Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Gjykata Kushtetuese e rrëzon kërkesën e Sekiraqës: Pretendimet për shkelje të të drejtave, të pabazuara

29 July 2025 at 23:17

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të papranueshme kërkesën e të dënuarit Enver Sekiraqa, i cili kishte pretenduar për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me Kushtetutë, në vendimin e Gjykatës Supreme të 1 korrikut 2024, me të cilin ishte konfirmuar vendimi i Gjykatës së Apelit për caktimin e masës së paraburgimit.

Kushtetuesja thekson se Sekiraqa ishte dënuar nga Themelorja me 25 vjet burgim për “Shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë”. Aty thuhet se ditën e njëjtë, Gjykata Themelore nxori edhe aktvendim me të cilin Sekiraqa u lirua të mbrohet në liri, raporton BetimiperDrejtesi.

Ndaj aktvendimit të Themelores, Prokuroria kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit e cila ndryshoi vendimin e Themelores, duke ia caktuar masën e paraburgimit deri në shqiptim të aktgjykimit të formës së prerë.

Kurse, Gjykata Supreme në procedurën ankimore e vërtetoi aktvendimin e Gjykatës së Apelit në tërësi.

Sipas Kushtetueses, Sekiraqa paraqiti kërkesë në Gjykatë duke deklaruar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i shkel të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 29 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

“Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se shkelja e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së ndodhi për shkak se Prokuroria, sipas dispozitës ligjore, nuk kishte të drejtë të ankohej ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin iu ndërpre masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të GJEDNJ-së, thuhet se parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme nuk e ka arsyetuar vendimin e saj siç kërkohet nga nenet e lartpërmendura, si dhe se kishte shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe se ligji ishte zbatuar në mënyrë arbitrare.

Gjykata Kushtetuese pas analizimit të pretendimeve të Sekiraqës duke zbatuar parimet dhe standardet si të praktikës së saj ashtu edhe të praktikës së GJEDNJ-së, arriti në përfundimin se pretendimet për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të GJEDNJ-së janë të pabazuara.

“…duke pasur parasysh faktin se gjykata, kur vendos një dënim me burgim me një vendim jo të formës së prerë, mund t’ia caktojë të pandehurit, gjegjësisht t’ia zgjasë paraburgimin, nëse kjo është e nevojshme për zhvillimin e papenguar të procedurave, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat që lidhen me kryerjen e veprës penale, në kuptimin e dispozitave të nenit 366 të KPP-së, dhe e ka arsyetuar në detaje në lidhje me kushtet e përcaktuara nga neni 184 i KPP-së”, thotë Kushtetuesja.

Gjykata po ashtu thekson se gjithashtu i zbatoi parimet edhe në grupin e pretendimeve në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të GJEDNJ-së, dhe arriti në përfundimin se edhe ato pretendime të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara.

Andaj, Gjykata Kushtetuese konkludoi se: (I) pretendimet e Sekiraqës për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së, cilësohen si pretendime (ii) “me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, (II) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në tërësi, konsiderohen të jenë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”.

“Prandaj, kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet në tërësinë e saj e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 3 maj 2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Të akuzuarit Sekiraqa me aktvendim të veçantë iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, Departamenti Special më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, venrosi që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

Vendimin e Apelit e konfirmoi edhe Supremja.

Ndryshe, lidhur me vendimin e Themelores që Sekiraqa të mbrohet në liri, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore gjyqtarin Agim Kuçi i cili ia kishte ndërprë masën e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqës- e që ende gjendet në arrati, duke i shqiptuar vërejtje publike me shkrim dhe ulje të pagës për 20% për periudhën gjashtëmujore.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

The post Gjykata Kushtetuese e rrëzon kërkesën e Sekiraqës: Pretendimet për shkelje të të drejtave, të pabazuara appeared first on Telegrafi.

“Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, pas Rohdes reagon edhe Guerot

29 July 2025 at 23:15

Pas ambasadës gjermane, edhe ambasada franceze në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si e ka paraqitur aksionin e fundit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit.

Ambasadori francez, Olivier Guerot, ka dalë në mbështetje të plotë të misionit të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se KFOR-i ka një rol të pazëvendësueshëm dhe meriton respektin e të gjithë aktorëve në rajon.

“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë atij gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike,” ka deklaruar Guerot në rrjetin social “X”.

Ai gjithashtu ka përgëzuar mediat që kanë raportuar me saktësi për rolin e KFOR-it në operacionin për kërkimin e trupit të Rrahim Latifit, i cili u zhduk në Liqenin e Gazivodës dhe më pas u gjet nga njësitë e FSK-së.

