BRUKSEL, 8 gusht /ATSH-AFP-ANSA-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri sot thirrje Izraelit të heqë dorë nga plani i tij për Gazën.
“Qeveria izraelite duhet të heqë dorë nga vendimi e saj për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak në Gaza”, tha kreu i Komisionit Evropian në rrjetin social X.
“Një armëpushim është i nevojshëm menjëherë”, pohoi ajo.
”Në të njëjtën kohë, të gjithë pengjet e mbajtura në kushte çnjerëzore duhet të lirohen. Për më tepër, ndihmës humanitare duhet t’i jepet akses i menjëhershëm dhe i papenguar në Gaza për të ofruar atë që nevojitet urgjentisht në terren”, shkruan Von der Leyen.
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi sot herët në mëngjes një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të qytetit të Gazës dhe për të çarmatosur organizatën militante palestineze Hamas, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut.
Deklarata tha se qeveria miratoi një pushtim nga ushtria izraelite të qytetit të Gazës, në veri të territorit, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit.
Zyra e Netanyahut tha se qeveria miratoi një plan nga kryeministri i cili do të shihte çarmatimin e Hamasit, kthimin e pengjeve në Izrael, demilitarizimin e Rripit të Gazës dhe kontrollin e sigurisë izraelite mbi territorin në këmbim të përfundimit të luftës, që vazhdon prej më shumë se 22 muajsh.
Plani gjithashtu kërkon që territori të qeveriset nga një “qeveri alternative civile që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez”./ /os/
LONDËR, 8 gusht /ATSH-AFP-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti sot planin e shpallur të Izraelit për të “mposhtur” Hamasin në Gaza një “gabim” dhe i kërkoi qeverisë së Benjamin Netanyahut ta “rishqyrtojë menjëherë” atë.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të përshkallëzuar ofensivën e saj në Gaza është një gabim dhe ne i kërkojmë asaj ta rishqyrtojë menjëherë”, tha Starmer.
”Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund konfliktit ose për të siguruar lirimin e pengjeve. Ai vetëm do të çojë në më shumë vrasje”, theksoi Starmer në një deklaratë.
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi sot herët në mëngjes një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të qytetit të Gazës dhe për të çarmatosur organizatën militante palestineze Hamas, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut.
Deklarata tha se qeveria miratoi një pushtim nga ushtria izraelite të qytetit të Gazës, në veri të territorit, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit.
Zyra e Netanyahut tha se qeveria miratoi një plan nga kryeministri i cili do të shihte çarmatimin e Hamasit, kthimin e pengjeve në Izrael, demilitarizimin e Rripit të Gazës dhe kontrollin e sigurisë izraelite mbi territorin në këmbim të përfundimit të luftës, e cila ka vazhduar për më shumë se 22 muaj.
Plani gjithashtu kërkon që territori të qeveriset nga një “qeveri alternative civile që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez”./ a.jor.
EDIMBURG, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer i ka paraqitur presidentit amerikan, Donald Trump një plan paqeje, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për Lindjen e Mesme, ndërsa ky i fundit u takua sot me presidentin amerikan.
Starmer filloi punën për një plan me Francën dhe Gjermaninë gjatë fundjavës pas një telefonate emergjente me udhëheqësit e të dy vendeve, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz.
Zëdhënësi i tij zyrtar kishte thënë më parë se ai planifikonte të ndante detajet me aleatët kryesorë, përfshirë shtetet arabe, në ditët në vijim.
Në një deklaratë të takimit të tij me presidentin amerikan, zyra e Starmer tha se të dy përsëritën thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm për të hapur rrugën për paqe.
“Kryeministri përshëndeti përpjekjet e presidentit për ta siguruar këtë dhe ndau planet mbi të cilat po punon me udhëheqës të tjerë evropianë për të sjellë një paqe të qëndrueshme”, tha një zëdhënës i zyrës së Kryeministrit.
Starmer e përshkroi situatën në Gaza si një “katastrofë absolute” ndërsa u shfaq përkrah Trumpit në fushën e tij të golfit Turnberry përpara bisedimeve të tyre.
”Publiku britanik është i revoltuar nga skenat e dëshpërimit në territoret palestineze”, tha ai.
