Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 August 2025Main stream

MM: 7 vatra zjarri ende aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Gjatë orëve të fundit, në vend janë evidentuar gjithsej 13 vatra zjarri, prej të cilave 6 janë shuar plotësisht, ndërsa 7 vijojnë të jenë aktive.

Si rezultat i ndërhyrjeve intensive nga toka dhe ajri, është bërë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e gjashtë vatrave, ndërkohë që për pjesën tjetër po vijon puna me intensitet për neutralizimin e tyre.

Në qarkun e Vlorës, situata paraqitet më e rënduar. Në fshatin Navaricë, zjarri është spostuar në drejtim të malit mbi fshat. Në Leshnicë të Poshtme, pas ndërhyrjeve tokësore dhe ajrore, është shmangur rreziku për banesat.

Në ndihmë të forcave në terren kanë ndërhyrë helikopteri i Forcës Ajrore dhe dy avionët Fireboss të ardhur nga Suedia, të cilët kanë realizuar gjithsej 44 hedhje uji nga ajri.

Po në këtë qark, në fshatin Tragjas, një tjetër vatër zjarri është aktive në një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët. Në këtë zonë po operojnë 17 efektivë të MZSH Vlorë dhe 3 punonjës të Shërbimit Pyjor. Deri më tani nuk raportohet rrezik për banesat.

Edhe në qarkun e Fierit, konkretisht në fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, situata vijon të jetë nën vëzhgim.

Megjithë izolimin e pjesës më të madhe të vatrës, zjarri mbetet aktiv në dy pika, në pjesën jugore dhe veriperëndimore, ku për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja nga toka. Aktualisht, në këtë zonë po vijon ndërhyrja nga ajri me avionin kroat të tipit Canadair.

Në qarkun e Lezhës, një vatër tjetër zjarri është aktive në fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë që nuk lejon përdorimin e mjeteve ujëhedhëse. Në terren janë angazhuar 33 forca operacionale të strukturave vendore, të cilat po punojnë për krijimin e brezave ndarës në mënyrë që të pengohet përhapja e mëtejshme e flakëve. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri vlerësohet paraprakisht në 10 hektarë, ndërkohë që aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Dibrës, në vendin e quajtur “Mali i Allushit” në fshatin Plan i Bardhë, bashkia Klos, është riaktivizuar një vatër e shuar disa ditë më parë. Megjithatë, falë reagimit të shpejtë, zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje apo për banesat.

Në qarkun e Elbasanit, në fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh, zjarri është shfaqur në një zonë pyjore me dushqe në një terren të vështirë dhe të largët, në kufi me bashkinë Përrenjas. Pas ndërhyrjeve të vazhdueshme gjatë ditës, vatra është izoluar plotësisht dhe aktualisht mbahet nën monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për të shmangur riaktivizimet e mundshme.

Ndërkohë, edhe në qarkun e Tiranës, konkretisht në malin e Bërzhitës, në njësinë administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, një vatër zjarri është aktive në një sipërfaqe me bimësi të dendur. Në terren janë angazhuar 15 forca të MZSH Tiranë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës në gjithë territorin, ndërkohë që ndërhyrjet ajrore dhe tokësore po kryhen me kapacitet të plotë për të vënë nën kontroll të gjitha vatrat e mbetura aktive.

/a.f/

The post MM: 7 vatra zjarri ende aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimi mbi të ardhurat personale sjell 40.8 miliardë lekë në buxhet në 6-mujorin e parë

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Gjatë periudhës janar-qershor 2025, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë tejkaluar si nivelin e planifikuar, ashtu edhe performancën e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, ky tatim ka sjellë në buxhetin e shtetit 40,8 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 8,6 miliardë lekësh ose 26,6% më shumë se gjashtëmujori i parë i vitit 2024.

