzë 26-vjeçare ka mbytur me tel babanë e saj, Anesti Rama, brenda banesës së familjes.

Sipas raportimeve në momentin e krimit kanë qenë të pranishëm autorja, nëna e saj dhe Çlirim Dogani, një shtetas me të cilin 26-vjeçarja dyshohet të ketë pasur lidhje intime.

Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur të atin në pjesët intime, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa Dogani e ka neutralizuar duke e mbajtur nga duart.

Më pas, vajza ka kryer aktin e mbytjes me një tel. Dyshohet gjithashtu se janë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse gjatë ngjarjes.

Pas krimit, nëna e autores dyshohet se ka ndihmuar në pastrimin e vendit të ngjarjes dhe fshehjen e gjurmëve, përfshirë edhe larjen e trupit të viktimës nga gjaku.

Ngjarja u zbardh nga përgjimet telefonike, ku 26-vjeçarja është dëgjuar duke komunikuar me Çlirim Doganin, pas kryerjes së vrasjes. Dogani, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, është tashmë në hetim për bashkëpunim në krim.

The post Zbardhet vrasja e babait në Fier/ Vajza e sulmoi, i dashuri e mbajti appeared first on Albeu.com.

Thomas Strakosha zyrtarizon lidhjen e re/ Pushimet me partneren greke, historia e dashurisë së portierit të Kombëtares (FOTOT)

By: V K
26 July 2025 at 12:34

Ditë të arta për ‘gardianin’ e portës sonë, Thomas Strakosha. Pasi ka përmbyllur një sezon të suksesshëm si me Kombëtaren, ashtu edhe me skuadrën ku angazhohet, tashmë është radha për të pushuar.

E kjo verë për të ka qenë edhe më e nxehtë. Ashtu si më herët kemi zbuluar, portieri ynë ka gjetur dashurinë.

Vetëm pak javë më parë, në rrjetet sociale, ishte vetëm Thomas, ai që publikoi foto krah vajzës misterioze, teksa shijonte pushimet në një jaht. Për disa javë me radhë, postimet romantike në rrjetet sociale nuk janë ndalur, duke na zbuluar kështu një raport të ri që ai ka nisur.

 

 

Herë me miqtë e herë të vetëm, çifti e ka shijuar këtë verë më të dashuruar se kurrë. Por lidhja e re, mesa duket është diçka serioze, madje aq serioze, sa pushimet kanë vijuar tashmë edhe me familjen.

Në rrjetet sociale vetë portieri ka publikuar disa foto, ku shfaqet duke pushuar me familjen e tij.

Në imazhet shihet babai i tij, portieri legjendar, Foto Strakosha, së bashku me bashkëshorten dhe djalin tjetër që çifti ka. Por në këto ditë pushimi familjare, nuk mungon as partnerja e re e Thomas.

 

 

Mesa duket, ai dhe vajza greke, e cila nuk është e famshme e kanë konsoliduar tashmë këtë marrëdhënie, sa për të kaluar pushimet me familjen e sportistit shqiptar.

Familja Strakosha ka zgjedhur që pushimet t`i vijojnë edhe me miqtë, ku herë për një darkë, e herë mbi një jaht, në asnjë shkrepje partnerja greke e Thomas nuk mungon.

 

 

Ndonëse vetëm pak muaj të lidhur, duket se historia e tyre e dashurisë është serioze, dhe tashmë çifti ka një lidhje jo vetëm publike, por edhe familjare.

Strakosha, i cili këtë sezon është aktivizuar Me AEK Athine, duket se ka preferuar të qëndrojë larg zhurmës mediatike dhe të përqendrohet te pushimet dhe koha me miqtë e tij të afërt, por edhe me familjen.

 

 

Kujtojmë se kjo nuk është partnerja e parë që ai çon në shtëpi. Edhe para më shumë sesa 1 viti, ai kishte një lidhje me modelen Esther Adjoa Asiedu.

