Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Sigurimi i detyrueshëm, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ndëshkon shtresat në nevojë. Drafti i paqartë!

21 August 2025 at 12:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë draftin e sigurimit të detyrueshëm të banesave me shqetësime mbi transparencën dhe trajtimin e shtresave në nevojë.

AmCHam thotë se ndalimi i shërbimeve publike për ata që nuk bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të ndëshkojë fort familjet e varfëra dhe sugjeron përjashtime ose lehtësira për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Krijimi i Fondit për Tërmetet, ku do të shkojnë paratë e sigurimeve, shikohet me optimizëm nga shoqata e bizneseve, por ngre shqetësimin se Ministria e Financave ka fuqi të tepruara mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke vënë në dyshim pavarësinë e tij.

Dhoma Amerikane thekson se drafti përkufizon qartë banesat dhe seksionet e brendshme, por lë paqartësi për ndërtesat me përdorim të përzier apo për ato që janë vetëm pjesërisht rezidenciale.

Gjithashtu, drafti parashikon që dëmshpërblimet të jepen pas 3 muajsh nga aplikimi i qytetarit, por sipas Dhomës, nuk sqarohet çfarë ndodh në rast vonese apo refuzimi. Ankimi para një komisioni ad-hoc nuk është i detajuar, ndërsa përfshirja e ndërmjetësimit apo arbitrazhit do të siguronte më shumë besim.

Një tjetër vërejtje lidhet me krijimin e regjistrit të sigurimit dhe shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve, ku sipas Dhomës, nuk është parashikuar qartë përputhshmëria me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu, drafti trajton si sigurimin e detyrueshëm ashtu edhe atë vullnetar, por mungon koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave, duke lënë hapësira për konfuzion.

Dhoma Amerikane kërkon që këto problematika të adresohen para miratimit, në mënyrë që ligji të garantojë qartësi, pavarësi institucionale dhe mbrojtje reale të qytetarëve.

The post Sigurimi i detyrueshëm, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ndëshkon shtresat në nevojë. Drafti i paqartë! appeared first on Gazeta Si.

Shqipëria ndër tre vendet më të pakënaqura në Europë për gjendjen financiare

21 August 2025 at 13:06

Shqipëria së bashku me Bullgarinë dhe Turqinë kishin nivelin më të ulët të kënaqësisë për anën financiare sipas EUROSTAT.

Në vitin 2022, mesatarisht, njerëzit në BE e vlerësuan gjendjen e tyre financiare me 6.6 në një shkallë nga minimumi 0 dhe maksimumi 10. Kjo vlerë është pak më e ulët krahasuar me vlerësimin e përgjithshëm të kënaqësisë me jetën prej 7.1 për të njëjtin vit.

Nivelet më të larta të kënaqësisë financiare u gjetën në Holandë dhe Finlandë, të dyja me 7.6, të ndjekura nga Suedia me 7.4 dhe Austria me 7.3.

Në anën tjetër të shkallës, me nivelin më të ulët të kënaqësisë financiare ishin bullgarët me 4.6, Turqit me 4.7 dhe Shqiptarët me 4.8. Kjo do të thotë se shumica e njerëzve në këto vende më shumë të pakënaqur sesa të kënaqur me gjendjen e tyre financiare.

Nga viti 2013 deri në vitin 2022, kënaqësia e njerëzve me gjendjen e tyre financiare u rrit në shumicën e vendeve të BE-së. Përjashtim bënë Danimarka, Luksemburgu dhe Suedia, ku ra pak, dhe Franca dhe Finlanda, ku mbeti në vend.

Rritjet më të mëdha ishin në Portugali (+1.4 pikë), dhe në Irlande, Qipro dhe Slloveni (+1.3, +1.2 dhe +1.1 pikë, përkatësisht).

Marrëdhënia midis nivelit të të ardhurave dhe kënaqësisë me situatën financiare ndryshon pak midis vendeve të BE-së. Ata në kuintilin më të ulët te të ardhurave janë më të pakënaqur, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Këto janë gjithashtu vendet me hendekun më të madh në nivelet e kënaqësisë midis atyre me të ardhurat më të larta dhe më të ulëta.

Në Greqi, niveli i kënaqësisë së atyre në kuintilin më të lartë te të ardhurave ishte më shumë se dyfishi i nivelit të atyre në kuintilin më të ulët të të ardhurave; në Bullgari dhe Kroaci ishte 75% më i lartë.

Boshllëqet më të vogla midis niveleve të kënaqësisë së kuintileve me të ardhura më të larta dhe më të ulëta ishin në Maltë, Itali dhe Finlandë.

 

Burim: Eurostat

The post Shqipëria ndër tre vendet më të pakënaqura në Europë për gjendjen financiare appeared first on Revista Monitor.

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, ARRSH hap tenderin për projektin

21 August 2025 at 12:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të bëjë një ndërhyrje në Urën e Milotit, e cilësuar si emergjente dhe që lidhet konkretisht me mbrojtjen e themeleve. Në një procedurë të çelur këtë të enjte, me fond limit 107 milionë lekë, ARRSH vlerëson se ky projekt erdhi pas një investigimi në terren të konsulentit, i cili konstatoi gjendjen e saj dhe nevojën për ndërhyrje. Ura ndodhet aktualisht në mes të jetëgjatësisë që kanë veprat e kësaj natyre; ndërhyrja parashikon rritjen e sigurisë.

