Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Main stream

Balluku paralajmëron masa të rënda për zjarrvënësit në Shqipëri

27 July 2025 at 19:46

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që shkaktojnë zjarre në mënyrë të qëllimshme, duke i cilësuar veprimet e tyre si të papranueshme dhe të patolerueshme.

Gjatë një vizite në Bulqizë, një nga zonat më të goditura nga flakët ditët e fundit, Balluku tha se autoritetet do të marrin masa ekstreme ndaj zjarrvënësve, përfshirë publikimin e identitetit të tyre. Qëllimi, sipas saj, është të ndalet një herë e mirë ky fenomen që rrezikon jetën, pronën dhe mjedisin.

“Është e patolerueshme kjo që po ndodh. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, por në të gjithë Shqipërinë. Është bërë një punë e shkëlqyer nga policia, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura, të cilët kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin. I falënderojmë për kontributin e tyre”, u shpreh Balluku për ABC News Albania.

Ajo nënvizoi se deri tani nuk janë shënuar viktima në njerëz, një fakt që e quajti “më të rëndësishmin”, pavarësisht situatës së rëndë me zjarret.

Sipas saj, jugu i vendit mbetet ende në një situatë kritike, por pritet që rënia e temperaturave në ditët në vijim të ndihmojë në përmirësimin e situatës.

Autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe fushatat ndërgjegjësuese, ndërkohë që hetimet për rastet e zjarrvënieve të qëllimshme janë duke vijuar.

The post Balluku paralajmëron masa të rënda për zjarrvënësit në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Lladrovci reagon pas vendimit të PDK-së: Deri sot nuk jam rrëzuar, vazhdojmë +4

27 July 2025 at 19:39

Pas vendimit të Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rikandiduar në garën për kryetar të komunës së Drenasit, ka reaguar Ramiz Lladrovci.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci u shpreh i vendosur se karriera e tij politike nuk është në përfundim dhe se fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët.

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre,” shkroi ai.

Ai shtoi se mbështetja e qytetarëve të Drenasit mbetet vendimtare.

“Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”

Reagimi i tij vjen pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u miratua lista përfundimtare e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, listë në të cilën Lladrovci nuk është përfshirë.

The post Lladrovci reagon pas vendimit të PDK-së: Deri sot nuk jam rrëzuar, vazhdojmë +4 appeared first on Telegrafi.

Vazhdojnë kërkimet për trupin e 33-vjeçarit të zhdukur në Liqenin e Ujmanit

27 July 2025 at 19:28

Kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit, janë ende duke vazhduar.

Në vendin e ngjarjes ndodhen njësite të kërkim-shpëtimit dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët po angazhohen intensivisht për të lokalizuar trupin e personit të zhdukur.

Togeri Erduan Baliqi, shef i njësisë së planifikimit dhe vlerësimit operacional në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, tha se ngjarja është raportuar rreth orës 14:25, kur është pranuar informata se një person ishte hedhur nga ura në liqen dhe nuk kishte dalë më nga uji.

“Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Po ashtu janë informuar edhe ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat janë duke zhvilluar aktivitetet për ta gjetur trupin, mirëpo deri më tani nuk kemi rezultat,” deklaroi Baliqi.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e trupit.

The post Vazhdojnë kërkimet për trupin e 33-vjeçarit të zhdukur në Liqenin e Ujmanit appeared first on Telegrafi.

“Serbia po i kthen shpinën Rusisë”, në Moskë akuza të forta ndaj Vuçiqit: Po i jep armë Ukrainës

27 July 2025 at 19:24

Serbia ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, por me një kusht të qartë: garanci të forta për anëtarësim në BE.

Kështu ka deklaruar Ministri serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviç, në një intervistë për të përditshmen austriake Der Standard, duke shkaktuar valë reagimesh brenda dhe jashtë vendit.

Deklarata e tij vjen në një moment kur Serbia tashmë ka lejuar kalimin tranzit nëpër territorin e saj të 960 predhave artilerie të kalibrit 155 mm, të destinuara për Ukrainën. Predhat janë prodhuar në Bosnjë dhe Hercegovinë, janë blerë nga kompania çeke Omnipol – e cila furnizon zyrtarisht ushtrinë ukrainase – dhe kaluan përmes Serbisë me miratimin e plotë të të gjitha ministrive përkatëse serbe.

Sipas dokumenteve zyrtare raporton Danas, më 12 qershor, Ministria e Brendshme e Serbisë, me pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Jashtme, ka miratuar lejen e tranzitit. Kamionët me 132 paleta predha janë lejuar të kalojnë nga pika kufitare Sremska Raça, përmes Serbisë, dhe të dalin në BE nëpërmjet Horgoshit, duke ndjekur një rrugë të përcaktuar: nga fshati Kuzmin, rruga E-70 për në Beograd, pastaj në E-75 drejt kufirit hungarez.