Thomas në atë kohë postonte në “Instagram” disa foto familjare, ku modelen e huaj e prezantonte si nusen e shtëpisë.

Edhe foton e parë me të dashurën ai e postoi nga Greqia, shoqëruar me statusin “Zemra ime u kyç!”, duke ua prerë rrugën të gjitha atyre vajzave që mund ta ngacmonin apo t’i shkruanin mesazhe private futbollistit simpatik.

Megjithatë, kjo histori i përket të shkuarës dhe sot Thomas, jo vetëm që ka gjetur sërish dashurinë, por lidhja duket serioze dhe ne mezi po presim të shikojmë sesi do të jetë rrugëtimi i këtyre dy të rinjve.

 

The post Thomas Strakosha zyrtarizon lidhjen e re/ Pushimet me partneren greke, historia e dashurisë së portierit të Kombëtares (FOTOT) appeared first on Albeu.com.

Aksioni i SPAK për goditjen e grupit kriminal, identifikohet një tjetër person i arrestuar

By: V K
26 July 2025 at 12:02

Gjatë aksionit ditës së djeshme të SPAK për goditjen e një grupi kriminal të trafikut të kokainës, është identifikuar dhe personi i katërt i arrestuar.

Ai është Ilir Lloshi. Gjithashtu, dje u arrestuan Ervin e Artur Hoxhosmani, Ermir Ndreaj, pronar i disa kompanive.a

Arrestimi i tyre erdhi pas përgjimeve të komunikimit në SKYECC.

Sot i është komunikuar akuza në qelitë e burgut ku mbahen të izoluar, Plarent Dervishajt dhe Erion Alibej, ky i fundit i penduar i drejtësisë.

The post Aksioni i SPAK për goditjen e grupit kriminal, identifikohet një tjetër person i arrestuar appeared first on Albeu.com.

PD: Standard i dyfishtë në shembjet e ndërtimeve, IKMT nuk prek bizneset e lidhura me pushtetin

By: V K
26 July 2025 at 11:52

Partia Demokratike, ka reaguar sërish lidhur me ndërhyrjet e IKMT-së në zonat turistike, duke akuzuar qeverinë për përdorim të dyfishtë të ligjit dhe mbrojtje selektive të ndërtimeve në varësi të lidhjeve me pushtetin.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, u ndal te shembjet në Theth, ku sipas saj banorët kanë ndërtuar mbi prona private të nxitur nga premtime për legalizim dhe zhvillim të turizmit malor.

Sipas PD-së, reagimi shtetëror ndaj tyre ishte i dhunshëm dhe përjashtues, duke injoruar kontributin e qytetarëve që kishin investuar për jetesën në zonë.

Krahasuar me këtë situatë, PD sjell shembullin e një hoteli në zonën e Currilave, Durrës, për të cilin pretendohet se është në pronësi të familjarit të një drejtori në bashki, që sipas saj nuk është prekur nga asnjë institucion kontrolli.

Partia Demokratike, thekson se ndonëse janë denoncuar prej kohësh raste të ndërtimeve të paligjshme në zona të tjera si Spitallë, Porto Romano dhe Shën Vlash, këto nuk janë bërë objekt hetimi nga SPAK apo IKMT.

Sipas PD-së, ky qasje e pabarabartë përforcon perceptimin se institucionet shtetërore veprojnë në mënyrë selektive, ndërsa qytetarët e zakonshëm ndëshkohen për ndërtimet, në të njëjtat kushte ku të tjerët lejohen të zhvillojnë biznese të mëdha pa pengesa.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Partia Demokratike dënon me forcë veprimet arbitrare dhe të padrejta të qeverisë ndaj banorëve të Thethit, të cilët, të nxitur nga premtimet publike të Kryeministrit Edi Rama, për legalizime dhe mbështetje ndaj turizmit malor, ndërtuan me mund dhe sakrificë në pronat e tyre private.