ARRSH vlerëson se themelet e Urës janë në një gjendje tej të dëmtuar.

“Për këtë sugjerojmë se Urës, si masë emergjente, duhet t’i bëhen punimet sipas përshkrimeve të mëposhtme, për të siguruar një jetëgjatësi të saj me kufizimin e ngarkesave, siç ajo është sot, për një periudhë deri në (5÷10) vjet” – thuhet në dokument.

Më të detajuara në dokumente nënvizohen problematikat konkrete të vërejtura në themelet e urës.

Ndër problematikat kryesore të vërejtura është problemi i themeleve, të cilat pothuaj kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të gërryerjes së përgjithshme të shtratit të lumit.
Thellësia mesatare e gërryerjes së përgjithshme dhe lokale shkon (3÷5) m.
Vazhdimi i marrjes së zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar në lumë është shkaku kryesor i kësaj situate, fenomen që shfaqet edhe në urat e ndërtuara së fundmi mbi këtë lumë” – thuhet në dokumentin e ARRSH.

Ndër punimet e parashikuara që të kryhen janë:

  • Pastrimi i zonës përreth pilotave (32 pilave) dhe nivelimi i shtratit përreth tyre;

  • Betonimi i pilotave të themeleve në një lartësi (1.5÷2.5) m duke gjykuar sipas rastit (mbrojtjen e pilotave të dëmtuara dhe thellësisë së gërryerjes);

  • Përforcimi dhe mbrojtja e themelit të pilës dhe ballit nga gërryerjet lokale nëpërmjet krijimit të një qilimi me blloqe të lidhura gabioni, siç tregohet në projekt.

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot–Lezhë, mbi lumin Mat, në rrugën kombëtare Milot–Lezhë, SH1. Projekti për ndërtimin e urës ka datën 24.04.1979, hartuar nga Instituti i Projektimeve Nr. 2, dhe ka qenë pjesë e Projektit “Hekurudha Laç–Shkodër–Kufi” (Urë hekurudhore dhe automobilistike mbi lumin Mat).

The post Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, ARRSH hap tenderin për projektin appeared first on Revista Monitor.

‘Cilësi e parë’/ Veshjet imitim të firmave luksozve nuk do të futen më në Shqipëri!

21 August 2025 at 11:17

Nga Gazeta ‘SI’ – Produktet imitime të markave luksoze nuk do të futen dot më në Shqipëri.  

Me një ligj të ri, Shqipëria ka forcuar masat për të mbrojtur markat tregtare dhe për të luftuar falsifikuesit e tyre. Çdo produkt “fake” nga tregtarët apo qytetarët do të bllokohet në pikat doganore.

Ligji i ri ndalon importin dhe eksportin e mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe merr masa kundër mallrave false.

Po ashtu, udhëtarët që vijnë në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësor edhe detare, lejohen të kenë në bagazhin personal vetëm mallra jo-tregtare, brenda limiteve duty free dhe pa tregues të dyshimtë. Ligji përcakton një mbrojtje të veçantë për markat me reputacion të mirë, duke i mbrojtur ato edhe në rastet kur mallrat ose shërbimet nuk janë të ngjashme.

Gjithashtu u jepet e drejta pronarëve të markave që të ngrenë padi për imituesit e produkteve të tyre. Madje në nenin 87 thuhet se pronari i markës ka të drejtën edhe të kërkimit të dëmshpërblimit për dëmet që mund t’i jenë shkaktuar si rezultat i përdorimit të paautorizuar të markës së tij nga tregtare abuzivë.

Pronarët mund të kërkojnë nisjen e hetimeve nga Drejtoria e Pronësisë Industriale kundrejt një pagese në rast se konstatojnë ngjashmëri të një marke tjetër me markën e tyre.

Ky ligj është vazhdimësi e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të luftuar tregun e mallrave “fake” që e ka kthyer Shqipërinë në një Turqi të dytë me dyqane të shumta online e fizike që shesin “imitime të para” të firmave ekstraluksoze si Louis Vuitton, Prada, Dior, Dolce&Gabbana etj.

Gjatë 2024-s, Dogana ka deklaruar se ka bllokuar më shumë se 40 mijë produkte të firmave të falsifikuara.

The post ‘Cilësi e parë’/ Veshjet imitim të firmave luksozve nuk do të futen më në Shqipëri! appeared first on Gazeta Si.

Projektet e energjisë, BE i jep 32 mln euro ndihmë Shqipërisë

21 August 2025 at 10:53

Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për një paketë të re mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Planit të Rritjes, BE ka miratuar 87.7 mln euro ndihmë, nga të cilat Shqipëria përfiton 32 mln euro për tre projekte të lidhura me fushën e energjisë.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro.  Projekti i tretë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro.

Serbia është vendi që ka fituar më shumë nga BE, 41 mln euro për dy projekte që kushtojnë 186 mln euro, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 10 mln euro me projekte që kushtojnë rreth 54 mln euro.

Digjitalizimi në fushën e energjetikës dhe energjia e pastër janë projektet e para që përfshin Plani i Rritjes së BE-së.