Në dokumente, Ministria e Mbrojtjes e Republikës Çeke është listuar si përdoruesi përfundimtar i municionit – një sinjal i qartë i përfshirjes së Serbisë në zinxhirin logjistik të furnizimit me armë për Ukrainën, pavarësisht pozicionit zyrtar neutral ndaj luftës.

Ky zhvillim është cilësuar nga mediat pro-Kremlinit si një goditje e pasme për Rusinë. Një media në pronësi të Konstantin Malofeyev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka paralajmëruar: “Do të jetë si gjithmonë me tradhtarët.”

Reagimet në Serbi nuk munguan. Partia “Lëvizja e Socialistëve”, e afërt me spektrin politik pro-rus, kritikoi deklaratën e ministrit Staroviç dhe mbështetjen për sanksione.

“Beogradi nuk ka ndërmend të marrë pjesë në histerinë anti-ruse,” thuhet në reagim, që më tej shton se “serbët nuk janë një komb tradhtarësh dhe frikacakësh që shesin nënën, vëllezërit, besimin dhe historinë e tyre,” duke përforcuar narrativën e lidhjeve historike me Moskën.

Ky zhvillim vjen në një kontekst të ndërlikuar për politikën e jashtme serbe, e cila po përpiqet të balancojë mes presionit perëndimor për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në dhe mbështetjes së vazhdueshme që ka pasur nga Rusia, veçanërisht në çështjen e Kosovës.

Nëse Serbia do të ndjekë rrugën e sanksioneve ndaj Rusisë mbetet për t’u parë – por sinjalet e fundit, si tranziti i armatimit për Ukrainën, po e çojnë Beogradin drejt një kursi më të afërt me Perëndimin, me çmimin e një përplasjeje të mundshme me Moskën.

The post “Serbia po i kthen shpinën Rusisë”, në Moskë akuza të forta ndaj Vuçiqit: Po i jep armë Ukrainës appeared first on Telegrafi.

PDK-ja vendos për Drenasin: Ramiz Lladrovci nuk rizgjedhet kandidat, zëvendësohet nga Petrit Hajdari

27 July 2025 at 17:49

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të kryesisë ku është diskutuar dhe vendosur për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

Në fokus të veçantë ishte komuna e Drenasit, ku me shumicë votash është refuzuar kandidatura e kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci.

Raportohet se Lladrovci mori vetëm 4 vota pro, 26 kundër dhe një abstenim, duke humbur kështu mbështetjen për një mandat të ri.

Në vend të tij, Kryesia e PDK-së ka vendosur që kandidati për Drenas të jetë Petrit Hajdari.

Ky vendim shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e partisë për këtë komunë, e cila historikisht ka qenë një bastion i PDK-së.

The post PDK-ja vendos për Drenasin: Ramiz Lladrovci nuk rizgjedhet kandidat, zëvendësohet nga Petrit Hajdari appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Të shtëna me armë zjarri në Dragodan, raportohet për të plagosur

24 July 2025 at 23:49

Një incident me armë zjarri ka ndodhur të enjten rreth orës 23:30 në lagjen Dragodan të Prishtinës, përkatësisht te Hotel Ador.

Sipas raportimeve fillestare, nga të shtënat ka persona të plagosur, por ende nuk dihet numri apo gjendja e tyre shëndetësore.

Telegrafi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës si dhe automjete të emergjencës shëndetësore në vendin e ngjarjes.

Policia është duke hetuar rrethanat e këtij incidenti.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka provuar të marrë detaje nga policia, por deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka mundur të marrë përgjigje.

 

The post Të shtëna me armë zjarri në Dragodan, raportohet për të plagosur appeared first on Telegrafi.

Kur fëmijët bëhen vrasës të prindërve: Ngjarja në Fier, ripërsëritje e skenarëve të krimeve në familje

24 July 2025 at 23:41

Një ngjarje rëndë ka tronditur Fierin sot, teksa një 26 vjeçare, Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj, duke e mbytur me një tel.

Në këtë krim të rëndë ajo ka pasur bashkëpunëtore edhe nënën e cila pas vrasjes, ka ndihmuar që të fshihnin gjurmët dhe ngjarja t’i raportohej policisë si aksidentale.

Pasi pranoi krimin në polici vajza tha se e ka vrarë të atin sepse ‘i kishte nxirë jetën, nuk i jepte para, dhe ishte fanatik’.

