Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 August 2025Main stream

Ndizen kodrat rreth Tiranës, zjarret i afrohen zonave rezidenciale, rrezikohen banorët

11 August 2025 at 23:47

Një tjetër vatër zjarri është raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne, më 11 gusht, në kodrat e Selitës në Tiranë, duke ngritur alarmin për rrezik të përhapjes së flakëve në zonat e banuara. Dhe kjo nuk është vatra e vetme në kryeqytet.

Në fakt, rreth 10 vatra aktive ka patur të raportuara gjatë ditës së sotme në Tiranë, ku momentalisht situata më e vështirë duket tek vatrat në faqe të malit në Fortuzaj.

Në Fortuzaj, në malin që ndodhet pas nesh janë vatrat e zjarrit që janë aktive. Kemi disa minivatra të shpërndara në faqen e malit, që janë sipër banesave që dallohen edhe me sy të lirë. Mund të jenë rreth 20 banesa që mund të rrezikohen në afërsi të zonës së Sharrës, jo shumë larg nga Kodra e Selitës, ku është një tjetër vatër që rrezikon banesat.  Ka disa orë që është ndezur kjo vatër zjarri, ku siç duket po digjet bimësi dhe shkurre dhe rrezikon të afrohet tek banesat, raporton Tv Klan.

Disa vatra të tjera janë raportuar edhe në zonën e Petrelës, në Malin e Bërzhitës, në afërsi të zonës së Arbanës, ku sipas ministrisë së Mbrojtjes ka patur ndërhyrje të forcave zjarrfikësve. Në Arbanë po ashtu ka patur edhe ndërhyrjen e një helikopteri Canadair kroat.

Ndërkohë gazetari Bajraktaraj gjatë raportimit shtoi se “Në Zall-Herr është bërë e mundur dhe shuarja e flakëve, ku flakët kanë rrezikuar disa banesa

Zjarret e këtyre ditëve, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira, po përbëjnë një sfidë serioze për strukturat e emergjencës në të gjithë vendin. Kujtojmë se situata me zjarret paraqitet më problematike kryesisht në jug të vendit, konkretisht në qarkun e Vlorës.

Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.

The post Ndizen kodrat rreth Tiranës, zjarret i afrohen zonave rezidenciale, rrezikohen banorët appeared first on Telegrafi.

Propozimet për kryeparlamentar, Deliu tregon cilët emra nga LVV nuk i voton PDK-ja

11 August 2025 at 23:37

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, këtë herë me udhëzime më të qarta.

Deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh dhe të zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Në këtë kontekst, deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka deklaruar në Debat Plus se partia e saj nuk do të bëhet pjesë e asnjë votimi për kandidatë që kanë qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, përfshirë ministrat, zëvendësministrat dhe kryeministrin.

“PDK ka qenë shumë e qartë në qëndrimet e saj. Ne kemi thënë se nuk do të bëhemi pjesë e asnjë votimi e emrave që kanë qenë pjesë e qeverisjes në mandatin e kaluar. Duke përfshirë, ministrat, zëvendësministrat, kryeministrin… por kemi deklaruar se jemi të hapur për propozime të reja, duke bërë përpjeke të dalim nga situata e rëndë e krijuar, e bllokada tashme 6 mujore e themelimit të institucioneve të reja”, ka thënë Deliu.

The post Propozimet për kryeparlamentar, Deliu tregon cilët emra nga LVV nuk i voton PDK-ja appeared first on Telegrafi.

Zyrtari i lartë gjerman bën thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

11 August 2025 at 23:15

Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Kosovë më 10 dhe 11 gusht.

Gjatë qëndrimit, ai u takua me një gamë të gjerë liderësh politikë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Reiffenstuel pati takime edhe me kryetarët e partive kryesore opozitare, Memli Krasniqin nga PDK dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Në Mitrovicë, ai u takua me përfaqësues të partive serbe të Kosovës dhe të shoqërisë civile, si dhe zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it.

Në takimet me përfaqësuesit politikë të Kosovës, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, për t’i dhënë fund bllokadës politike.

Gjithashtu, përsëriti pritshmërinë e Gjermanisë që të gjitha subjektet që plotësojnë kriteret të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Reiffenstuel riafirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Peter Sörensen, në përpjekjet e tij për të avancuar dialogun e normalizimit të lehtësuar nga BE-ja. Ai theksoi se angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e procesit të integrimit evropian, të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm./Telegrafi/

The post Zyrtari i lartë gjerman bën thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Vrasje në Hajvali të Prishtinës, i dyshuari është identifikuar

11 August 2025 at 22:46

Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen Hajvali të Prishtinës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për Telegrafin se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pa shenja jete.