Përgjigjja shtetërore ndaj kësaj iniciative qytetare ishte një akt i dhunshëm, shembja e investimeve dhe mohimi i së drejtës për të zhvilluar jetesën dhe turizmin në zonat malore të Shqipërisë.

Por për të kuptuar më mirë këtë akt të pastër hipokrizie, mjafton të zhvendosemi për pak në Durrës, diku në plazhin e Currilave.

Hoteli që po ndiqni në këto pamje ndodhet në plazhin e Durrësit dhe është në pronësi të familjarit të Ardian Iljazaj me detyrë Drejtor i Shërbimeve në bashkinë Durrës.

Pronari i Hotel Villa Tramonto, me adresë në Durrës dhe në Jonufër Vlorë është Edvald Iljazaj, vëllai i Ardian Iljazaj, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit.

Kujtojmë se Ardian Iljazaj, ish-Drejtor i Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, pasi u shkarkua nga Edi Rama live dhe u arrestua nga policia për tjetërsim pronash në Kepin e Rodonit gradohet si Drejtor Shërbimesh në bashkinë e Durrësit.

Ndërkohë, biznesi i familjes së tij lulëzon në mes të Durrësit, pa asnjë shqetësim nga IKMT apo organet e drejtësisë edhe pse ndërtimi është futur pothuaj brenda në det.

Ky është standardi i dyfishtë i qeverisë Rama: qytetarët e zakonshëm, veçanërisht ata që nuk janë të lidhur me pushtetin, përndiqen dhe ndëshkohen: ndërsa klientela e qeverisë mbrohet dhe shpërblehet.

Partia Demokratike ka denoncuar vazhdimisht ndërtimet sidomos së fundmi lejet në këmbim të votave në zona si Spitallë, Porto Romano, Kënetë, Shën Vlash e të tjera në Durrës, por këto raste nuk janë objekt hetimi për SPAK, IKMT apo asnjë institucion tjetër.

Kjo sepse në Shqipërinë e Edi Ramës, ligji aplikohet vetëm kundër qytetarëve që nuk i shërbejnë interesave të tij.

Sepse Edi Rama, shfaqet se është vet ligji, është IKMT, është policia, është prokuroria është SPAK-u është drejtësia, është media, është ekzekutivi.

As nuk mban ndonjë keqardhje as shfaq ndonjë interes për ata qytetarë që kanë investuar jetën e tyre në projekte si ato në Theth, që i kanë ndërtuar me borxhe dhe përkushtim, duke besuar në premtimet e tij boshe.

Në fakt për ne asnjë habi… të gjitha këto i ka paralajmëruar prej kohësh lideri i opozitës professor Doktor Sali Berisha.

Koncepti i Ramës nuk është ai në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por e kundërta. Kjo është arsyeja pse IKMT nuk shkon në Currilat e Durrësit, ku zaptohen pa frikë plazhet.

 

 

The post PD: Standard i dyfishtë në shembjet e ndërtimeve, IKMT nuk prek bizneset e lidhura me pushtetin appeared first on Albeu.com.

Krim i rëndë në familje/ Vëllai vret vëllanë dhe nipin, pas një debati për transportin e turistëve

By: V K
26 July 2025 at 11:12

Mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, një ngjarje e rëndë tronditi qytetin bregdetar të Budvës në Mal të Zi, ku një vrasje e dyfishtë ndodhi pas një konflikti familjar për biznesin e transportit të turistëve me anije.

Të vrarë mbetën babai dhe djali i tij, ndërsa autori i dyshuar është S.S., 65-vjeç, vëllai i viktimës dhe xhaxhai i djalit të vrarë.

Ngjarja ndodhi pranë një lokali në plazhin Slovenska obala, ku dy palët kishin stenda turistike.

