Havë Shala, një nga nismëtaret e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, e kujton veprimtarinë e saj nga vuajtjet e në burgje si një e re që luftonte për liri kundër regjimit serb, te ideja e më pas Lëvizja për të ndalur hakmarrjen midis shqiptarëve.
Qelia e vogël e burgut, me dritën e fortë të llambës që ende i shkakton dhimbje koke, për Havë Shalën u bë vendi ku lindi një ide – e thënë por e pashkruar – që pak vite më vonë, krejt rastësisht u shndërrua në një lëvizje popullore që ndryshoi rrjedhën e realitetit shqiptar të vitit 1990.
Për të, atëkohë 17-vjeçare e pabindur ndaj pushtetit shtypës serb nën ish-Jugosllavi, burgu i viteve 1994-1998 ka qenë njëkohësisht shkatërrues por edhe nxitës. Prapa grilave iu përforcuan bindjet për t’u rebeluar ndaj shtypjes që u bëhej shqiptarëve nga regjimi, ndërsa brenda saj lindi një forcë për të ndalur vëllavrasjet.
Gjakmarrja nuk është e drejtë në asnjë kohë, por di të bëhet veçanërisht tejet e dëmshme kur armiku i vërtetë përpiqet ta përdorë atë si alibi për të fshehur krimet e veta, është e bindur Hava Shala me prejardhje nga Lugu i Baranit të Pejës, ish-studente e Letërsisë Shqipe, e njohur mirë me konceptin e marrjes së hakut.
“Akile [shoqes së saj të burgut Akile Dedinca] i them: “Populli është në lëvizje po e shohim, po e ndiejmë, shihej, ishte emocionale… Kur lëviz populli mund të bëjë gjëra të mëdha. Dhe, ishte momenti që të bëhet diçka e madhe në këtë drejtim. Një gjë e madhe ishte heqja e gjakmarrjes. Dhe, menduam të shkruajmë një letër të cilën do ua dërgonim shokëve dhe shoqeve tona që ishin jashtë me shpresën që mund të bëhej diçka në këtë drejtim”. Këtë letër, siç tregoi Hava Shala në emisionin “Kallxo Përnime” nuk kishin arritur ta dërgojnë për shkak të kontrolleve të rrepta brenda burgut.
Ajo ishte arrestuar në vitin 1984 si 18-vjeçare së bashku me gjashtë vajza dhe dy djem të tjerë, për rastin që njihet “Grupi i Vajzave të Pejës” për shkak të shkrimit të letrave politike dhe leximit të librave dhe revistave të ndaluara atëkohë.
Një pjesë të burgut e kishte kaluar në atë të Lipjanit, e një pjesë në Mitrovicë.
U lirua nga burgu në vitin 1988. Pas daljes nga burgu, ajo iu bashkua Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Më 1 maj të vitit 1990 ishte organizuar një nga tubimet kryesore për pajtimin e gjaqeve, i njohur si tubimi i “Verrave të Llukës”, dhe Shala ishte një nga nismëtaret që mbajti fjalim para të pranishmëve. Ajo bashkë me shoqet e shokët e burgut ishin përkrah me veprimtarët Anton Çetta e Zekeria Cana në pajtimin e gjaqeve.
“Jo alibi për t’u fshehur krimet serbe”
Hava Shala kujton kohën kur në vitin 1990 kishte protesta e demonstrata ndaj regjimit serb, saqë për herë të parë kishte parë teksa njerëzit rraheshin, plagoseshin dhe vriteshin në Pejë.
Vrasja e një djali të ri ishte bërë një nga shkaqet që ia kishte trasuar rrugën drejt një rastësie për nisjen e saj për pajtimin e gjaqeve. Atëkohë, me sa e mban në mend Shala ka qenë rreth 24-vjeçare kur Fatmir Uka ishte vrarë krejt pranë saj. Së bashku me shokë e shoqe ishin munduar që ta zhvendosin trupin e tij për ta dërguar në spital që mos ta shohin demonstruesit e tjerë.
“E kemi marrë me duart tona, i kemi pasë të përlyera në gjak. E kemi marrë dhe jemi dalë në pjesën tjetër të qytetit. Nuk lenin nga pjesa e Karagaçit ta çonim në spital. Ishte një dramë atë ditë. Shumë njerëz u vranë e u plagosën”- tregoi ajo.
Rrugës, afër urës së gurit në Pejë, Shala thot se ka hyrë brenda në një furrë për t’iu shmangur ndjekjes së Policisë dhe po aty kishte takuar një burrë që kishte kërkuar ndihmën e saj për të kërkuar besë për një gjakmarrje të të afërmve të tij në Lumbardh.