Por rastet e krimeve të tilla, kur fëmijët vrasin prindërit, për fat të keq, në vendin tonë janë raportuar edhe më parë.

E fundit ishte ngjarja në Shënavlash të Durrësit në 2024, ku tre fëmijët bashkëpunuan për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të babait të tyre Pëllumb Meta.

Në shkurt 2024 Ike Sokoli u gjet e vdekur në banesë nga nipi në fshatin Vilë-Bashtovë të Rrogozhinës. 75-vjeçarja humbi jetën nga dhuna fizike e të birit, Ndriçim Sokoli, 35 vjeç, me probleme të shëndetit mendor.

Në vitin 2023, 23-vjeçari Mato Gllucaj organizoi vrasjen e babait të Gjorm të Vlorës, ku në sobën me gaz që e mbanin në oborrin e shtëpisë vendosi eksploziv. Sapo babai Durmish Glluçaj, 56 vjeç, u afrua, djali e shpërtheu lëndën plasëse me mekanizëm elektrik. I riu tha se e vrau të atin e verbër pasi e dhunonte vazhdimisht dhe fillimisht tentoi të fsheh ngjarjen.

Në 2022 Mariglen Muhametaj, 30-vjeç, me probleme të shëndetit mendor, vrau me sende të forta babanë e tij, Qemalin, 73-vjeç, në Greshnicë të Mallakastrës.

Në 2021 Ylber Lezi, 47 vjeç, u vra me sende të forta në shtëpi nga gruaja dhe vajza e tij, Mine Lezi dhe Aida Lezi, 51 dhe 21 vjeçe, në Bulqizë. Lezi ishte përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor. Familja jetonin në kushte të mjerueshme ekonomike, ndërsa edhe vajza kishte nisur të shfaqte shenja depresioni.

Në 2020 në Buçimas, pranë qytetit të Pogradecit, 44-vjeçari Olsi Çekiçi, i sëmurë me probleme mendore, pas një konflikt verbal me të ëmën, Firdes Çekiçi, rrëmbeu thikën nga kuzhina dhe e goditur atë. Më pas i preu kokën me kosë dhe ia vari tek porta e shtëpisë me gjakftohtësi. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të vajzës së mitur të autorit.

Në 2018 Qemal Sela, 26 vjeç, qëlloi me plumba automatiku nënën dhe babanë e tij, Flamur Sela, 55 vjeç, dhe Zeqimete Sela, 50 vjeçe. I riu ishte kthyer një ditë më parë nga Anglia dhe kishte debatuar rëndë me të atin. Dyshimet e hetuesve u lidhën me shkakun se ai nuk kishte sjell para nga jashtë. Në grindje djali u kërkoi llogari prindërve për 2 prona që kishte blerë më herët.

Në 2017 burrë e grua, Ali e Jenie Nika u gjetën të vdekur në derën e shtëpisë në Durrës. Vrasës i të dyve ishte djali Leo Nika, 29 vjeç, i cili pas një debati qëlloi drejt tyre me çifte. Ngjarja në atë kohë dyshohej se ndodhi për shkak të problemeve psikologjike dhe me pijen që kishte i riu.

Në 2016 Ardit Zenelhoxha, 30 vjeç, mbyti me duar nënën e tij Hedije Zenelhoxha, brenda në shtëpi në lagjen “Çlirimi” të Elbasanit. I riu sipas policisë, vuante prej kohësh nga depresioni dhe ishte në vështirësi ekonomike.

The post Kur fëmijët bëhen vrasës të prindërve: Ngjarja në Fier, ripërsëritje e skenarëve të krimeve në familje appeared first on Telegrafi.

“Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës

24 July 2025 at 23:30

Një grua, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht përvojën e saj të rëndë, duke përballur me guxim traumën dhe pasojat e thella që i kanë ndjekur për vite me radhë.

Ajo ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga një fqinj serb, Dejan Rashiq, i cili asokohe kishte qenë pjesëtar i ushtrisë serbe. Sot, ajo thotë se do të donte ta kishte përballë vetëm për t’i treguar se dhuna e tij nuk e kishte thyer, por e kishte bërë më të fortë.

“Nëse e kisha pas përballë Dejan Rashiqin, i kisha thanë: a po m’sheh mirë tash? M’ke rrah, m’ke dhunu, m’ke malltretu, e sot jam gjallë. Jam gjallë dhe kam me qenë edhe më e fortë. Ku je ti tash? Ma mirë me t’i vra kush fëmijët e tu… Ishalla sa më shpejt hyn prapa grilave me i vuajt pasojat që na i ke shkaktu”, ka thënë ajo me lot në sy dhe zë të dridhur.