Sipas burimeve policore dhe raportimeve të mediave vendase, vrasjes i ka paraprirë një mosmarrëveshje shumëvjeçare për ndarjen e punës në aktivitetin e përbashkët të transportit me anije.

Një ditë para krimit, S.S. thuhet se kishte kërcënuar familjarët se do të “mbyllte hesapet”.

Të nesërmen në mëngjes, ai është paraqitur me armë zjarri, ka qëlluar për vdekje të vëllanë dhe një nga djemtë e tij, ndërsa djali tjetër arriti të shpëtojë.

Pas krimit, i dyshuari është ulur në një lokal aty pranë dhe ka pritur arrestimin nga policia, ku sekuestroi armën dhe e ndaloi menjëherë.

Autoritetet janë në pritje të ekspertizës së plotë, ku po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve.

The post Krim i rëndë në familje/ Vëllai vret vëllanë dhe nipin, pas një debati për transportin e turistëve appeared first on Albeu.com.

Kush është Çlirim Dogani, bashkëpunëtor në vrasjen e 56-vjeçarit në Fier (FOTO)

By: V K
26 July 2025 at 10:57

Ky që shihni në foton e mëposhtme, është Çlirim Dogani, bashkëpunëtor në vrasjen e 56-vjeçarit në Fier.

Këtë të shtunë, policia e Fierit, ka njoftuar se vajza e viktimës ka bashkëpunuar me një 55-vjeçar, Çlirim Dogani nga Roskoveci për të kryer krimin e rëndë.

Grupi hetimor, ka dyshime të forta se vajza ka qenë në një lidhje intime me 55-vjecarin, i cili nga ana tjetër ishte i martuar dhe babai i të fëmijëve në moshë madhore.

Më herët, Ermanilda ka qenë e fejuar dhe tre herë të tjera, por është ndarë pasi babai i saj nuk ka qenë dakord.

Dyshimet janë se ajo e vrau babain, pasi e shihte si pengesë për lidhjen e re që kishte me 55-vjeçarin.

Çlirim Dogani, ndërkohë mohon të gjitha akuzat dhe pretebdon se ndodhej në fshatin e tij shumë larg bendit të ngjarjes, kur ndodhi krimi.

 

The post Kush është Çlirim Dogani, bashkëpunëtor në vrasjen e 56-vjeçarit në Fier (FOTO) appeared first on Albeu.com.

Krimi në Fier/ Zbardhen detaje tronditëse: Çlirim Dogani lidhje intime me vajzën e Anesti Ramës, 55-vjeçari i martuar, ndërsa 26-vjeçarja e fejuar 3 herë…

By: V K
26 July 2025 at 10:34

Grupi hetimor ka dyshime të forta se vajza ka qenë në një lidhje intime me 55-vjecarin, i cili nga ana tjetër ishte i martuar dhe babai i të fëmijëve në moshë madhore.

Më herët Ermanilda, ka qenë e fejuar dhe tre herë të tjera, por është ndarë pasi babai i saj nuk ka qenë dakord.

Dyshimet janë se ajo e vrau babain, pasi e shihte si pengesë për lidhjen e re që kishte me 55-vjeçarin.

Çlirim Dogani, ndërkohë mohon të gjitha akuzat dhe pretebdon se ndodhej në fshatin e tij shumë larg bendit të ngjarjes, kur ndodhi krimi.

Ermalinda Rama, mbyti të atin me një tel, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa e ëma e ndihmoi për të fshehur gjurmët dhe më pas ka njoftuar policinë, duke u shprehur se 56-vjeçari kishte humbur jetën në rrethana aksidentale.

The post Krimi në Fier/ Zbardhen detaje tronditëse: Çlirim Dogani lidhje intime me vajzën e Anesti Ramës, 55-vjeçari i martuar, ndërsa 26-vjeçarja e fejuar 3 herë… appeared first on Albeu.com.