Kjo shumë është gjithashtu 5,4 miliardë lekë më e lartë sesa ishte parashikuar në planin fillestar të të ardhurave për këtë periudhë, duke reflektuar një realizim prej 15,4% mbi objektivin.

Kjo performancë pozitive është rezultat i një sërë faktorësh të ndërlidhur. Së pari, ndikim të drejtpërdrejtë ka pasur rritja e punësimit formal dhe përmirësimi i deklarimit të pagave në sektorin privat, ku ndërmarrjet janë nxitur nga kontrolli më i shtuar tatimor dhe nga përdorimi i teknologjive të reja për raportim dhe deklarim.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, sipas të dhënave të raportuara nga Administrata Tatimore, rezultojnë 10 523 punonjës të rinj më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Njëkohësisht, rritja e pagave në sektorin publik dhe në disa sektorë strategjikë të ekonomisë, si teknologjia, ndërtimi dhe shërbimet financiare, ka çuar në një rritje të bazës së tatueshme.

Një tjetër faktor që ka ndikuar është përmirësimi i administrimit tatimor, ku përmes sistemeve të digjitalizuara, si e-filing dhe fiskalizimi në kohë reale, është rritur ndjeshëm transparenca dhe efikasiteti i mbledhjes së të ardhurave.

Përveç pagave, një kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave ka dhënë edhe tatimi mbi burimet e tjera personale të të ardhurave, përfshirë qiratë, dividentët, të ardhurat nga vetëpunësimi dhe fitimet kapitale.

Rritja e aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e interesit për investime individuale mund të ketë çuar në një zgjerim të kësaj baze tatimore.

/a.f/

 

The post Tatimi mbi të ardhurat personale sjell 40.8 miliardë lekë në buxhet në 6-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avionë nga Suedia dhe Kroacia ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në Mallakastër dhe Finiq

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Si pasojë e aktivizimit të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, në Shqipëri kanë mbërritur për të ndihmuar në përballimin e situatës së zjarreve dy avionë “Air Tractor Fire Boss” të Forcës Ajrore suedeze dhe një avion “Canadair” i Forcës Ajrore kroate.

Mjetet ajrore operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës dhe janë vënë në dispozicion për të mbështetur nga ajri operacionet e shuarjes së zjarreve në Mallakastër dhe Finiq.

Ekuipazhet ndërkombëtare asistojnë në terren strukturat vendore zjarrfikëse, emergjencat civile dhe trupat e Forcave të Armatosura, të cilat, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), vazhdojnë monitorimin dhe kontrollin e disa vatrave aktive zjarri.

Autoritetet shqiptare kanë vlerësuar ndihmën ndërkombëtare si të rëndësishme në përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e flakëve në disa zona të vendit. /a.f/

 

The post Avionë nga Suedia dhe Kroacia ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në Mallakastër dhe Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA ndryshon procedurat për vizat jo-emigruese

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në procedurat për aplikimet për viza jo-emigruese.

Duke filluar nga data 2 shtator 2025, të gjithë aplikantët për viza jo-emigruese në shumicën e kategorive, përfshirë edhe ata që po bëjnë rinovimin e vizës, do të jenë të detyruar të paraqiten për një intervistë me një zyrtar konsullor.

/a.f/

The post SHBA ndryshon procedurat për vizat jo-emigruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Conference League, Egnatia barazon 0-0 me Olimpijan në transfertë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Egnatia barazoi me rezultatin e bardhë 0-0 sfidën e parë ndaj Olimpijas, e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Stocize”, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.

Trajneri Edlir Tetova e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Dajsinani (GK), Zliyev, Xhemajli, Sota, Fangaj, Medeiros, Aleksi, Lushkja, Gruda, Bakayoko, Selmani.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar për të dyja skuadrat, që tentuan disa herë portat përkatëse, por nuk finalizuan dot. Edhe në pjesën e dytë, portat qëndruan të paprekura si nga rrogozhinasit, ashtu edhe nga Olimpija. Sllovenët humbën edhe një penallti në minutën e 68-të, me Tam qe gaboi dhe e çoi topin jashtë.