The post Projektet e energjisë, BE i jep 32 mln euro ndihmë Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

BSH do të ndryshojë rregulloren për veprimet që regjistrohen në bilancin e pagesave

21 August 2025 at 11:00

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren e saj “Për veprimtarinë valutore”. Objekti i rregullores në fjalë është përcaktimi i rregullave për kryerjen e veprimeve që regjistrohen në llogarinë korente dhe kapitale, në formën e pagesave dhe transfertave nga dhe në Republikën e Shqipërisë.

Ato përfshijnë veprimet ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve nëpërmjet përdorimit të mjeteve të pagesës në valutë dhe transferimin e njëanshëm të aktiveve nga dhe në Republikën e Shqipërisë.

Ndryshimet e propozuara në rregullore lidhen kryesisht me detajimin e përkufizimit të konceptit të rezidencës. Megjithëse në pamje të parë ndryshimet lidhen me teknikalitete, përkufizimi i rezidencës është element i rëndësishëm në llogaritjen e flukseve në bilancin e pagesave të vendit.

Sipas projekt-rregullores, rezident klasifikohet çdo person fizik ose person juridik që e ka qendrën e interesit ekonomik në territorin e Republikës së Shqipërisë, zakonisht për një periudhë jo më të shkurtër se dymbëdhjetë muaj.

Personi fizik konsiderohet rezident kur banon zakonisht në Republikën e Shqipërisë ose ushtron aty veprimtari ekonomike në mënyrë të qëndrueshme dhe nuk ndryshon rezidencën vetëm për arsye studimi, trajtimi shëndetësor, shërbimi të përkohshëm apo udhëtimi jashtë vendit.

Me rregulloren aktuale, një person fizik konsiderohet rezident për sa kohë që është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit jashtë saj.

Lidhur me personat juridikë, projekt-rregullorja përcakton se ata konsiderohet rezidentë kur: janë të inkorporuar ose regjistruar sipas legjislacionit shqiptar ose e kanë vendin e menaxhimit efektiv apo qendrën e operacioneve kryesore në Republikën e Shqipërisë.

Degët e jorezidentëve në Republikën e Shqipërisë do të trajtohen si njësi rezidente, ndërsa degët e rezidentëve jashtë Republikës së Shqipërisë do të trajtohen si njësi jorezidente.

Njësitë diplomatike dhe konsullore dhe kontingjentet ushtarake të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, konsiderohen rezidentë të Republikës së Shqipërisë, ndërsa organizatat ndërkombëtare të vendosura në Republikën e Shqipërisë konsiderohen jorezidente dhe personeli i huaj i akredituar konsiderohet jorezident.

Njësitë jo-fitimprurëse do të njihen si rezidente në rastin kur veprojnë kryesisht në Republikën e Shqipërisë.

Entitetet me qëllim të posaçëm, si shoqëritë zotëruese, fondet apo subjekte të ngjashme do të klasifikohen në varësi të inkorporimit ose menaxhimit efektiv.

Klasifikimi i rezidencës për zbatimin e kësaj rregulloreje bazohet në parimet e Manualit të Bilancit të Pagesave (dokument i FMN) dhe rregulloret përkatëse të Bankës Qendrore Europiane.

Të gjithë personat apo njësitë e tjera, që nuk përfshihen në kategorinë “rezidentë” sipas përcaktimeve të mësipërme, do të konsiderohen si “jorezidentë”.

The post BSH do të ndryshojë rregulloren për veprimet që regjistrohen në bilancin e pagesave appeared first on Revista Monitor.

Projekti me BB për shërbimet publike, bëhet efektive kredia 80 mln USD, ecuria

21 August 2025 at 10:00

Institucionet disbursuan 8.4 milionë dollarë deri në gusht sa i takon projektit “Përmirësimi i Qasjes së Barabartë në Shërbime Publike me Cilësi të Lartë përmes GovTech” që po mbështetet nga Banka Botërore.

Kjo e fundit vlerësoi në një raport të këtyre ditëve se kjo shumë i përgjigjet 13 për qind të totalit të financimit të parë që u bë efektiv në vitin 2023 dhe që ka një shumë prej 65 milionë dollarësh. I njëjti raport vlerëson se financimi i dytë po për këtë projekt i miratuar në mars të këtij viti u bë efektiv këtë gusht. Shuma e këtij financimi të dytë është 80 milionë dollarë.

Banka vlerësoi se ecuria e përgjithshme e zbatimit mbetet “e Kënaqshme”, duke qenë se zbatimi vazhdon të ecë përpara në të gjitha aspektet e Programit – si për Programin Kryesor ashtu edhe për Financimin Shtesë (AF).

Më konkretisht, vlerësimi “S” jepet për shkak të: (i) përgatitjes së shpejtë dhe miratimit të një Financimi Shtesë për Programin (80,000,000 USD / 76,900,000 EUR) – i konceptuar për të rritur dhe zgjeruar më tej Programin – i cili hyri në fuqi më 11 gusht 2025;

(ii) arritjes së shtatë Rezultateve të Lidhura me Shpërndarjen (DLRs) deri më tani, duke përfshirë një Rezultat të Mëparshëm nën AF, ndërkohë që 6 DLR të tjera janë në rrugën e duhur për t’u arritur deri në fund të vitit kalendarik(disa prej tyre përpara afatit), dhe është vërejtur progres në të gjitha 9 DLI-të;

(iii) progresit në të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet e Programit për Rezultate (PforR) dhe të Financimit të Projektit të Investimit (IPF) brenda secilës prej katër Zonave të Rezultateve të PforR-së;

(iv) forcimit të kapaciteteve të Njësisë së Koordinimit (CU) brenda AKSHI-së, përmes zgjerimit të strukturës së saj dhe punësimit të ekspertëve mbështetës; dhe

(v) progresit të shtuar në zbatimin e veprimeve të Planit të Veprimit të Programit (PAP).