Ndërsa dy liderët u përballën me shtypin, Trump sugjeroi që SHBA-ja të ngrinte qendra të reja ushqimore pa pengesa në Gaza, pasi marrëveshja aktuale e udhëhequr nga SHBA-të kishte çuar në vrasje të shumta të palestinezëve.
“Është një krizë humanitare, është një katastrofë absolute”, tha Starmer për situatën në Gaza ndërsa mbërriti në Ayrshire.
Ai shtoi se “askush nuk dëshiron ta shohë këtë. Mendoj se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar janë të revoltuar kur shohin atë që po shohin në ekranet e tyre, kështu që ne duhet të arrijmë në atë armëpushim”.
Izraeli njoftoi në fundjavë se do të pezullonte luftimet në tre zona të Gazës për 10 orë në ditë dhe do të hapte rrugë të sigurta për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se po merrte pjesë në planet e udhëhequra nga Jordania për të hedhur ndihma nga ajri në territor./ a.jor.
Kërkesa e kryetares së trupit gjykues të çështjes penale për korrupsion në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, u rrëzua nga ana e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Bani. Megjithatë, trupi gjykues u përball të hënën më 21 korrik me një kërkesë për […]
Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan sot para Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit për situatën e rënduar mjedisore të krijuar nga djegia e mbetjeve. Ata theksuan nevojën për ndërhyrje të menjëhershme që situata të mos përsëritet më.
Prej së hënës, banorët janë ekspozuar ndaj një ndotje të rëndë të ajrit, ndërsa ky është i treti vit që vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan merr flakë gjatë verës.
Protesta, e thirrur nga organizata “Drejtësi Sociale”, nisi fillimisht pranë Prokurorisë. Aty ata kërkuan më shumë masa nga organet hetimore.
Gentian Sejrani, avokat dhe aktivist, i bëri apel prokurorisë që të zhvillojë hetime gjithëpërfshirëse. Ai tha se duhen hetuar jo vetëm rastet e zjarreve, por edhe prokurimet publike që janë mbajtur nga bashkitë e qarkut të Elbasanit, për menaxhimin e mbetjeve si dhe pagesat e kryera për procesin e incenerimit.
“Kjo do të ishte e nevojshme për të parë nëse ka pasur ‘incenerim të taksave’ tona, apo jo,” ironizoi Sejrani, sipas së cilit fakti që prokuroria nuk ka arrestuar ende asnjë përgjegjës për situatën lë vend për mosbesim.
Me pankarta në duar të cilat bënin thirrje se “Elbasani s’është kazan” apo se “Zjarret në ladfill, janë zjarre për shëndetin tonë!” qytetarët më pas iu drejtuan bashkisë të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për mosmarrjen e masave të duhura.
“Ne po vrasim fëmijët tonë, ne po flijojmë fëmijët tonë. Ka katër ditë në Elbasan që po qelbemi erë. Era kërrmë, nuk durohet dot. Cfarë bëjnë institucionet?”, u shpreh një nga qytetarët protestues.
Për Ilir Çopjan, banues pranë ish-fushës së mbetjeve, era e tmerrshme e mbetjeve ishte realitet i përditshëm.
” Na u premtua nga kjo qeveri se me hapjen e landfillit qyteti i Elbasanit do të shpëtonte nga mbetjet dhe nga era e keqe. Por ja që shohim që cdo dy vjet, apo cdo herë që duhet të digjet, ajo digjet”, deklaroi Copja.
Për Ervis Çotën, aktivist dhe banues në Elbasan, kjo situatë ka vendosur në vështirësi shëndetësore të moshuarit azmatikë ndërsa nuk janë bërë as udhëzime konkrete nga institucionet se si të mbrohen në këtë situatë. Ndërsa kërkoi hetim të plotë.
“Prokuroria e Elbasanit tashmë e ka nisur një hetim që prej vitit të kaluar, por ndërkohë nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka dalë asnjë gjë konkrete se çfarë ka ndodhur, kush janë personat përgjegjës dhe çfarë masash janë ndërmarrë konkretisht?”, deklaroi Çota.
Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve në Elbasan u vu nën pushtetin e flakëve. Sot, tymrat dhe erërat e rënda ndjeheshin ende në qytet, ndërsa temperaturat e larta e bënin të vështirë qëndrimin në mjediset publike.