“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Edhe drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar se viktima kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

“Në QKUK ka ardhur i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”, ka deklaruar Syla.

Autoritetet janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje./Telegrafi/

The post Vrasje në Hajvali të Prishtinës, i dyshuari është identifikuar appeared first on Telegrafi.

Vdes në spital i mituri nga aksidenti në Qafën e Koshovicës

11 August 2025 at 20:55

Një lajm i trishtë vjen nga Spitali i Traumës, ku sot është ndarë nga jeta 15-vjeçari i plagosur rëndë në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmjen e së premtes në vendin e njohur si “Qafa e Koshovicës”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur automjeti me të cilin udhëtonin katër persona humbi kontrollin dhe u përmbys në anë të rrugës. Brenda automjetit mbetën të bllokuar të plagosur katër persona, përfshirë edhe të miturin.

Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dalë tym i dendur, duke rrezikuar një shpërthim të mundshëm.

Në këtë moment, ndërhyri efektivi 26-vjeçar i policisë, Klajdi Mustaj, i cili nxori të lënduarit nga automjeti.

Pavarësisht ndërhyrjes së tij dhe përpjekjeve të mjekëve, 15-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë sot në spital.

The post Vdes në spital i mituri nga aksidenti në Qafën e Koshovicës appeared first on Telegrafi.

Katër vrasje brenda një dite, kërkohet veprim i institucioneve

11 August 2025 at 20:49

Katër persona të vrarë brenda një dite në Kosovë. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren – janë rastet e fundit që tronditën vendin brenda 24 orëve.

Në një kafene afër Komunës së Gjilanit, si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir. Më vonë vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në spital. Policia e Kosovës është në kërkim të tre personave të dyshuar – Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij të cilët ndodhen në arrati.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se ky rast tregon për “çalimin e institucioneve të drejtësisë”.

“Duhet të kërkohet llogaridhënie tek institucionet e drejtësisë pse këta persona janë liruar, pse këta persona nuk kanë marrë dënimin e merituar. Fajdeja është një ndër krimet dhe format më të shpeshta të krimit të organizuar në Kosovë, e cila shpesh herë ka pasur edhe forma të tjera të viktimave, ku persona të caktuar janë detyruar të bëjnë vetëvrasje apo ta lëshojnë komplet vendin si rezultat i presioneve që kanë përjetuar. Fajdeja nuk duhet të trajtohet si krim i rëndomtë e mënyra se si është trajtuar ky rast duket qartë se është nënvlerësuar si rast krimi”, tregon Vrajolli.

Gjykata Themelore në Gjilan tha sot se ndaj personit të dyshuar, Mefail Shkodra, nuk ka lëndë aktive në këtë institucion. Sipas njoftimit të gjykatës, Shkodra ka pasur tri lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues.

Ndërkaq, sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, gjykata tha se nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë tha më vonë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës – i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Këto raste tragjike duhet të vejnë në lëvizje tërë shoqërinë, thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

“Një ngjarje e dhimbshme e cila duhet të vejë në lëvizje tërë shoqërinë. Po them kështu sepse nuk mund të jetë vetëm çështje e drejtësisë apo vetëm e policisë. Është një çështje e mentalitetit, e një numri të madh të armëve në duar të qytetarëve, të një mos trajtimi si temë nga gjithë shoqëria, nga gjithë mekanizmat relevantë. Prandaj, këto janë ato defektet tona si shoqëri, shto këtu pastaj edhe narrativën gjithmonë në çdo çështje duke debatuar fillimin eventual të luftës, problemet me Serbinë, qytetarët janë të stërmbushur me tema që në thelb e kanë konceptin e luftës, e dhunës, e armës”, deklaron ai.

Sipas tij, duhet të ketë rishqyrtim të strategjisë për sundimin e ligjit dhe për sigurinë në vend.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme se cilat janë masat që do të ndërmerren dhe si dhe për numrin e armëve pa leje në duart e qytetarëve, por deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Megjithatë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e “çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës”, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se gjatë verës ka rritje të kriminalitetit në vend.

“Në statistikat e kriminologjisë qoftë paralufte apo edhe viteve paslufte, tregojnë se në kohën e verës, në këtë kohë zakonisht rritet kriminaliteti. Qoftë vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet, etj. Kjo nuk e arsyeton në asnjë mënyrë këto vrasje që po na ndodhin, vetëm muajin e kaluar patëm disa vrasje, tani më kemi edhe katër vrasje brenda një kohë të shkurtër. Kjo tregon se niveli shoqëror, vetëdija shoqërore tek ne është ende e largët, ndikojnë disa faktorë pse vijnë deri tek kjo pikë. Pra, për shkak se në këtë kohë rritet ekonomia, rritet qarkullimi i njerëzve, rriten edhe kërkesat për blerje dhe të tjera”, shprehet ai.

