SHBA vendos tarifa për arin, çmimi në bursën amerikane arrin rekord historik
Më 8 gusht, kontratat e së ardhmes për arin në SHBA shënuan një nivel rekord prej 3,534 dollarësh për troi ons, pas një vendimi të papritur nga administrata e Donald Trump për të vendosur tarifa mbi importet e shufrave të arit me peshë një kilogram dhe 100 ons. Ky vendim, i ndërmarrë nga Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP), përmbysi një praktikë të gjatë tregtare dhe erdhi në kundërshtim me dokumentet e mëparshme zyrtare që e përjashtonin arin në shufra nga tarifat doganore.
Ky zhvillim u cilësua si një goditje e rëndë për tregun global të arit dhe sidomos për Zvicrën, eksportuesen më të madhe të këtij metali të çmuar. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Zvicrës tashmë ishin tensionuar pas njoftimit të një tarife prej 39% ndaj importeve zvicerane vetëm një javë më parë.
Për pasojë, çmimet e kontratave të së ardhmes për arin në bursën Comex në New York u shkëputën ndjeshëm nga çmimet spot (ato aktuale në treg), duke krijuar një diferencë mbi 100 dollarë për ons. Kjo ndarje sinjalizon trazira të mundshme në tregun ndërkombëtar të arit, pasi shumë investitorë dhe institucione financiare përdorin kontratat e Comex-it për të mbrojtur pozicionet e tyre. Analistët paralajmërojnë se një situatë e tillë mund të dobësojë rolin e Nju Jorkut si qendër kryesore e tregtimit të arit, duke rritur interesin për tregje alternative.
Analistja Joni Teves nga UBS e quajti vendimin një “befasi të madhe” dhe theksoi shqetësimet për pasojat afatgjata që mund të ketë në mënyrën si tregtohet dhe sigurohet ari në nivel global. Sipas saj, kjo situatë mund të çojë në kërkimin e formave të reja të zgjidhjes së kontratave të së ardhmes, qoftë përmes produkteve të reja apo zhvendosjes së tregut në vende të tjera.
Vendimi i CBP-së, i formalizuar në një letër më 31 korrik, riklasifikon shufrat e arit në një kod doganor që nuk përfitoi nga përjashtimet e mëparshme. Megjithëse një dokument i Shtëpisë së Bardhë më 2 prill kishte deklaruar se “ari në shufra” do të përjashtohej nga tarifat, ky përjashtim nuk u aplikua për shufrat me peshë 1 kg dhe 100 ons.
Ndërkohë, tregtarët e arit kishin filluar të grumbullonin rezerva të mëdha në SHBA gjatë muajve të fundit, në pritje të mundësisë që ari të përfshihej në tarifat e reja. Ky parashikim i kujdesshëm, sipas John Reade nga Këshilli Botëror i Arit, ka ndihmuar që lëvizjet e çmimeve të mos jenë edhe më të ashpra.
Megjithatë, disa pjesëmarrës në treg besojnë se CBP mund të ketë bërë një gabim në interpretimin e kodit doganor dhe shpresojnë që vendimi të rishikohet në të ardhmen.