Kjo ishte protesta e dytë qytetare. Paraditen e së enjtes, një grup aktivistësh protestuan edhe në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Duke përmendur edhe rastin e zjarreve në Vlorë, ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.
Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”
Një matje në terren gjatë djegies së mbetjeve në Elbasan e organizatës Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN), nxori në pah se ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara.
“Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”, u shprehën në reagimin e tyre Co-PLAN.
Zjarret nxjerrin në pah dështimin në menaxhimin e mbetjeve
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco Elb” tha të mërkurën për Citizens.al se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta.
Ai përjashtoi neglizhencën, duke theksuar se ngjarja lidhet me “shkaqe natyrore”. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë “po digjet gjithandej” dhe kompania është e hapur për hetim të plotë.
Elbasani ka incenerator për djegien e mbeturinave. Projekti prej 26 milionë eurosh që nisi në vitin 2017 në formën e një partneriteti publik-privat, u mbyll me më shumë se 10 persona të dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Në vitin 2021, impianti u konfiskua dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan. Por inceneratori nuk arriti të vihej në punë plotësisht.
Administratori i “Eco-Elb” tha për Citizens.al se impianti punoi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe u fik në dhjetor.
Prej asokohe nuk ka marrë përgjigje nga institucionet për riparimin e tij. Kompania u ka dërguar shkresa të gjitha institucioneve, por pa rezultat.
Rasti i Elbasanit është i ngjashëm me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës, të cilët gjithashtu nuk u vunë në punë asnjëherë, pavarësisht pagesave të larta të projekteve.
Ndërsa miliarderi Elon Musk grindet me Presidentin Trump për legjislacionin e tij të rëndësishëm për taksat dhe politikën e brendshme, Musk ka ripërsëritur thirrjet e tij për të lançuar një parti të re politike, një detyrë e vështirë edhe për personin më të pasur në Tokë. Musk fillimisht propozoi lançimin e një partie të tretë, të quajtur “Partia e Amerikës”, në fillim të këtij muaji pjesë e një debati të ashpër midis presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të Teslës që shënoi fundin e mundshëm të aleancës së tyre politike. Musk e ngriti idenë përsëri këtë javë, ndërsa ligjvënësit nxituan për të dërguar Aktin One Big Beautiful Bill në tavolinën e Trump, dhe këtë herë, Musk vendosi një afat kohor për planin. “Nëse ky projektligj i çmendur për shpenzimet miratohet, Partia Amerikane do të formohet të nesërmen”, shkroi Musk në një postim në X të hënën në mbrëmje, përpara se projektligji të miratohej me një diferencë të ngushtë në Senat të martën dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të enjten.
Partia e re
“Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj unipartisë Demokrat-Republikan në mënyrë që njerëzit të kenë një ZË.” Musk anketoi ndjekësit e tij X rreth idesë së lançimit të një partie të tretë të premten, disa orë përpara se zoti Trump të planifikonte ta nënshkruante projektligjin në ligj në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë për 4 Korrikun. “Dita e Pavarësisë është koha ideale për të pyetur nëse doni pavarësi nga sistemi dypartiak (disa do të thoshin njëpartiak)!”, shkroi Musk. Mbetet e paqartë nëse Musk do ta mbajë premtimin e tij, por ideja mund të jetë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Nëse Musk vendos të lançojë një parti të re politike, ai do të duhet të përballet me një mori ligjesh të ndërlikuara shtetërore, rregulla që kërkojnë kohë për aksesin në fletën e votimit dhe padi të ashpra gjyqësore.
Rënia e shitjeve
Sakaq, edhe pasi Elon Musk u distancua nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shitjet e automjeteve Tesla vazhduan të binin. Shitjet e makinave Tesla në tregun global ranë ndjeshëm në tremujorin e dytë të këtij viti, duke vazhduar rënien që filloi vitin e kaluar. Kompania raportoi se dorëzoi 384,000 automjete nga prilli deri në qershor, krahasuar me 444,000 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një rënie prej 14 përqind. Prodhimi i vjetëruar i Teslës nuk po arrin të përballojë konkurrencën në rritje nga prodhuesit e rinj kinezë të makinave si BYD dhe kompanitë perëndimore të themeluara si General Motors, Volkswagen dhe BMW, vlerëson The New York Times. BYD e Kinës vendosi rekorde të reja shitjesh në qershor.
