Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

STOKHOLM – Suedia e gatshme të ndihmojë në sigurimin e paqes në Ukrainë përmes monitorimit të hapësirës ajrore dhe operacioneve detare

20 August 2025 at 22:45

STOKHOLM, 20 gusht /ATSH-DPA/-  Suedia është e përgatitur të ndihmojë në sigurimin e paqes në Ukrainë përmes monitorimit të hapësirës ajrore dhe operacioneve detare, tha sot kryeministri suedez, Ulf Kristersson.

Shefat e Mbrojtjes të NATO-s zhvilluan sot diskutime rreth garancive të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit – për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje paqeje – që do t’i japë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

“Qëllimi nuk është të dislokohet një numër i madh trupash nga vendet e tjera në Ukrainë, por, për të siguruar që Kievi të marrë në mënyrë të besueshme përgjegjësinë për vendin e tij – dhe garantuar që Rusia nuk do të përpiqet të sulmojë sërish”, tha Kristersson.

“Kontributi i Suedisë – në rast të një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë – duhet të kryhet në një mënyrë të sigurt, duke ofruar qartësi në lidhje me atë për të cilën do të angazhohet vendi”, theksoi kryeministri suedez.

Ukraina dhe Rusia janë të dyja në Detin e Zi. Suedia, e cila iu bashkua NATO-s në mars 2024, është anëtarja më e re e aleancës.//a.i/

 

The post STOKHOLM – Suedia e gatshme të ndihmojë në sigurimin e paqes në Ukrainë përmes monitorimit të hapësirës ajrore dhe operacioneve detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 August 2025Main stream

BRUKSEL – Shefat e Mbrojtjes të NATO-s diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën

20 August 2025 at 20:25

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH/- Shefat e mbrojtjes të NATO-s zhvilluan sot diskutime rreth garancive të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit – për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje paqeje – që do t’i japë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i aleancës, sipas AP.

Admirali italian, Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha se 32 shefa të mbrojtjes nga e gjithë aleanca zhvilluan një videokonferencë mes një nxitjeje diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja – për t’i dhënë fund luftimeve.

“Pati një diskutim të shkëlqyer dhe të sinqertë. I falënderova të gjithë për pjesëmarrjen e tyre gjithmonë pro aktive në këto takime. Ne jemi të bashkuar dhe ky unitet ishte vërtet i prekshëm sot, si gjithmonë”, shkroi ai në  X, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Garancitë për të shmangur pushtimin e Ukrainës në të ardhmen – janë thelbësore për ta bindur Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Kievi kërkon ndihmën perëndimore për të forcuar ushtrinë e saj, duke përfshirë armët dhe trajnimin e personelit, dhe zyrtarët evropianë po përpiqen të kuptojnë se çfarë angazhimesh mund të ofrojnë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kritikoi përpjekjet për të punuar mbi marrëveshjet e sigurisë në Ukrainë pa përfshirjen e Moskës.

“Nuk mund të pajtohemi me faktin se tani propozohet të zgjidhen çështjet e sigurisë kolektive pa Federatën Ruse. Kjo nuk do të funksionojë”, tha sot Lavrov.

“Rusia do të sigurojë interesat e saj legjitime në mënyrë të vendosur dhe të rreptë”, shtoi Lavrov në një konferencë shtypi në Moskë me ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman al-Safadi. //a.i/

The post BRUKSEL – Shefat e Mbrojtjes të NATO-s diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Palestinezët e armatosur sulmojnë ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës

20 August 2025 at 19:20

GAZË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Më shumë se 15 palestinezë të armatosur sulmuan sot një pozicion ushtarak në jug të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite.

“Sulmuesit qëlluan ndaj ushtarëve izraelitë dhe përdorën raketa antitank në zonën e Khan Younis”, tha një zyrtar ushtarak.

Trupat u përgjigjën me zjarr, të mbështetur nga sulmet ajrore, dhe vranë dhjetë nga sulmuesit, të cilët kishin dalë nga tunelet nëntokësore.

Media izraelite raportoi se sulmuesit kishin ndërmend të rrëmbenin ushtarët.

“Tre ushtarë u plagosën, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë”, tha ushtria.