Mbrëmjen e së dielës u qëllua me thikë edhe një person në Zhur të Prizrenit, i cili vdiq si pasojë e plagëve që mori. Policia ka arrestuar të dyshuarin, ku gjatë bastisjes është gjetur thika me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Një rast tjetër tragjik, ditë më parë ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit, ku u gjet trupi i një personi të groposur. Paraprakisht, familja e kishte lajmëruar si të zhdukur. Policia ka intervistuar katër dëshmitarë, ndërkohë që rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë.

“Prokurori i Shtetit dhe njësitet përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë”, ka njoftuar ajo.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës treguan për KosovaPress se “gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2024 kanë ndodhur shtatë vrasje. Po ashtu, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2025 shtatë vrasje”.

The post Katër vrasje brenda një dite, kërkohet veprim i institucioneve appeared first on Telegrafi.

IHMK: Korriku i këtij viti muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë, në Klinë u thyen rekordet

11 August 2025 at 18:43

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi 40 gradë Celsius.

“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.

Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.

Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive. Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook.

Instituti ka përmendur edhe pasojat e temperaturave të larta, duke thënë se ato ndikojnë në rritje të sëmundjeve me të nxehtin – goditje termike, probleme kardiovaskulare – më pas në stres për bimësinë, kafshët dhe ekostetmet ujore, si dhe në dëme ekonomike, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe rritjes së konsumit të energjisë për ftohje dhe rrezik për infrastrukturën.

“Ngjarjet klimatike të korrikut 2025 përbëjnë një sinjal të qartë për domosdoshmërinë e veprimit të menjëhershëm dhe të koordinuar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Institucionet përgjegjëse duhet të fuqizojnë monitorimin meteorologjik, planifikimin urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe politikat mjedisore për të minimizuar rreziqet në të ardhmen”.

The post IHMK: Korriku i këtij viti muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë, në Klinë u thyen rekordet appeared first on Telegrafi.

Banka Botërore dhe BQK riafirmojnë angazhimin për projekte të përbashkëta strategjike

11 August 2025 at 18:25

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatoren Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një takim njoftues me drejtoreshën e re të Bankës Botërore (BB) për Kosovë, Carole Megevand me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e uroi Megevand për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në avancimin e projekteve dhe reformave të Bankës Botërore në funksion të mbështetjes së ekonomisë së Kosovës.

Guvernatori Ismaili e informoi Megevand për zhvillimet më të fundit të sektorit financiar, si dhe për progresin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e sistemit financiar.

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet aktuale në sektorin financiar, bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Bankës Botërore, si dhe programet e reja të BB-së për fuqizimin e sektorit financiar, duke përfshirë asistencat teknike përkatëse të dedikuara për BQK-në.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për arritjen e objektivave strategjike të BQK-së, veçanërisht në fushat e reformave ligjore dhe rregullative, digjitalizimit, kapitalizimit të sektorit financiar, rritjes së qëndrueshmërisë financiare, anëtarësimit në SEPA dhe zbatimit të agjendës së gjelbër.

Në këtë kuadër, Megevand vuri në dukje progresin e bërë drejt harmonizimit të kornizës ligjore e rregullative me standardet e Bashkimit Evropian nga ana e Kosovës, derisa Guvernatori e informoi për përgatitjet si dhe sfidat aktuale për procesin e aplikimit për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Guvernatori Ismaili theksoi rolin e rëndësishëm të projektit rajonal të Bankës Botërore për modernizimin e sistemit të pagesave, përkatësisht zhvillimin e pagesave të shpejta (Instant Payments) përmes Bankës Qendrore të Italisë dhe lidhjen e tyre me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane pas anëtarësimit në SEPA.

Të dyja palët riafirmuan angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, duke vlerësuar rezultatet e deritanishme të projekteve të përbashkëta.

The post Banka Botërore dhe BQK riafirmojnë angazhimin për projekte të përbashkëta strategjike appeared first on Telegrafi.

Ministria e Drejtësisë: Lirimi i Mefail dhe Edonis Shkodrës nga paraburgimi, neglizhencë e rëndë institucionale

11 August 2025 at 18:12

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë, duke e cilësuar të papranueshëm vendimin e mëhershëm për lirimin e dy të dyshuarve, Mefail dhe Edonis Shkodra, të cilët aktualisht ndodhen në arrati.

Sipas Ministrisë, të dy të dyshuarit kishin qenë më herët në paraburgim dhe u liruan me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ndaj tyre po zhvilloheshin hetime për vepra të rënda penale, si fajde dhe detyrim.

“Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme,” thuhet në reagim, ku i bëhet thirrje Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në rast.

Ministria ka theksuar se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për garantimin e sigurisë dhe të ardhmes së qytetarëve, duke u bërë thirrje forcave politike që të ndalin pengesat ndaj saj.

“Drejtësia nuk është pronë e askujt. Pa drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale”, përfundon reagimi i Ministrisë së Drejtësisë./Telegrafi/

The post Ministria e Drejtësisë: Lirimi i Mefail dhe Edonis Shkodrës nga paraburgimi, neglizhencë e rëndë institucionale appeared first on Telegrafi.

“Prishtina pa barriera”, 22 lokacione të adaptuara për personat me aftësi të kufizuara

11 August 2025 at 16:44

Ekipi i Komunës së Prishtinës së bashku me IHRC, ka ndërhyrë në 22 lokacione për t’i mundësuar lëvizje më të lehtë personave me nevoja të veçanta.

Kjo është bërë në kuadër të fushatës “Prishtina pa barriera”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, tha se projektet e mëdha si platforma që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me qendrën, krijimi i hapësirave të gjelbra publike dhe digjitalizimi i shkollave, do t’ua lehtësojë lëvizjen të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre me aftësi të kufizuara.

Ndërsa, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala tha se kjo fushatë nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por edhe të moshuarit e grave me fëmijë me karroca, ku në 22 lokacione më së shumti kanë hasur në mungesë uljesh të trotuareve e mbajtësve të shkallëve.

Shala theksoi se një ndihmesë e madhe ka qenë edhe nga qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë dërguar foto të lokacioneve.

Rama dhe Shala kërkuan mbështetje nga qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë me komunën për të evidentuar lagjet që nuk kanë qasje për qytetarët me aftësi të kufizuara.

The post “Prishtina pa barriera”, 22 lokacione të adaptuara për personat me aftësi të kufizuara appeared first on Telegrafi.

Ky është reagimi i Kurtit kur pyetet nëse do ta respektojë vendimin e Kushtetueses

11 August 2025 at 16:32

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë nëse do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, Kurti nuk dha përgjigje, duke u arsyetuar se ishte duke shkuar në një takim.

“Më duhet të shkoj në takimin e radhës”, ka deklaruar shkurt Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një devijim të rrezikshëm nga roli i saj kushtetues dhe si ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit.

Sipas njoftimit të LVV-së, Gjykata ka tejkaluar mandatin e saj duke “shpikur norma të reja juridike” dhe duke “uzurpuar funksione që i takojnë ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës”.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të krijojë rregulla të reja që nuk janë të përcaktuara as në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit. Shpikja arbitrare e normave si ajo për kufizimin e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi vetëm tri herë, është shembull i rrezikshëm i interpretimit që shkon përtej juridiksionit kushtetues”, thuhet në reagim./Telegrafi/

The post Ky është reagimi i Kurtit kur pyetet nëse do ta respektojë vendimin e Kushtetueses appeared first on Telegrafi.

22 vatra zjarri aktive në Kosovë, situata më kritike në fshatin Kçiq të Mitrovicës

10 August 2025 at 23:56

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se në Kosovë aktualisht janë aktive 22 vatra zjarri, sipas të dhënave të përditësuara gjatë gjashtë orëve të fundit.

Situata më e rënduar është në fshatin Kçiq të Vogël të Mitrovicës, ku për të kontrolluar zjarret është kërkuar ndihmë nga KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia.

Në ndihmë të operacioneve janë angazhuar njësitë e Mitrovicës Jugore dhe Veriore, Zubin Potokut, Prishtinës, Vushtrrisë, si dhe Njësia Kombëtare për Shuarjen e Zjarreve.

Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë nga Qendra Operative e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent me njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

The post 22 vatra zjarri aktive në Kosovë, situata më kritike në fshatin Kçiq të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Historia e një gruaje që përjetoi dhunë seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Kosovë

10 August 2025 at 23:40

Në episodin e fundit të ciklit “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, i transmetuar në emisionin “Debat Plus”, u dëgjua rrëfimi i fuqishëm i një gruaje që ka përjetuar dy luftëra – atë në Bosnje dhe më pas në Kosovë.

Historia e saj është dëshmi e heshtjes së gjatë, dhimbjes së thellë dhe fuqisë për t’u ngritur përballë traumës që shoqëria tentoi ta fshihte.

Në moshën 16-vjeçare, ajo përjetoi në Sarajevë tmerrin e sulmit në ditën e Bajramit më 6 prill 1992.

Një ngjarje që i ndryshoi përgjithmonë jetën, kur forcat ushtarake hynë në podrumin ku ishte fshehur së bashku me familjen.