Pasojat
Shitjet e Teslës kanë rënë në nivelin më të ulët në tre vjet, ndërsa prodhuesi i makinave elektrike vazhdon të vuajë për shkak të pikëpamjeve politike të Elon Musk, sipas gazetës britanike The Independent. Ndërsa konflikti midis Musk dhe Trump u nxeh përsëri këtë javë, aksionet ranë me dy përqind të hënën dhe me pesë përqind shtesë të martën, sipas CNN. Wall Street kishte pritur që aksionet të binin pas raportit të fundit mbi rënien e shitjeve, por aksionet e Teslës u rritën në hapjen e bursës të mërkurën. Në total, çmimi i aksioneve të Teslës ka rënë me rreth 20 përqind këtë vit. Në vend të modeleve të reja për të tërhequr klientë të rinj, kompania vendosi t’i kushtojë më shumë rëndësi drejtimit autonom. Si CEO i Teslës, Musk tha se e ardhmja e kompanisë qëndron te automjetet autonome dhe taksitë robotike. Një numër i konsiderueshëm investitorësh e mbështesin këtë vizion, kështu që ata e rritën vlerën e aksioneve të Teslës në bursë në më shumë se 940 miliardë dollarë, sipas NYT. Që nga muaji i kaluar, taksia robotike e Teslës, Model Y, ka ofruar shërbime për klientët në Austin të Teksasit, me një numër problemesh të vogla, të tilla si frenimi i papritur ose lënia e pasagjerëve në mes të një kryqëzimi. Në SHBA, shitjet e Teslës ranë me 21 përqind në tremujorin e dytë. Shitjet në Evropë ranë me 28 përqind në maj, sipas të dhënave nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave, pavarësisht prezantimit të një versioni të përmirësuar të Model Y, modelit më të njohur të Teslës.
TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës ka hartuar një plan masash për kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik në të gjithë vendin.
Qëllimi i këtyre kontrolleve është të garantojë kushte pune të ndershme dhe të sigurta, duke mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe promovuar ligjshmërinë në sektorin e turizmit.
Në kuadër të këtij plani, Inspektorati do të fokusojë vëmendjen në pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, duke bërë kontrolle rigorozë për regjistrimin dhe pagesën e kontributeve.
Po ashtu, do të monitorohen me kujdes të drejtat e punëtorëve nën moshën 18 vjeç, për të siguruar respektimin e ligjit mbi punësimin e të miturve dhe ndalimin e punëve të rrezikshme apo të natës.
Verifikimi i rregullshmërisë së dokumentacionit për punëtorët e huaj dhe respektimi i të drejtave të tyre ligjore është gjithashtu një prioritet i këtij plani.
Kontrollet do të përfshijnë gjithashtu vlerësimin e pagesës së orëve shtesë, në mënyrë që llogaritja dhe pagesa të bëhen në përputhje me Kodin e Punës, si dhe do të garantohet që çdo punonjës të përfitojë ditët e pushimit javore që i takojnë.
Inspektorati i Punës i bën thirrje të gjithë punonjësve që të denoncojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për krijimin e një tregu pune të ndershëm dhe të sigurt.
Slogani që përcjell mesazhin e këtij plani është: “Ke të drejtë të punosh i sigurt, të sigurohesh dhe të paguhesh nëpërmjet sistemit bankar”. /j.p/
Të moshuarit që kërkojnë rritje të pensioneve për të mbuluar shpenzimet vetjake, duhet të punojnë sërish.
Si një zgjidhje për një jetë më dinjitoze dhe pasjen e burimeve të mjaftueshme financiare, qeveria planifikon një plan masash për grupmoshën e tretë në 5 vitet e ardhshme. Mbrojtja ekonomike dhe sociale e të moshuarve në nevojë do të mbështet në riintegimin e tyre në sektorë të cilat kanë nevojë për punëtorë por kryesisht në ata të gjelbër.
“Parësore është krijimi i mundësive të punësimit në sektorët e gjelbër. Nxitja e krijimit të ndërmarrjeve sociale si një instrument për punësim dhe vetëpunësim të të moshuarve.”