Sipas Bankës norma e disbursimit të Programit, pas 24 muajsh zbatim, është 13 për qind e Programit Kryesor (Financimi Shtesë sapo ka hyrë në fuqi). Deri në vlerësimin e ardhshëm pritet që norma e disbursimit të arrijë rreth 23 për qind të gjithë Programit (Programi Kryesor dhe Financimi Shtesë).

Projekti synon të mbështesë sektorin publik në përmirësimin e shërbimeve publike, për të rritur kapitalin njerëzor dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës. Në fokus është forcimi i disa shërbimeve të lidhura veçanërisht për grupet më të cenueshme, si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë me arsim të ulët dhe shtresat më të varfra./ N.Maho

The post Projekti me BB për shërbimet publike, bëhet efektive kredia 80 mln USD, ecuria appeared first on Revista Monitor.

OKB: Politikat fiskale të Shqipërisë kanë “nxitur” pabarazinë

20 August 2025 at 23:02

Politikat fiskale të Shqipërisë kishin ndikim shumë të dobët në uljen e pabarazisë sipas ”World Social Report 2025” nga Kombet e Bashkuara.

Botimi i OKB-së argumentoi se si politikat fiskale ndikojnë në uljen e pabarazisë në vende të ndryshme të botës. Psh në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut politikat fiskale arrijnë të ulin ndjeshëm pabarazinë, në shumë vende të tjera, të tilla si Shqipëria ndikimi mbetet i kufizuar.

Vendi ynë renditet në mesin e vendeve ku roli i politikës fiskale në uljen e pabarazisë është i dobët. Në grafikun e mëposhtëm ajo renditet pranë Federatës Ruse, Serbisë dhe Malajzisë, me një diferencë shumë të vogël midis koeficientit Gini të të ardhurave të tregut dhe atyre të disponueshme pas taksave dhe transfertave (Koeficienti Gini i të ardhurave të tregut tregon sa e pabarabartë është shpërndarja e të ardhurave para se të ndërhyjë shteti, ndërsa Koeficienti Gini i të ardhurave të disponueshme tregon pabarazinë pas taksave dhe pas përfitimeve që jep shteti, pensione, ndihma sociale, shërbime publike).

Bazuar në këtë matje studimi i Kombeve të Bashkuara tregon se sistemi fiskal shqiptar, përfshirë taksat dhe programet e shpërndarjes sociale, nuk arrin të zvogëlojë ndjeshëm hendekun mes shtresave të pasura dhe të varfra.

Në kontrast, vendet e Europës Veriore si Irlanda, Belgjika, Finlanda dhe Austria shënojnë ndikimin më të madh, duke arritur të reduktojnë pabarazinë me mbi 12 deri në 16 pikë përqindjeje. Kjo diferencë e madhe thekson se politikat fiskale në Shqipëri kanë një efekt modest dhe se barra e taksave dhe shpërndarja e burimeve publike nuk arrijnë të funksionojnë si mekanizma të fortë për balancimin social.

Ndërsa shumë vende të rajonit apo edhe më tej arrijnë të përdorin politikën fiskale si instrument për uljen e pabarazisë, Shqipëria edhe pse me një qeverisje socialiste rrezikon të mbetet në një spirale ku diferencat sociale thellohen, duke penguar zhvillimin e qëndrueshëm dhe progresin e kapitalit njerëzor.

Raporti i OKB -së vë në dukje se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të ndërtuar një model më të drejtë shpërndarjeje të të ardhurave, ku shteti të ketë një rol më aktiv në mbrojtjen e shtresave të brishta dhe reduktimin e pabarazisë.

Sipas World Social Report 2025 të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por përballet ende me sfida të mëdha në drejtim të pabarazisë, punësimit dhe mbrojtjes sociale.

Raporti thekson se pasiguria në tregun e punës mbetet një fenomen i përhapur edhe në vendet me të ardhura mesatare, përfshirë Shqipërinë. Një pjesë e madhe e punësimit zhvillohet në sektorin informal, duke i ekspozuar punëtorët ndaj kushteve të pasigurta dhe të ardhurave të paqëndrueshme. Ky fenomen pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ul besimin tek institucionet./ B.Hoxha

The post OKB: Politikat fiskale të Shqipërisë kanë “nxitur” pabarazinë appeared first on Revista Monitor.

Plani i rritjes se BE për Ballkanin, tre projektet e para të Shqipërisë 32 mln euro

20 August 2025 at 23:01

Bashkimi Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 87.7 milionë eurosh në  kuadër të Planit të Rritjes, për projektet e para që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Nga faza e parë e financimit Shqipëria përfiton 32 milionë euro për tre projekte.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu  kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.

Projekti i dytë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në Kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor i ka projektet e para në fushën e energjisë së pastër pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha.

Shqipëria në këtë fazë ka tre projekte madhore, që arrijnë vlerën mbi 220 milionë euro, ku BE kontribuon me 33 mln euro.

Vlera e projekteve në Mal të zi në fazën e parë të planit të Rritjes është rreth 54 milionë euro, ku BE kontribuon me më pak se 10 milionë.