“Bashkë me nënën dhe babën. Kanë kaluar ushtria, kanë nisur të hyjnë edhe nëpër podrume, nuk kanë këqyrë kush është kush, pleqtë, gratë, fëmijët. Unë e kam harruar edhe nënën time kur i kam parë se çfarë bënin me fëmijët. Para syve të mi e kanë zier beben”, ka rrëfyer ajo.

Aty ajo u bë dëshmitare e dhunimeve të tmerrshme, përfshirë edhe atë të nënës së saj, e cila nuk e mbijetoi këtë torturë.

E mbijetuara përshkruan momentet e tmerrit, duke kujtuar se si forcat serbe në luftë dhunuan gratë dhe fëmijët para syve të babait të saj, i cili ndërroi jetë disa vite më vonë si pasojë e stresit të shkaktuar nga këto tragjedi.

Pas ikjes së familjes nga Bosnja, përmes një rruge të gjatë dhe të vështirë, ajo gjeti strehë në Kosovë, ku nisi një jetë të re, por plagët e së kaluarës mbetën të pashëruara.

Ajo rrëfen se gjatë gjithë kësaj periudhe e mbajti fshehur historinë e saj, madje edhe përballë burrit, me të cilin u martua dhe krijoi familje.

Me lindjen e djalit, ajo mori vendimin për të harruar dhe për të ndërtuar një jetë të re, megjithatë kujtimet e tmerrshme nuk e lanë kurrë në paqe.

Pas kthimit në Kosovë, ajo dhe bashkëshorti u përballën me vështirësi të shumta, duke nisur nga fillimi me dy fëmijë të vegjël dhe pa asnjë mbështetje materiale.

Përpjekjet për një banesë sociale u bënë pjesë e një beteje të gjatë. Në këtë rrugëtim, ajo mori mbështetje nga organizata Medica Kosova, të cilën e përshkroi si një familje të dytë që i dha forcë dhe ngushëllim.

Megjithatë, kontakti me institucionet nuk ishte i lehtë.

Në një takim në komunë, ajo u përball edhe me një qëndrim skeptik, duke përmendur drejtpërdrejt deputeten Mimoza Kusari-Lila, e cila sipas saj, i tha që “nuk është as e para dhe as e fundit”.

“Po, aty është procedura që çdo vit të shkoja për të shpjeguar se për çka po rri unë aty. U lodha, a më beson. T’i shpjegon, qitash më duhet ta ceki që kjo Mimoza Kusari, nuk kam kurrgjë kundër, femër është. Më tha nuk je as e para e as e fundit, na ndodhë edhe në familje dhuna”, ka deklaruar ajo.

E mbijetuara shprehu lodhjen e madhe nga nevoja për të rinovuar çdo vit dokumentacionin dhe për të shpjeguar gjendjen e saj, përkundër mungesës së fondeve dhe nganjëherë mungesës së mbështetjes institucionale.

Sot, ajo vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me Medica Kosovën dhe u bën thirrje institucioneve të kenë më shumë kujdes dhe solidaritet me viktimat e dhunës.

The post Historia e një gruaje që përjetoi dhunë seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Kosovë appeared first on Telegrafi.

Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri të Shqipërisë

10 August 2025 at 23:19

Pavarësisht rritjes së numrit të hyrjeve të turistëve të huaj në Shqipëri, sezoni turistik veror në bregdet nuk po reflekton pritshmëritë.

Turistët e huaj nuk po preferojnë pushimet klasike me plazh, por eksplorimin me kosto të ulët.

Kjo ka sjellë mungesë fluksi në hotele gjatë javëve, me frekuencë më të madhe vetëm në fundjava, duke detyruar shumë struktura hoteliere të ulin çmimet me 10–25% dhe të intensifikojnë reklamimin online.

Të paktën ky është përfundimi në të cilin arrin “Monitor.al” pasi kontaktoi me operatorë turistikë, struktura hoteliere si dhe krahasoi të dhënat në platformat e Booking dhe Airbnb për të parë çmimet këtë sezon, duke marrë çmimet mesatare më të ulëta dhe më të larta për një strukturë akomoduese të regjistruar formalisht dhe të kategorizuar.

Sipas të dhënave të artikullit të publikuar këtë të dielë, më 10 gusht, arsyet kryesore të rënies së kërkesës për pushime në bregdet janë: Mungesa e turistëve nga Kosova (veçanërisht shtresa e mesme), për shkak të liberalizimit të vizave dhe zhvlerësimit të euros; Largimi i pushuesve shqiptarë drejt destinacioneve më ekonomike jashtë vendit; Ndryshimi i profilit të turistit të huaj, që kërkon eksperienca të ndryshme, jo vetëm plazh; Hyrja në treg e strukturave të reja akomoduese që kanë rritur konkurrencën dhe kanë ulur çmimet.