Planifikohet gjithashtu të krijohet një mjedis mundësues për një jetë dinjitoze për gratë dhe burrat e moshuar të moshës 60 vjeç, E cila do të përfshijë dhe lehtësirat fiskale duke nisur nga heqja e tatimit që vendosen për shtëpitë e banimit, token etj por dhe heqjen e taksës vjetore për automjetet vetiake të të moshuarve 65+ dhe reduktimin e gjobave dhe kamat-vonesave .
“Përmirësimi i aksesit në shërbime bankare dhe financiare. Qasja drejt zhvillimit të llogarive kombëtare të transfertave si dhe lehtësira fiskale për të moshuarit.”
Janë mbi 608 mijë pensionistë në zonat urbane dhe mbi 96 mijë në zonat rurale që presin të përfitojnë nga politikat lehtësuese. Ndonëse kërkesa kryesore të moshuarve është pasja e një pensioni dinjitoz krahasuar me rajonin dhe evropën.
TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Drejtoria vendore e Policisë Tiranë prezantoi sot një plan masash për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së lëvizjes së delegacioneve të huaja, të kryesuara nga presidentët përkatës, me rastin e zhvillimit të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Policia njoftoi se të hënën, më 16 qershor 2025 do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, përkatësisht në itineraret e ardhjes dhe largimit të delegacioneve.
Në rrugën e ardhjes, kufizimet do të prekin akset nga Aeroporti i Rinasit, përmes Mbikalimit të Kasharit, Autostradës “Durrës–Tiranë”, Unazës së Re, Rrethrrotullimit të Saukut, Rrugës së Elbasanit, deri në Rrugën “George W. Bush”, Rrugën “Urani Pano” dhe Rrugën “Dervish Hima”.
Ndërsa rruga e largimit të delegacioneve do të shtrihet nga Rruga “George W. Bush”, Rruga e Elbasanit, Rrethrrotullimi i Saukut, Unaza e Re, Sheshi “Shqiponja”, Autostrada “Tiranë–Durrës”, Mbikalimi i Kasharit dhe përfundon në Aeroportin e Rinasit.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit më 16 qershor, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.
Orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes së delegacioneve në aeroportin e Rinasit.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij eventi me rëndësi kombëtare.
Nga 242 pasagjerët që ndodheshin në bord, vetëm një person ka mbijetuar – një 40-vjeçar britanik, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Autoritetet indiane janë duke punuar për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave në tokë, pasi aeroplani goditi disa banesa para se të përplasej plotësisht.
Mjekët në Indi kanë konfirmuar se janë gjetur 270 trupa të pajetë në vendin e rrëzimit të avionit në qytetin Ahmedabad, që ndodhi të enjten. Aeroplani, i cili ishte nisur me destinacion Londrën, u rrëzua në një zonë të banuar pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të rënda ajrore të viteve të fundit.
Procesi i identifikimit të viktimave është i ngadalshëm dhe kërkon krahasimin e mostrave të ADN-së me të dhënat e familjarëve, ndërsa autoritetet po vijojnë ende punën për saktësimin e numrit të persoave që humbën jetën duke mos qenë në avion, por në zonën ku ai u përplas.
Zyrtarët kanë thënë se shumë prej trupave janë në gjendje të dëmtuar rëndë, gjë që e vështirëson ndjeshëm procesin e konfirmimit të identiteteve.
Në nder të viktimave, janë mbajtur vigjilje përkujtimore në disa qytete në Indi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore në rajon. Autoritetet ndërkombëtare dhe agjencitë e aviacionit po hetojnë shkaqet e aksidentit.
Një ngjarje tragjike tronditi Austrinë të martën, ku një 21-vjeçar vrau nëntë nxënës dhe një mësuese në ish-shkollën e tij të mesme në Grac, përpara se të vetëvritej.
Sipas hetimeve të policisë, autori kishte përgatitur me kujdes çdo hap të sulmit, i cili zgjati shtatë minuta.
Kreu i hetuesve, Michael Lohnegger, deklaroi më 12 qershor se i riu ishte një person shumë i mbyllur dhe kishte jetuar me nënën në një zonë rurale pranë qytetit.