Egnatia e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Fangaj.

Takimi Olimpija-Egnatia u mbyll me rezultatin 0-0. Ndeshja e dytë mes dy ekipeve do të luhet më 14 gusht në “Arena Egnatia”.

/r.e/

The post UEFA Conference League, Egnatia barazon 0-0 me Olimpijan në transfertë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mbi 1 milion mjete rrugore në qarkullim në Shqipëri në tremujorin e dytë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në tremujorin e dytë të këtij viti, numri i mjeteve rrugore në qarkullim arriti në 1.002.582.

Autoveturat përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj shifre me 80,8%, ndërsa mjetet për transport të përzier dhe motorët zënë nga 5,9% secili.

Qarku i Tiranës mban peshën më të madhe me 34,8% të mjeteve në qarkullim, i ndjekur nga Durrësi me 13,6%.

Ndërkohë, qarku i Gjirokastrës dhe ai i Kukësit regjistrojnë përqindjen më të ulët të mjeteve në qarkullim, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 26.976 mjete, nga të cilat 80,9% ishin autovetura.

Edhe për regjistrimet e reja, Tirana zë vendin e parë me 44,2% të totalit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve rrugore është rritur me 9,6%, ndërsa regjistrimet e reja kanë pësuar një rënie prej 7,3%.

Sa i përket markave më të preferuara për regjistrimet e para, “Volkswagen” mban vendin e parë me 20,1%, e ndjekur nga “Mercedes Benz” me 15,8%.

/r.e/

The post Mbi 1 milion mjete rrugore në qarkullim në Shqipëri në tremujorin e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta për lirimin e ish-krerëve të UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk ngre zërin me një rezolutë, pa dallime partish?

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestën e zhvilluar në Prishtinë, ku mijëra qytetarë të thirrur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta, protestuan kundër padrejtësive që, sipas tyre, po ushtrohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama ndau në rrjetet sociale foto nga protesta dhe u ndal me ton kritik ndaj heshtjes së institucioneve të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje mungesën e një qëndrimi institucional të Kuvendit të Kosovës përmes një rezolute për të drejtat e të akuzuarve.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”, u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se, nëse një rezolutë e tillë do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës, atëherë edhe Shqipëria do të angazhohej menjëherë në mbështetje të saj.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, shtoi Kryeministri Rama.

Protesta e zhvilluar në Prishtinë u organizua nga organizata të dala nga lufta, ndërsa mesazhet kryesore të saj kërkonin drejtësi për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, duke e cilësuar këtë gjykatë si të njëanshme dhe selektive.

/r.e/

The post Protesta për lirimin e ish-krerëve të UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk ngre zërin me një rezolutë, pa dallime partish? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në pyllin me pisha mes Patosit e Mallakastrës, Balluku: Zjarrvënia e qëllimshme dënohet nga Kodi Penal


TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Zjarri që ka përfshirë prej ditës së djeshme një pyll me pisha që shtrihet mes Patosit e Mallakastrës, po mbahet nën kontroll nga Emergjencat Civile në bashkëpunim me forcat e tjera nga dy bashkitë e përfshira.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se tashmë dhe një helikopter i ka ardhur në ndihmë trupave të ndodhura atje që nga dita e djeshme.

“Të gjithë po bëjnë maksimumin që këto sipërfaqe të mëdha të këtij pylli, që shtrihet mes Lofkëndit e Drenies, të mos dëmtohen më tej. Zjarrvënia e qëllimshme dënohet nga Kodi Penal”, theksoi Balluku.