“Vjen aty një burrë i Breliqit me mbiemrin Gashi, mos gabofsha quhet Abdyl Gashi, familja e të cilit, një kushëri i afërt ishte në gjak me familjen Leka në Lumbardh. Edhe më thot: Havë unë i pash të rinjtë e dy familjeve dhe kam frikë se do të vrahen mes veti. Në protesta, në demonstrata. Thot: të lutem a mund të bësh diçka. Kam frikë, thot ai. Idenë e kish për të shku me marr besë, sa të kalojnë demonstratat”- tregoi ajo.
Mirëpo, sipas saj, i kishte thënë se nuk beson që vritet dikush mes vete në demonstrata.
Ndërkohë që Shala tregon se po i njëjti person kishte shkuar të babai i saj në mbrëmje, meqë kjo ishte strehuar te dajtë e saj në Strellc të Deçanit, që ta luste t’i ndihmojë duke marrë parasysh që grupi i saj i të burgosurve politikë ishin të njohur në Pejë.
Babai i Hava Shalës kishte shkuar ta lajmërojë, por kjo e kishte lënë përgjigjen pezull duke mos besuar se shqiptarët mund të vriten mes vete në kohë kur të këqijat i prisnin nga armiku. Mirëpo, po atë mbrëmje, ajo thot se kishte dëgjuar në lajme që zyrtarët serbë po përpiqen të fshehin krimet e veta duke i akuzuar shqiptarët si popull që vrasin veten.
“Në lajme u tha përmes folësit në radiotelevizion u lexu një letër e një ministri të Punëve të Brendshme të nivelit të Jugosllavisë mos gabofsha, dhe tha që vrasjet, se u patën vra ato ditë 24 veta e dikur u bënë 40 veta. Gjithnjë më shumë. Tha se nuk janë të vrarit nga Policia, ushtria [serbe], por janë të vrarë se ata [shqiptarët] janë një popull që vrasin vetveten”- tregoi Shala.
Në atë moment, Shala kishte reflektuar duke thënë se “ndoshta i duhen njerëzimit rastësi të tilla”, në mënyrë që të lindin aksione të mëdha.
“Mirëpo, për mua mos të bëhej diçka menjëherë ishte sikur t’i nënshkruash atyre një alibi, alibi për krimet e tyre. Të nesërmen kam thanë me ba pajtimin e gjaqeve…Pajtimi i gjaqeve ka filluar në Lumbardh, se zotëri Gashit i kam dhënë fjalën që do të bëj diçka”- u shpreh ajo.
Të nesërmen kishin takuar ish-të burgosurit politikë, Lulzim Etemin dhe Brahim Dreshën, të cilët u pajtuan me idenë e tyre – ide që u shtrua në odën e Adem Grabovcit, kaloi në takim me profesor Rexhep Qosjen për t’u orientuar nga ai e deri të propozimi i Qosjes që njeriu i duhur për oda është Anton Çetta.
“Nuk ishte pyetja a të bëhet a mos të bëhet, por si të bëhet. Ta bënim ne vetë ne nuk kishim dyshim se mund ta bënim, por ne kishim vetëm një dyshim, që mund të arrestoheshim. Ne ishim të gatshëm të arrestoheshim në çdo moment. Ne nuk ishim egoistë dhe donim që Lëvizja të bëhej”- thot ajo.
Pajtimin e parë të gjaqeve kishin shkuar ta bëjnë në Lumbardh te familja Leka.
“Ne shkuam atë ditë dhe na priti profesor Anton Çetta. Ai na tha: “Po, e keni gjetë pikën”. Tha: “Po, është një punë e mençur. Bëhet mirë”. Na thot: “Na nxjerrni nga zyret se gati u kalbëm”. Tha si me shaka, por ishte shumë i vërtetë në ato që thoshte. Na tha: “Po, për këto punë na duhet edhe Zeqa, Zekeria Cana. Ai merret me të drejtat e njeriut”- tregoi ajo.
Ode për gruan në odë burrash
Mes burrash me mustaqe e që në pamje duken hijerëndë, Havë Shala bashkë me shoqen e saj, Myrvete Dreshaj, e të rinj të tjerë, kishin bërë thirrje që të ndalen gjakmarrjet ndër shqiptarë. Madje, ajo u thot që burrëria matet duke hequr dorë nga shprehi të tilla.