Ai ishte larguar nga shkolla tre vjet më parë, pa i përfunduar studimet.
Në banesën e tij u gjet një letër e shkruar me dorë që zbulon se ngjarja ishte planifikuar në detaje.
Hetuesit theksojnë se autori kishte një pasion për lojëra elektronike me skena dhune dhe vrasjesh.
Mësuesja që humbi jetën rezulton të ketë qenë një nga mësueset e tij të mëparshme, ndërsa me nxënësit e tjerë nuk kishte lidhje personale. Sulmi ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur ai hyri në shkollë me armë zjarri dhe municion, ndërsa në ambient ndodheshin rreth 400 nxënës.
Hetimet vazhdojnë për të kuptuar motivet që çuan në këtë akt të rëndë, ndërsa autoritetet nuk kanë publikuar ende emrin e autorit.
Një aeroplan pasagjerësh është rrëzuar pak çaste pas ngritjes nga aeroporti në Ahmedabad, në Indinë perëndimore, ndërsa ishte nisur drejt Londrës.
Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet vendase, mjeti ajror kishte në bord 242 persona. Përplasja ndodhi në një zonë civile pranë aeroportit dhe raportohet se sinjali i avionit u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes, në një lartësi prej rreth 625 metrash.
Destinacioni i fluturimit ishte aeroporti Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, kanë bërë të ditur përfaqësues të kompanisë Air India.
Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërsa nuk ka ende të dhëna zyrtare për gjendjen e pasagjerëve apo shkakun e rrëzimit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nisi zbatimin e një plani të detajuar operacional për formalizimin dhe rritjen e transparencës fiskale në sektorin e turizmit, me qëllim përmirësimin e deklarimeve tatimore dhe reduktimin e informalitetit në këtë sektor strategjik për ekonominë shqiptare.
Plani përfshin masa të shumta për të monitoruar dhe kontrolluar aktivitetin ekonomik në strukturat akomoduese, bar-restorante, agjenci turistike dhe shërbime të tjera të lidhura me turizmin, duke përfshirë edhe aktivitetet në platformat online si Booking dhe Airbnb.
Administrata Tatimore thotë se disponon të dhëna nga vetëdeklarimet, faturat e fiskalizuara, furnizimet, institucionet shtetërore dhe platformat ndërkombëtare si: Booking, Airbnb, Google, etj.
Në kuadër të këtij plani, administrata tatimore synon rritjen e të ardhurave me 20% nga TVSH-ja e paguar në sektorin e turizmit me normë tatimore 6%, rritje me 10% e numrit të tatimpaguesve deklarues TVSH në turizëm, ku përfshihen akomodimi dhe bar-restorantet që kanë normë standarde TVSH-je.
Po ashtu kryen monitorimin e pagesave me qëllim parandalimin e krijimit të borxhit të ri tatimor, përfshirë detyrimet për TVSH dhe tatimet e tjera të lidhura me aktivitetin ekonomik.
Sikurse përmirësimin e saktësisë së deklarimeve të punonjësve dhe pagave reale, përmes verifikimeve të thelluara si dhe sensibilizimin dhe këshillimin individual të tatimpaguesve për përmbushjen korrekte të detyrimeve fiskale.
Përmes këtij plani do të kryhet edhe monitorimi dhe analizimi i faturave fiskale për shërbimet e akomodimit dhe aktivitetet në stacionet e plazhit, si dhe kontrolli dhe verifikimi në terren i subjekteve me rrezik të lartë të informalitetit.
Administrata tatimore po bashkëpunon me institucione të tjera dhe aktorë vendorë për të krijuar një bazë të dhënash të përditësuar dhe të saktë të subjekteve që operojnë në sektorin e turizmit, duke e bërë sektorin më transparent dhe konkurrues në treg.
Ky plan operacional pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit në vitin 2025, duke garantuar një ambient më të drejtë dhe të qëndrueshëm për bizneset dhe shtetin.
TEL AVIV, 30 maj /ATSH-DPA/ – Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të përkohshëm në konfliktin e Gazës, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësja e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Karoline Leavitt, tha se bisedimet me të gjitha palët janë duke vazhduar dhe se Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një armëpushim dhe kthimin e të gjithë pengjeve nga Gaza.