/r.e/

The post Zjarr në pyllin me pisha mes Patosit e Mallakastrës, Balluku: Zjarrvënia e qëllimshme dënohet nga Kodi Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Heqja e pikëve të patentës, vetëm 13,4% e të riregjistruarve e rifituan

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Vetëm 314 persona, nga gjithsej 2329 riregjistrime në autoshkolla për shkak të heqjes së pikëve të lejes së drejtimit, kanë arritur të rifitojnë patentën në periudhën qershor 2022 – qershor 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), vetëm 13,4% e personave që janë riregjistruar në autoshkollë pas humbjes së pikëve të patentës kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit.

“Ata që kanë kaluar me sukses testet, janë kthyer në rrugë si drejtues mjeti, këtë herë më të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”, thekson DPSHTRR.

Në seancën më të fundit të testimeve, nga 42 riregjistrime, u paraqitën 25 kandidatë, por vetëm 10 prej tyre rezultuan fitues në testet teorike dhe praktike.

DPSHTRR nënvizon se shkelësit e rëndë dhe përsëritës të rregullave të qarkullimit, të cilët rrezikojnë sigurinë në rrugë, duhet të riregjistrohen nga e para në autoshkollë dhe t’i nënshtrohen procesit të plotë të testimit, sipas akteve të reja ligjore në fuqi.

/r.e/

The post Heqja e pikëve të patentës, vetëm 13,4% e të riregjistruarve e rifituan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Mbi 10 mijë të punësuar të rinj në 6-mujorin e parë

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, numri i të punësuarve të rinj ka shënuar një ecuri pozitive, duke reflektuar përmirësimin e tregut të punës dhe zhvillimet e qëndrueshme ekonomike.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot se, sipas të dhënave të raportuara nga Administrata Tatimore, rezultojnë 10 523 punonjës të rinj më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Rritja e punësimit është rezultat i politikave të qëndrueshme fiskale dhe mbështetjes së bizneseve për të krijuar vende të reja pune”, u shpreh ministri Malaj.

/r.e/

The post Malaj: Mbi 10 mijë të punësuar të rinj në 6-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, prezantohet Skema Kombëtare e Investimeve për fermerët

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Në një takim me fermerë të qarkut Shkodër, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, së bashku me ekipin teknik të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, prezantuan sot mundësitë konkrete të financimit që ofron Skema Kombëtare e Investimeve 2025.

Skema përfshin 9 masa mbështetëse posaçërisht për sektorin bujqësor, të cilat synojnë të nxisin investimet në bujqësi, blegtori dhe përpunim agroushqimor.

Në qendër të bashkëbisedimit ishte orientimi praktik i fermerëve mbi mënyrën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm si dhe përfitimet që ofron kjo skemë, me qëllim që çdo investim të shoqërohet me mbështetje të garantuar.

Fermerët përfitojnë grant deri në 50% të vlerës së investimit, ndërsa pjesa tjetër mund të financohet përmes Kredisë së Butë, me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke e bërë kështu të mundur mbulimin e plotë të kostos së projektit të tyre.

Aplikimet për përfitim nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025 janë të hapura deri më datë 30 shtator 2025.

/r.e/

The post Shkodër, prezantohet Skema Kombëtare e Investimeve për fermerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike në Lushnjë, Malaj: Në fokus, sundimi i ligjit


TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me kryetaren e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ndoqën nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre te qytetarët.

Ky aksion po vijon edhe në thellësi të lagjeve të qytetit, me qëllim që t’i japë fund kaosit dhe zaptimit të paligjshëm të këtyre hapësirave.

Ministri Malaj theksoi se themeli i këtij aksioni është sundimi i ligjit dhe krijimi i hapësirave të lira për qytetarët.

“Askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike për interesa personale, as të pengojë lëvizjen dhe funksionimin normal të jetës urbane në Lushnjë”, tha Malaj.

Ai bëri thirrje që sipërmarrësit dhe individët që në mënyrë të padrejtë kanë zaptuar hapësira publike t’i lirojnë ato vullnetarisht, në mënyrë që të evitohen penalitetet.