Serbia është vendi me projektet më të orientuara drejt diversifikimit të energjisë (hidro + diellore). Të dy projektet kanë vlerë 186 milionë euro dhe BE kontribuon me rreth 41 mln euro./ B.Hoxha

The post Plani i rritjes se BE për Ballkanin, tre projektet e para të Shqipërisë 32 mln euro appeared first on Revista Monitor.

Jo vetëm ushqimet, po shtrenjtohen dhe produktet e tjera

20 August 2025 at 23:00

Inflacioni bazë u rrit për të pestin muaj radhazi në korrik dhe ka arritur nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2024.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 2.91%, nga 2.69% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë ka përvijuar gjithashtu një tendencë të qëndrueshme të rritjes me bazë vjetore. Në qershorin e vitit të kaluar ai kishte qenë në nivelin 2.29%

Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% në vitin 2024.

Inflacioni bazë përjashton kryesisht ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerësonte se inflacioni vazhdon të jetë nën objektivin prej 3%, i ndikuar nga rënia e inflacionit nga jashtë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe goditjet e përsëritura të ofertës. Por, nga ana tjetër presionet e brendshme inflacioniste mbeten të qëndrueshme, duke sugjeruar se aktiviteti ekonomik është pranë potencialit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë ngelet mbi inflacionin total dhe mbi mesataren e vet të dekadës së fundit, ndërkohë që inflacioni i brendshëm kaloi vlerën e inflacionit total në muajin qershor dhe vijon të mbetet mbi mesataren respektive, duke filluar nga muaji mars i këtij viti. Këto vlerësime konfirmojnë qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, por, megjithatë, në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5%. Kjo ishte ulja e tretë e normës bazë të interesit në harkun e një viti.

Rritja e vazhdueshme e inflacionit bazë deri në kufirin e 3% mund të jetë një sinjal i një ndryshimi të ri në kursin e politikës monetare në muajt e ardhshëm.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto për qershorin u rrit në 3.04%, nga 2.45% që kishte qenë për qershorin. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin korrik u rrit në 2.94%, nga 2.45% që kishte qenë në muajin qershor.

Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për korrikun u rrit më tej në 2.5%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin qershor dhe 2.1% që kishte qenë një vit më parë./ E.Shehu

 

https://monitor.al/cmimet-e-ushqimeve-pershpejtojne-inflacionin-e-korrikut-ne-2-5-niveli-me-i-larte-nga-shkurti-2024/

 

Burimi: BSH

The post Jo vetëm ushqimet, po shtrenjtohen dhe produktet e tjera appeared first on Revista Monitor.

Yesterday — 20 August 2025Main stream

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin

20 August 2025 at 20:22

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, NAREA i ka kërkuar qeverisë që tatimi për banesat në rivlerësim të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%.

Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat

Në emër të mbi 115 Zyrave të Real Estate, NAREA argumenton se tatimi 15% i ka shkaktuar shtetit shqiptar më shumë humbje se sa fitim, si pasojë e informalitetit.

“Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, në vitet 2020-21-22 kur tatimi ka qenë në nivelet 3%, në buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura në vit nga rishitja pasurive të paluajtshme. Kjo shifër është 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Një e barrë fiskale kaq e lartë ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro në vit si edhe nxit informalitetin”.

Propozohet që periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç e ka projektligji. NAREA thotë se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

“Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara”, shprehet shoqata në fjalë.

NAREA propozon gjithashtu “që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

The post NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin appeared first on Gazeta Si.

‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t

20 August 2025 at 19:50

Nga Gazeta ‘SI’ – Zhduket ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare dhe Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima.

Kanë qenë familjarët e tij që kanë denoncuar në polici humbjen e të afërmit që prej mesditës.

Më saktësisht, e ëma ka shkuar në komisariatin numër 1 të kryeqytetit për të kallëzuar zhdukjen e djalit.

“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Shima, e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin Danie Shima, 34 vjeç”, njoftoi policia.

Përpara se të humbte kontaktet, Shima është shprehur se po e arrestonin në Tiranë. Ka qenë e dashura e tij, ajo që ka dëshmuar një gjë të tillë në polici.

“Më tha se po e shoqëronin në polici”, është shprehur ajo.

Deri më tani nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.

The post ‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t appeared first on Gazeta Si.

Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet

20 August 2025 at 15:49

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë njoftoi sot abonentët se për shkak të punimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë reduktim të përkohshëm të furnizimit në disa zona në kryeqytet.

Konkretisht reduktim të përkohshëm të furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë në zonën “Kodra e Diellit” dhe në zonën “Komuna e Parisit”.

UKT siguron qytetarët se ekipet e saj janë në terren për të përfunduar punimet sa më shpejt.

/m.m//a.f/

The post Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Ecim

20 August 2025 at 14:50


TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje që synojnë të rrisin cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve.

” Durrës, ecim”, shkruan Rama krahas pamjeve të çmontimit të strukturave të ndryshme të vendosura në shkelje nga subjektet private.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Ky aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m//a.f/

The post Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Ecim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv

20 August 2025 at 15:30

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos konsumojnë disa produkte karkalecash të ngrirë të markës Great Value, të shitur në rrjetin e supermarketeve Walmart, për shkak të dyshimeve për kontaminim me Cesium-137, një izotop radioaktiv.

