Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 August 2025Main stream

FOKUS – Gjermania: Izraeli duhet të sigurojë furnizime për Gazën

BERLIN, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane vëren një përparim të vogël fillestar në ndihmën humanitare për popullsinë në Rripin e Gazës, sipas zëdhënësit Stefan Kornelius edhe pse, sipas tij, kjo mbetet e pamjaftueshme për të lehtësuar emergjencën.

Komentet e Kornelius u bënë, ndërsa ministri i Jashtëm, Johann Wadephul informoi kabinetin e sigurisë në mbyllje të vizitës së tij në Izrael dhe Bregun Perëndimor.

“Izraeli mbetet i detyruar të sigurojë furnizim gjithëpërfshirës edhe me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera humanitare”, tha Kornelius.

“Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane është e shqetësuar për informacionin që tregon se sasi të mëdha të furnizimeve me ndihmë po mbahen nga Hamasi dhe organizatat kriminale”, theksoi ai.

Sipas burimeve gjermane të sigurisë, midis gjysmës dhe të gjitha furnizimeve me ndihmë që arrijnë në Rripin e Gazës po devijohen nga grupi islamik palestinez Hamas ose organizata të tjera kriminale.

”Rripi i Gazës po përballet me kërcënimin e urisë”, tha OKB.

Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në zonë dhe për disa muaj, nuk lejoi asnjë ose vetëm dërgesa minimale ndihmash të kalonin nëpër të, në një përpjekje për të rritur presionin mbi Hamasin.

Por, Izraeli lejoi dërgesa më të mëdha ndihmash nëpërmjet rrugëve tokësore dhe gjithashtu lejoi dërgesa nga ajri që nga java e kaluar dhe 220 kamionë kanë sjellë furnizime me ndihma në zonë çdo ditë.

Aktualisht, dy nga tre tubacionet kryesore të ujit në Rripin e Gazës janë në funksion, si dhe një nga 10 linjat e transmetimit të energjisë.

Por, çmimi i miellit është në një shifër të pabesueshme prej 80 eurosh (92 dollarë) për kilogram./  a.jor.

The post FOKUS – Gjermania: Izraeli duhet të sigurojë furnizime për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Papa Leone XIV feston Jubileun me qindra mijëra besimtarë të rinj

VATIKAN, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV po kalon një fundjavë të ngjeshur me Jubileun e Rinisë, ndërsa Kisha Katolike feston vitin e saj Jubile.

“Më shumë se gjysmë milioni, thonë ata, ndoshta edhe një milion të rinj kanë ardhur nga shumë vende të botës”, tha sot papa.

“Për mua, është një privilegj, një bekim”, shtoi ai.

Kisha Katolike po feston një Jubile në vitin 2025, siç bën çdo 25 vjet, duke tërhequr edhe më shumë pelegrinë dhe turistë në Romë sesa zakonisht.

Në Tor Vergata, një kompleks sportiv në pjesën lindore të Romës, besimtarë të rinj nga 146 vende iu bashkuan një eventi të madh në ajër të hapur me muzikë dhe lutje.

Pika kulmore e programit është vigjilja e mbrëmjes, një seancë lutjeje mbrëmjeje me papën.

Shumë pjesëmarrës planifikojnë të kalojnë natën nën yje.

Takimi i të rinjve konsiderohet si një ngjarje qendrore në Vitin Jubile, me qindra mijëra të rinj që mblidhen në Romë që nga e marta.

Në meshën e hapjes, Leone i befasoi afërsisht 120 000 pjesëmarrësit në sheshin e Shën Pjetrit me një turne në makinën papale.

Në një fjalim të shkurtër, ai i nxiti ata të jenë simbole të shpresës dhe paqes./ /os/

The post VATIKAN – Papa Leone XIV feston Jubileun me qindra mijëra besimtarë të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Witkoff: SHBA-ja planifikon t’i japë fund luftës dhe të kthejë pengjet

TEL AVIV, 2 gusht /ATSH-DPA/ – I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, u takua sot në Tel Aviv me të afërmit e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës dhe u tha atyre se Shtetet e Bashkuara do t’i sjellin të dashurit e tyre në shtëpi dhe do të sigurohen që Hamasi të mbahet përgjegjës.

“Ne do t’i kthejmë fëmijët tuaj në shtëpi dhe do ta mbajmë Hamasin përgjegjës për çdo akt të keq nga ana e tyre. Ne do të bëjmë atë që është e drejtë për popullin e Gazës”, u tha Witkoff familjeve, sipas një deklarate.

“Ne e dimë kush është gjallë dhe dikush do të jetë fajtor nëse nuk del i gjallë. SHBA-ja qëndron pas kësaj deklarate”, shtoi ai.

I dërguari i Trump gjithashtu ngriti shpresat se fundi i luftës është afër.

“Ne kemi një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i sjellë të gjithë në shtëpi”, theksoi ai./  a.jor.