Ndërkohë, qasja e partisë në pushtet ka nxitur reagime.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes disa postimeve të zyrtarëve të saj, tentoi ta paraqesë operacionin si një arritje të FSK-së, duke theksuar se ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në veri të vendit.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, publikoi fotografi nga operacioni në faqen e tij zyrtare në Facebook, por pa përfshirë imazhet që tregonin se FSK-ja ishte e shoqëruar nga automjetet e KFOR-it.

France fully supports KFOR and its Commander. Since its creation, KFOR has played, and continues to play, an irreplaceable role in ensuring security for all. It deserves the respect and gratitude of all actors in the region. France will continue to provide it with all the…

— Ambassadeur Olivier Guerot (@Olivier_Guerot) July 29, 2025

The post “Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, pas Rohdes reagon edhe Guerot appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 29 July 2025Main stream

Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale

29 July 2025 at 21:48

Komuna e Kryeqytetit ka bërë të ditur se rreth orës 18:30, një kamion i peshave të rënda dhe me lartësi mbi kufirin e lejuar, ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtegun e biçikletave dhe automjeteve në tunelin te Kurrizi.

Tuneli ka kufizim të qarkullimit për mjete me lartësi deri në 3.2 metra, ndërsa hyrja e këtij kamioni ka shkaktuar disa pasoja të konsiderueshme:

Shkelje të rregullave të trafikut rrugor;

Rrezikim të sigurisë publike, sidomos për këmbësorët dhe çiklistët që frekuentojnë këtë zonë të dedikuar;

Dëmtim të pronës publike komunale, përfshirë pajisjet e ventilimit dhe ato përcjellëse të instaluara rishtazi gjatë këtij viti.

Kryeqyteti e ka dënuar ashpër këtë veprim të papërgjegjshëm dhe ka njoftuar se rasti i është përcjellë menjëherë autoriteteve përkatëse për hetim dhe trajtim të mëtejmë ligjor.

Në reagimin zyrtar thuhet se: “Tuneli është i destinuar për qarkullim të kontrolluar të automjeteve dhe kamionëve me lartësi deri në 3.2 metra. Çdo tejkalim i këtij kufiri përbën shkelje ligjore dhe rrezik të drejtpërdrejtë për infrastrukturën dhe sigurinë publike.”

Komuna ka publikuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes, duke paralajmëruar se do të ndjekë penalisht çdo rast të ngjashëm në të ardhmen.

The post Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale appeared first on Telegrafi.

Një javë pasi u tërhoq nga AAK, Ilir Tasholli i bashkohet Vetëvendosjes

29 July 2025 at 21:41

Ish-kandidati për kryetar të Lipjanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ilir Tasholli, ka njoftuar sot se i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një javë pas tërheqjes së tij nga gara zgjedhore.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Tasholli tha se në këtë hap e kanë shoqëruar edhe disa nga përkrahësit e tij.

“Bashkë me disa prej përkrahësve të dashur, sot iu bashkuam Lëvizjes Vetëvendosje, e cila më së miri mishëron vullnetin për ndryshim, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm për Lipjanin dhe për gjithë vendin,” ka shkruar ai.

Tasholli gjithashtu bëri të ditur se do të mbështesë kandidatin aktual të LVV-së për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqin, duke shtuar se ndan me të vizionin për një qeverisje lokale të ndershme dhe të afërt me qytetarët.

“Të përkushtuar për të ardhmen e Lipjanit, do të jemi në përkrahje të mikut tonë, kandidatit për kryetar nga LVV, z. Ilir Qeriqi,” ka thënë Tasholli.

Më 22 korrik 2025, ai kishte bërë të ditur tërheqjen nga kandidatura për arsye që i kishte cilësuar si “objektive”.

Ilir Tasholli ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës në vitet 2019–2021.

Po ashtu, në vitin 2019 ka ushtruar funksionin e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Lipjanit.

The post Një javë pasi u tërhoq nga AAK, Ilir Tasholli i bashkohet Vetëvendosjes appeared first on Telegrafi.

“Heshtja që vret”: E mbijetuara rrëfen dhunimin seksual nga forcat serbe në një xhami gjatë luftës në Kosovë

29 July 2025 at 21:38

Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka ndarë një rrëfim rrëqethës për përjetimin e saj nën terrorin e forcave serbe, duke treguar për dhunimin që e përjetoi brenda një xhamie në fshatin ku ishte strehuar bashkë me të afërmen e saj.

Rrëfimi u bë publik në ciklin e emisioneve dokumentare të Debat Plus, “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, ku viktima, tashmë grua e mbijetuar, ndau emocionet dhe plagët që ende i mbart pas më shumë se dy dekadash.