Mbyti babain me tel, arrestohet bashkëpunëtori i 26-vjeçares në Fier (EMRI)

By: V K
26 July 2025 at 10:02

Është zbardhur e plotë ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Frashër të Patosit, ku një 56-vjeçar Anesti Rama u mbyt me tel nga vajza e tij 26-vjeçare.

Policia e Fierit, ka njoftuar se vajza ka bashkëpunuar me një 55-vjeçar, Çlirim Dogani, nga Roskoveci për të kryer krimin e rëndë.

“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55-vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.

The post Mbyti babain me tel, arrestohet bashkëpunëtori i 26-vjeçares në Fier (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Mori plagë duke shuar zjarrin në Kopaçez të Delvinës, niset me urgjencë drejt Tiranës 42-vjeçari (EMRI)

By: V K
26 July 2025 at 09:43

Një tjetër i lënduar nga flakët e zjarrit që përfshiu disa fshatra të Delvinës, u nis mbrëmjen e së premtes drejt Tiranës, për të marrë ndihmë të specializuar.

42-vjeçari Apostol Zhupa, nga fshati Kopaçez, ishte në grupin e banorëve që përpiqeshin për të shuar zjarrin e rënë në fshat.

Ai ka marrë shumë plagë djegieje, kryesisht në gjoks dhe shpatulla.

Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, është nisur mbrëmjen e së premtes me ambulancë drejt Tiranës.

The post Mori plagë duke shuar zjarrin në Kopaçez të Delvinës, niset me urgjencë drejt Tiranës 42-vjeçari (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Sot dita më e nxehtë, rrezik maksimal për zjarre në të gjithë vendin

By: V K
26 July 2025 at 09:20

Ditën e sotme, temperaturat pritet të arrijnë kulmin sot, me vlera deri në 43°C në qarqet Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Kukës mund të shkojnë deri në 41°C.

Kushtet ekstreme të motit, shoqërohen me rrezik të lartë për shpërthim zjarresh në të gjithë territorin.

Një ditë më parë, situata më e rëndë u regjistrua në Delvinë, ku disa fshatra u përfshinë nga flakët. Janë djegur banesa dhe sipërfaqe të mëdha me pemëtari, ndërsa mbi 2 mijë banorë u evakuuan.

Zjarri, i favorizuar nga era, është përhapur drejt Borshit, ndërkohë që vatra aktive janë regjistruar edhe në malin e Dukatit.

The post Sot dita më e nxehtë, rrezik maksimal për zjarre në të gjithë vendin appeared first on Albeu.com.

Sot, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

By: V K
26 July 2025 at 09:04

Ditën e sotme, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, do t’u drejtohen sërish ulëseve të tyre në përpjekjen e radhës, e pesëdhjetë e treta, për të konstituuar Legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Vazhdimi i radhës mbahet nga ora katërmbëdhjetë, për herë të parë në më pak se 48 orë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela e 27 korrikut, deri më 8 gusht.

Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 -ditor, por nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht.

Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.

Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i takon pozita e kryeparlamentarit, mirëpo partitë tjera politike, ose nuk pajtohen për emrin e propozuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga të hapur në të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.

Pas dështimit të tentativës së 52-të të premten, diplomatët perëndimorë, të pranishëm në seancë, shprehën shqetësim për krizën institucionale.

The post Sot, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Albeu.com.

Zjarret në Delvinë, 11 banesa të djegura e mbi 2 mijë të evakuuar, flakët drejt Borshit

By: V K
26 July 2025 at 08:34

Vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në zonën e Delvinës, të cilat kanë përfshirë fshatrat Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli, në njësinë administrative Vergo.

Zjarri është përhapur edhe në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në zonën sipër baxhos në Kopaçez, prej nga dyshohet se ka avancuar në malin mbi Borsh.

Për shkak të situatës së rrezikshme, mbi 2 mijë banorë nga gjashtë fshatra janë evakuuar gjatë ditës së djeshme.

