Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore
TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga një ditë e zakonshme, gjatë së cilës kalaja është e mbushur plot me vizitorë nga e gjithë bota. Ata ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që kalaja ruan prej shekujsh. Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistët nga mbarë bota.
“Një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore, ku vizitorë nga e gjithë bota ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që ajo ruan prej shekujsh”, shkruan ministri Gonxhja.
Kalaja e Gjirokastrës e arriti shifrën prej 100 mijë vizitorësh që në 6-mujorin e parë të vitit. Në përfundim të 2024-ës, ajo ishte kalaja më e vizituar në rang vendi, pasi priti një numër të madh grupesh turistike të tërhequr nga pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.
Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.
/r.e//a.f/
The post Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.