Incidenti ishte ende duke vazhduar, ndërsa ushtria deklaroi se trupat po vepronin për të gjetur dhe eliminuar terroristët.

Krahu ushtarak i Hamasit mori përgjegjësinë për sulmin.

“Brigadat al-Qassam thanë se operacione të tilla do të vazhdojnë derisa të përfundojë pushtimi dhe populli të fitojë lirinë”, tha Hamasi në një deklaratë të mëtejshme. //a.i/

The post FOKUS – Palestinezët e armatosur sulmojnë ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia vazhdon t’i shesë naftë Indisë pavarësisht tarifave të Trump

20 August 2025 at 19:13

MOSKË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Rusia tha sot se po vazhdon të furnizojë me naftë Indinë, pavarësisht tarifave ndëshkuese të SHBA-së të vendosura ndaj Nju Delhit.

“Ne vazhdojmë të furnizojmë me karburant, duke përfshirë naftë bruto dhe produkte të naftës, qymyr termik dhe metalurgjik”, tha zëvendëskryeministri i parë i Rusisë, Denis Manturov.

Në një takim të Komisionit Qeveritar ruso-indian, Manturov tha se ai gjithashtu shihte një potencial të madh për zgjerimin e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

“Për të forcuar partneritetin e tyre energjetik, të dy vendet synojnë të zhvillojnë së bashku Kalimin Verilindor”, shtoi Manturov.

Kalimi Verilindor është një rrugë detare në Oqeanin Arktik përgjatë bregdetit rus.

Depozitat e pasura të lëndëve të para mund të transportohen nëpërmjet kësaj rruge, e cila aktualisht ngrin në dimër.

Këtë muaj, Trump rriti tarifat për importet nga India nga 25% në 50%, duke përmendur lidhjet tregtare me Rusinë – si justifikim.

Sipas raporteve të medias, Nju Delhi është përgjigjur duke kufizuar importin e naftës nga Rusia. //a.i/

The post MOSKË – Rusia vazhdon t’i shesë naftë Indisë pavarësisht tarifave të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUMANI – NATO dërgon dy “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse

20 August 2025 at 19:04

BRUKSEL 20 gusht /ATSH-DPA/- NATO ngriti në ajër dy avionë luftarakë gjermanë “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë gjatë natës.

Avionët luftarakë u aktivizuan pasi sistemet e armëve ruse iu afruan hapësirës ajrore rumune.

Në fund, ata nuk kaluan në atë që është gjithashtu hapësira ajrore e NATO-s.

Avionët luftarakë, të cilët u ngritën nga baza ajrore ushtarake rumune “Mihail Kogalniceanu” pranë Konstancës, u kthyen pa incidente. Kjo shënoi alarmin e parë të një misioni të ri atje.

Forcat Ajrore Gjermane po marrin pjesë në fluturime patrullimi të armatosura për të siguruar krahun juglindor të aleancës së NATO-s.

Operacioni përfshin pesë avionë “Eurofighter” dhe afërsisht 170 ushtarë, duke siguruar pajisje ushtarake që Rumania nuk i zotëron mjaftueshëm vetë.

Avionët luftarakë gjermanë janë pjesë e një njësie alarmi për reagim të shpejtë të stacionuar në vend, gati për t’u dislokuar 24 orë në ditë.

Disa shtete anëtare të NATO-s e ofrojnë me radhë këtë mbështetje. Misioni gjerman filloi këtë muaj dhe është planifikuar të vazhdojë deri në mars. //a.i/

The post RUMANI – NATO dërgon dy “Eurofighter” në përgjigje të sulmeve ajrore ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rekord i ri në BE, rriten sëmundjet virale nga mushkonjat

20 August 2025 at 18:52

KOPENHAGË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Sëmundjet virale të transmetuara nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në BE, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

“Infeksionet me patogjenë të tillë si virusi i Nilit Perëndimor ose virusi “chikungunya” mund të bëhen realiteti i ri në Evropë”, paralajmëroi sot agjencia e Bashkimit Evropian.

Virusi “chikungunya”, i transmetuar nga mushkonja tigër aziatike, ka vendosur një rekord të ri për kontinentin këtë vit, me 27 shpërthime të raportuara deri më tani.