Ajo theksoi se nëse arrihet një marrëveshje, Shtëpia e Bardhë do ta njoftojë atë, por nuk dha asnjë detaj në lidhje me propozimin aktual të armëpushimit.
Grupi ekstremist palestinez Hamas konfirmoi se ka marrë një propozim të ri për armëpushim të hartuar nga i Dërguari Special i SHBA-së, Steve Witkoff, nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Në një deklaratë për shtyp, Hamasi tha se po e studion propozimin me përgjegjësi dhe se çdo përgjigje do të bazohet në interesat e popullit palestinez, me fokus në lehtësimin e vuajtjeve humanitare në Rripin e Gazës dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
Propozimi i ri nga Witkoff përshkruan një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës që përfshin lirimin e 10 pengjeve në dy grupe brenda një jave, sipas mediave izraelite.
Hamasi do të duhet të dorëzojë trupat e 18 të rrëmbyerve që mbahen ende në Gaza, ndërsa trupat e 180 palestinezëve do të kthehen gjithashtu.
Izraeli gjithashtu do të lirojë 125 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1 111 banorë të Gazës që janë mbajtur në burgjet izraelite që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Armëpushimi dymujor do të lehtësojë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit pothuajse 20-mujor./ /os/
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 19 maj të pranojë kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të liderit të opozitës dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv. I pandehur për të njëjtën vepër penale në këtë çështje është edhe […]
Stjuardesat i përshëndesin pasagjerët para se të hipin në aeroplan jo vetëm nga mirësjellja, por edhe për arsye sigurie dhe vlerësimi. Ja pse konkretisht:
Vlerësojnë gjendjen fizike dhe emocionale të pasagjerëve: gjatë përshëndetjes, stjuardesat vëzhgojnë nëse dikush duket shumë i sëmurë, i dehur, agresiv ose në panik — situata që mund të ndikojnë në sigurinë e fluturimit.
Identifikojnë pasagjerët që mund të ndihmojnë në rast emergjence: p.sh., mjekë, zjarrfikës, personel ushtarak apo njerëz fizikisht të fortë.
Krijojnë një atmosferë mirëseardhjeje: një përshëndetje e ngrohtë i bën pasagjerët të ndihen më të sigurt dhe më të qetë që në fillim të udhëtimit.
Pra, përtej buzëqeshjes dhe mirësjelljes, është një kontroll i heshtur dhe profesional për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë gjatë fluturimit.
TIRANË, 24 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria do t’i ofrojë mundësi biznesit që në 5 vitet e fundit nuk ka deklaruar saktësisht bilancet apo pasqyrat financiare, t’i riplotësojë vullnetarisht ato kundrejt një mase të reduktuar tatimi prej vetëm 5%, pa gjoba dhe interesa, ndërsa nuk do të ushtrohet kontroll tatimor për këtë periudhë.
Gjatë një bashkëbisedimi me biznesin në Elbasan, ku u prezantua “Plani i paqes” për biznesin në mandatin e ardhshëm qeverisës, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, njëherazi kreu i PS-së, Ibrahimaj deklaroi se nisma e re e qeverisë do të krijojë një marrëdhënie të re bashkëpunimi mes biznesit dhe administratës tatimore.
Sipas ministres, edhe pse shumica e bizneseve janë të formalizuara dhe raportojnë rregullisht, një pjesë e konsiderueshme prej tyre ka operuar në ekonomi informale gjatë dekadave të kaluara dhe ka detyrime të papaguara që datojnë më shumë se 10 vjet më parë.
“Një pjesë e madhe e bizneseve, edhe pse të formalizuara dhe që deklarojnë rregullisht, kanë pasur periudha ku nuk kanë deklaruar, dhe në fakt shumica e bizneseve hyjnë në këtë kategori”, theksoi Ibrahimaj.
Ministrja informoi se përmes “Planit të paqes” propozohet një mundësi për të gjitha bizneset që dorëzojnë një bilanc ose deklaratë tatimore për të rishikuar deklaratat e tyre për 5-vjeçarin e fundit, duke paguar vetëm 5% tatim për çdo diferencë që rezulton pas rishikimit.