FDA bëri të ditur se kushdo që ka blerë produktet duhet t’i hedhë menjëherë dhe të mos i konsumojë. Paralajmërimi erdhi pasi Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së (CBP) zbuloi praninë e Cs-137 në disa kontejnerë transporti në katër porte amerikane – Los Angeles, Houston, Savannah dhe Miami. Kontejnerët e prekur janë bllokuar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në vend.

Hetimi dhe shqetësimet e FDA-së

Agjencia tha se po “heton në mënyrë aktive” rastin e kontaminimit me Cs-137 në ngarkesat e ardhura nga Indonezia. Deri tani, nuk ka prova që ndonjë produkt i kontaminuar të ketë hyrë në tregun amerikan, por FDA thekson se karkalecat mund të jenë “përgatitur, paketuar ose ruajtur në kushte të pasigurta higjienike” që i ekspozuan ndaj rrezikut.

“Nëse keni blerë karkaleca të papërpunuar të ngrirë në Walmart që përputhen me këtë përshkrim, mos i konsumoni. Hidhini menjëherë,” – theksoi FDA në njoftimin zyrtar.

Agjencia shtoi se edhe ekspozimi i kufizuar ndaj Cs-137 rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit, pasi izotopi dëmton ADN-në e qelizave të gjalla. Sasitë e gjetura janë nën nivelin e shqetësimit për ushqimet e importuara, por FDA thekson se kujdesi lidhet me “ekspozimin e përsëritur dhe afatgjatë në doza të vogla.”

Reagimi i Walmart

Walmart ka konfirmuar tërheqjen e produkteve dhe njoftoi se klientët që i kanë blerë mund t’i kthejnë për rimbursim të plotë.
“Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë është prioriteti kryesor,” – tha një zëdhënës i kompanisë për TIME. “Ne kemi bllokuar menjëherë shitjen dhe kemi hequr produktin nga dyqanet e prekura, ndërkohë që po bashkëpunojmë me furnitorin për të hetuar rastin.”

Çfarë është Cesium-137?

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Cs-137 është izotopi radioaktiv më i zakonshëm i Cesium-it. Ai prodhohet përmes fisionit bërthamor dhe përdoret në pajisje mjekësore, instrumente matëse dhe në terapinë me rrezatim për trajtimin e kancerit.

Megjithatë, Cs-137 është edhe një nënprodukt i mbetjeve nga reaktorët bërthamorë dhe shpesh është zbuluar në zonat pranë aksidenteve bërthamore. Në tokë mund të qëndrojë për dekada, duke hyrë në ciklin ushqimor. Ekspozimi i zakonshëm ndodh në nivele shumë të ulëta, të padëmshme për shëndetin, por FDA paralajmëron se edhe këto nivele, nëse grumbullohen me kohën, përbëjnë rrezik.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sasi më të larta të Cs-137 mund të shkaktojnë djegie, sëmundje nga rrezatimi dhe në raste ekstreme edhe vdekje.

The post FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv appeared first on Revista Monitor.

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, lehtësi të përhershme tatimore për shtëpinë e parë

20 August 2025 at 15:19

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ka dalë me disa propozime zyrtare për projektligjin për rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme dhe për trajtimin fiskal të të ardhurave nga shitja e pronave.

NAREA propozon që tatimi për banesat të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%. Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat. Sipas NAREA-s, ky lehtësim për banesat do të ndihmonte në uljen e barrës fiskale për kategorinë e pronave për strehim duke e bërë atë më të përballueshëm. Gjithashtu, një lehtësim i tillë do të inkurajonte shtimin e ofertës në treg dhe lehtësonte transaksionet me synim strehimin.

periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç propozohet në projektligj. NAREA shprehet se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, CENSI 2023, 2/3 e banesave në përdorim në Shqipëri janë mbi 25 vite të vjetra dhe vetëm 12.3% janë më të reja se 10 vite. NAREA mbi këtë bazë vlerëson se rreth 500 mijë banesa janë potencialisht për t’u rivlerësuar.

NAREA propozon gjithashtu që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe

regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, NAREA propozon edhe ndryshime në legjislacionin tatimor, për të mundësuar lehtësi të përhershme lidhur me të ardhurat nga shitja e shtëpisë së parë.

Në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse pasuria në transaksion ka shërbyer

si vendbanim kryesor për të paktën tre vite nga momenti i marrjes në pronësi, ose nëse

provohet që ka shërbyer si banesë e parë për të paktën 50% të kohës së zotërimit, NAREA propozon që transaksioni me këtë pasuri të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital të

realizuar.

Gjithashtu, propozohet që në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse ka fitim kapital të tatueshëm, baza e tatueshme (çmimi i shitjes – çmimi i blerjes/marrjes në pronësi) të korrigjohet me normën e inflacionit vjetor, për çdo vit nga momenti i blerjes deri në atë të shitjes, si dhe

me kostot financiare të gjeneruara në momentin e marrjes në pronësi apo dhe gjatë zotërimit (kostot e financimit të blerjes, interesat e huave bankare hipotekare, ato të restaurimeve etj). Nëse rezulton kapital i realizuar, pasi baza e tatueshme është korrigjuar si me sipër, ky kapitali i realizuar të tatohet me jo më tepër se 3%.

The post NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, lehtësi të përhershme tatimore për shtëpinë e parë appeared first on Revista Monitor.