“Kemi qenë me një grumbull njerëzish, na grumbulluan në një xhami, kishte shumë popullatë, ne nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Qanin burra, gra, fëmijë. Ua merrnin burrat përpara, i ndanin gratë, fëmijët bërtisnin… ishin të rraskapitur, pa ngrënë, pa pirë, duke na çuar nga një vend në tjetrin. Në xhami ndodhi më e keqja, aty kam përjetuar dhunimin. Në mënyrë çnjerëzore. Vetëm një njeri pa ndjenja mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ajo, e tronditur.

Ajo tregoi se në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç, kur një paramilitar serb e dhunoi seksualisht, ndërsa një tjetër ruante derën. Sipas saj, fytyrat e tyre ishin të ngjyrosura, gjë që e bënte të pamundur njohjen apo identifikimin e tyre.

“Ai është një përjetim që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Çdo herë e gjykon veten, pse ndodhi, si ndodhi, çka do të ndodhte po të mos isha aty. Por kur ndodh, duhet të përballesh. Të zhveshin me thikë, nuk ke fuqi të mbrohesh. Je e pambrojtur. Po të isha e veshur si ushtare, ndoshta do të më vrisnin dhe familja do të më kujtonte si dëshmore, jo si…”, vazhdoi ajo mes emocioneve të rënda.

Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur plagët e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të mbesin të hapura për shumë gra dhe burra në Kosovë. Ajo kërkon drejtësi, kujtesë dhe njohje të dhimbjes që i është shkaktuar, duke thënë se heshtja vazhdon të jetë një formë e dytë e dhunës.

The post “Heshtja që vret”: E mbijetuara rrëfen dhunimin seksual nga forcat serbe në një xhami gjatë luftës në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Eksperti i sigurisë reagon pas publikimit të përgjimeve të Igor Popoviqit në Bruksel

29 July 2025 at 19:47

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi të rrjedhur nga takimet e dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, të regjistruara fshehurazi nga bashkëpunëtori i shërbimit sekret serb (BIA), Igor Popoviq.

Sipas Musliut, shërbimi sekret i Serbisë ka regjistruar takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian gjatë bisedimeve për dialogun Kosovë–Serbi.

Ai ka theksuar se “Bashkëpunëtori i BIA, Igor Popoviq regjistroi fshehurazi zyrtarë të BE gjatë dialogut Kosovë–Serbi. Është bërë e ditur se shërbimi sekret i Serbisë (BIA) ka regjistruar fshehurazi takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian gjatë bisedimeve të dialogut Kosovë–Serbi.

“Mediat kosovare kanë publikuar një audio të rrjedhur nga data 17 shtator 2020, në Bruksel — e regjistruar fshehurazi nga bashkëpunëtori i BIA-s, Igor Popoviq, që përfshinte takime si formale ashtu edhe joformale. Serbia ka mbajtur gjithmonë prani të inteligjencës në Bruksel. Në vitin 1990, shërbimi sekret serb (atëherë jugosllav) e vrau në Bruksel patriotin dhe aktivistin për të drejtat e njeriut nga Kosova, Enver Hadri”, tha Musliu.

Kujtojmë se Popoviq është arrestuar nga autoritetet e Kosovës dhe po hetohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Popoviqit.

The post Eksperti i sigurisë reagon pas publikimit të përgjimeve të Igor Popoviqit në Bruksel appeared first on Telegrafi.

Ambasada gjermane e shqetësuar nga përpjekjet për politizim të angazhimit të FSK-së në veri

29 July 2025 at 19:33

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë të martën se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari që dyshohet se ka kërcyer nga ura e liqenit dy ditë më parë.

Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Disa orë pas angazhimit të FSK-së është gjetur trupi i pajetë. Paraprakisht, operacioni i FSK-së e ka marrë dritën e gjelbër nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, me arsyetimin se ka të bëjë me qëllime humanitare.

“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, ka thënë Ambasada gjermane.

Sipas saj, deklaratat e aktorëve politikë se ky mision i FSK-së është “i pari në veri të Kosovës”, vetëm se e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.

“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, është thënë mes tjerash në reagim.

Ky reagim është referencë për një debat që ka shpëryer në rrjete sociale lidhur me dy fotografi afër Ujmanit. Në njërën shihen makina të FSK-së dhe të KFOR-it, ndërsa në tjetrën vetëm të FSK-së. Disa pretendojnë se imazhet janë manipuluar qëllimshëm nga zyrtarë të pushtetit që të mos shihet prezenca e KFOR-it aty.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë nëse është bërë manipulim me fotografi.

Ambasada ka thënë se mbështet plotësisht misionin e KFOR-it dhe vlerëson përpjekjet e këtij misioni, si dhe të FSK-së, për kërkim-shpëtim.

“Profesionalizimi i tyre dhe bashkëpunimi janë në të mirë të publikut dhe shërbejnë si përkujtim se çfarë mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”.

Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

“Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore”, është thënë mes tjerash në Facebook.

Operacioni është realizuar me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.

Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.

The post Ambasada gjermane e shqetësuar nga përpjekjet për politizim të angazhimit të FSK-së në veri appeared first on Telegrafi.

Kurti falënderon ekipet për gjetjen e trupit të Rrahim Latifit, i shpreh ngushëllime familjes

29 July 2025 at 19:28

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur në pasditen e së martës se është gjetur trupi i pajetë i një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, i cili kishte kërcyer në të dy ditë më parë.

Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka falënderuar institucionet dhe ekipet që morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Në një deklaratë publike, Kurti shprehu mirënjohje për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në përfundimin me sukses të operacionit.

“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe,” tha Kurti.

The post Kurti falënderon ekipet për gjetjen e trupit të Rrahim Latifit, i shpreh ngushëllime familjes appeared first on Telegrafi.

“E aktivizuam pajisjen, 10 minuta në dispozicion” – si e përgjonte Igor Popoviqi takimin në Bruksel

29 July 2025 at 19:20

Një audio-incizim i siguruar nga televizioni Dukagjini, ka zbuluar se ndihmësi i drejtorit i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka incizuar fshehurazi/përgjuar për llogari të BIA-s serbe, një takim zyrtar në Bruksel mes përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Takimi është mbajtur më 17 shtator 2020.

Kujtojmë se Popoviq është arrestuar nga autoritetet e Kosovës dhe po hetohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Popoviqit.

Në incizim dëgjohet fillimisht një komunikim në serbisht me frazën “a je gati? Po… incizo”, që nënkupton nisjen e një incizimi të fshehtë.

Më tej në takim, dëgjohet një burrë që fton Igor Popoviqin për të prezantuar, ndërsa prezantimi zhvillohet më pas nga një përfaqësuese me emrin Nevena.

Në këtë prezantim flitet për “pronat e Republikës së Serbisë” në territorin e Kosovës, duke përfshirë ato të Kishës Ortodokse Serbe dhe komuniteteve joshqiptare. Nevena thekson se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon “dialog politik në nivel të lartë dhe marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme”.

“Do të fillojë me temën e parë, fushveprimi dhe struktura e çështjes së pronave.

Në terme të gjera, çështja e pronave mbulon pronat e Republikës së Serbisë, të operatorëve ekonomikë të Republikës së Serbisë, në territorin e provincës autonome të Kosovës dhe Metohisë, ndërmarrjet që janë pronë e shtetit, kompani dhe korporata private që i takojnë serbëve dhe popullatës jo-shqiptare në provincën autonome të Kosovës dhe Metohisë dhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe.

Niveli politik i zgjidhjes së çështjes së pronave do të nënkuptonte dialog të nivelit të lartë që do të arrijë vendime përfundimtare dhe ligjërisht obliguese në të gjitha rastet, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivele më të ulëta”, dëgjohet të thotë në anglisht përfaqësuesja serbe para zyrtarëve të BE-së.

Pas përfundimit të prezantimit, incizimi vazhdon me biseda të lira në ambientet e ndërtesës ku po mbahej takimi, përfshirë diskutime mbi kufizimet e pandemisë dhe oraret e punës.

“Shpresojmë që të dielën që këto rregulla të COVID-it do të zhduken mrekullisht”, dëgjohet të thotë një grua pas takimit.

Në një pjesë tjetër të audio-incizimit, dëgjohet vetë Igor Popoviq duke komentuar: “Mendoj se deshën të eksplodojnë kur e dëgjuan atë (prezantimin)”.

Ndërsa njëra nga bashkëbisedueset e pyet: “A ia dolët krejt ta merrni?”, me tjetrën që shton “e aktivizuam”.

Sipas Popoviqit, rreth “dhjetë minuta” sa ka zgjatur takimi, e kanë incizuar të tërin.

The post “E aktivizuam pajisjen, 10 minuta në dispozicion” – si e përgjonte Igor Popoviqi takimin në Bruksel appeared first on Telegrafi.

Në rigjykim, dënohet me 19 vjet e gjysmë burgim i akuzuari për vrasjen e xhaxhait

29 July 2025 at 17:47

Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjakovës ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit B.B., për veprën penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia, të akuzuarin B.B., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjet e 6 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28 prill 2023, raporton betimiperdrejtesi.

I pandehuri akuzohet se me datë 28.04.2023, rreth orës 09:45 minuta në fshatin Kijevë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta axhën e tij S.B., ashtu që ditën kritike me të vërejtur viktimën se me punëtorin B. po e rrokullisë arkën e betonit të marr nga pjesa e lartë e oborrit në rrugicën e përbashkët të shtëpive, ka dal nga shtëpia dhe me ton të lartë i thotë “Ku po e qon gypin, nuk guxon ta marrësh”, viktima i thotë “e marr se është e imja, se po më vyen me e dërguar te bunari”.