Tabela e çmimeve të hoteleve për një natë dhe e shezloneve sipas zonave

Situata sipas zonave:

Ksamili & Saranda: Ulje çmimesh me 10–25% për shkak të mungesës së rezervimeve dhe shtimit të apartamenteve me qira.

Borshi & Qeparoi: Të vetmet me rritje çmimesh për shkak të kërkesës së lartë.

Vlora & Himara: Reflektim i konkurrencës me ulje të ndjeshme çmimesh deri në 50% në mesataren e sipërme.

Durrësi & Golemi: Rezistojnë më mirë, me raport të mirë çmim/shërbim dhe fokus te turizmi i organizuar.

Velipoja & Shëngjini: Mbështeten nga “turizmi patriotik” (Kosova). Çmimet mbeten ekonomike, por është shtuar segmenti i shtrenjtë me rritje të lehta çmimesh.

The post Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri të Shqipërisë appeared first on Telegrafi.

Trafik nga Shëngjini në Milot, mijëra turistë mbeten të bllokuar

10 August 2025 at 22:46

Mbrëmja e sotme ka sjellë një trafik të rënduar, mbi 24 kilometra të gjatë, nga Shëngjini deri në Milot.

Mijëra turistë që i drejtohen bregdetit të Shëngjinit, Tales dhe Velipojës janë përballur me pritje disa orëshe.

Pavarësisht punës së policisë rrugore, rrugët në Lezhë vijojnë të mbingarkohen, kryesisht për shkak të fluksit të lartë të pushuesve, por edhe mungesës së infrastrukturës rrugore.

Situata është përkeqësuar më tej nga mbyllja e urës së vjetër të Milotit, e cila shërbente si rrugë dytësore për të shmangur bllokimet./Vizion+

The post Trafik nga Shëngjini në Milot, mijëra turistë mbeten të bllokuar appeared first on Telegrafi.

Vazhdon tradita, mbahet edicioni i 75-të i kërcimeve nga Ura e Fshajt

10 August 2025 at 22:39

Gara tradicionale e kërcimeve nga Ura e Fshajt mbi Drinin e Bardhë, mblodhi sot shumë njerëz nga rajoni i Dukagjinit e më gjerë. Kjo ngjarje, që u zhvillua në kuadër të festivalit “Ditët e shqiptarit”, daton nga vitet e 50-ta.

Për të 75-tën herë me radhë në Gjakovë u organizua gara tradicionale e kërcimeve nga Ura e Fshajt mbi Drinin e Bardhë.

Në kuadër të festivalit ’Ditët e shqiptarit’, edhe sivjet kjo garë u mbështet nga komuna dhe klubi “Kërcyesit e urës”.

“Le të jemi gjithë krenar për qytetin tonë dhe të punojmë secili ngapak për t’ia kthy shkëlqimin dhe vendin që e meriton, aq më tepër shqiponjat që na kanë nderuar këto kohët e fundit dhe na kanë bërë krenarë në urat më të larta të Ballkanit, Floridi me simbolin e tij të Shqiponjës, por edhe Shkëlzen Goçi me çmimet që i kanë marrë dhe që na kanë bërë të ndjehemi krenarë të gjithëve si shqiptarë”, tha Ermal Hasimja, Fondacioni për Gjakovën.

Gara u zhvillua në dy disiplina; në kërcimet dallëndyshe nga lartësia prej 13 metrave dhe nga Ura e Fshajt.

Në kërcimet dallëndyshe nga lartësia prej 13 metrave vendi i parë i takoi garuesit Fatos Koci, ndërsa fitues i çmimit të parë në garën e kërcimit dallëndyshe nga ura e Fshajt u shpall Florid Gashi.

“Këto gara janë atraktive por edhe sfiduese. Për mua ishte kënaqësi që zura vendin e parë edhe jam shumë i kënaqur. Gjithsesi mendoj që të kërcej edhe nga ura, nga lartësia më e madhe edhe të bëhem kampion, pse jo, një ditë”, tha Fatos Koci, fitues në kërcimet 13 metra.

“Emocionet janë të papërshkrueshme, por vetëm diçka nuk më pëlqeu sepse garues nuk pati mjaft. Unë e kam përfunduar karierën vitin e kaluar por për shkak që nuk pati garuesë u detyrova me kërcy. Por shpresoj që vitin e ardhshëm do të ketë garuesë dhe unë vetëm do t’i hapi garat. Por, organizmi ishte i mirë, çdo gjë shkoi në rregull, nuk u lëndu askush, ajo është më kryesorja”, tha Florid Gashi, fitues i çmimit të parë në kërcimet nga ura.