The post TEL AVIV – Witkoff: SHBA-ja planifikon t’i japë fund luftës dhe të kthejë pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Macet ”aktore” në një ”shfaqje” kinematografike 73-minutëshe

NJU JORK, 2 gusht /ATSH/ – Më të mirat e videove me mace në internet do të shfaqen në ekranin e madh këtë fundjavë, sipac abcnews.go.com.

”Cat Video Fest” është një përzgjedhje 73-minutëshe me vlerësim maksimal të të gjitha gjërave që kanë të bëjnë me macet – qesharake, të përkëdhelura, sentimentale dhe komike.

Ky ”film” do të shfaqet në më shumë se 500 kinema në SHBA dhe Kanada.

Një pjesë e të ardhurave nga biletat shkojnë në dobi të organizatave bamirëse, strehimoreve dhe organizatave të mirëqenies së kafshëve të fokusuara te macet.

Që nga viti 2019, janë mbledhur mbi një milion dollarë.

Videot janë kuruar nga Will Braden, krijuesi i filmave të shkurtër komikë ekzistencialë, Henri, le Chat Noir, me bazë në Seattle.

”Dua të tregoj se sa e gjerë mund të jetë ideja e një videoje me mace, kështu që ka gjëra të animuara, video muzikore dhe dokumentarë të vegjël”, tha Braden.

”Nuk është thjesht ajo që unë e quaj ‘vVideot më qesharake të maceve shtëpiake në Amerikë’. Nuk janë të gjitha macet që bien në vaskë. Kjo do të ishte shumë e mërzitshme”, shtoi ai.

Tani në vitin e tij të tetë, ”Cat Video Fest” është më i madh se kurrë, me një prani globale që është zgjeruar tashmë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë, dhe, për herë të parë, në Francë, Spanjë, Japoni dhe Brazil.

Fillimisht ishte një proces paksa i vështirë për të bindur kinematë e pavarura të programonin ”Cat Video Fest”.

Por, Braden dhe distributori ”Oscilloscope Laboratories” kanë zbuluar se një vit është i mjaftueshëm për ta kaluar atë pengesë.

Partnerët aktualë teatralë përfshijnë ”Alamo Drafthouse”, ”IFC Center”, ”Nitehawk”, ”Vidiots”, ”Laemmle” dhe ”Music Box”.

Shfaqjet tërheqin audiencë të larmishme, nga fëmijët te gjyshërit dhe të gjithë ata që janë midis tyre.

“Është një nga gjërat e vetme, ndoshta përveç një filmi Pixar ose koncertit të Taylor Swift, që u pëlqen të gjithëve”, tha Braden.

“Nuk do të na mbarojnë videot me mace dhe nuk do të na mbarojnë njerëzit që duan t’i shohin”, theksoi ai./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Macet ”aktore” në një ”shfaqje” kinematografike 73-minutëshe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Festivali gjerman i heavy metal i bën homazh Ozzy Osbourne

WACKEN (Gjermani), 2 gusht /ATSH-DPA/ – Organizatorët e festivalit të muzikës heavy metal ”Wacken Open Air”, në Gjermaninë veriore nderuan legjendën e ndjerë të rokut Ozzy Osbourne me një shfaqje me dron mbi skenën kryesore.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, fjalia “Ozzy, ne të duam” ndriçoi qiellin e natës pas performancës së fundit të ditës.

Homazhi u shoqërua nga kënga e Osbourne “Mama, I’m Coming Home”, e ndjekur nga himni i Black Sabbath “Paranoid”.

Në të njëjtën kohë, imazhet e Osbourne u shfaqën në ekranet gjigante të festivalit.

Këngëtari ikonik britanik dhe ylli i reality show-t vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç.

Si bashkëthemelues dhe vokalist i ”Black Sabbath”, Osbourne u vlerësua gjerësisht për ndihmën në përcaktimin e zhanrit heavy metal.

”Black Sabbath” u formua në Birmingham në fund të viteve 1960.

Vetëm disa javë para vdekjes së tij, Osbourne, i cili kishte luftuar me sëmundjen e Parkinsonit vitet e fundit, dha një koncert lamtumire në qytetin e tij të lindjes.

”Wacken Open Air”, i cili zhvillohet në një fshat me vetëm 2 000 banorë, konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të heavy metal në botë./  a.jor.

The post MUZIKË – Festivali gjerman i heavy metal i bën homazh Ozzy Osbourne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Ish-presidenti Uribe dënohet me 12 vjet arrest shtëpiak për manipulim dëshmitarësh dhe mashtrim procedural

RIO DE ZHANEIRO, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti kolumbian, Alvaro Uribe është dënuar me 12 vjet arrest shtëpiak për manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim procedural.

Dënimi, i dhënë në shkallën e parë, përfshin gjithashtu një gjobë dhe një ndalim shumëvjeçar për të mbajtur poste politike, raportuan disa medie kolumbiane duke cituar gjyqtaren kryesuese, Sandra Heredia.

Ekipi i tij ligjor ka njoftuar planet për të apeluar vendimin, që do të thotë se vendimi nuk është ende përfundimtar.