Atëherë i pandehuri i mllefosur shkon në shtëpinë e tij merr pistoletën gjysmë automatike e tipit “Crvena Zastava”, të kalibrit 9×19 m dhe me të ofruar tek viktima në distancë prej 3-4 metra gjuan drejt në trup të ndjerit S., ku viktima mundohet të ik me tej por i pandehuri gjuan prapë në drejtim të tij gjatë lëvizjes në distancë 3-4 metra, ku janë sharë mes vete, me atë rast viktima nga plagët e marra thotë “o me vrajti, o me vrajti”, mbështetet për rrethojat e rrugicës pastaj të pandehurit i bllokohet pistoleta dhe viktima ik edhe për nja 3-4 metra më tej.

I pandehuri e ndjekë prapë dhe nga prapa duke gjuajtur sërish në fund e gjuan edhe tri herë në kokë dhe viktima rrëzohet tek oborri i shtëpisë së tij duke mos lëvizur më nga vendi, ku vdekja e të ndjerit është konstatuar nga raporti i autopsisë i datës 18.07.2023 nga ekspertit mjeko ligjor.

Policia kishte konfiskuar një pistoletë gjysmë automatike të tipit Crvena Zastava e kalibrit 9x19mm, një karikator i zbrazët me kapacitet për tetë fishekë të kalibrit 9x19mm i dizajnuar për pistoletë Crvena Zastava,  gjashtë fishekë të kalibrit 9x19mm si dhe një pushkë e gjuetisë me dy tyta e tipit Huglu, kalibrit 12 bore, një fishekë i kalibrit 7.65x17mm, një rrethatore prej lëkure e dizajnuar për mbajtje të fishekëve 12 bore, si objekte të kryerjes së veprës penale.

The post Në rigjykim, dënohet me 19 vjet e gjysmë burgim i akuzuari për vrasjen e xhaxhait appeared first on Telegrafi.

FSK në veri, flet ish-komandanti Rrahman Rama: Më herët ka ndodhur në tri raste të ndryshme

29 July 2025 at 17:43

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka komentuar pretendimet të Lëvizjes Vetëvendosje se ndërhyrja e fundit e FSK-së në liqenin e Ujmanit ishte hera e parë që kjo forcë operon në pjesën veriore të vendit që nga viti 2018.

“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, thuhet në një komunikatë Vetëvendosjes.

Në RTVDukagjini, Rama tha se FSK ka zhvilluar misione edhe më herët në veri, përfshirë operacione specifike në vitet 2014, 2016 dhe 2019.

“E kam thënë që nuk është hera e parë që FSK-ja ka operuar në pjesë veriore. Në 2014, 2016 dhe 2019 kemi pas intervenime. Pikërisht në korrik të 2014 kemi pas intervenim në liqenin e Ujmanit. Për tri ditë radhazi kemi operuar bashkërisht me KFOR-in”…, ka thënë Rama.

Ai theksoi se ndërhyrja e FSK-së në raste të tilla ndodh vetëm kur kërkohet ndihmë nga institucionet përkatëse si Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), e cila është reaguesja e parë, e më pas përfshihet FSK-ja.

“Fillimisht reaguesi i parë është Policia, në këtë rast është AME-ja dhe në qoftë se ata kërkojnë ndihmën e FSK-së. Që FSK-ja e ka ekipin e kërkim-shpëtimit më të avancuarin në regjion. Dhe me anë të kërkesës së tyre atëherë shqyrtohet kërkesa…”, ka thënë Rama.

The post FSK në veri, flet ish-komandanti Rrahman Rama: Më herët ka ndodhur në tri raste të ndryshme appeared first on Telegrafi.

Rama paralajmëron ‘autolarjet’: Largohuni vetë nga lagjet, përndryshe do gjobiteni

29 July 2025 at 17:29

Në kuadër të planit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kësaj radhe autolarjet që operojnë brenda lagjeve në qytete.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u bëri thirrje të gjithë pronarëve të lavazheve të paligjshme që të largohen vetë nga trotuaret dhe hapësirat publike në mes të lagjeve, përpara se të ndërhyjnë institucionet përkatëse dhe të vendosen masa administrative.

“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka, t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, shkroi kryeministri.

Ky paralajmërim vjen në vazhdën e një fushate më të gjerë të qeverisë për të liruar trotuaret dhe për të rikthyer hapësirat publike në funksion të qytetarëve, duke ndëshkuar shkelësit që i përdorin ato për qëllime biznesi.

