TEL AVIV – Smotrich: Nëse Palestina njihet zyrtarisht, Izraeli do të aneksojë Bregun Perëndimor
TEL AVIV, 14 gusht /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich tha sot se Izraeli do të aneksojë Bregun Perëndimor nëse unioni ndërkombëtar do të njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës, muajin e ardhshëm.
“Nuk keni asnjë shans, nuk do të ketë një shtet palestinez”, tha Smotrich gjatë një konference për shtyp drejtuar disa vendeve që planifikojnë të njohin shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator.
“Nuk do të vendosni nga jashtë se si duket e ardhmja e popullit hebre”, tha ministri, i cili ka bërë përpjekje për zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
“Nëse e njihni shtetin palestinez në shtator, përgjigjja jonë do të jetë – sovraniteti i plotë izraelit në të gjitha zonat e Judesë dhe Samarisë”, tha Smotrich duke folur pranë vendbanimit izraelit të Ma’ale Adumim, në lindje të Jerusalemit.
Judea dhe Samaria është një term i përdorur nga Izraeli për t’iu referuar Bregut Perëndimor, i cili ka qenë nën pushtimin izraelit që nga viti 1967.
Një numër shtetesh, përfshirë Francën, Kanadanë dhe Australinë, janë zotuar të njohin shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në shtator – në përgjigje të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.
Ata shpresojnë që ky veprim do të afrojë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, e cila parashikon një shtet palestinez dhe Izraelin që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore – një perspektivë që si Izraeli ashtu edhe grupi ekstremist palestinez Hamas vazhdojnë ta refuzojnë me vendosmëri.
Pothuajse 150 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së tashmë e njohin shtetësinë palestineze.
Megjithatë, vendet e rëndësishme perëndimore nuk janë midis tyre, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – të cilat kanë fuqi vetoje në OKB.
Sot, më shumë se 700 000 izraelitë janë vendosur përgjithmonë në Bregun Perëndimor, duke jetuar midis rreth 3 milionë palestinezëve.
Incidentet e dhunës së kolonëve që synojnë palestinezët kanë qenë në rritje që nga fillimi i luftës në Gazë – ndërsa qeveria izraelite e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu – është akuzuar për nxitjen e tensioneve dhe dështimin për të ndjekur penalisht personat përgjegjës. //a.i/
The post TEL AVIV – Smotrich: Nëse Palestina njihet zyrtarisht, Izraeli do të aneksojë Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.