“Biznesit i jepet e drejta e rishikimit të pasqyrave financiare deri në 5 vite më parë. Tatim vetëm 5% për ndryshimet e deklaruara. Pa gjoba, pa interesa, dhe pa kontrolle tatimore për vitet e rishikuara. Qëllimi është i qartë dhe i pastër: të mbyllet historia e së kaluarës dhe bizneset të mund të ecin përpara në mënyrë të sigurt dhe të qetë,” shtoi Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se kjo nismë synon rritjen e standardeve të bashkëpunimit mes tatimeve dhe bizneseve, duke marrë si model shtetet me administrata tatimore efikase si Norvegjia dhe Suedia.
“Ky është standardi që duam të arrijmë. Forcat tona duhet të përqendrohen në investime, rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit, dhe integrimin në zinxhirët e vlerës europiane”, theksoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj përfundoi duke theksuar se nuk mund të mendojmë më për të kaluarën dhe për mënyrat se si të shmangim shtetin, por duhet të fokusohemi në një bashkëpunim të ndershëm dhe të qëndrueshëm për të dyja palët. /j.p/
KIEV, 19 prill /ATSH-ANSA/ – Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov u tha zyrtarëve amerikanë se Kievi është 90 për qind dakord me planin e paqes të presidentit amerikan, Donald Trump të paraqitur në Paris këtë javë, raporton ”New York Post”, duke cituar një zyrtar të lartë të Uashingtonit.
Pyetja tani është nëse Moska do t’i bashkohet apo jo planeve të paqes të liderit amerikan.
“Javën e ardhshme në Londër, ne duam të marrim një vendim për një armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës”, tha zyrtari.
”Qëllimi më pas është që të kemi diskutime me rusët dhe më pas të themi se kjo është oferta juaj më e mirë dhe përfundimtare”, theksoi Umerov.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina pritet të kryejnë edhe sot një shkëmbim të të burgosurve të afro 500 të burgosurve, përfshirë 46 ushtarë të plagosur, të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tha një burim i cituar nga ”Sky News”.
”Me rastin e Pashkëve, 246 të burgosur nga secila anë do të shkëmbehen në mënyrë të barabartë”, zbuloi burimi.
Numri i përgjithshëm i të burgosurve të shkëmbyer me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe tani është 3 233./ a.jor.
BERLIN, 9 prill /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi konservator Friedrich Merz paraqiti një “plan ambicioz” për ta çuar Gjermaninë përpara duke njoftuar një marrëveshje koalicioni midis partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë, të cilën ai do ta drejtojë si kancelar.
Marrëveshja vjen pas javësh negociatash të vështira pasi aleanca e qendrës së djathtë – e përbërë nga kristian-demokratët (CDU) e Merz dhe Bashkimi Kristian-social (CSU), e cila është e pranishme vetëm në Bavari – fitoi zgjedhjet parlamentare në shkurt.
Ata janë vendosur të qeverisin për katër vitet e ardhshme me social-demokratët (SPD).
69-vjeçari Merz, një ish-rival i Angela Merkelit, do të zëvendësojë kancelarin në largim të SPD-së, Olaf Scholz./ /os/
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në konkursin për përzgjedhjen e masterplanit të ri për zonën e ish-Cirkut në qendër të Tiranës, një projekt që synon transformimin e kësaj hapësire në një pol të rëndësishëm urban. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë e cilësoi këtë iniciativë si një tjetër hap madhor në rrugën e zhvillimit të vendit, me Tiranën që vijon të mbajë rolin udhëheqës në procesin e transformimit urban.
“Është një tjetër gur i rëndësishëm që synojmë të vendosim në rrugën e re të Shqipërisë, një rrugë ku Tirana është lokomotiva e një transformimi epokal,” u shpreh Rama. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së arkitektëve ndërkombëtarë dhe krijimin e një hapësire të veçantë për arkitektët e rinj shqiptarë, të cilët përfitojnë nga eksperienca dhe bashkëpunimi me profesionistë të njohur në këtë fushë.
Konkursi për zhvillimin e zonës së ish-Cirkut është pjesë e një serie iniciativash që synojnë rigjenerimin urban të kryeqytetit. Rama falënderoi të gjitha studiot pjesëmarrëse në konkurs dhe uroi që juria të bëjë zgjedhjen më të mirë, ashtu si në projektet e mëparshme të suksesshme.