Një rast i etheve “chikungunya” të kontraktuara në nivel lokal – u regjistrua në fillim të korrikut në rajonin francez të Alsasës.

Sipas agjencisë së BE-së, kjo është e pazakontë për gjerësinë gjeografike dhe thekson faktin se rreziku i transmetimit po përhapet më tej në veri.

“Deri në mesin e gushtit, 335 raste të virusit të Nilit Perëndimor të transmetuar në nivel lokal dhe 19 vdekje u raportuan në tetë vende evropiane”, sipas raportit të ECDC.

Italia është vendi më i prekur me 247 raste, e ndjekur nga Greqia me 35 raste.

ECDC pret që numri i infeksioneve të vazhdojë të rritet, me transmetimet që do të arrijnë kulmin në gusht ose shtator.

ECDC ia atribuon përhapjen në rritje të këtyre sëmundjeve në Evropë kushteve klimatike që lejojnë mushkonjat të zhvillohen.

Mushkonja tigër aziatike është tani e pranishme në 16 vende evropiane.

Agjencia me seli në Suedi këshillon banorët dhe vizitorët në zonat e prekura – veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe ata me sistem imunitar të dobët – të mbrohen nga pickimet e mushkonjave. //a.i/

 

The post FOKUS – Rekord i ri në BE, rriten sëmundjet virale nga mushkonjat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Ministria e Mbrojtjes: Droni që u rrëzua në Poloni e kishte origjinën nga Rusia

20 August 2025 at 17:46

VARSHAVË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Droni që u rrëzua në një fushë misri në Poloni është me origjinë ruse, tha sot ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz, duke e quajtur incidentin një provokim.

“Rusia po provokon sërish shtetet e NATO-s”, tha Kosiniak-Kamysz.

“Kjo po ndodh në një kohë kur përpjekje për paqe në Ukrainëpo rriten, e cila është nën sulm nga Rusia”, shtoi ai.

“Të gjithë aleatët e NATO-s janë informuar për incidentin”, shtoi Kosiniak-Kamysz.

Droni ra në një fushë pranë fshatit Osiny, rreth 100 kilometra në juglindje të Varshavës, herët në mëngjes.

Oficerët e policisë të thirrur nga banorët gjetën mbeturina të djegura prej plastike dhe metali në vendin e rrëzimit.

Vendi i rrëzimit është rreth 120 kilometra nga kufiri i Polonisë me Ukrainën dhe rreth 100 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.

Polonia, një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të rëndësishme politike dhe ushtarake të Ukrainës.

Ajo gjithashtu e sheh veten të kërcënuar nga Rusia dhe po riarmatoset masivisht.

Që në nëntor të vitit 2022, një raketë goditi fshatin lindor polak, Przewodow, duke vrarë dy persona. Për aq sa dihet, ishte një raketë anti-ajrore ukrainase e humbur. //a.i/

The post VARSHAVË – Ministria e Mbrojtjes: Droni që u rrëzua në Poloni e kishte origjinën nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTA – Wadephul kritikon projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor

20 August 2025 at 17:13

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kritikoi sot Izraelin për miratimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Plane të tilla, nëse zbatohen, do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe do ta bënin të pamundur një zgjidhje me dy shtete”, u tha Wadephul gazetarëve, përpara vizitës së tij në Xhakarta.

Një zgjidhje me dy shtete i referohet një shteti të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore përkrah Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar një zgjidhje me dy shtete – ashtu si edhe organizata islamiste palestineze “Hamas” në Rripin e Gazës.

“Gjermania favorizon një zgjidhje me dy shtete”, tha Wadephul.

“Kjo është arsyeja pse ne këshillojmë fuqimisht që mos të ndiqet kjo rrugë”, shtoi ai.

Komiteti izraelit i Planifikimi miratoi sot planin për të ndërtuar rreth 3,400 njësi banimi në të ashtuquajturën zona E1 – një shtrirje toke midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane tha se plani do të ndante de facto pjesën veriore të Bregut Perëndimor nga pjesa jugore.

Lëvizshmëria e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor do të kufizohej ndjeshëm.

Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh kundër këtij veprimi të kontestuar, duke thënë se ai mund të dëmtojë rëndë perspektivat për një shtet të ardhshëm palestinez. //a.i/

The post XHAKARTA – Wadephul kritikon projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron paralajmëron për rrezikun e një lufte të përhershme mes ofensivës së re izraelite në Gazë

20 August 2025 at 17:02

PARIS, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi sot për rrezikun e një lufte të përhershme – mes operacionit të planifikuar ushtarak të Izraelit në Qytetin e Gazës.

“Ofensiva ushtarake në Gazë – që Izraeli po përgatit – mund të çojë vetëm në një katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon të zhytë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme”, shkroi Macron në X – pas bisedimeve me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin egjiptian, Abdel-Fattah al-Sissi.

Macron përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.

Ai gjithashtu përmendi lirimin e të gjithë pengjeve, ndihmën humanitare në shkallë të gjerë për njerëzit në Gazë, si dhe çarmatimin e organizatës militante palestineze “Hamas” dhe forcimin e Autoritetit Palestinez – si parakushte për t’i dhënë fund luftës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin për mobilizimin e 60 000 rezervistëve për të pushtuar Qytetin e Gazës.

Autorizimi u miratua pavarësisht se grupi militant palestinez “Hamas” tha se kishte njoftuar një “përgjigje pozitive” ndaj propozimit të ri për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Macron ka rritur kritikat e tij ndaj Izraelit në muajt e fundit për sjelljen e tij në Gazë.

Gjithashtu, ai është zotuar të njohë shtetin palestinez, një veprim i kritikuar ashpër nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. //a.i/

The post PARIS – Macron paralajmëron për rrezikun e një lufte të përhershme mes ofensivës së re izraelite në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putini informon Erdoganin për zhvillimet e luftës në Ukrainë

20 August 2025 at 16:53

MOSKË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan zhvilluan sot një bisedë telefonike rreth zhvillimeve në luftën në Ukrainë.

Kremlini dhe zyra presidenciale në Ankara thanë sot se Putini informoi presidentin turk rreth samitit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar, në Alaskë.

Trump po përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke kërkuar të organizojë një takim midis Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një samit i mundshëm tripalësh me Trump, Putinin dhe Zelensky është gjithashtu në plan.

“Putini, gjithashtu falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj gjatë bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll”, sipas deklaratës.

Ukraina dhe Rusia kanë negociuar tre herë në Stamboll që nga maji, por pa asnjë rezultat përveç disa shkëmbimeve të të burgosurve.

Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese që nga viti 2022, që do të thotë se Turqia mund të merret në konsideratë edhe për takime të mëtejshme.

Gjithashtu, Putini zhvilloi dje një bisede telefonike me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Rusia, SHBA-ja dhe Ukraina kanë përdorur gjithashtu Arabinë Saudite si një pikë takimi në muajt e fundit. //a.i/

The post MOSKË – Putini informon Erdoganin për zhvillimet e luftës në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTA – Wadephul vlerëson marrëveshjen tregtare të BE-së me Indonezinë

20 August 2025 at 16:37

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vlerësoi sot marrëveshjen e tregtisë së lirë të BE-së me Indonezinë, ndërsa ndodhet në vizitën e tij të parë në Azi.

“Në një botë krizash dhe konfliktesh, kufizimesh dhe barrierash tregtare është jetike të krijohet një rrjet partneritetesh të forta globale”, tha Wadephul në një takim me homologun e tij indonezian Sugiono, në Xhakartë.

Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik (CEPA) e BE-së me Indonezinë, e arritur në korrik, pritet të finalizohet në shtator.

“Marrëveshja mund të shërbejë si një model për tregtinë evropiane me rajone të tjera”, tha Wadephul.

“Për kompanitë gjermane dhe indoneziane, ajo ofron një mundësi të madhe për bashkëpunim, për shembull në energjitë e rinovueshme”, shtoi ai.

Demokracia e tretë më e madhe në botë dhe vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, Indonezia është shfaqur si një lojtare globale gjithnjë e më e rëndësishme vitet e fundit.

Ashtu si Gjermania, kombi i Azisë Juglindore është anëtar i grupit G20 të ekonomive kryesore.