“Po e shihni edhe vet se ka ra shumë interesimi, mjerisht, por pasi që nuk u ndal kjo traditë prap se prap mirë. Shpresojmë për vitet tjera që do të ketë më shumë garues dhe kualitete më të mirë”, tha Kujtim Gorani, ish kampion i shumfishtë i kërcimeve.

Pjesë e garës së sotme të kërcimeve u bë edhe vogëlushi nga Mitrovica Andi Selimi, i cili pati një paraqitje të mrekullueshme.

Që nga vitet e 50-ta Gjakova ka një traditë të bujshme në garat e kërcimeve nga ura e Drinit të Bardhë. Në mesin e shumë emrave që kanë lënë gjurmë në këtë sport atraktiv është edhe poeti i mirënjohur Ali Podrimja, i cili pati thënë “njerëzit që hidhen nga lartësitë e mëdha, më tepër u takojnë trupave që vijnë nga qielli, thonë se ndoshta ata kanë lidhje me përenditë”.

The post Vazhdon tradita, mbahet edicioni i 75-të i kërcimeve nga Ura e Fshajt appeared first on Telegrafi.

Tërmet i fuqishëm në Turqi, Ambasada e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujdes

10 August 2025 at 22:27

Ambasada e Kosovës në Ankara ka njoftuar se gjatë mbrëmjes të së dielës rrethi i qytetit Balikeshir është goditur nga një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ambasadë është bërë thirrje për qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe, në rast nevoje, të kontaktojnë menjëherë përmes kanaleve të komunikimit.

“Sot, më datë 10 gusht 2025, në orën 19:53 sipas kohës lokale, në rrethin Sindırgı të qytetit Balıkesir ka ndodhur një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter. Lëkundjet janë ndjerë gjithashtu në qytetet Manisa, Izmir, Uşak dhe Bursa. Aktualisht, autoritetet kompetente po vazhdojnë inspektimet dhe vlerësimet në terren. U bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në zonat e prekura të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe, në rast nevoje, të kontaktojnë menjëherë përmes kanaleve të komunikimit”, thuhet në njoftim.

The post Tërmet i fuqishëm në Turqi, Ambasada e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për kujdes appeared first on Telegrafi.

Maqedonci: Planifikohet fabrikë shtetërore ushtarake me investitorë amerikanë

10 August 2025 at 22:19

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania, ka folur për bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Ai ka dhënë detaje mbi marrëveshjen e parë kornizë të mbrojtjes mes Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa foli edhe për vizitat e tij në SHBA.

Maqedonci shpjegoi përfitimet që i vijnë Kosovës nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe të cilat, sipas tij, thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Kemi një thellim dhe zgjerim të raporteve me SHBA, e veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë. Që nga koha kur kam marrë detyrën e ministrit para dy vjetëve, kam pasur tre vizita në Departamentin e Mbrojtjes. Gjatë vizitës së fundit, së bashku me ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, jemi dakorduar për rrugën e bashkëpunimit midis vendeve tona në fushën e mbrojtjes. Konkretisht, kemi rënë dakord për disa pika ku do të fokusohemi dhe do të punojmë bashkarisht për implementimin e tyre, që Kosova të jetë e vetëqëndrueshme në aspektin e mbrojtjes dhe në të ardhmen të ketë kapacitete të afta për ta mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të saj”.

“Kemi dakordim për trajnime dhe stërvitje të përbashkëta, si dhe për pjesëmarrje në misione në vende të huaja, si ajo që kemi bërë në Kuvajt. Po ashtu, kemi dy pika të veçanta: industrinë e mbrojtjes dhe një rritje të bashkëpunimit për përgatitjen e shoqërisë për të reaguar dhe për t’i mbështetur institucionet e sigurisë për të mbajtur qëndrueshmërinë në rast lufte. Do të kemi një fabrikë shtetërore ushtarake, ku së fundmi kemi pasur një takim në Prishtinë për sinkronizimin e investitorëve ushtarakë amerikanë me kompanitë tona, ku përveç sektorit publik, po punojmë edhe me sektorin ushtarak privat amerikan, që është një nga prioritetet e kryeministrit dhe për mua personalisht, për të fokusuar këtë industri jo vetëm për vendin, por edhe për eksport”, tha Maqedonci.

Ai shtoi se bashkëpunimi me aleatët është i fuqishëm, duke pasur një ekip këshillues të NATO-s, i drejtuar nga një gjeneral gjerman, që mbështet Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për objektivat dhe afrimin me NATO-n.