Depozitat në Bankën Qendrore të Kosovës arrin në 1.58 miliardë euro

20 August 2025 at 15:00

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se depozitat në BQK, deri më 31 korrik 2025 ishin 1.58 miliard euro, duke shënuar rritje prej 64.69 milionë euro nga periudha paraprake.

Prej tyre, 636.33 milionë euro janë nga Buxheti i Republikës së Kosovës, 616.99 milionë euro nga bankat komerciale, 186.95 milionë euro nga AKP dhe 135.64 milionë euro nga burimet tjerat.

“Asetet e BQK-së – në fund të muajit korrik 2025 arritën vlerën prej 1.86 miliard euro, duke shënuar rritje prej 68.71 milionë euro krahasuar me muajin qershor 2025. Kjo rritje ishte kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave të Buxhetit të Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fondeve pensionale dhe Fondi për Sigurimin e Depozitave”.

Sipas raportit, nga gjithsej asetet vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 31 korrik 2025 ishte 1.39 miliard euro.

“Krahasuar me muajin paraprak investimet e BQK-së jashtë vendit në formë të depozitave dhe letrave me vlerë janë rritur për 70.64 milionë euro, prej të cilave investimet në depozita janë rritur 101.39  milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 30.76 milionë euro”.

BQK njofton se kapitali i BQK-së deri më 31 korrik 2025 ishte 118.77 milionë euro.

“Asetet e Rezervës ndërkombëtarenë fund të muajit korrik shënuan vlerën 1.46 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 50.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo ka ardhur kryesisht nga rritja e depozitave për 77.4 milionë euro dhe zvogëlimi i investimeve në letra me vlerë për 28.6 milionë euro”.

The post Depozitat në Bankën Qendrore të Kosovës arrin në 1.58 miliardë euro appeared first on Revista Monitor.

Metodologjia e EUROSAT: Çmimet u rriten 2.4% në korrik, ushqimet me ndikimin më të madh

20 August 2025 at 14:34

Rritja mesatare e çmimeve sipas metodologjisë së Eurostat ishte 2.4 % në korrik, një vlerë e ngjashme me inflacionin mesatar të vendeve të BE-së në këtë muaj.

Sipas ndryshimit vjetor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2025  Rritja më e madhe e çmimeve prej 12,0 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,3 % secili. Grupi  “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rrit me 2,7 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8 %, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,6 % secili, “Komunikimi” me 1,4 %, “Shëndeti” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,8 %.

Ndërsa ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,2 % secili, “Transporti” me 0,1 % .

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,7 %, pasuar nga grupet dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %.

Rumania u përball me rritjen më të madhe te çmimeve me 6.7% në korrik, e ndjekur nga Estonia dhe Slovakia, ndërsa Zvicra dhe Qipro kishin rritjen më të ulët me pak se 0.3%.

Ndryshe nga ICK, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

 

The post Metodologjia e EUROSAT: Çmimet u rriten 2.4% në korrik, ushqimet me ndikimin më të madh appeared first on Revista Monitor.

Prodhuesi i këpucëve paralajmëron zhvendosje në Kukës pas shtrenjtimit të energjisë në Kosovë

20 August 2025 at 14:00

Gjendja e prodhuesve në Kosovë është bërë tepër e rëndë. Disa kompani tashmë kanë filluar të reduktojnë prodhimin, ndërsa disa të tjera po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes jashtë vendit.

Prodhuesi i njohur i këpucëve “Solid Shoes”, me bazë në Suharekë, po paralajmëron zhvendosjen e një pjese të prodhimit në Kukës, Shqipëri, për shkak të krizës së vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Ky zhvillim ngre shqetësime për ndikimin e mundshëm në tregun e punës dhe në kapacitetet eksportuese të vendit.

Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, deklaron se ndërprerjet e shpeshta dhe kostot e papritura e kanë bërë situatën “shumë të vështirë”. Ai kujton se kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes së energjisë KEDS, por procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.

Sipas tij, KEK i ka kërkuar një garanci prej 15 mijë eurosh, pa ndonjë shpjegim të qartë, ndërkohë që fatura e fundit ishte 2,200 euro më e lartë se zakonisht. Kuçi dyshon se këto kërkesa po përdoren si bazë për rritje artificiale të çmimit të energjisë.

“Solid Shoes”, që operon prej dy dekadash dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj në tregjet evropiane, është nën presion të madh për të përmbushur kontratat afatgjata me partnerë ndërkombëtarë. “Ne nuk mund të ndalemi. Prodhimi ynë është i lidhur ngushtë me partnerë evropianë dhe duhet të vazhdojmë pavarësisht kostove shtesë,” – theksoi ai.

Kompania ka mbi 20 vite përvojë dhe punëson qindra punëtorë në Kosovë, ndërkohë që operon edhe me një degë prodhimi në Serbi, respektivisht në Preshevë, ku siguron vende pune për dhjetëra punëtorë lokalë. Paralajmërimi për zhvendosje në Kukës shihet si një sinjal alarmi për stabilitetin e industrisë prodhuese në Kosovë, ku energjia e pasigurt mbetet ndër pengesat kryesore për investime.

Humbja e një pjese të kapaciteteve prodhuese të “Solid Shoes” në Kosovë do të kishte ndikim jo vetëm në punësim, por edhe në bilancin e eksporteve të vendit, pasi kjo kompani renditet ndër kontribuuesit më të qëndrueshëm të sektorit të këpucarisë në tregjet ndërkombëtare.

Drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka ngritur shqetësime lidhur me humbjet që po pësojnë bizneset pas daljes në tregun e lirë të energjisë.
Ai tha se ende nuk ka të dhëna të sakta për shkallën e humbjeve, pasi çdo biznes ka specifikat e veta.
“Ende nuk dihet saktë se sa janë humbjet, sepse secili biznes është ndryshe nga tjetri. Të shtunën iu kanë shkuar me polici, në mënyrë të dhunshme, thuajse po kapnin një hajdut të rrymës e jo një biznes që e ka paguar vazhdimisht,” – u shpreh Ahmeti.

Ai gjithashtu ngriti çështjen e mungesës së përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara.
“Për të bërë rikyçjen duhet të paguhet një kosto shtesë dhe bëhet kur të dojë KEDS. Disa biznese janë në pritje të përgjigjes së Gjykatës Komerciale, por kush do t’i mbulojë dëmet që po u shkaktohen?”

Edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës është shprehur e shqetësuar për gjendjen e krijuar.
“Një situatë e tillë, përveçse shkatërron prodhimin vendor, ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e qytetarëve tanë. Mbyllja ose dobësimi i bizneseve prodhuese nuk është vetëm problem i ndërmarrësve, por problem kombëtar që cenon ekonominë e vendit dhe të ardhmen e mijëra familjeve që jetojnë nga puna në sektorin e prodhimit.”

Shoqata e Prodhueseve në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ka shprehur gjithashtu shqetësim për këtë situatë të rëndë.
“Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që të reflektojnë urgjentisht, të ndalojnë presionin e panevojshëm ndaj prodhuesve dhe të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur dhe përkrahur prodhimin vendor, si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës.”

Gjatë ditës së djeshme, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për detyrimin e bizneseve që të dalin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.

OEK, në një postim në Facebook, ka publikuar dokumentin e padisë. Sipas saj, kjo kërkesëpadi është ushtruar me qëllim mbrojtjen e bizneseve, ekonomisë së Kosovës dhe konsumatorëve, kundër vendimit të padrejtë të ZRrE-së.

Më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë, do të mbesin pa rrymë. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime që përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Deri më tani, më shumë se 1,300 kompani me mbi 9,367 njësi matëse elektrike janë përfshirë në tregun e hapur. Një kompani mund të ketë më shumë se një njësi matëse elektrike.

Nuk dihet ende numri i saktë i kompanive që kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar komercialë, por në ZRrE thonë se janë 2,198 njësi matëse të tilla.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për Energjinë Elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. Ndërkohë, në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka nisur në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

The post Prodhuesi i këpucëve paralajmëron zhvendosje në Kukës pas shtrenjtimit të energjisë në Kosovë appeared first on Revista Monitor.

Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin

20 August 2025 at 14:48


TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë ku marrin shërbim fëmijët pa kujdes prindëror të grupmoshës nga 6-14 vjeç do të transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komuniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caci dhe drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës e cila përfshin rehabilitim dhe zgjerim të ambienteve.

Ministrja theksoi se kjo qendër “nuk do të shërbejë vetëm si një qendër rezidenciale, është një qendër e cila tashmë me vizionin dhe më objektivat që qeveria shqiptare i ka vënë vetes ka marr përsipër ta transformojë jo vetëm në një qendër rezidenciale por dhe në një qendër që ofron shërbime me bazë komunitare”.

Koçiu vuri në dukje se qendra, si pjesë e reformës së deinstitucionalizimit, do të shërbejë si pikë referimi për kujdesin rezidencial e ditor, përgatitjen për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve në një mjedis më gjithëpërfshirës.

“Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është deinstitucionalizimi i fëmijëve që marrin shërbime në qendra rezidenciale duke i zhvendosur ato nga qëndrimi permanent në të tilla qendra dhe kalimi në familje të cilat ofrojnë kujdes të përhershëm pranë ambientit familjar”, theksoi ajo.

Më tej, ministrja Koçiu nënvizoi se po punohet jo vetëm për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj qendre, por edhe për ta kthyer në një model të ri që i shërben jo vetëm fëmijëve rezidentë, por edhe komunitetit përreth.

“E rëndësishme është që kryesisht familjet vulnerabël që kanë nevojë edhe për kualifikime të nevojshme për t’u integruar më pas edhe në jetë, edhe në mjediset sociale, është e nevojshme që të marrin dhe shërbime të tjera si edukative, sociale, shërbime edhe të aftësimit me njohuritë që tregu i punës kërkon me qëllim që të kenë mundësinë edhe të integrohen ashtu siç duhen”, shtoi ministrja.

“Këtu afër kemi edhe një kopësht i cili funksionin për fëmijët e zonës dhe lidhja e këtij kopshti së bashku me këtë qendër që jemi duke rikonstruktuar do të bëjë të mundur që edhe fëmijët të bashkohen me njëri-tjetrin, të socializohen, të jetojnë në komunitet edhe pse jo patjetër, edhe fëmijët e tjerë të vijnë të marrin shërbime sociale, të argëtohen pasi këtu do të ketë edhe ambiente argëtuese dhe edukative”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Investimi në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, ambiente për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive si dhe hapësira komunitare për kurse, trajnime dhe shërbime sociale.

1 nga 5

/m.m/

The post Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