Rrëfimi i saj përshkruan skenat tmerruese të ndodhura para fëmijëve të saj, në një shtëpi pa kushte, ku përveç saj ndodheshin edhe fëmijët dhe vjehrra e paralizuar.

“Sa nuk muj me ia përshkru qysh ka ardh ai në shtëpi… para fëmijëve… s’e kam prit me malltretim në shtëpi, me një tub fëmijë, vjehrrën e paralizune, tmerr u kanë!”, rrëfen ajo në RTVDukagjini.

Edhe pse kanë kaluar vite, ajo thekson se drejtësia ende mungon, dhe se ajo vazhdon të presë që shteti të veprojë.

“Nëse del ai prapa grilave, mu m’doket sikur kam lind edhe njëherë”, tha ajo, duke bërë thirrje për ndëshkimin e kriminelëve të luftës.

Në fund, ajo falënderoi Qendrën për Rehabilitimin e Krimeve të Luftës (QRKMT) për mbështetjen shumëvjeçare dhe u dërgoi një mesazh të gjitha viktimave të dhunës seksuale që ende hezitojnë të flasin:

“Ju lutem, ngritni zërin. Flisni me dikë. Ka shoqata që merren me këtë çështje, ka shtet. Mos e mbani mllefin përbrenda, se sëmundja ju ha. Nxirreni dhimbjen jashtë, shëroni veten – se ndryshe nuk mundeni me jetu.”

Rrëfimi i saj është një ndër dhjetëra të tjerë të përfshirë në ciklin e rrëfimeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale, që po shpalosin të vërtetën përballë harresës dhe padrejtësisë.

The post “Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën

24 July 2025 at 21:56

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se qëndrimi i disa shteteve anëtare po i jep Serbisë hapësirë për veprime destruktive.

Në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Thaçi theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm.

“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi,” deklaroi ai.

Thaçi gjithashtu kritikoi pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se kjo situatë po e motivon Serbinë të sillet në mënyrë armiqësore ndaj vendit.

“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën,” theksoi Thaçi.

Ai aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

The post Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën appeared first on Telegrafi.

Osmani mohon ndërtimin e ndonjë rezidence personale: Kërkesa është për objekt zyrtar, jo luks privat

24 July 2025 at 21:46

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë pretendimet se ajo ka kërkuar ndërtimin e ndonjë rezidence presidenciale për qëllime personale.

Përmes një reagimi zyrtar, nga zyra e saj është bërë e ditur se asnjanëherë nuk është kërkuar ndonjë objekt me oborr privat, dhoma private apo ndonjë luks tjetër personal.

Sipas njoftimit, plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit të Presidencës nuk ka marrë miratimin e Presidentes, dhe brenda kornizës ligjore, ajo do të kërkojë rishikimin e projektit për t’iu përshtatur nevojave reale të shtetit dhe jo ndonjë interesi personal.

Presidentja thotë se ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtimin e një objekti zyrtar, që do të shërbejë për takime dhe pritje shtetërore.

Ajo ka theksuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, ndoshta edhe në botë, ku Kreu i Shtetit nuk ka një ndërtesë të dedikuar për funksionin e tij/saj. Aktualisht, pritjet zyrtare mbahen në sallat e Kuvendit, ku sipas Presidencës, kushtet janë të papërshtatshme, deri në atë masë sa liderët e shteteve mike përballen me erën e kanalizimeve.

Ndërkaq, mungesa e ambienteve për darka apo pritje të nivelit të lartë ka bërë që këto të mbahen në restorante private, çka, sipas Presidentes, është praktikë e pazakontë për një shtet serioz, dhe një turp kombëtar që 26 vjet pas çlirimit, kjo çështje themelore mbetet e pazgjidhur.

Presidentja Osmani ka sqaruar më tej se edhe nëse fillon ndërtimi i objektit zyrtar, përfundimi i tij do të kërkojë së paku 5 deri në 6 vite, që nënkupton se ajo nuk do të përfitojë nga ai objekt gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton për veten e saj është cilësuar si i pabazë dhe jashtë çdo logjike.

Pa suita personale, vetëm ambiente zyrtare

Zyra e Presidentes thekson se nuk është autorizuar ndërtimi i ndonjë suite apo hapësire private, por janë kërkuar vetëm ambiente pune dhe pritjeje shtetërore — përfshirë një suitë pritjeje për liderët dhe homologët ndërkombëtarë, praktikë e zakonshme në çdo presidencë të vendeve demokratike.