Institucionet përgjegjëse pritet të intensifikojnë kontrollet në ditët në vijim për lavazhet që operojnë brenda lagjeve të qyteteve.

The post Rama paralajmëron ‘autolarjet’: Largohuni vetë nga lagjet, përndryshe do gjobiteni appeared first on Telegrafi.

Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim mohon se ka lokalizuar trupin e mërgimtarit në Liqenin e Ujmanit

28 July 2025 at 23:17

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka reaguar ndaj raportimeve të shumta në rrjete sociale që pretendojnë se është lokalizuar trupi i mërgimtarit të zhdukur në Liqenin e Ujmanit.

Në një njoftim zyrtar, Shoqata ka theksuar se këto informacione janë të pabaza dhe të pavërteta.

Ata konfirmuan se kërkimet ende janë duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të jepet vetëm nga institucionet përkatëse dhe ekipet e angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit.

“Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

Shoqata ka kërkuar mirëkuptim dhe durim nga publiku deri në përfundimin e operacionit dhe konfirmimin e saktë të çdo zhvillimi nga burimet zyrtare.

The post Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim mohon se ka lokalizuar trupin e mërgimtarit në Liqenin e Ujmanit appeared first on Telegrafi.

Plagosje me armë në Stanovc të Vushtrrisë, policia jep detaje

28 July 2025 at 23:13

Një 27-vjeçar është plagosur me armë zjarri në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.

Policia e ka cilësuar si “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 18:00 është pranuar informata për një plagosje me armë zjarri në këtë fshat.

Viktima, mashkull rreth moshës 27 vjeç, është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe, sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja. Hetuesit policor, nën udhëheqjen e prokurorit kompetent, kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë’,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, autoritetet janë në kërkim të personit të dyshuar për këtë sulm me armë, i cili është në arrati.

Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

The post Plagosje me armë në Stanovc të Vushtrrisë, policia jep detaje appeared first on Telegrafi.

Haxhiu mohon komunikimin me Listën Serbe: Kam pasur vota në PDK e LDK

28 July 2025 at 22:57

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, e cila nuk mori votat për t’u zgjedhur në këtë post, në një intervistë në Debat Plus është pyetur nëse kishin shpresuar në votat e Listës Serbe në votimin e fshehtë.

Ajo ka thënë se nuk kanë pasur komunikim me ta, por ka pretenduar se kishte vota në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Nuk kemi pasur komunikim me ta, kam pasur vota në PDK-LDK”, ka thënë ajo.

”Ne kemi dëshmuar me veprime se jemi kundër Listës Serbe, pra kundër Listës Serbe që për mua nuk është subjekt politik”, është shprehur ajo.

Haxhiu kur është pyetur se pse nuk e kanë shpallur Listën Serbe organizatë terroriste ka thënë se fajtore për këtë është opozita.

”Ne kemi kundërshtuar brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që Lista Serbe të mos certifikohej, por se patëm mbështetjen nga partitë tjera”, ka thënë ajo.

”Vetëm po të ishim të unifikuar që të mos lejonim certifikimin e Listës Serbe, unë mendoj se nuk do të përballeshim me këtë situatë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe.

”Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur komunikim me Listën Serbe. Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka kërkuar Listës Serbe votë as në këtë rast as…”, ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiut i është përkujtuar edhe komunikimi me Listën Serbe, përkatësisht biseda mes Milan Radojçiqit dhe Mimoza Kusari-Lilës.

”Kemi diskutuar shumë për atë çështje, kemi thënë qëndrimet tona”, ka thënë Haxhiu.

The post Haxhiu mohon komunikimin me Listën Serbe: Kam pasur vota në PDK e LDK appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Jetmir Tofaj zyrtarizohet kandidat i LVV-së për kryetar të Junikut

28 July 2025 at 21:56

Lëvizja Vetëvendoasje ka zyrtarizuar Jetmir Tofajn si kandidat për kryetar të Komunës së Junikut, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Kandidatura e tij u konfirmua gjatë një tubimi me strukturat e Lëvizjes në këtë komunë, ku morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, deputetët Nezir Kraki e Salih Zyba, zëvendësministri i Arsimit Taulant Kelmendi dhe kryetari i Qendrës së Gjakovës, Agon Batusha.

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e një qeverisjeje që u ngjan qytetarëve të Junikut – e fjalës dhe e punës – ndërsa Tofaj u prezantua si kandidati që do të udhëheq me ndershmëri dhe përkushtim.

“Junikasit e dinë mirë çfarë do të thotë t’i qëndrosh tokës, fjalës dhe punës. Tani është koha që edhe qeverisja në Junik t’u ngjajë qytetarëve të vet”, u tha në mbështetje të kandidaturës së tij.