Megjithatë, gjykata urdhëroi që Uribe të fillojë të vuajë dënimin e tij menjëherë në pronën e tij rurale, duke përmendur baza procedurale dhe detyrime ligjore.

Nëse gjykata e apelit nuk jep një vendim deri në mesin e tetorit, çështja rrezikon të parashkruhet sipas ligjit kolumbian.

Ish-presidenti u shpall fajtor për dy nga tre akuzat.

Një akuzë e veçantë për ryshfet u rrëzua.

Çështja buron nga procedurat që vetë Uribe nisi më shumë se një dekadë më parë kundër senatorit të krahut të majtë Iván Cepeda, i cili kishte hetuar lidhjet e dyshuara të Uribes me grupet paraushtarake.

Situata ndryshoi në vitin 2018 kur vetë Uribe u akuzua se kishte ushtruar presion ndaj ish-të burgosurve paraushtarakë për të dhënë dëshmi shfajësuese për të.

Procedurat u vonuan vazhdimisht dhe vetëm në vitin 2024 u ngritën akuza kundër tij.

Uribe, një konservator që shërbeu si president nga viti 2002 deri në vitin 2010, mbetet një figurë përçarëse në Kolumbi.

Mbështetësit e shohin atë si një mbrojtës të vendosur të sigurisë kombëtare gjatë një periudhe konflikti të fortë me grupet guerile të krahut të majtë.

Kritikët, megjithatë, e akuzojnë atë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me forcat paraushtarake.

Konflikti i brendshëm dekadash i Kolumbisë midis forcave qeveritare, gueriljeve dhe paraushtarakëve të krahut të djathtë ka lënë rreth 220 000 njerëz të vdekur dhe miliona të zhvendosur./  a.jor.

The post KOLUMBI – Ish-presidenti Uribe dënohet me 12 vjet arrest shtëpiak për manipulim dëshmitarësh dhe mashtrim procedural appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 02/8/2025

MANÇESTER (Mbretëria e Bashkuar) – Marshimi i parë në Britaninë e Madhe nga e djathta ekstreme bën thirrje për dëbime masive.

BANGKOK (Tajlandë) – Demonstratë për të dënuar luftën me Kamboxhian dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

BRUKSEL (Belgjikë) – Periudha e pajtueshmërisë me BE-në fillon për modelet e inteligjencës artificiale si ChatGPT dhe Gemini.

ROMË (Itali) – Papa Leone XIV kryeson vigjiljen e lutjes së Jubileut për të rinjtë.

SHTETET E BASHKUARA – Protesta kundër Trump.

SALÉ (Marok) – Maroku dërgon gati 180 ton ndihmë humanitare në Rripin e Gazës nëpërmjet Izraelit.

KENIA – Futboll – Kampionati i Vendeve Afrikane (CHAN).

KARAKAS (Venezuela) – Ndeshje boksi midis Canizales dhe Pradabsri për titullin WBC të peshave të lehta./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 02/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit

PEKIN, 1 gusht /ATSH-ANSA/ – Forcat e armatosura kineze janë të gatshme të shtypin çdo përpjekje për pavarësi në Tajvan dhe ne nuk do të lejojmë kurrë që asnjë projekt pavarësie separatiste të ketë sukses dhe jemi të gatshëm të mposhtim çdo ndërhyrje të armatosur të jashtme në çdo kohë, pasi për ribashkimin e plotë të atdheut, Ushtria Çlirimtare Popullore është e gatshme në çdo kohë, paralajmëroi ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun duke folur të enjten në mbrëmje në një pritje të organizuar në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin ”Tienanmen” për 98-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

”Viti 2025 shënon 80-vjetorin e fitores së luftës së rezistencës së popullit kinez kundër agresionit japonez dhe luftës botërore antifashiste, 80-vjetorin e çlirimit të Tajvanit dhe 80-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.

Brenda pak më shumë se një muaji, Ushtria Popullore do të nderohet nga partia dhe populli kinez në lidhje me paradën e 3 shtatorit që feston fitoren ndaj Japonisë militariste.

“Ne do të bashkohemi edhe më ngushtë rreth Komitetit Qendror të PKK-së… për të promovuar pa u lodhur zhvillimin politik të forcave të armatosura, për të forcuar në mënyrë gjithëpërfshirëse stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake dhe për të përmbushur në mënyrë efektive misionin dhe detyrat e Ushtrisë Popullore në epokën e re”, vazhdoi ministri.

”Ushtria kineze është e gatshme të bashkëpunojë me ushtritë e të gjitha vendeve për të zbatuar konceptin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe tre nismat kryesore globale, për të adresuar së bashku rreziqet dhe sfidat dhe për të punuar së bashku për të ndërtuar një botë me paqe të qëndrueshme, siguri universale, prosperitet të përbashkët, hapje dhe përfshirje”, theksoi ai./ a.jor.

The post FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 01/8/2025

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Hyjnë në fuqi tarifat më të larta në Shtetet e Bashkuara për BE-në dhe partnerët e tjerë tregtarë.