“Është e rëndësishme të ndërtohet një klimë ku të sundojë fryma e ligjit dhe ku respektohen hapësirat e përbashkëta”, theksoi ai.

Kryetarja e bashkisë, Sefa informoi se tashmë është hartuar një plan masash, është bërë evidentimi i të gjitha ndërtimeve në të gjithë territorin.

“Janë dërguar njoftime sipas procedurave ligjore, duke i ftuar qytetarët që të heqin vetë montimet pa leje, ndërsa ato me leje janë shfuqizuar me vendime zyrtare. Disa qytetarë kanë menduar se kjo do të ishte vetëm një periudhë kalimtare, por tashmë është marrë një aksion i plotë në të gjithë territorin, ku nuk do të lejohet asnjë tentativë për zaptim”, theksoi Sefa.

Sipas saj, hapësirat publike do t’i kthehen qytetarëve.

“Përveç zonës qendrore, edhe hapësirat brenda territorit të qytetit do të rikthehen si zona çlodhëse me të gjithë elementët urban”, deklaroi Sefa.

/a.f/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike në Lushnjë, Malaj: Në fokus, sundimi i ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet strategjinë afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në vendin tonë (AmCham), nëpërmjet Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes ka ndjekur me interes zhvillimet në sektorin e turizmit dhe hartimin e strategjisë afatgjatë, si një dokument strategjik i domosdoshëm për zhvillimin e sektorit.

Përmes një deklarate për mediet, ‘AmCham’ shprehet se ka qenë një kërkesë e hershme e saj zhvillimi dhe zbatimi i një vizioni strategjik, që i jep përparësi qëndrueshmërisë afatgjatë duke ndërmarrë masat e nevojshme me zhvillimin e një kuadri të ri rregullator dhe përcaktimin e qartë të metodave të menaxhimit të destinacioneve.

“AmCham këmbëngul në mendimin e vet se vetëm përmes kësaj qasje që kërkon ndryshime themelore, mund të zhvillojmë një sektor të qëndrueshëm që respekton trashëgiminë natyrore e kulturore, duke promovuar praktika që mbështesin mjedisin dhe komunitetet. Kjo do të mundësojë që Shqipëria të bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik në Evropë ku çmimet dhe cilësia ofrojnë pushime për të gjithë”, thuhet në deklaratë.

Sipas AmCham, vizioni për turizmin 2030, i hartuar edhe me pjesëmarrjen e grupeve të interesit të industrisë, përbën themelin mbi bazën e të cilit do të ndërtohen dhe harmonizohen të gjitha nismat strategjike.

“Dhoma Amerikane do të ndjekë me mjaft interes zbatimin e kësaj strategjie në vijim edhe të rekomandimeve të hartuara nga Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes që prekin fushat e akomodimit, udhëtimit dhe transportit, agroturizmit, si dhe konsulencën dhe trajnimet”, thuhet më tej.

/a.f/

The post Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet strategjinë afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Riparohet rruga Kukës-Bushtricë, Halilaj: Lehtësohet lëvizja për banorët


TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Aksi rrugor Kukës–Bushtricë, pjesë e rrugës nacionale Kukës–Peshkopi, është transformuar ndjeshëm pas ndërhyrjeve infrastrukturore të kryera në këtë segment me gjatësi 34 kilometra.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, bëri të ditur se ky segment rrugor ka qenë për një kohë të gjatë një shqetësim serioz për banorët e zonës, të cilët përballeshin me vështirësi të theksuara në qarkullim dhe mungesë të kushteve të përshtatshme për lëvizje.

Ndërhyrja në këtë aks ka përfshirë asfaltimin e rrugës, mbushjen e gropave dhe riparimin e zonave me rrëshqitje anësore, duke përmirësuar ndjeshëm gjendjen teknike të infrastrukturës rrugore.

Sipas autoriteteve vendore, përmirësimi i kësaj rruge ka ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin e lëvizjes për banorët.