“Natyrisht, SHBA ka të stacionuar trupa në Kosovë, jashtë mandatit të KFOR-it, që kanë për qëllim bashkëpunimin bilateral dhe mbështetjen në trajnime. Ushtria e SHBA-së na mbështet edhe me donacione, ku kemi ndërtuar një prej poligoneve më të mira për qitje me armë të lehta, që ka kushtuar 2 milionë euro. Gjithashtu, kemi pranuar një kontingjent automjetesh të blinduara, të cilat janë blerë me një shumë simbolike”, tha ministri.

Sa i përket ecurisë drejt anëtarësimit në NATO, Maqedonci tha se: “Jemi duke bërë përpjekje për anëtarësim të plotë në NATO. Kosova ka ndërtuar kapacitete ushtarake nga fillimi dhe NATO ka qenë ajo që ka mbështetur krijimin e këtyre kapaciteteve.”

I pyetur nga moderatori për një datë fikse se kur Kosova mund të hyjë në NATO, ai tha: “Kemi një çështje diplomatike, sepse katër vende nuk e kanë njohur ende Kosovën. Shpresojmë që shumë shpejt këto vende të kuptojnë se shteti i Kosovës është një realitet, kurse Ushtria e Kosovës është një ushtri profesionale, e gatshme të kontribuojë bashkë me ushtritë e tyre, kudo për paqen dhe sigurinë në botë”.

The post Maqedonci: Planifikohet fabrikë shtetërore ushtarake me investitorë amerikanë appeared first on Telegrafi.

Haxhiu dhe Sveçla me akuza të rënda për sistemin e drejtësisë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan

10 August 2025 at 20:57

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail dhe Edonis Shkodra, kishin qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim – nga 21 qershori deri më 8 tetor 2024 – me ndërprerje të paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë”.

Sipas saj, kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për vepra të rënda tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga organet e drejtësisë.

“Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”.

Edhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe përcolli ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa kritikoi ashpër Prokurorinë dhe Gjyqësorin për, siç tha, tolerim ndaj krimeve të rënda.

Ai theksoi se i dyshuari kryesor ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë, duke kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të mos ketë më asnjë tolerim ndaj kriminelëve.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri”.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën rreth orës 12:30 në rrugën “Ibrahim Rugova” të Gjilanit, ku tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Sipas Policisë, njëri prej viktimave vdiq në vend, ndërsa dy të tjerë pas transportimit në emergjencë. Një i plagosur po trajtohet për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë jo nga arma e zjarrit.

Drejtori rajonal i Policisë, Agron Rukiqi, tha se i dyshuari kryesor ka të kaluar kriminale me disa raste për sulm, prishje të rendit publik, mashtrim, fajde, kërcënim, shantazh dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Policia ka shpallur në kërkim tre të dyshuarit – Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra – dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për kapjen e tyre./Telegrafi/

The post Haxhiu dhe Sveçla me akuza të rënda për sistemin e drejtësisë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan appeared first on Telegrafi.

Kosova në muajin e gjashtë pa institucione të reja, analistët: Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë asnjë partie

10 August 2025 at 20:37

Kosova po hyn në muajin e gjashtë pa institucione të reja. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat partive politike që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e rinj. Njohës të fushës, vënë në pah se ngërçi i krijuar është rezultat i mungesës së një konsensusi politik.

Konsensus për krijimin e institucioneve po kërkojnë njohës të politikës, në mënyrë që vendi të dalë nga ngërçi politik dhe pasojat të jenë sa më të vogla.

Njohës të fushës vlerësojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje duhet të dalë me oferta konkrete për Nismën e Fatmir Limajt, si dhe për pakicat joserbe, në mënyrë që të sigurojë shumicën absolute për zhbllokimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Jeton Halimaj, njohës i drejtësisë dhe politikës, tha për RTK-në se tash është koha e fundit të mblidhen të diskutojnë dhe Albin Kurti të shkoj me oferta konkrete edhe për Limajn edhe për Baljen, të themelojnë Institucionet e Kosovës dhe të lënë inatet politike.

Gjykata nuk mund t’i zgjidhë çështjet politike, theksojnë njohësit e drejtësisë, duke vënë në pah se një konsensus mes subjekteve politike është i nevojshëm për të ecur përpara.

“Kushtetuta ka lënë hapësirë të mjaftueshme që aktorët politik kur vije koha e konstituimit të institucioneve të ulen dhe të gjejnë një konsensus “, tha Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Analisti Halimaj thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë asnjë partie politike.

Sipas tij, ky ngërç politik do t’i varfërojë qytetarët dhe do ta pengojë rrugën euroatlantike të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat partive politike që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e rinj.

The post Kosova në muajin e gjashtë pa institucione të reja, analistët: Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë asnjë partie appeared first on Telegrafi.

❌
❌