Me vlerësimin për Junikun si një komunë me histori krenare dhe potencial të madh në turizëm, bujqësi dhe kulturë, përfaqësuesit e LVV-së u zotuan për një qeverisje të hapur dhe të përkushtuar ndaj nevojave të qytetarëve.

“Me Jetmir Tofajn dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Juniku do të ecë përpara me hap të sigurt dhe me duar të pastra”, u theksua në përmbyllje të tubimit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, dhe LVV ka bërë thirrje për bashkim rreth vizionit të një Juniku më të drejtë dhe më të zhvilluar.

The post Jetmir Tofaj zyrtarizohet kandidat i LVV-së për kryetar të Junikut appeared first on Telegrafi.

Ashensori bie nga kati i 6-të në përdhesë – pesë të rinj të bllokuar, dy të lënduar në Fushë Kosovë

28 July 2025 at 21:37

Mbrëmjen e së shtunës, pesë persona mbetën të bllokuar në një ashensor në një ndërtesë në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë.

Ashensori kishte rënë nga kati i gjashtë në përdhese dhe dy persona mbeten të lënduar. Gjendja e tyre momentale është e mirë.

Funksionin po e kryen mirë.

Por ky lift në një ndërtesë në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë nuk punoi si duhet mesnatën e së shtunës.

Kjo pasi që pesë të rinj mbetën të bllokuar pikërisht në këtë ashensor.

Pasi hypën në të dhe dhanë komandën për në katin e gjashtë, lifti ra papritur në përdhesë.

Brenda ndodheshin katër djem dhe një vajzë, të moshës 17 deri në 22 vjeç.

Dy prej tyre u lënduan.

Për Tëvë1, mbrapa kamerave, se si ndodhi ngjarja e tregoi një familjar.

“Kur kanë arritur te kati 6, u është hapur dera veç në gjysmë dhe është mbyllur menjëherë, kështu që fëmijët s’kanë pasur mundësi me dalë nga lifti dhe lifti ka filluar me hecë poshtë, po falë Zotit deri në katin e 4-t është zvogëluar shpejtësia, edhe fëmijët, si e kanë pa që lifti s’po ndalet, janë ulur të gjithë këmbëkryq dhe janë përqafuar mes veti me britma e trauma. Të gjithë i kanë mbyllur sytë dhe s’e kanë besuar që po kanë shpëtim. Dy djem janë lënduar më shumë: njëri në qafë, tjetri në këmbë. Kurse dy djemtë tjerë dhe vajza kanë filluar dhimbjet e trupit që dje”, kanë thënë familjarët.

Tutje, shtoi se gjendja e tyre momentale është e mirë, por sipas saj, ata kanë përjetuar trauma dhe që nga ajo ditë as gjumin nuk po e bejnë siç duhet.

Krejt ngjarjen e pa nga afër edhe banori i ndërtesës, Habib Mekolli.

Mekolli tregon edhe shkakun që sipas tij, kanë dhënë autoritetet për krejt këtë ndodhi.

“Erdhën shërbimet e Ndihmës së Shpejtë nga Fushë Kosova, erdhi policia, më vonë erdhen edhe hetues policorë me një ekspert gjyqësor për ta parë vendin e ngjarjes. Ndërkohë, erdhi edhe mirëmbajtësi i ashensorit dhe i këtyre shërbimeve të banesës. Fatkeqësisht është vërtetuar që kontrolli vjetor i ashensoit mungon”, ka thënë qytetari Mekolli.

Se gjendja e liftit nuk është e mirë, e thotë edhe banori tjetër, Bajram Orlloti.

“Që një vit jom, me fëmijë, me krejt. Gjendja e liftit është katastrof edhe pastertia është katastrof……I merr në qaf 8 katë janë afër 500 banor. E me i mbyt me sy në ballë, katastrof. 10euro i merr në muaj”, është shprehur një banorë.

Televizioni për këtë çështje ka tentuar të flasë edhe me kompaninë që e mirëmbajnë ashensorin. Ata thanë që krejt çfarë kanë pasur të deklarohen e kanë bërë para autoriteteve.

Po ashtu është kontaktuar edhe kompania që ka ndërtuar banesën me ç’rast kanë thënë që përgjegjësia i takon kompanisë mirëmbajtëse të ashensorëve.

Ndërkohë që ekipi i Tëvë1 tentoi të marrë një qëndrim edhe nga Policia e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të kronikës të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

The post Ashensori bie nga kati i 6-të në përdhesë – pesë të rinj të bllokuar, dy të lënduar në Fushë Kosovë appeared first on Telegrafi.

E mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë: Më dhunuan në prani të babës, s’mundi të bëjë asgjë

28 July 2025 at 21:31

Atë kohë si 18 vjeçare, duke qenë se ishte krah i babait, mes lotësh ajo rrëfen se si kur shkoi në shtëpinë e saj për ta kërkuar të atin, të cilin ia kishin zënë paramilitarët serbë dhe e kishin lidhur me konop për karrigeje, u kap nga forcat serbe edhe ajo, ku përjetoi dhunimin në sy të babait.

E gjithë kjo, ajo tha se ndodhi në shtëpinë e familjarit të saj, të cilin, thotë se e ka sikurse axhën e saj.

“Jo, shtëpia…prej asaj shtëpie kemi kaluar në shtëpinë tjetër e axhës, mund ta quaj axhë se lidhjet familjare i kemi ashtu. E kishin lidhur babën për karrige, me konop. Baba i gjakosur ka qenë komplet. Pastaj me kanë marrë mua, me kanë zhvesh, me kanë lidhur. Afër babës, në prezencë të babës, veç me kujtohet një fjalë që i kanë thënë babës shikoje të dy do të jeni të vdekur. Se, baba bërtiste në pjesën tjetër dhe u mundojke së bashku me karrige. Ajo është pjesa më e ndjeshme që mund ta flas tash. Kanë qenë dy vetë, i treti i dehur me shishe në dorë dhe mua me ka humbur komplet vetëdija, nuk kam qenë më e vetëdijshme”, rrëfen ajo mes lotësh.

Teksa rrëfen tmerrin që përjetoi në prani të babait, ajo thotë se të gjitha rrobat i ishin shqyer me thika.

“Po, edhe këtu ma kanë futur thikën, por baba e kishte të pamundur të bëjë diçka për mua. Pastaj mua me ka rënë të fikët, nuk kam ditur asgjë, kam qenë e zhveshur, si u zgjidh baba nuk e kanë mbytur babën, si u zgjidh, si ka arritur të më mbështjell me batanije, nuk e di unë, veç e kam parë vetën në ****, në traktor, që më kishte dërguar baba dhe e kam parë vetën në *****. Deri në atë kohë e dëgjoja zërin e babës, por kam menduar se jam në ëndërr, duke më folur”, thotë ajo në një rrëfim në RTVDukagjini.

E mbijetuara e dhunës seksuale thekson se ishte babai i saj me butësinë e tij, afërsinë e tij, ajo, sot nuk do të ishte.

Madje, babai i kishte lënë një amanet, që ajo të mos dorëzohet, pavarësisht dhunës që përjetoi.

The post E mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë: Më dhunuan në prani të babës, s’mundi të bëjë asgjë appeared first on Telegrafi.

Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon

28 July 2025 at 17:19

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë për përgjysmimin e subvencioneve për operatorët me mbi 100 hektarë tokë bujqësore.

Haradinaj e ka quajtur këtë vendim një fitore ndaj diskriminimit institucional, duke theksuar se “e drejta mbrohet me ligj dhe gjykatë”, pavarësisht siç tha ai, tendencave të Ministrisë për t’i dëmtuar investitorët e mëdhenj në sektorin bujqësor.

Ai përmendi në veçanti kompaninë “Stone Castle”, duke thënë se kjo kompani ka triumfuar kundër një padrejtësie që iu shkaktua me dashje nga institucionet.

“Më bën krenar puna e palodhshme dhe fuqia prodhuese e këtyre investitorëve që po e lartësojnë Kosovën në aspekt global me verërat më cilësore në Ballkan e më gjerë,” shkroi Haradinaj në një reagim publik.

“Padrejtësia nuk kalon”, shkroi Haradinaj.

The post Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon appeared first on Telegrafi.

Mbi 30 vatra zjarri ende aktive në Kosovë – gjendja më e rënduar në Klinë

27 July 2025 at 23:57

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka njoftuar se vetëm nga ora 14:00 deri në 20:00 të së dielës janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri në territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, 35 prej tyre janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar nga ekipet emergjente.

Situata më e rënduar paraqitet në Komunën e Klinës, konkretisht në fshatrat Siqevë dhe Resnik, ku zjarret janë më të fuqishme dhe përhapja më e shpejtë.

“Fatmirësisht, deri më tani nuk është raportuar për viktima apo persona të lënduar. Situata po menaxhohet me të gjitha kapacitetet në dispozicion nga AME dhe Njësitë e Zjarrfikësve”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

AME u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambient të hapur apo djegia e mbeturinave.

Çdo vatër e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në numrat emergjentë: 112, 193 ose 192.

“Agjencia, në bashkëpunim me Zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, mbetet në gatishmëri të plotë. Falënderojmë zjarrfikësit për përkushtimin e palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin”, thuhet në reagimin nga AME.

The post Mbi 30 vatra zjarri ende aktive në Kosovë – gjendja më e rënduar në Klinë appeared first on Telegrafi.

❌
❌