Rruga e riparuar krijon një lidhje më funksionale me zonat përreth, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm social dhe ekonomik të fshatit dhe gjithë njësive përreth.

/a.f/

The post Riparohet rruga Kukës-Bushtricë, Halilaj: Lehtësohet lëvizja për banorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turqia e gatshme të investojë në bujqësi, marrëveshje mes DHTIT dhe Dhomës së Antalias

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Dhoma Ekonomike e Antalias nënshkruan sot në Tiranë, një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e tregtisë dypalëshe, me fokus të veçantë në sektorët e bujqësisë dhe industrisë ushqimore.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është lehtësimi i shkëmbimit të njohurive dhe përvojës mes dy palëve, si dhe forcimi i ndërveprimit institucional ndërmjet dy dhomave.

Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Dhomës Ekonomike të Antalias, Ali Çandir, ambasadori i Turqisë në Shqipëria, Tayyar Kagan Atay, si edhe një delegacion biznesi me rreth 50 sipërmarrës nga Turqia dhe përfaqësues shtetëror.

“Forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, promovimi i zhvillimit në aktivitetet e përbashkëta, misionet tregtare, forumet, konferencat, janë misioni i punës tonë të përbashkët me sipërmarrjen turke. Shkëmbimet tregtare midis vendeve tona janë të qëndrueshme, ndërkohë që ekzistojnë mundësi mjaft të mëdha për zgjerimin e tyre”, u shpreh, këshilltari ekonomik i DHTIT, Bashkim Sykja.

Çandir theksoi se Turqia është e gatshme të investojë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, ndërsa ftoi sipërmarrësit shqiptarë të shqyrtojnë mundësitë për eksport drejt Turqisë, pasi ky vend ofron një treg shumë premtues.

“Bashkëpunimi ekonomik me Antalian nuk është në nivelin e duhur, prandaj kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për ne, investitorët tanë janë shumë të interesuar dhe janë të gatshëm që të nisin nga puna dhe është shumë e mundur që të importojmë produktet e qumështit e mishit, në bujqësi, ne jemi të gatshëm që të investojmë në gjithçka që të bëjë më bujqësinë. Nga ana tjetër, prodhimtaria e Shqipërisë mund të eksportohet në Turqi sepse atje ka treg të mirë”, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë së Antalias, Ali Çandir.

Takimi u përmbyll me sesione B2B ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre turke të pranishme në aktivitet.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë thotë se mbetet e përkushtuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar që sjellin vlera konkrete për ekonominë shqiptare dhe rritje të qëndrueshme për sipërmarrjen vendase.

/a.f/

The post Turqia e gatshme të investojë në bujqësi, marrëveshje mes DHTIT dhe Dhomës së Antalias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e aktivitetit të biznesit, Malaj: 90,5 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Aktiviteti ekonomik në Shqipëri ka shënuar ecuri pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, duke reflektuar një dinamizëm të shtuar në sektorin e biznesit dhe një përmirësim të përgjithshëm të klimës ekonomike.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga autoritetet tatimore konfirmojnë një rritje të ndjeshme të xhiros së përgjithshme të bizneseve në periudhën janar-qershor të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se, xhiroja totale e raportuar nga subjektet ekonomike është rritur me rreth 90,5 miliardë lekë më shumë, çka përfaqëson një rritje domethënëse dhe një sinjal pozitiv për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të konsumit, rritjes së investimeve private dhe forcimit të sektorëve të caktuar ekonomikë, përfshirë tregtinë, ndërtimin, industrinë dhe shërbimet.

Të ardhurat totale, për periudhën janar-qershor, arritën në rreth 366 miliardë lekë, një realizim në masën 100,6 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 22,8 miliardë lekë më shumë ose 6,7 % më shumë.

Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 6 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 48,3% të planit vjetor.