Indonezia është gjithashtu pjesë e aleancës BRICS që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

Partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit përfshijnë Kinën, Japoninë, Indinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe tregun e Azisë Juglindore.

Sugiono, i cili si shumë indonezianë përdor një emër të vetëm – tha se Indonezia dhe Gjermania ishin partnerë strategjikë dhe se ishte i bindur se ky partneritet do të bëhej më i fortë në vitet e ardhshme.

“Vendi është i hapur për më shumë investime gjermane në fusha kyçe si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe siguria ushqimore”, tha ministri i Jashtëm indonezian.

Duke pasur parasysh mungesën e punonjësve të kualifikuar në Gjermani, të dy ministrat theksuan potencialin për bashkëpunim në tregun e punës.

Sugiono e përshkroi vizitën e ardhshme shtetërore të presidentit indonezian Prabowo Subianto, në Gjermani – me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier – si një formë të veçantë njohjeje që pasqyron rëndësinë e partneritetit të të dy vendeve. //a.i/

The post XHAKARTA – Wadephul vlerëson marrëveshjen tregtare të BE-së me Indonezinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Skyscanner”: Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri?

20 August 2025 at 09:12

ROMË, 20 gusht /ATSH/-  Zbuloni plazhet më të mira të Shqipërisë, ku ju presin peizazhe mahnitëse bregdetare, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “Skyscanner”.

Shqipëria po përjeton një bum turistik. Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe marramendëse për një përvojë luksoze të përballueshme.

Zbuloni parajsën bregdetare në plazhet më të bukura të Shqipërisë, vetëm pak orë larg Italisë.

Pse të zgjidhni Shqipërinë për pushimet tuaja të ardhshme në plazh? Bukuri e virgjër dhe aventura në Adriatik.

Vizitoni këtë perlë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit – me plazhe mahnitëse, histori të pasur dhe kuzhinë të shijshme.

Eksploroni rrënojat e lashta, qytetet e gjalla dhe peizazhet spektakolare malore përpara se të relaksoheni në një nga plazhet e virgjëra.

Më poshtë do të gjeni disa nga plazhet më të mira të Shqipërisë, për pushime në bregdet:

Tetë plazhet më të mira në Shqipëri

Qoftë në Rivierën Shqiptare apo në veri të vendit, bregdeti i Shqipërisë ofron një shumëllojshmëri plazhesh për të gjitha shijet.

Do të gjeni bare plazhi të gjalla dhe muzikë të fuqishme në Sarandë dhe Shëngjin, qetësi dhe vende të izoluara – të rrethuara nga natyra në Gjipe, ose ujëra miqësore për familjet në Velipojë.

Zbuloni perlat e fshehura, eksploroni shkëmbinjtë spektakolarë dhe shijoni diellin mesdhetar në këto plazhe mahnitëse shqiptare – në disa nga vendpushimet më të mira bregdetare të Shqipërisë.

1. Saranda
Vendpushimi më i mirë i plazhit në Shqipëri

Qyteti bregdetar i Sarandës konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare dhe një nga vendpushimet më të mira të Shqipërisë.

Ekziston një përzgjedhje e gjerë plazhesh, më i famshmi prej të cilëve është plazhi kryesor i qytetit.

Do të gjeni një shëtitore të gjallë që ofron një ndërthurje të relaksit dhe argëtimit.

Këto ujëra të kristalta janë njësoj si ato që keni parë në mediet sociale.

Gjithashtu mund të shijoni sporte ujore ose të relaksoheni në një nga baret e njohura të plazhit.

2. Ksamili
Perla e detit Jon

Ky plazh mahnitës dhe piktoresk është një nga destinacionet më të mira të plazhit në Shqipëri.

Ejani për vendndodhjen mahnitëse – një gji me tre ishuj të vegjël të arritshëm me varkë ose me not, nëse jeni mjaftueshëm në formë – dhe qëndroni për të shijuar diellin dhe për t’u zhytur në ujërat mahnitëse bruz. Mos harroni, gushti është muaji më i ngarkuar.

3. Spille
Një shtrirje rëre prej 8 kilometrash

Qershor deri në shtator
Në jug të qytetit portual të Durrësit, do të gjeni shumë hapësirë në këtë shtrirje rëre prej 8 kilometrash.

