Pse po luftojnë Tajlanda dhe Kamboxhia?
Në kufirin midis Kamboxhias dhe Tajlandës është rindezur sërish një konflikt i armatosur.
Përplasjet që kanë eskaluar gjatë ditës së djeshme janë thellësisht të rrënjosura në historinë e rajonit dhe përfshijnë një ndërthurje të ndërlikuar të së kaluarës koloniale, trashëgimisë kulturore, pasioneve nacionaliste dhe paqëndrueshmërisë politike bashkëkohore.
Shkaku kryesor i këtij konflikti nuk është as nafta, as zgjerimi territorial, por – një gur i vjetër, shkruan bbc.
Më saktë, bëhet fjalë për tempullin Prasat Ta Muen Thom dhe faltoret përreth tij, të vendosura në kodra të pyllëzuara dhe të paarritshme lehtë, pranë kufirit midis dy shteteve.
Ky tempull, i ndërtuar në shekullin XI në stilin klasik të arkitekturës khmere, ka qenë pjesë e një rruge që lidhte qytetet e mëdha të ish-perandorisë Khmere, përfshirë edhe legjendarin Angkor.
Sot, tempulli ndodhet pikërisht në vijën ndarëse midis provincës kamboxhiane, Oddar Meanchey dhe provincës tajlandeze, Surin. Dhe pikërisht kjo vijë – është problemi.
Kufiri mes Kamboxhias së sotme dhe Tajlandës është përcaktuar në fund të shekullit XIX-të dhe në fillim të shekullit XX-të përmes një sërë marrëveshjesh midis Francës koloniale të asaj kohe (e cila kontrollonte Kamboxhian e sotme) dhe Siamit të atëhershëm (Tajlanda e sotme). Megjithatë, shumë prej atyre hartave kanë qenë të pasakta, dhe vijat ndarëse nuk janë zbatuar në mënyrë të qëndrueshme në terren.
Vendimi i Hagës dhe tensionet e reja-vjetra
Në vitin 1962, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) vendosi që tempulli Preah Vihear, një tjetër simbol i kulturës khmere, i takon Kamboxhias.
Por, gjykata nuk u shpreh qartë për territorin që rrethon tempullin, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Tajlanda kurrë nuk e pranoi plotësisht këtë vendim, dhe çështja e tempujve si Ta Muen Thom mbeti në një boshllëk ligjor dhe politik.
Tensionet u përshkallëzuan veçanërisht nga viti 2008 deri në 2011, kur konfliktet midis dy ushtrive u përsëritën disa herë, me viktima dhe të plagosur nga të dyja palët. Edhe atëherë, si tani, në qendër të mosmarrëveshjeve ishin tempujt, simbolika territoriale dhe përfitimet politike.
Në fillim të vitit 2025, tensionet sërish janë ndezur. Në muajin shkurt, ushtarët tajlandezë ndaluan turistët kamboxhianë të këndonin himnin kombëtar pranë tempullit Prasat Ta Muen Thom. Në muajin maj ndodhi një përplasje e shkurtër e armatosur në “Trekëndëshin e Smaragdët” – pika ku takohen kufijtë e Tajlandës, Kamboxhias dhe Laosit. Një ushtar kamboxhian humbi jetën.
Kryeministri kamboxhian, Hun Manet ka njoftuar se do të kërkojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke theksuar se dëshiron të shmangë një konflikt më të gjerë. Megjithatë, Tajlanda nuk e njeh juridiksionin e ICJ-së në këtë rast, duke këmbëngulur në bisedime bilaterale.
Tensionet rriten pas publikimit të një audio-incizimi
Tensionet u përshkallëzuan në mes të qershorit, kur u përhap një incizim zanor i një bisede private midis ish-kryeministrit kamboxhian, Hun Sen dhe kryeministres tajlandeze, Paetongtarn Shinawatra.
Hun Sen e publikoi këtë incizim pa pëlqimin e palës tjetër, gjë që shkaktoi krizë politike në Bangkok dhe rrëzimin e koalicionit qeverisës. Tajlanda akuzoi Phnom Penh për “tradhti të besimit”, ndërsa opinioni publik reagoi me zemërim, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet.
Në muajin korrik, disa ushtarë tajlandezë u plagosën nga shpërthimi i minave, për të cilat autoritetet pretendojnë se janë mina të reja ruse PMN-2.
Bangkoku akuzoi Kamboxhian për shkelje të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa Phnom Penh u kundërpërgjigj duke thënë se minat janë “tajlandeze” dhe se akuzat janë të motivuara politikisht.
Dita kur pylli përpiu paqen
Në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut, gjithçka ndryshoi. Fillimisht u raportuan fluturime dronësh kamboxhianë, e më pas palët akuzuan njëra-tjetrën për hapjen e zjarrit pranë tempullit Ta Muen Thom.
Disa orë më vonë, Tajlanda dërgoi gjashtë aeroplanë luftarakë F-16, të cilët bombarduan pozicionet kamboxhiane, duke pretenduar se po shkatërronin “infrastrukturë ushtarake armike”. Kamboxhia reagoi duke lëshuar raketa BM-21 “Grad”, që goditën një pompë karburanti në provincën tajlandeze Si Saket, ku u vranë të paktën tetë civilë, përfshirë edhe një fëmijë. Më vonë gjatë ditës, u raportua edhe një sulm ndaj një spitali në Phnom Dongrak.
Të dyja palët kanë shpallur “gatishmëri të plotë luftarake”, janë evakuuar civilët, të gjitha pikat kufitare janë mbyllur, ndërsa marrëdhëniet diplomatike u përkeqësuan edhe më tej me tërheqjen e ambasadorëve.
Tempujt që ndodhen në qendër të konfliktit nuk janë thjesht monumente. Ata janë simbole të identitetit kombëtar. Në sytë e kamboxhianëve, ata përfaqësojnë zemrën e qytetërimit të tyre – një dëshmi materiale e fuqisë së lashtë dhe trashëgimisë kulturore. Për Tajlandën, ato janë prona historike, burime strategjike dhe çështje sovraniteti.
Pikërisht për këtë arsye, çdo gur i atyre rrënojave mban peshën e së kaluarës, dhe çdo plumb i qëllohet rreth tyre mund të shkaktojë një valë emocionesh dhe pasionesh nacionaliste. Edhe pse të dyja palët pohojnë se nuk duan luftë, ajo tashmë është në zhvillim. Kanalet diplomatike janë bllokuar, retorika kombëtare po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe kufiri po shndërrohet në një vijë fronti.
Njëra palë thotë se po mbron tempujt e vet, tjetra se po mbron sovranitetin. Edhe pse mund të duket si një incident i radhës në tokën aziatike, thellësia historike e konfliktit, paqëndrueshmëria e brendshme politike dhe rëndësia strategjike e territorit e bëjnë këtë krizë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Çdo gabim i mëtejshëm apo provokim mund ta shtyjë rajonin drejt një kaosi më të madh – për shkak të vijave të kufirit që janë caktuar më shumë se një shekull më parë. /Telegrafi/
The post Pse po luftojnë Tajlanda dhe Kamboxhia? appeared first on Telegrafi.