/a.f/

The post Rritje e aktivitetit të biznesit, Malaj: 90,5 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullore e re për ndërtimet, masa të shtuara sigurie dhe monitorim në kantierë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Në Fletoren Zyrtare është publikuar rregullorja e re që përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e kantiereve të ndërtimit, pajisjen e tyre me mjete te monitorimit elektronik si dhe përcakton detyrimet e zhvilluesit, zbatuesit të punimeve, drejtuesit teknik dhe mbikëqyrësit, në kuadër të zbatimit të punimeve në përputhje me lejet e ndërtimit, si pas projektit të miratuar nga autoriteti përgjegjës për zhvillimin e territorit.

Sipas kësaj rregulloreje, një kantier konsiderohet i ngritur vetëm në momentin që është vendosur rrethimi përreth tij, janë instaluar sinjalistika përkatëse, kamerat e sigurisë dhe tabelat informuese për objektin dhe subjektin ndërtues.

Ndërtuesit janë të detyruar të vendosin të paktën katër kamera sigurie, nga një në secilin kënd të kantierit, si dhe një foto të projektit në pjesën ballore të tij.

Po ashtu, duhet të vendosen tabela që përmbajnë të dhëna të plota për objektin që do të ndërtohet, përfshirë lejen e ndërtimit, sipërfaqen, intensitetin, afatin e punimeve dhe një numër telefoni kontakti për komunikim të drejtpërdrejtë.

Rregullorja e re parashikon që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit të kenë akses të drejtpërdrejtë në kamerat e sigurisë të vendosura në kantier, në mënyrë që të mund të kontrollojnë nëse punimet po kryhen në përputhje me lejen e dhënë.

Gjithashtu, të gjitha mjetet që përdoren në kantier duhet të jenë të pajisura me pajisje GPS funksionale, në të cilat këto institucione do të kenë po ashtu akses të plotë për të ndjekur lëvizjen dhe përdorimin e tyre.

Zbatuesi i punimeve ka përgjegjësi të plotë për të siguruar që në kantier të jenë të pranishëm punëmarrës të pajisur me mjete mbrojtëse personale.

Duhet të sigurohet mbrojtje e detyrueshme përmes vendosjes së skelave të sigurta dhe daljeve të jashtme, si dhe mbrojtje ndaj goditjeve të mundshme nga rrymat elektrike për të gjitha pajisjet dhe mekanizmat që përdoren në ndërtim.

Përveç kësaj, kërkohet mirëmbajtje dhe kontroll i rregullt i makinerive gjatë gjithë kohës së zbatimit të projektit.

Në rastet kur këto masa mbrojtëse nuk garantojnë sigurinë e punëtorëve, drejtuesi teknik i kantierit është i detyruar të pezullojë punën deri në përmbushjen e kushteve të përcaktuara.

Çdo defekt i konstatuar në procesin e ndërtimit duhet të raportohet menjëherë nga mbikëqyrësi i punimeve te zbatuesi, së bashku me një afat të përcaktuar për korrigjimin e tij.

/a.f/

The post Rregullore e re për ndërtimet, masa të shtuara sigurie dhe monitorim në kantierë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKB: Subjektet e licencuara për formim profesional afat deri më 30 gusht për të përshtatur kriteret

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) njofton të gjitha subjektet me licenca aktive në fushën e formimit profesional (Kodi X.2.B) se, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 853, datë 17.07.2024, janë të detyruara të përshtatin kriteret e licencimit brenda datës 30 gusht 2025.

Sipas QKB-së, subjektet duhet të aplikojnë për ndryshimet përkatëse në mënyrë që të mbajnë të vlefshme licencën.

Në rast të mosaplikimit brenda afatit të përcaktuar, licenca do të revokohet automatikisht, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

“Të gjitha subjektet, që disponojnë licencë për formim profesional, kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, brenda datës 30 gusht 2025, në të kundërt ajo do të revokohet”, thuhet në vendimin e qeverisë së dhjetorit 2024.