Në përmbyllje të reagimit, theksohet se ndërtimi i një objekti për Presidencën është një domosdoshmëri shtetërore, jo luks personal. Objektivi është garantimi i kushteve dinjitoze pune, sigurisë dhe përfaqësimit të denjë të shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ndërtimi i këtij objekti nuk ka të bëjë me Presidenten Osmani, por me institucionin e Presidencës dhe respektin që një shtet i jep vetes dhe përfaqësimit të tij”, përfundon reagimi.

The post Osmani mohon ndërtimin e ndonjë rezidence personale: Kërkesa është për objekt zyrtar, jo luks privat appeared first on Telegrafi.

Gjykata Kushtetuese ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor

24 July 2025 at 21:41

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.

“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve për Kuvend, dhe për këtë arsye ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar.

Sipas Gjykatës, vendimi është marrë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës, derisa të shqyrtohen kërkesat që kanë sjellë deri te kjo masë.

Ky vendim vjen në një periudhë të ndjeshme politike për vendin, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

Në vendim tutje theksohet caktimi i masës së përkohshme.

The post Gjykata Kushtetuese ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor appeared first on Telegrafi.

Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

24 July 2025 at 19:39

Avokati Skënder Musa ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar udhëzimin administrativ që më herët lejonte sigurimin e fondeve shtesë për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me gjykimin në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas tij, fshirja e nenit 11 nga udhëzimi administrativ, nen që mundësonte kërkesa për buxhet shtesë në raste të veçanta, ka rrezikuar seriozisht cilësinë e mbrojtjes në fazën më kritike të procesit.

“Është e tmerrshme që një pushtet shqiptar në Kosovë, një ministri e Drejtësisë që udhëhiqet prej një shqiptari e largon nenin nga udhëzimi administrativ që duhet të paguhen edhe pagesa shtesë që i kërkon mbrojtja në një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën. Dhe në këtë fazë që është vendimtare për që të paraqitet mbrojtja më efikase. Është e pamundshme që çdo ekip tjetër të përgatit në fazën përfundimtare të procesit. Dhe të jetë efektive mbrojtja ashtu e siç ka qenë mjaftë e ashpër Prokuroria Speciale në raport me të akuzuarit dhe me mbrojtjen. Dhe në çdo pikë prokurorët special e kanë shfrytëzuar që mbrojtja të duket sa më e dobët”, ka thënë Musa.

Musa ka shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Drejtësisë, duke i fajësuar se “kanë punuar në favor të Prokurorisë Speciale dhe jo në favor të mbrojtjes”.

“Pa asnjë dyshim konsideroj që Ministria e Drejtësisë, personat përgjegjës prej ministri deri personat përgjegjës që janë për financa kanë punuar në favor të prokuroria speciale dhe jo në favor të mbrojtjes’”, ka thënë Musa.

The post Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Telegrafi.

SHBA-ja sheh mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, kërkon heqjen e barrierave

24 July 2025 at 19:37

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.

“Shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe sigurinë kibernetike. Heqja e barrierave ndaj eksporteve amerikane do të rezultonte me rritje të tregtisë”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë për REL-in.

“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, tha ai.

Ky qëndrim përkon edhe me përpjekjet e Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, sidomos pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në Uashington, këtë muaj.

Gjatë takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ajo tha se u fol për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të ri ekonomik, me fokus në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë informative.

Radio Evropa e Lirë mori vesh se temë diskutimi ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në sektorin e pasurive minerare.

Ekspertët e ekonomisë e përkrahën këtë vizion, duke nënvizuar se pozicioni gjeografik, fuqia e re dhe e arsimuar e punës, si dhe politikat fiskale konkurruese e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët e huaj.

Megjithatë, ata theksuan nevojën për reforma të thella në sundimin e ligjit dhe politikat ekonomike.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, i tha Radios Evropa e Lirë më 18 korrik Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kosova, aktualisht, ka një taksë prej 10% për mallrat e importuara nga SHBA-ja.

Në fillim të prillit, presidentja Osmani kërkoi nga Qeveria e Kosovës pezullimin e saj, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova, por taksa mbeti në fuqi.

Osmani tha, po ashtu, se zyra e saj ka përgatitur një projektligj për heqjen e taksës, por se miratimi i tij varet nga konstituimi i Kuvendit të ri.

Konstituimi nuk ka përfunduar ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike qysh pas zgjedhjeve të shkurtit.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e importeve nga SHBA-ja në vitin 2024 ka arritur mbi 105 milionë euro, ndërsa eksportet kanë qenë rreth 39 milionë euro.

Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve njofton se investimet amerikane në Kosovë gjatë vitit 2024 kapën vlerën prej rreth 87 milionë eurosh.

Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Prishtinë theksoi se stabiliteti dhe siguria në rajon janë kyçe për prosperitetin ekonomik.

