Ish-trajneri i Interit shndërrohet në hero – ai shpëtoi dy vajza nga mbytja
Ish-trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, është vlerësuar gjerësisht për një veprim të guximshëm gjatë pushimeve me familjen në një plazh në Puglia, Itali, ku ndihmoi në shpëtimin e dy vajzave adoleshente nga mbytja.
Dy vajzat, të moshës 17 dhe 19 vjeç, kishin hyrë në ujë të thellë dhe po përballeshin me valë të forta. Pas reagimit të një roje plazhi që po kërkonte ndihmë me fishkëllima, Stramaccioni reagoi menjëherë, duke vrapuar drejt detit dhe u hodh në ujë për të ndihmuar.
E kuptoi se roja nuk mund t’i shpëtonte të dyja vajzat i vetëm, ndaj vendosi të ndërhyjë.
“Roja hyri në ujë pa pajisje, pa jelekë shpëtimi, pa litarë, si unë. Më kërkoi të shkoja tek vajza më e madhe, ndërsa ai do të merrej me tjetrën”.
Stramaccioni arriti te vajza 19-vjeçare, e cila ndodhej në panik. Ai e qetësoi dhe e ndihmoi të qëndronte mbi ujë deri sa arritën në një zonë më të sigurt pranë bregut.
Por situata e vajzës tjetër ishte shumë më kritike. Ajo ishte në gjendje shoku dhe vazhdimisht fundosej në ujë.
“Ajo zhdukej e kthehej përsëri mbi ujë, kishte pirë shumë ujë dhe më tërhiqte drejt thellësisë. Fillova të trembesha edhe për veten”.
Teksa roja dhe anija e shpëtimit përpiqeshin të ndihmonin nga shkëmbinjtë, Stramaccioni mbeti në ujë me vajzën, duke bërë çmos për ta mbajtur të gjallë deri në momentin që ndihma mund të afrohej.
Megjithëse reagimi i tij u cilësua si heroik nga shumëkush, Stramaccioni vetë nuk dëshiron të konsiderohet hero.
“Nuk jam hero. Thjesht ndjeva detyrimin të ndërhyja. Kisha aftësitë fizike dhe mendore për ta përballuar situatën”, përfundoi ai./Telegrafi/
The post Ish-trajneri i Interit shndërrohet në hero – ai shpëtoi dy vajza nga mbytja appeared first on Telegrafi.