/a.f/

The post QKB: Subjektet e licencuara për formim profesional afat deri më 30 gusht për të përshtatur kriteret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fier – Balluku me administratorët e rinj: Prioritet lirimi i hapësirave publike dhe shërbimi ndaj qytetarit


TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim me administratorët e rinj të njësive administrative në Fier, ku u diskutua për sfidat dhe prioritetet në shërbim të qytetarëve.

I pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi rëndësinë e reformimit të administratës lokale, duke nisur nga ata që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët, administratorët e njësive.

“Fieri ka 13 njësi administrative dhe kreu i bashkisë ka zhvilluar një proces gjithëpërfshirës, duke i dhënë mundësi prurjeve të reja, por edhe duke mbështetur ata që kanë kryer me përkushtim detyrën, përmes rikonfirmimit të tyre”, u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se një nga prioritetet kryesore është lirimi i hapësirave publike, një problem që në Fier, theksoi Balluku, paraqitet më i menaxhueshëm krahasuar me qytete të tjera si Vlora apo Tirana.

“Kemi marrë ankesa nga qytetarët që lidhen me zaptimin e shesheve apo ndërtime që pengojnë aksesin e mjeteve të zjarrfikësve dhe emergjencave. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet kryesore për çdo administrator. Edhe vet qytetarët po mbështesin gjithë këtë reformë të madhe për lirimin e hapësirave publike”, theksoi ajo.

Balluku theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e administratës lokale, në mënyrë që t’u përgjigjet më mirë kërkesave të kohës dhe qytetarëve, veçanërisht atyre më të pambrojturve.

“Ka pasur abuzime me të moshuarit, të cilët për shkak të pamundësisë për të kryer vetë aplikimet, janë detyruar t’i drejtohen noterëve apo avokatëve, duke paguar për një shërbim që duhet ta merrnin falas në njësitë administrative. Kjo është e papranueshme”, vuri në dukje Balluku.

Balluku nënvizoi se mbështetja e fortë që qeveria shqiptare ka marrë në qarkun e Fierit, e bën këtë përgjegjësi edhe më të madhe.

“Qytetarët kanë treguar besim, dhe ne kemi detyrimin që t’u përgjigjemi me punë dhe përkushtim në çdo njësi e çdo zyrë”, shtoi Balluku.

/a.f/

The post Fier – Balluku me administratorët e rinj: Prioritet lirimi i hapësirave publike dhe shërbimi ndaj qytetarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Administrata Tatimore: 15,77 miliardë lekë të mbledhura nga kontributet në korrik

Tiranë, 5 gusht /ATSH/ Administrata Tatimore ka vijuar me intensitet aksionin për mbledhjen e kontributeve shoqërore, në funksion të garantimit të pensioneve dinjitoze për qytetarët shqiptarë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit korrik 2025 janë mbledhur 15,77 miliardë lekë nga kontributet, duke shënuar një rritje prej 1,82 miliardë lekësh ose 13,09% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Po ashtu, rezultati i arritur ka tejkaluar edhe pritshmëritë e planifikuara për këtë periudhë, me 1,34 miliardë lekë më shumë ose një rritje prej 9,32% ndaj planit të miratuar.

“Administrata Tatimore vlerëson angazhimin e sipërmarrësve që reaguan pozitivisht ndaj pagues indikative, si një masë që synon formalizimin dhe përmirësimin e skemës së sigurimeve shoqërore në vend. Kjo reflektim pozitiv është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të pensioneve të qëndrueshme dhe dinjitoze për të gjithë kontribuuesit”, bën të ditur DPT.

Autoritetet tatimore bëjnë me dije se aksioni për monitorimin e zbatimit të pagës indikative dhe mbledhjen e kontributeve do të vijojë në mënyrë të pandërprerë në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

/a.f/

The post Administrata Tatimore: 15,77 miliardë lekë të mbledhura nga kontributet në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