Ishulli më i madh i gjarpërinjve në Evropë: Një vend misterioz pranë nesh dhe si mund të arrihet atje
Nëse jeni në kërkim të një arratisjeje nga turmat, turistët dhe destinacionet e zakonshme të verës – dhe nëse nuk keni frikë nga gjarpërinjtë, ky vend mund t’ju ofrojë një përvojë krejtësisht ndryshe
Në mes të liqenit të Prespës, jo larg Ohrit dhe kufirit me Greqinë e Shqipërinë, ndodhet Golem Grad – një ishull aq i çuditshëm sa duket sikur nuk është nga kjo botë.
I njohur edhe si Ishulli i Gjarpërinjve, Golem Grad është një mrekulli natyrore e vogël dhe një enigmë historike. Me një sipërfaqe prej vetëm 20 hektarësh, ai ka qenë i pabanuar për shekuj me radhë dhe i mbyllur për publikun deri në vitin 2008. Sot, ishulli është shpallur rezervat i mbrojtur natyror, një nga oazat më të rralla të florës dhe faunës së egër, jo vetëm në Ballkan, por edhe në të gjithë Evropën.
Golem Grad nuk është thjesht një destinacion i pazakontë, ai është një miniaturë e natyrës ballkanike, e mbushur me specie të rralla, trashëgimi të lashtë dhe peizazhe mbresëlënëse. Në këtë ishull të vogël, por me rëndësi të madhe kulturore e ekologjike, përjetohet në mënyrë autentike bota e egër dhe bukuria e paprekur natyrore.
Për studiuesit, Golem Grad është një laborator i hapur natyror, ku mund të vëzhgohet evolucioni i ekosistemeve të izoluara – një shembull i rrallë i një natyre që ka ndjekur rrjedhën e saj për shekuj me radhë, larg ndikimit të drejtpërdrejtë të njeriut.
Në ishull jetojnë rreth 7.000 gjarpërinj Natrix tessellata dhe mbi 2.000 Vipera ammodytes. Lloji i parë është i padëmshëm për njerëzit dhe zakonisht qëndron pranë ujit, ndërsa lloji i dytë është një nga gjarpërinjtë helmues më të zakonshëm në Evropë. Megjithatë, rastet e sulmeve janë të rralla, pasi këta gjarpërinj zakonisht shmangin kontaktin me njerëzit. Ky përqendrim kaq e lartë e gjarpërinjve shpjegohet me mungesën e grabitqarëve dhe bollëkun e ushqimit, veçanërisht peshqit dhe breshkat që jetojnë në brigjet e ishullit.
Përveç tyre, aty gjenden edhe shumë breshka uji, zogj të rrallë dhe lloje të veçanta bimësh, prandaj nuk është çudi që Golem Grad tërheq vëmendjen e studiuesve, biologëve, por edhe të aventurierëve kureshtarë. Ishulli është gjithashtu një pikë e rëndësishme ndalese për shpendët migratorë gjatë rrugës së tyre nga Afrika drejt Evropës Veriore dhe anasjelltas. Në vitet e fundit, janë regjistruar mbi 90 lloje zogjsh që kalojnë ose qëndrojnë në këtë ishull gjatë sezonit të shumimit, transmeton Telegrafi.
Egërsia ballkanike në miniaturë
Ishulli ka një gjatësi prej vetëm 750 metrash dhe një gjerësi prej 450 metrash, i rrethuar nga shpella dhe shkëmbinj të lartë deri në 30 metra. Në majë ndodhet një pllajë me dy kodra dhe rrënojat e disa ndërtimeve të lashta, përfshirë një kishë që sot është shpallur monument kulture.
Arkeologët kanë zbuluar dëshmi që tregojnë se ishulli ka qenë i banuar që në kohët antike. Në vitin 2005, një ekip ndërkombëtar zbuloi objekte të periudhës romake dhe bizantine, si varre të gurta, amfora dhe mbetje ndërtimore, që tregojnë se ishulli ka pasur rëndësi strategjike dhe fetare.
Si të arrihet në ishullin misterioz
Në Golem Grad nuk mund të arrini rastësisht shkohet vetëm me varkë nga fshati maqedonas Konjsko, dhe rekomandohet që vizita të bëhet me guidë të licencuar nga Parqet Kombëtare të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse së fundmi ishulli po bëhet më i qasshëm për turistët, turmat ende mungojnë. Dhe kjo është mëse e kuptueshme, jo çdokush është gati të përballet me kaq shumë gjarpërinj në një hapësirë kaq të vogël.
Autoritetet kanë vendosur masa mbrojtëse për të kufizuar vizitat spontane dhe për të ruajtur ekosistemin e brishtë të ishullit. Vizitat rekomandohen në pranverë dhe fillim-verë, kur biodiversiteti është më aktiv dhe moti më i favorshëm.
/Telegrafi/
The post Ishulli më i madh i gjarpërinjve në Evropë: Një vend misterioz pranë nesh dhe si mund të arrihet atje appeared first on Telegrafi.