Përderisa një qetësi ndihej në odë, Shala e cila afër kishte Zekeria Canën e Myrvete Dreshajn, i thoshte me bindje të plotë që është koha të ndalen gjakmarrjet dhe ta ndihmojnë Kosovën me jetën edhe me vdekjen tonë.
“Në këtë moment ndoshta më shumë do të ndihmojmë me vdekjen. Sidomos me vdekjen e atyre që janë vra me dorën e njëri-tjetrit, por edhe me hilen e armikut, të jeni të bindur. Mundësojuni atyre të vdekurve që me jetën e tyre t’i ndihmojnë krejt Kosovës”- thot Shala në një odë të burrave, në incizimin që atëkohë e kishte bërë kameramani Murteza Kurti.
Shala me një veshje krejt të thjeshtë e me duar që shprehte vendosmërinë në fjalët që nxirrte nga goja, pa pikë frike në sy kërkonte që burrat të hapin shtigjet për ta ndalë atë dukuri që atëkohë kishte përfshirë popullin.
“Më vjen keq që më parë femra nuk ka marrë pjesë në odën e burrave, po më vjen mirë që pikërisht në këtë moment marrin pjesë kur baballarët tanë e masin burrnisht burrninë, e për trimëri kemi lexuar në histori. Mateni ju lutem burrninë, populli po e kërkon. Kosova po e kërkon”- u drejtohet ajo burrave në odë.
E për këtë rast të fjalimit të saj në oda e shumë të tjera saqë nuk i mban në mend as vet sa, thot që asnjëherë askush nuk e ka drejtuar gishtin nga ajo ose ta kenë gjykuar që është grua, në atë kohë që burrat konsideroheshin si ata që flasin.
“Asnjëherë nuk ka qenë problem që jam grua. Ndoshta ne kemi qenë dëshmia e të pamundshmes. Ne ishim bërë një mundësi. Ne kapërcyem kufirin e burrave dhe i liruam ata vetë prej kufirit të tyre. Sepse të jesh bashkë, je shumë më i fortë se të jesh vetëm”- tregon ajo.
Mirëpo, ajo beson që thjeshtësia e tyre si vajza dhe të njohja e odave e ka mundësuar që mos të ndalohen, gjykohen apo çfarëdo tjetër. Sipas saj, ka dëgjuar raste që disa vajza i kanë përzënë nga odat për shkak se në rast të vdekjes kanë shkuar të veshura në mënyrë solemne.
“T’i shkosh dikujt veshur në mënyrë solemne kur ai ka vdekje dhe t’i kërkosh gjakun… ajo, vdekja ka qenë shumë prezente. Na ia kemi njoftë dhimbjen. Dhe se në këtë kohë secili ka obligim më të madh të mundshëm që të bëjë diçka për vendin”- thot ajo.
Ajo thot se ka pasur raste që kanë shkuar 3-4 herë në të njëjtën familje për të kërkuar faljen e gjakut, por ka pasur raste që kanë shkuar edhe 20 herë. Për vrasjet mes njëri-tjetrit, ajo gjykoi regjimin që sipas saj i ka lënë njerëzit pa asgjë, pa institucione, pa punë, pa para dhe si pasojë e ka rrënjosur thellë problemin. Ajo mban në mend që ka pasur raste të vrasjeve për mexhë.
Në këndvështrimin e saj, falja e gjakut ka qenë një problem shumë, shumë, shumë kompleks për shkak se është dashur të hysh brenda dhimbjes së njeriut.
“Asnjëherë nuk kemi guxuar të harrojmë që personi që ka hy brenda njeriut për t’i kërkuar gjakun e djalit, të djemve, babës, axhës, e njerëzve të familjes duhet të jetë bukur i dëshmuar moralisht në gatishmërinë e tij për të dhënë diçka nga vetja. Sepse vetëm ashtu ke të drejtë t’i kërkosh dikujt diçka”- tregon ajo.
Shala ende bart pasojat e dhunës që ka përjetuar në burg, saqë dhe drita e fortë në skenën e “Kallxo Përnime” i pengoi, ia kujtoi burgun.
“Më kanë goditë në muskuj. Qelitë e vogla sa s’ke pasë hapësirë. Qelitë nuk kanë pasë dritare veç një hapësirë të ngushtë me hekura. S’ke pasë dritë dielli në dhomë. Ajo dritare ka ra në korridor. Drita e llambës në dhomë ka qenë shumë e fortë. Ajo drita ka shkaktu dhimbje të forta të kokës”- tha Shala, duke treguar edhe për problemet me veshkë, si pasojë e burgut.