SHANGAI (Kinë) – Panairi i argëtimit dixhital ”ChinaJoy”.

EDIMBURG (Mbretëria e Bashkuar) – Festivali i Edimburgut ”Fringe”.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Premiera Botërore e “Weapons”.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Tarifa prej 50% e importit të bakrit e vendosur nga Trump hyn në fuqi.

OTAVA (Kanada) – Kryeministri Mark Carney do të përshtatë tarifat për çelikun dhe aluminin amerikan nëse negociatat dypalëshe tregtare dështojnë.

BOGOTA (Kolumbi) – Gjykata shpall vendimin kundër ish-presidentit, Alvaro Uribe.

SAO PAULO (Brazil) – Protestë para konsullatës amerikane në mbështetje të Brazilit dhe kundër tarifave amerikane>

BUDAPEST (Hungari) – Auto – Kampionati Botëror i Formula 1 – Çmimi i Madh i Hungarisë./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 01/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Garda Mbretërore Britanike luan ”Paranoid” të Ozzy Osbourne

LONDËR, 31 korrik /ATSH-ANSA/ – Grupi ”Coldstream Guards” performoi këngën ikonike të ”Black Sabbath”, “Paranoid”, gjatë ndërrimit të gardës në Buckingham Palace duke i bërë një homazh të fundit muzikor legjendës së heavy metal-it Ozzy Osbourne, i cili vdiq më 22 korrik në moshën 76-vjeçare.

Funerali publik u mbajt dje në vendlindjen e tij, Birmingham, ku morën pjesë mijëra njerëz.

Videoja e ushtarëve duke luajtur me mjeshtëri këngën, që është bërë pjesë e historisë së rock-ut, u bë menjëherë virale duke fituar popullaritet të gjerë në median sociale, aq më tepër duke pasur parasysh se homazhi për vokalistin e ”Black Sabbath” erdhi nga Garda  Mbretërore, në një ditë me shumë turistë në Londër.

Pas procesionit të funeralit të djeshëm, një funeral privat do të mbahet sot në një kishë në Gerrards Cross, Buckinghamshire, pranë shtëpisë së Osbourne.

Të pranishëm do të jenë familjarë dhe miq, anëtarët e tjerë të ”Black Sabbath”, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward, të cilët performuan me Ozzy-n për herë të fundit në një koncert lamtumire në Birmingham më 5 korrik, dhe disa yje të muzikës, përfshirë Elton John, James Hetfield të ”Metallica”-s dhe këngëtarin britanik Yungblud./  a.jor.

The post MUZIKË – Garda Mbretërore Britanike luan ”Paranoid” të Ozzy Osbourne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 31/07/2025

KIEV (Ukrainë) – Deputetët ukrainas votojnë për një projektligj që rikthen fuqitë e agjencive kundër korrupsionit.

HELSINKI (Finlandë) – Konferencë për 50-vjetorin e Marrëveshjeve të Helsinkit.

ORANGE (Francë) – Will Smith në koncert në Theatre d’Antique në Orange për festivalin ”Positiv”.

SHTUTGART (Gjermani) – Vendimi në gjyqin e Michael Ballweg, themeluesit të lëvizjes konspirative “Penseurs Non-conformistes-711″.

STRASBURG (Francë) – GJEDNJ-ja vendos për arrestimin e gazetares së njohur polake, Ewa Anna Siedlecka, gjatë një demonstrate të vitit 2017.

STOKHOLM (Suedi) – Vendim në gjyqin e xhihadistit Osama Karayem, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e një piloti jordanez.

CAPE CANAVERAL (Shtetet e Bashkuara) – ”SpaceX Crew-11” i NASA-s niset për në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

RAIFORD (Shtetet e Bashkuara) – Ekzekutimi i Edward J. Zakrzewski për vrasjen e gruas dhe dy fëmijëve të tij në vitin 1994.

HONG KONG (Kinë) – Futboll – Ndeshje miqësore para sezonit – Arsenal-Tottenham.

CHICAGO (Shtetet e Bashkuara) – Futboll – Ndeshje miqësore para sezonit – Manchester United-Bournemouth.

FARO (Portugali) – Superkupa Portugeze – Sporting-Benfica./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 31/07/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Portet në të gjithë Havain u mbyllën, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8,8 ballë Rihter që goditi Paqësorin pranë gadishullit të Kamçatkas, në Lindjen e Largët ruse.

Roja bregdetare ka udhëzuar anijet tregtare që drejtohen për në portet e Havait që të qëndrojnë në det për momentin.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Havain, me televizionet lokale që transmetojnë pamje të kamerave në plazhe që monitorojnë vijën bregdetare.

Një tërmet me magnitudë 8,8 ndodhi në orën 23:24 GMT, rreth 136 kilometra në juglindje të gadishullit Kamçatka, në detin Bering në një thellësi prej rreth 20 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

USGS fillimisht kishte raportuar magnitudë si 8,0.