Duke cituar zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ai shtoi:

“Misionet tona në mbarë botën janë gati të ndihmojnë bizneset dhe investitorët e huaj që të bashkëpunojnë me partnerët tanë amerikanë nga sektori publik dhe privat, për të shfrytëzuar kompanitë tona kryesore, teknologjinë dhe fuqinë punëtore”.

The post SHBA-ja sheh mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, kërkon heqjen e barrierave appeared first on Telegrafi.

AIP publikon raportin gjashtëmujor: 462 ankesa për qasje në dokumente publike dhe 82 për të dhëna personale

24 July 2025 at 19:33

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka publikuar raportin gjashtëmujor të punës për periudhën janar-qershor 2025, duke paraqitur statistika dhe zhvillime të rëndësishme në fushat e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Sipas raportit, AIP ka pranuar gjithsej 462 ankesa lidhur me qasjen në dokumente publike. Komunat kanë qenë subjektet më të ankuara, me 137 ankesa, pasuar nga ministritë me 107 dhe sistemi gjyqësor me 23 ankesa. Për shkelje të konstatuara, janë shqiptuar 12 gjoba administrative gjatë kësaj periudhe.

Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, janë regjistruar 82 ankesa, ku kryesojnë rastet për publikim të të dhënave personale (21 ankesa), keqpërdorim të të dhënave (9) dhe shpërndarje të paautorizuar (5).

Raporti gjithashtu vë në pah përkushtimin e AIP për ndërgjegjësim dhe edukim të aktorëve publikë e privatë. Janë zhvilluar 20 aktivitete informuese dhe trajnime, me pjesëmarrjen e mbi 450 zyrtarëve publikë dhe kontrolluesve, përfaqësues të sektorit shëndetësor, bankar, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave. Nga këto trajnime, 227 pjesëmarrës janë certifikuar.

Një ndër aktivitetet e veçanta ishte punëtoria me gazetarë me temën “Sektori i Mediave dhe Mbrojtja e të Dhënave Personale”, që kishte për synim rritjen e përgjegjësisë në trajtimin e të dhënave gjatë raportimeve mediatike.

AIP thekson se në këtë gjashtëmujor ka qenë në fokus bashkëpunimi me institucionet dhe forcimi i kapaciteteve institucionale, për të siguruar respektimin e të drejtave për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

The post AIP publikon raportin gjashtëmujor: 462 ankesa për qasje në dokumente publike dhe 82 për të dhëna personale appeared first on Telegrafi.

Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme

24 July 2025 at 17:34

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për vendosjen e një mase të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme nga Kushtetuesja.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani theksoi se vetëm kërkesat e deputetëve të partive politike kanë legjitimitet për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se çështja e afatit kushtetues dhe pasojave të moskonstituimit të Kuvendit nuk mund të trajtohet përmes një kërkese të presidentes.

“Presidentja nuk ka të drejtë t’i drejtohet Kushtetueses për sqarime të një aktgjykimi. Kërkesa e saj është absurde dhe nuk përmban asnjë konflikt kompetencash, siç pretendon ajo vetë,” u shpreh Hasani.

Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të përcaktojë nëse një konstituim i mundshëm i Kuvendit pas afatit 30-ditor është kushtetues apo jo, ndërsa veprimet politike – përfshirë caktimin e mandatarit nga presidentja – duhet të vazhdojnë në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat në fuqi.

Hasani po ashtu kritikoi Gjykatën Kushtetuese për faktin që në aktgjykimin e fundit nuk ka përcaktuar qartë pasojat juridike të moskonstituimit brenda afatit, duke krijuar kështu një situatë të paqartë juridike dhe politike.

Ai tha se vetëm nëse Kushtetuesja vendos përmes një vendimi të qartë se çfarë pasoja juridike sjell vonesa në konstituim – përfshirë mundësinë e decertifikimit të deputetëve – atëherë procesi do të marrë një drejtim të saktë.

Në fund, Hasani shprehu shpresën se Gjykata Kushtetuese do të ruajë integritetin profesional dhe do të bazohet në arsyetimin e vet në aktgjykimin e fundit për të dhënë një sqarim përfundimtar për afatin 30-ditor dhe të drejtën e partisë së parë për të propozuar mandatarin.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet për herë të 52-të në përpjekje për t’u konstituar, ndërsa afati i vendosur nga Kushtetuesja për përfundimin e këtij procesi skadon më 26 korrik.

Intervista e plotë KËTU.

The post Hasani: Kërkesa e presidentes Osmani për Kushtetuesen është e pabazuar dhe e papranueshme appeared first on Telegrafi.

