Inflacioni vjetor, i cili në korrik u ngjit në 4.8 për qind, nuk është i diktuar nga çmimet e ushqimit, por nga kërkesa më e madhe, përkatësisht nga shpenzimet e qytetarëve, thonë nga Instituti për Hulumtime Ekonomike dhe Politika “Finance Think”. Në analizën e tyre më të re për lëvizjen e çmimeve thuhet se te ushqimi rritje e ndjeshme është shënuar vetëm te çmimet e frutave, peshkut dhe produkteve të detit, ndërsa ushqimet e tjera shënojnë ose rritje minimale ose rënie.
Sipas “Finance Think”, analizat kanë treguar se nxitësi kryesor i inflacionit janë çmimet në restorante dhe kafene me një rritje prej 28%, paketat turistike me 26.6% dhe shërbimet e akomodimit me 14.6%.
Kjo rritje nuk është si rezultat i lëkundjeve sezonale, pasi çmimet janë rritur gjatë gjithë vitit.
“Sipas kësaj, duket se nxitësi kryesor i çmimeve në korrik 2025, ashtu si në muajt e mëparshëm, është kërkesa e intensifikuar, si dhe pritshmëritë inflacionare që ende nuk janë të ankoruara mjaftueshëm. Në tremujorin e parë të këtij viti, konsumi i amvisërive është rritur pothuajse dy herë më shpejt se mesatarja në vitin 2024, kryesisht i ndihmuar nga rritja reale e lartë e pagave dhe rritja e lartë nominale dhe reale e pensioneve, të cilat pas një rritjeje kumulative prej 5,000 denarë në muaj për çdo pensionist, sot mesatarisht janë më të larta për gati një të katërtën krahasuar me nivelin e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, thonë nga Finance Think.
Kërkesën më të madhe të brendshme si faktor kryesor dje e identifikoi edhe Banka Popullore.
Nga “Finance Think”, për këtë arsye propozojnë të mos merren masa joefikase siç është ngrirja e çmimeve dhe marzhave, të cilat nuk japin rezultate dhe i kthejnë çmimet në nivelin e mëparshëm, nëse jo edhe më lart.
“Në këto kushte, politika fiskale duhet të jetë e orientuar saktë dhe e disiplinuar. Në vend të mbështetjes së gjerë dhe të kushtueshme (si, për shembull, rritja e lartë e pensioneve) që mund të nxisë më tej kërkesën, është e nevojshme të synohen ekskluzivisht grupet e ndjeshme – amvisëritë me të ardhura të ulëta, prindërit e vetëm dhe personat e moshuar që kanë nevojë për shërbime sociale – me masa që nuk e prishin dinamikën e tregut të çmimeve. Kujdes i veçantë është i nevojshëm në periudha parazgjedhore dhe zgjedhore”, shtojnë nga Finance Think.
Dje edhe nga Banka Popullore kërkuan ndihmë nga bartësit e politikës fiskale, përkatësisht nga Qeveria.
“Sigurisht, çdo veprim që është i qëndrueshëm në afat të mesëm dhe të gjatë, nga ana e bartësve të politikës fiskale, është i mirëseardhur dhe ndihmon Bankën Popullore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, deklaroi Trajko Slaveski – Guvernator i Bankës Popullore.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski disa ditë më parë paralajmëroi se nëse ka rritje të çmimeve, sidomos te ushqimi, do të ketë masa serioze që do të dallojnë nga ato të mëparshmet.
“Shumë shpejt do të dalim, do të dalim me disa modele që në disa segmente kanë qenë të suksesshme, kështu që kësaj radhe duam një skenar të plotë që mendojmë se do të stabilizojë çmimet e produkteve në markete”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Mickoski paralajmëroi luftë ndaj inflacionit bazë, i cili në thelb ndikon në çmimet e larta në shtetin tonë.
The post Finance Think: Ushqimi nuk e nxit inflacionin, rritja e çmimeve vjen nga shpenzimet e shtuara të qytetarëve appeared first on Telegrafi.