Sipas USGS, tërmeti ishte më i forti në botë që nga katastrofa e Fukushimës, në mars 2011, dhe është tejkaluar vetëm nga pesë tërmete që nga fillimi i matjeve.

Japonia, Rusia dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara lëshuan paralajmërime për cunami pas tërmetit të fuqishëm nënujor./  a.jor.

The post SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Çfarë është një cunami?

PARIS, 30 korrik /ATSH-AFP/ – Cunamet, si ato që filluan të godisnin sot brigjet e Paqësorit të Rusisë dhe Japonisë duke shkaktuar alarme në dhjetëra vende, shkaktohen nga tërmete nënujore.

Tërmeti përgjegjës, i cili ndodhi gjatë natës pranë gadishullit Kamçatka rreth orës 23:25 GMT të martën, u vlerësua në një magnitudë prej 8,8 ballësh nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) me seli në Havai.

Ai tashmë ka shkaktuar një cunami prej afërsisht 30 centimetrash në Japoninë veriore, evakuimin e punonjësve nga termocentrali bërthamor i Fukushimës – i dëmtuar nga një cunami shkatërrues në vitin 2011 – dhe përmbytjen e një qyteti port në Ishujt Kurile.

Autoritetet kanë paralajmëruar për lartësi të mundshme nga një deri në tre metra në disa vende, përfshirë Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara (Havai dhe Alaska).

Vala e cunamit, e krijuar nga goditja sizmike, fiton energji sa herë që godet shtratin e detit.

Në origjinën e tij, një cunami gjeneron vetëm valë të vogla, me hapësira të gjera, sepse masat e mëdha të ujit të zhvendosura nga tërmeti nxitojnë poshtë thellë përgjatë deformimeve të shtratit të detit, ndryshe nga valët e zakonshme, të cilat ndikojnë vetëm në sipërfaqen e ujit.

Por, ndërsa këto valë përparojnë drejt bregdetit, me një shpejtësi prej rreth 800 km/h, shtrati i oqeanit ngrihet, duke përqendruar energjinë e mbartur nga cunami.

Valët ngadalësohen, afrohen më shumë me njëra-tjetrën dhe lartësia e tyre rritet ndjeshëm, duke arritur mbi 20 metra.

Meqenëse një valë humbet shumë pak energji gjatë përhapjes së saj në det, ajo mund të kryejë distanca të konsiderueshme për të goditur brigjet mijëra kilometra nga origjina e saj.

Për shembull, në vitin 1960, një tërmet me magnitudë 9,5 në Kili shkaktoi një cunami shkatërrues që arriti në bregdetin e Japonisë.

Vendet kryesore të Paqësorit koordinojnë vëzhgimet e tyre për të paralajmëruar për rreziqet e këtyre valëve të oqeanit.

Ndërsa shumica e cunameve ndodhin pas një tërmeti, ka shkaqe të tjera të mundshme: ortekë nënujorë, ndonjëherë të shkaktuar nga tërmetet, si në Guinenë e Re Papua në vitin 1998 (më shumë se 2 000 viktima), shpërthime vullkanike, si në Krakatoa, një ishull i vogël midis Java dhe Sumatra (36 400 viktima në gusht 1883), dhe ndikimi i një asteroidi në ujë.

Valët e vogla mund të shkaktohen edhe nga fenomenet meteorologjike, veçanërisht shkëmbimet e dhunshme termike që çojnë në sisteme me presion të ulët që gjenerojnë erëra të forta.

Më 26 dhjetor 2004, brigjet e një duzine vendesh të Azisë Juglindore u shkatërruan nga një cunami që vrau 220 000 persona.

”Forca e tërmetit në origjinën e tij ishte ekuivalente me afërsisht 23 000 bomba atomike si ajo në Hiroshima”, sipas USGS.

Në mars 2011, Japonia pësoi një tërmet me magnitudë 9,0 të ndjekur nga një cunami gjigant në brigjet verilindore të vendit, një katastrofë që la rreth 20 000 të vdekur ose të zhdukur.

Megjithatë, cunamet nuk kufizohen vetëm në Paqësor.

Atlantiku dhe Mesdheu janë prekur gjithashtu në të kaluarën, siç dëshmohet nga historiani romak Ammianus Marcellus, i cili dëshmoi cunamin në Aleksandri të Egjiptit në vitin 365 pas Krishtit./ a.jor.

The post FOKUS – Çfarë është një cunami? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Tërmet me magnitudë 8,7 në Kamçatka, alarm për cunami në gjithë Paqësorin

KAMÇATKA, 30 korrik /ATSH-ANSA/ – Një tërmet i fuqishëm në rajonin rus të Kamçtkas, me magnitudë 8,7 ballë Rihter, ka shkaktuar një paralajmërim për cunami për zonën e oqeanit Paqësor, nga Japonia në Amerikë.

”Epiqendra e tërmetit ndodhej afërsisht 136 kilometra në lindje të Petropavlovsk, në një thellësi prej 19 kilometrash”, sipas USGS.