U fut për t’u larë me shokun, mbytet 16-vjeçari në Luginën e Patokut

24 July 2025 at 17:29

Një 16-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur teksa lahej në det me shokun e tij.

Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, ku dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin.

Ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Policisë Kufitare, si dhe është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të Renea-s, për kërkimin dhe gjetjen e trupit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post U fut për t’u larë me shokun, mbytet 16-vjeçari në Luginën e Patokut appeared first on Telegrafi.

Mbahet Konferenca Rajonale e Turizmit në kuadër të projektit ndërkufitar “Udhëtim në Kohë”

24 July 2025 at 17:24

Në një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi dhe dialogu ndërinstitucional, në ambientet e restaurant “Ujana” në Klinë u zhvillua Konferenca Rajonale e Turizmit, si pjesë e projektit ndërkufitar “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Konferenca u organizua nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) në bashkëpunim me Komunën e Klinës, Qendrën për Iniciativat e Turizmit të Qëndrueshëm (CSTI) dhe Organizatën Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi (NTO).

Qëllimi i saj ishte promovimi i turizmit kulturor dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe turizmit, akademikë dhe organizata të shoqërisë civile nga të dy vendet, duke shërbyer si një platformë për ndarjen e ideve dhe zhvillimin e strategjive të përbashkëta.

Konferenca u zhvillua nën moton: “Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kulturor”, duke përfshirë:

Prezentimin e projektit “Udhëtim në Kohë” dhe shtigjeve tematike që lidhen me trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Mal të Zi;

Promovimin e lokaliteteve historike dhe arkeologjike në Klinë dhe në Mal të Zi;

Diskutimin mbi rolin e lokalitetit arkeologjik të Drsnikut si pjesë e zhvillimit lokal turistik;

Prezentimin e Strategjisë së Turizmit të Komunës së Klinës;

Promovimin e produkteve të turizmit kulturor nga NTO e Malit të Zi;

Iniciativa akademike të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë për zhvillimin e kurrikulës së turizmit.

Një nga momentet më të rëndësishme të konferencës ishte prezantimi i produktit të ri të turizmit kulturor-historik “Udhëtim në Kohë”, i cili synon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët përmes rrëfimeve të gjalla dhe eksplorimit të destinacioneve me vlerë historike nga të dyja anët e kufirit.

Konferenca u përmbyll me një drekë partneriteti, ku pjesëmarrësit shfrytëzuan mundësinë për thellimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e projekteve të reja të përbashkëta në të ardhmen.

Projekti “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)” po zbatohet në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi, përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian.

Ai ka nisur më 1 mars 2023 dhe do të zgjasë për një periudhë 30-mujore, me synim forcimin e zhvillimit kulturor dhe turistik në rajonet përfituese.

The post Mbahet Konferenca Rajonale e Turizmit në kuadër të projektit ndërkufitar “Udhëtim në Kohë” appeared first on Telegrafi.

Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së Burgjeve?

24 July 2025 at 15:57

“Eri jam. Më merr çikë në Whatsapp tek ky numri”. Thirrja telefonike e bërë në numrin e bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, pasditen e 11 marsit, që ishte ndërkohë nën përgjim, ka ngjallur kureshtjen e hetuesve të SPAK.

Gati dhjetë minuta me herët, e njëjta kërkesë ishte bërë në numrin telefonik të vëllait të kryebashkiakut Veliaj.

Hetimi i mëtejshëm zbuloi se telefonuesi ishte kryebashkiaku Veliaj dhe se telefoni i përkiste efektivit të Policisë së Burgjeve, që ishte në autoburg bashkë me të, gjatë shoqërimit nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatë dhe anasjelltas. Përdorimi i telefonit të gardianit për 12 thirrje hyrëse e dalës i shtoi akuzën e “futjes së sendeve të ndaluara në burg” Veliajt, e po ashtu vuri nën përgjegjësi penale për të njëjtën akuzë edhe efektivin Fatjon Baci, raporton A2 CNN.

Në deklarimet e tij në SPAK, efektivi ka zbardhur edhe përmbajtjen e bisedave mes Veliajt e vëllait dhe bashkëshortes.

“Erioni më tha, a mund t’i bëja një nder, se donte të merrte vëllain e tij në telefon, pasi ndihej keq. Unë në atë moment kam qenë i prerë dhe ja dhashë telefonin”, ka treguar Baci. Sipas tij, bisedën e parë kryebashkiaku e kishte bërë me vëllain e mandej me të shoqen.