Bilanci paraprak flet për 11 banesa të djegura dhe dëme të mëdha në bujqësi, pemëtari, ullishte dhe blegtori.

Mes objekteve të përfshira nga flakët është edhe kisha “Shën Dhimitri” në fshatin Senicë. Tre persona kanë marrë djegie dhe janë trajtuar për ndihmë mjekësore.

Zjarret mbeten jashtë kontrollit në disa zona, ndërsa përmasat e dëmeve janë ende në vlerësim.

The post Zjarret në Delvinë, 11 banesa të djegura e mbi 2 mijë të evakuuar, flakët drejt Borshit appeared first on Albeu.com.

Liri me kusht edhe për të dënuarit e përjetshëm, ku ndryshon Kodi Penal/ Çfarë përmban drafti i propozuar

By: V K
26 July 2025 at 08:24

Ditën e djeshme, Ministria e Drejtësisë prezantoi draftin e ri të Kodit Penal, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik.

Ministri Ulsi Manja, theksoi se ky draft është produkt i një grupi të pavarur ekspertësh të njohur të fushës, në drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.

Ministri vuri në dukje se Kodi aktual Penal, nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, ndaj riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pashmangshëm.

Ai sqaroi se ky draft i ri është i hapur për diskutim dhe se nuk do të jetë përfundimtar pa kaluar më parë nëpër filtrin e konsultimeve. Ministri bëri një ftesë të drejtpërdrejtë për përfshirje në këtë proces.

“Dua të ftoj profesionistët e ligjit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, institucionet e drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe një ftesë të veçantë për opozitën parlamentare, opozitën e vendit tim, që të kontribuojnë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit”, – deklaroi ai.

Manja foli edhe për rëndësinë e draftit, në procesin e integrimit.

“Në BE shkon Shqipëria, jo vetëm një forcë politike. Mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje të plotë me standardet e BE”, – u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Sipas tij me përfundimin e konsultimit dhe marrjes së certifikimit në Bruksel, drafti i ri do të kalojë për miratim në Kuvend, me shumicë të cilësuar.

PROPOZIMET

Arben Rakipi, drejtues i Grupit të Punës për hartimin e Kodit të ri Penal, shpjegoi risinë që lidhet me shkeljet e punonjësve të administratës së Tatimeve.

Ndërsa prezantoi disa prej ndryshimeve, ai tha se kanë parashikuar ashpërsim masash për krimet ndaj të miturve.

“Ne kemi ndjekur alternativën që administrata tatimore dhe autoriteti tatimor do të vlerësojnë administrivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale. Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve, por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse”, u shpreh ai.

Arben Rakipi, tha se kanë propozuar edhe aplikimin e lirimit me kusht për të dënuarit me burg përjetë.

“Lirim para kohe me kusht. Ne kemi pasur disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit me kusht për burgimin e përjetshëm. Përfundimisht diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë, sepse këtu pleksen shumë gjëra një pjesë e të cilave i përmenda, paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj., por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme”.

PROPOZIMET, DRAFTI I KODIT TË RI PENAL

DREJTËSIA RESTAURUESE:

Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës

Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal

Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese

Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës Kriminalizimi i veprave të reja

Terrorizmi kibernetik, trafiku i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.

Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre

Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit

Ofrimi i ushqimit të pasigurtë, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë të produktit ushqimor

Punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj apo pa shtetësi

Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike

Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve procedurës për autorin e krimit

Vrasja me përçmim të viktimës, shkaktim i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje

MASAT EDUKATIVE PËR TË MITURIT

Rikonceptim i trajtimit të të miturve; Sigurojnë/ garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;

Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo-korrigjuese;

Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;

Një rol qendror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;

Gjykata cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, etj..

The post Liri me kusht edhe për të dënuarit e përjetshëm, ku ndryshon Kodi Penal/ Çfarë përmban drafti i propozuar appeared first on Albeu.com.

❌
❌