Valët e para të cunamit goditën zonën bregdetare të Severo-Kurilskut, një qytet në Lindjen e Largët të Rusisë.

Porti dhe qyteti u përmbytën, por banorët janë të sigurt në terrene të larta.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Rusinë, Japoninë, Guamin, Hawaiin dhe Alaskën.

Tërmeti shkaktoi lëndime të shumta, sipas autoriteteve lokale.

“U bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë larg bregdetit në zonat e prirura ndaj cunamit dhe të dëgjojnë njoftimet me altoparlantë”, shkroi guvernatori i Kamçatkas, Vladimir Solodov, në Telegram.

Punëtorët që po çmontojnë termocentralin bërthamor ”Fukushima Daiichi” në rajonin Tohoku veriperëndimor të Japonisë janë evakuar.

Kjo u njoftua nga operatori i centralit, ”Tokyo Electric Power” (Tepco), i cili ende nuk ka raportuar ndonjë anomali në vend, vendi i aksidentit bërthamor në mars të vitit 2011.

Tërmeti, sipas autoriteteve ruse, shkaktoi lëndime të shumta.

Ministria e Burimeve Natyrore e Kinës ka lëshuar një alarm të nivelit të verdhë.

Mediet shtetërore të Pekinit raportuan se masa ndikon në bregdetin lindor të vendit.

“Për shkak të një tërmeti të fuqishëm në oqeanin Paqësor, një paralajmërim për cunami është në fuqi për banorët e Havait. Një paralajmërim për cunami është në fuqi për Alaskën dhe bregdetin e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara. Një cunami po shkon edhe në Japoni. Vizitoni tsunami.gov/ për informacionin më të fundit. Qëndroni të fortë dhe të sigurt!” shkroi presidenti amerikan, Donald Trump në llogarinë e tij në rrjetet sociale Truth Social.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar në Japoni nga Agjencia Kombëtare Meteorologjike (JMA) përgjatë gjithë bregdetit lindor, duke i nxitur banorët të largohen nga bregdeti dhe të evakuohen në zona më të sigurta.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti ndodhi 126 kilometra në juglindje të Petropavlovsk-Kamçatski, në një thellësi prej 18,2 kilometrash.

Aktualisht nuk dihet nëse ka pasur dëme ose të lënduar në Lindjen e Largët Ruse.

JMA vlerëson se një cunami deri në tre metra mund të godasë bregdetin e Hokkaido në Japoninë veriore dhe Ishujt Ogasawara në jug.

Agjencia raportoi se dridhje me magnitudë 2,0 sipas shkallës sizmike japoneze prej 7,0 u regjistruan në Hokkaido./  a.jor.

The post RUSI – Tërmet me magnitudë 8,7 në Kamçatka, alarm për cunami në gjithë Paqësorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 30/7/2025

BOTA – Dita Botërore Kundër Trafikimit të Personave.

KIEV (Ukrainë) – Demonstratë kundër qeverisë për të rivendosur pavarësinë e agjencive antikorrupsion.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Rezerva Federale do të publikojë vendimin, pas takimit të Komitetit të Politikës Monetare.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Konferencë për shtyp nga kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell pas takimit të Komitetit të Politikës Monetare

RABAT (Marok) – Dita e Fronit, që shënon kurorëzimin e mbretit Mohammed VI.

LIBAN – Fjalim nga udhëheqësi i Hezbollahut në përvjetorin e vrasjes së komandantit, Fouad Chokr.

TOKIO (Japoni) – Futboll – Turneu parasezonal aziatik – Liverpool-Yokohama./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 30/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”The Standard”: Pse Tirana e bukur duhet të jetë pushimi juaj kulturor i radhës?

LONDËR, 29 korrik /ATSH/ – Tirana, ky qytet plot gjallëri, është shumë më tepër sesa një ndalesë në rrugën drejt plazheve me rërë të bardhë të Shqipërisë, shkruan sot Vicky Jessop për prestigjiozen britanike “The Standard”.

Ju dëgjoni fjalën ”Shqipëri” dhe ndoshta imagjinoni pamje të mrekullueshme të detit, perëndime dielli mesdhetare ose faqen e Dua Lipës në Instagram.

Kjo është arsyeja pse njerëzit që shkojnë në këtë vend mesdhetar janë në kërkim të bregdetit të tij të mrekullueshëm shkëmbor dhe e gjejnë veten duke kaluar edhe në kryeqytetin e tij, Tiranën.

Ajo nuk shihet si një destinacion në vetvete, me shumicën e njerëzve që kalojnë vetëm një natë atje, përpara se të nisen për në arratisjet bregdetare jugore të Sarandës dhe Ksamilit.

Kjo është për të ardhur keq, sepse kushdo që e gjen veten në Tiranë për një kohë të gjatë do të zbulojë një qytet që aktualisht po kalon një transformim të jashtëzakonshëm.