E njëjta kërkesë i ishte bërë nga kryebashkiaku edhe të nesërmen dhe ua kishte dhënë telefonin, nisur nga frika që kishte për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte. Në bisedat me familjarët, sipas tij, Veliaj kishte shprehur pakënaqësi për shtyrjen e vendimit. “Kur më ktheu telefonin, ka treguar gardiani, nuk më tha asgjë. As faleminderit”, ka deklaruar gardiani, shkruan A2 CNN.

Ndërsa për ditën e tretë, pas konfirmimit të “arrestit në burg”, në bisedën e radhës, sipas gardianin, Veliaj i ka thënë të vëllait “S’kam ça të them, e kanë personale me mua”.

Në bisedat vijuese, gardiani ka dëgjuar Veliajn t’i thotë familjarëve si plan për shpëtimin nga burgu kandidimin e tij për deputet, siç kishin bërë edhe kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peçi apo një me mbiemër Malaj për t’i shpëtuar SPAK-ut.

“Po ashtu, është shprehur gardiani, gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut”.

Të mërkurën Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij u morën të pandehur nga SPAK për 4 vepra penale secili, ndërsa për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur gati 30 vetë në total, persona fizikë dhe juridikë.

The post Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së Burgjeve? appeared first on Telegrafi.

“Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

23 July 2025 at 23:39

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka rrëfyer vështirësitë që akti barbar i kryer nga forcat serbe, i shkaktoi brenda familjes.

Ajo ka bërë të ditur se dy vjet pas dhunimit është martuar. Në fillim, sipas saj, partneri e kishte mirëkuptuar për atë që i kishte ndodhur, por ky qëndrim i tij nuk zgjati shumë.

Problemet, ajo thotë se filluan një vit pas martesës, të cilat kishin çuar deri në ndarje.

“Ai nuk është në Kosovë. Një herë më ka thirrë, se ai ka një femër tjetër, e ka marrë, e ka pasur sa ka qenë në Kosovë, por tash a është me të a jo se di. Një herë më ka thirrë, në momentin që kthehem, më ka thënë ti r*** veç lëshoje Kosovën, kështu me ka thënë”, ka vazhduar ajo rrëfimin.

Pas këtyre telasheve, e mbijetuara e dhunës kishte adresë të parë familjen e saj. Por nga frika prej stigmës, edhe atje u përball me një kërkesë, të cilën e kishte respektuar.

“Iu tregova prindërve pastaj, por thoshin hajt hesht mos ta dinë vëllezërit, mos ta dinë këta tjerët, hesht, hesht, sikur prind, por kot kishte qenë kjo”, përshkruan ajo situatën e vështirë në të cilën ka kaluar.

Fëmijët e saj nuk janë në dijeni për tmerrin nëpër të cilin ka kaluar nëna e tyre, por ajo ka frikë që nëse ata e kuptojnë, mund të sillen sikurse babai i tyre.

The post “Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale appeared first on Telegrafi.

Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë

23 July 2025 at 23:18

Uran Ismaili ka mbajtur tubimin e tij të parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku para një numri të madh qytetarësh ka shpalosur vizionin dhe arsyet që e kanë shtyrë të rikandidojë për kryetar të kryeqytetit.

Gjatë fjalimit të tij, Ismaili u kthye te zgjedhjet e kaluara, duke kujtuar porositë që ka marrë nga qytetarët pas humbjes së asaj gare: “Pas fushatës, kudo që më keni pa – edhe ata që më kanë votu, edhe ata që atëherë kanë hezitu, ma keni dhanë një porosi rrugës: ‘Mos u dorëzo’,” tha ai.

Ai theksoi se vendimi për të hyrë sërish në garë nuk ka qenë i lehtë, por është udhëhequr nga besimi i thellë se Prishtina ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit politikë – një politikë që vendos qytetarin në qendër.

“Prishtinë, unë nuk jam dorëzu. Ti je një për mu. E unë kam me qenë gjithmonë me ty,” u shpreh Ismaili me tone emocionale.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, ai tha se kryeqyteti është udhëhequr nga një grup i vogël njerëzish, të izoluar në zyra dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve: “Qytetari i Prishtinës nuk ka qenë në qendër as të investimeve, as të shërbimeve, as të vendimeve.”

Ai premtoi një qeverisje të hapur, të përkushtuar dhe në kontakt të përhershëm me qytetarët: “Askush s’ka me hy mes meje dhe qytetarëve. Do t’i shërbej Prishtinës 24/7.”

Ismaili tha se shpresat që ndjen nga qytetarët e tij i japin motiv dhe përgjegjësi të shtuar për të nxjerrë Prishtinën nga, siç e quajti ai, “kaosi që ka kapluar çdo lagje dhe çdo rrugë”.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë rrugëtim të ri: “Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë.”

The post Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

❌
❌