Shokët e rinj të Çettës
Anton Çetta, studiues e mbledhës i folklorit, ishte në krye të Këshillit të Pajtimeve të Gjaqeve në fillim të viteve 1990. Falë kontributit të tij dhe bashkëveprimtarëve në këtë Kuvend, i cili është më i madhi në historinë e shqiptarëve, 106 familje shtrinë dorën e pajtimit edhe pse ishin të rrethuar nga okupatori serb.
Grupi i të rinjve nismëtarë të pajtimit të gjaqeve ishin bërë miq të mirë të Çettës, saqë Shala nuk harron dot disa nga ‘meselet’ e porositë që ia ka lënë ai para se të vdesë. Fjalitë e tij, Shala thot se e kanë përcjellë e vazhdojnë ta përcjellin edhe tash kur ajo nuk jeton në Kosovë.
Ideja për organizimin e një tubimi madhështor te “Verrat e Llukës” ka qenë e një grupi studentësh bashkë me dy profesorët e tyre. Pos, Havë Shalës ishin edhe Musa Berisha, Myrvete Dreshaj, Ethem Çeku, etj., si dhe dy profesorët Anton Çetta dhe Zekeria Cana. Ata që kontribuuan në këtë kuvend janë edhe personalitetet si: Mark Krasniqi, Dom Lush Gjergji, Ibrahim Dreshaj, Azem Shkreli, Mulla Ajni Ramadani, prof. Ramiz Kelmendi, Nimon Alimusaj dhe Nëna Ajshe Gërvalla.
Pas tubimit madhështor të “Verrave të Llukës” në Deçan, Shala thot se rruga ishte e hapur, njerëzit hapën dyert e hapën zemrat.
“Pas 1 majit 1990 ka qenë dukshëm më lehtë të hysh të kërkosh gjakun, dhe dukshëm më lehtë të falet gjaku, sepse ishte gatishmëria. Ai donte të falte tokë, të bënte diçka për Kosovën. Këtu qëndron mrekullia e pajtimit të gjaqeve. Falë kësaj force shpirërore ishte aksioni që u bë det”- tha Shala duke treguar për rastet kur gjatë këtij tubimi dikush që nuk ka pasur raste të faljes së gjakut, kishin falur tokë për Kosovën.
Tubimet madhështore ishin organizuar anembanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës e në viset e tjera.
Gjatë periudhës së ekzistencës, 2 shkurt 1990 – 17 maj 1992, të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, u arritën mbi 2,500 pajtime apo falje, ku kemi: mbi 1 mijë gjaqe, mbi 500 plagë dhe 1 mijë ngatërresa.
Një ‘mesele’ të Çettës, Shala e tregoi në lidhje me filozofinë e odës, gënjeshtrën dhe mënyrën se si njerëzit sillen në oda.
“Antoni tha se në oda flet gjithkush. Dikush e di rendin e dikush s’e di. Por, oda e ka një princip që nuk i thot dikujt: “rrejte”, ose oda është instancë e lartë e mençurisë, e filozofisë popullore. E tregoi një mesele, tha: “i tha njëri kryeplakut të lutem sot më ma dhënë gjithqysh fjalën, dua të them edhe unë diçka, të dukem i mençur në atë kuptim. Dhe, i tha e ke fjalën dhe foli diçka. Por, kryeplaku i tha, që i tha “të lumtë goja në koftë qashtu”. Ai e thoshte këtë mesele duke na bërë neve me të ditur që edhe në oda ku jemi ne “të lumtë goja në qoftë qashtu” se s’është qashtu”- tregoi ajo.
Shala që prej para luftës të Kosovës jeton në Zvicër thot se ka marrë oferta për t’u përfshirë në politikë, por një gjë të tillë nuk e ka dashur. E pyetur se si do të pajtonte politikanët mes vete në Parlamentin e Kosovës, ajo u përgjigj thjesht e shkurtër me një porosi të Çettës.
“Për herë të fundit kur e pash para se me u nisë për Zvicër, Anton Çetta më tha: “Unë e kam më lehtë se ju, se ju të rinjtë”. Tha: “Unë shyqyr nuk do të jetoj edhe gjatë e e kam lehtë të vdes i pakoritur. Ju uroj juve Havë Shala dhe shokëve të juaj të jetoni të pakoritur!. Është fjala e fundit e tij”.
“Nëse do isha në Parlament do ta mendoja çdo ditë këtë porosi të profesor Anton Çettës”- e përmbylli bisedën Havë Shala./Kallxo.com
The post Nga burgjet e regjimit serb në odat shqiptare, rrëfimi i fuqishëm i Havë Shalës për pajtimin e gjaqeve appeared first on Telegrafi.