I çliruar nga pesë dekada diktaturë dhe frenim ekonomik, investimet tani po vërshojnë në kryeqytetin shqiptar, duke lënë pas ndërtesa, restorante dhe kafene të reja interesante.

Me një kuzhinë në përmirësim, me një histori komplekse dhe me një qëndrim të qetë, Tirana shpërblen udhëtarin që gjen kohë për ta eksploruar atë siç duhet.

Ja se si të futeni në lëkurën e këtij qyteti të zhurmshëm:

Shëtitje të shumta

Shqipëria është një vend që ka vetëm 113 vjet pavarësi. U pushtua fillimisht nga osmanët për rreth 400 vjet, pastaj, pasi u zhdukën pas Luftës së Parë Botërore, gjermanët dhe italianët shkuan sërish atje gjatë Luftës së Dytë.

Pas kësaj, Enver Hoxha, i mbështetur nga BRSS, i ngjit në pushtet në fund të viteve ’40. Në një kthesë të parashikueshme, ai u bë një diktator i pamëshirshëm, i cili shtypi brutalisht të gjitha format e disidencës, dërgoi rebelët në kampe përqendrimi dhe e zhyti vendin në dekada varfërie të tmerrshme.

Si rezultat, jo shumë nga qyteti i vjetër i Tiranës mbijetoi. Pjesa më e madhe e saj u rrafshua në një tërbim entuziazmi komunist dhe brutalist. Megjithatë, pamje të vogla janë ende të dukshme, veçanërisht rreth sheshit ”Skënderbej”, në zemër të kryeqytetit.

Për t’i parë të gjitha këto, një tur falas në këmbë është gjithmonë një mundësi e mirë.

Është gjithashtu i përshtatshëm edhe për turistët e vetmuar. Përveç Teatrit modernist të Operës që rrethon skajin e sheshit, shkoni edhe në xhaminë e Et’hem Beut, që ndodhet pranë saj. E ndërtuar nga osmanët në vitet 1700, është një pjesë e bukur dhe e thjeshtë arkitekturore e rrethuar nga një kullë sahati në njërën anë dhe sheshi i gjerë në anën tjetër.

Prej andej, vazhdoni nëpër rrugët drejt Pazarit të Ri, ku shiten suvenire turistike dhe qilima të endur, si dhe fruta dhe perime dhe gjeni kohë për të bredhur nëpër rrugën ”Murat Toptani” drejt kalasë së vjetër. Pjesa më e madhe e saj u rrafshua nga komunistët, por rrënojat janë mbushur me dyqane dhe është një vend i këndshëm për t’u ulur dhe për të pirë një kafe.

Një nga gjërat më të bukura të Tiranës është vëmendja e madhe që i është kushtuar rigjallërimit të saj. Ajo nuk është e thjeshtë, pa shpirt dhe plot me rrokaqiej si shumë qytete moderne; përkundrazi, arkitektë nga e gjithë bota janë porositur për të ndërtuar kulla të çuditshme që i shtojnë një dimension të ri interesant horizontit.

Shikoni kullën ”Skënderbeu” pranë sheshit kryesor si një shembull i kësaj. E ndërtuar nga studioja holandeze MVRDV, valët dhe kthesat e saj, kur shihen nga këndi i duhur, formojnë një portret të heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut.

Reliket e Hoxhës janë gjithashtu të dukshme rreth kryeqytetit në formën e piramidës madhështore të projektuar nga vajza e tij, Pranvera, si një vend i shenjtë në kujtim të babait të saj të ndjerë.

Fatmirësisht, këto ditë është shtëpia e një qendre trajnimi për të rinj. Shkallët në pjesën e jashtme mund të ngjiten gjithashtu duke ofruar pamje të mrekullueshme në majë.

Ekzistojnë gjithashtu bunkerët, që Hoxha kishte instaluar rreth kryeqytetit në rast të një pushtimi që nuk ndodhi kurrë si edhe shtëpia e tij e vjetër, që tani është një muze./ a.jor.

The post ”The Standard”: Pse Tirana e bukur duhet të jetë pushimi juaj kulturor i radhës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 29/7/2025

BERLIN (Gjermani) – Kancelari gjerman Merz takohet me mbretin Abdullah II të Jordanisë.

GJENEVË (Zvicër) – Konferenca e Gjashtë Botërore e Kryetarëve të Parlamenteve, duke përfshirë përfaqësues nga Ukraina, Rusia, Irani dhe Izraeli.

GJENEVË (Zvicër) – Konferencë për shtyp nga sekretari i përgjithshëm i IPU-së, Martin Chungong.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Premiera evropiane e serialit FX “Alien: Earth”.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Komitetit të Politikave të Rezervës Federale.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – FMN Publikon përditësimin e perspektivës ekonomike botërore (WEO).

OKB – Vota e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Rinovimin e Sanksioneve në Republikën e Afrikës Qendrore.

OKB – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 29/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer i paraqet presidentit Trump planin për Gazën

EDIMBURG, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer i ka paraqitur presidentit amerikan, Donald Trump një plan paqeje, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për Lindjen e Mesme, ndërsa ky i fundit u takua sot me presidentin amerikan.

Starmer filloi punën për një plan me Francën dhe Gjermaninë gjatë fundjavës pas një telefonate emergjente me udhëheqësit e të dy vendeve, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz.

Zëdhënësi i tij zyrtar kishte thënë më parë se ai planifikonte të ndante detajet me aleatët kryesorë, përfshirë shtetet arabe, në ditët në vijim.

Në një deklaratë të takimit të tij me presidentin amerikan, zyra e Starmer tha se të dy përsëritën thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm për të hapur rrugën për paqe.

“Kryeministri përshëndeti përpjekjet e presidentit për ta siguruar këtë dhe ndau planet mbi të cilat po punon me udhëheqës të tjerë evropianë për të sjellë një paqe të qëndrueshme”, tha një zëdhënës i zyrës së Kryeministrit.

Starmer e përshkroi situatën në Gaza si një “katastrofë absolute” ndërsa u shfaq përkrah Trumpit në fushën e tij të golfit Turnberry përpara bisedimeve të tyre.

”Publiku britanik është i revoltuar nga skenat e dëshpërimit në territoret palestineze”, tha ai.

Ndërsa dy liderët u përballën me shtypin, Trump sugjeroi që SHBA-ja të ngrinte qendra të reja ushqimore pa pengesa në Gaza, pasi marrëveshja aktuale e udhëhequr nga SHBA-të kishte çuar në vrasje të shumta të palestinezëve.

“Është një krizë humanitare, është një katastrofë absolute”, tha Starmer për situatën në Gaza ndërsa mbërriti në Ayrshire.

Ai shtoi se “askush nuk dëshiron ta shohë këtë. Mendoj se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar janë të revoltuar kur shohin atë që po shohin në ekranet e tyre, kështu që ne duhet të arrijmë në atë armëpushim”.

Izraeli njoftoi në fundjavë se do të pezullonte luftimet në tre zona të Gazës për 10 orë në ditë dhe do të hapte rrugë të sigurta për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se po merrte pjesë në planet e udhëhequra nga Jordania për të hedhur ndihma nga ajri në territor./  a.jor.

The post BM – Starmer i paraqet presidentit Trump planin për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EGJIPT – Al-Sisi i kërkon Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza

KAJRO, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi i bëri thirrje sot presidentit të SHBA-së Donald Trump të veprojë ndaj krizës humanitare në Gaza, duke thënë se “ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës”.

”Trump është në gjendje të ndalojë luftën dhe të lejojë shpërndarjen e ndihmës humanitare”, tha presidenti në një fjalim televiziv mbi krizën humanitare në Gaza.

“I bëj një apel të veçantë shkëlqesisë së tij presidentit Trump. Ju lutem bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj për të ndaluar këtë luftë dhe për të lejuar shpërndarjen e ndihmës”, tha ai.

Gjatë një udhëtimi në Skoci, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi një armëpushim të mundshëm në Gaza, megjithëse përpjekjet e ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari ende nuk kanë pasur sukses.

Popullsia e Gazës prej më shumë se dy milionë banorësh po përballet me uri në rritje dhe kequshqyerje të përhapur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli kohët e fundit lejoi ndihmë të kufizuar humanitare në territor.

Rreth 2,4 milionë palestinezë janë rrethuar që nga fillimi i luftës, e cila ka lënë gati 60 000 të vdekur në Gaza, kryesisht civilë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, e konsideruar e besueshme nga OKB-ja.

Ky konflikt u shkaktua nga një sulm në tokën izraelite nga lëvizja islamike palestineze Hamas më 7 tetor 2023./  a.jor.

The post EGJIPT – Al-Sisi i kërkon Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 28/7/2025

ABERDIN (Mbretëria e Bashkuar) – Vizitë e presidentit Donald Trump.

MARBEJA (Spanjë) – The ”Beach Boys” performojnë në Starlite Marbella.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Jubileu i të Rinjve, si pjesë e “Vitit të Shenjtë” të organizuar çdo 25 vjet nga Kisha Katolike.

BELFAST (Mbretëria e Bashkuar) – Njëzet vjet më parë, Ushtria Republikane Irlandeze (IRA) hodhi armët pas 35 vitesh konflikti.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Premiera britanike e filmit “Lufta e Trëndafilave”.

PARIS (Francë) – FAO publikon raportin e saj të vitit 2025 mbi gjendjen e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerit në botë.

OKB – Konferencë e OKB-së mbi çështjen palestineze dhe zgjidhjen me dy shtete.

OKB – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë.

KARAKAS (Venezuelë) – Festimi i përvjetorit të parë të rizgjedhjes së presidentit Nicolas Maduro.

BOGOTÁ (Kolumbi) – Drejtësia kolumbiane shpall vendimin kundër ish-presidentit Álvaro Uribe.

LIMA (Peru) – Presidentja Dina Boluarte i drejtohet kombit me rastin e Ditës Kombëtare të Pavarësisë./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 28/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