Në pjesën e plazhit më të afërt me qendrën e fshatit Spille, mund të merrni me qira shezlongje dhe çadra.

Nëse vendosni të endeni më larg, turmat pakësohen, por prapë do të gjeni shumë restorante dhe bare gjatë rrugës.

4. Velipoja
E përshtatshme për familjet

Plazhi më verior i Shqipërisë, pranë kufirit me Malin e Zi, Velipoja ofron rërë të artë, qasje të lehtë në ujë dhe lehtësira të shumta.

Shezlongjet dhe çadrat janë në dispozicion me qira, por zona mund të mbushet me pushues në pikun e sezonit.

Nëse jeni duke kërkuar qetësi, një shëtitje pesë minutëshe do t’ju largojë nga zhurma e argëtimit.

5. Shëngjin
Plot argëtim

Ky plazh i mrekullueshëm ndodhet në bregdetin e famshëm verior të Shqipërisë.

Shtrirja prej 3 kilometrash e plazhit është e mbushur me hotele në njërën anë dhe ujëra të kaltra në anën tjetër.

Rëra e hollë e artë zbret butësisht në detin e cekët dhe të trazuar, duke e bërë atë një destinacion ideal për familjet.

Për më tepër, të gjitha lehtësitë që ju nevojiten për një ditë në plazh janë në dispozicion, nga sportet ujore te shezlongjet dhe një atmosferë festash.

Periudha midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit është perfekte për të shmangur turmat.

6. Gjipe
Bukuri natyrore

E mbrojtur nga malet, Gjipeja është një vend paqeje dhe qetësie.

Nëse jeni duke kërkuar një natyrë më të egër përgjatë bregdetit shqiptar, ky është vendi ideal për ju.

Për të arritur në plazh nga rruga, bëni një ecje 30-minutëshe përmes një peizazhi natyror mahnitës.

Gjatë ecjes në këmbë, do të shijoni pamjet magjepsëse të plazhit, përpara se të arrini në breg.

7. Dhërmiu
Vendi ideal i verës

Dërmiu, pranë Drimadhes, është një nga plazhet më të famshme të Shqipërisë.

Dhe gjithçka ka të bëjë me bukurinë e tij të jashtëzakonshme natyrore.

Ecni mbi hapësirën e guralecëve të zbehtë, shijoni ujërat bruz dhe mjedisin përreth.

Bëni një shëtitje të shkurtër përgjatë plazhit dhe do të gjeni një copëz parajse, edhe në muajt e verës.

8. Borshi
Plazh i qetë

Plazhi më i madh i Shqipërisë shtrihet përgjatë një sipërfaqeje prej 7 kilometrash – me guralecë të bardhë të pastër në Rivierën Shqiptare.

Pavarësisht bukurisë së tij, Borshi është një nga plazhet më pak të mbushura me pushues në zonë.

Vendet kryesore që ia vlen të vizitohen larg bregdetit përfshijnë Kështjellën e Borshit dhe Ujëvarat e Borshit aty pranë. //a.i/

https://www.skyscanner.it/notizie/le-piu-belle-spiagge-dellalbania

 

 

The post “Skyscanner”: Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MODË – Ish-komisionerja daneze e BE-së lançon koleksionin e saj të këpucëve

19 August 2025 at 22:22

BRUKSEL, 19 gusht /ATSH-ANSA/- Ish-komisionerja daneze e BE-së ka lançuar linjën e saj të këpucëve dhe është imazhi i një prej dizajneve, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e saj pas Brukselit.

Vestager, e cila frymëzoi serialin televiziv “Borgen”, është rikthyer në qendër të vëmendjes si imazhi i koleksionit të këpucëve, të krijuara nga stilistja Frederikke Antonie Schmidt.

E famshme për suksesin në sigurimin e një gjobe prej 14 miliardë dollarësh kundër “Apple” për lehtësime të paligjshme tatimore – dhe e etiketuar nga Trump si “Zonja e Taksave”, ajo është shfaqur së fundmi në tabela gjigante në rrugët e kryeqytetit danez, Kopenhagë – duke buzëqeshur me një fustan të rehatshëm, flokë të thinjur, çizme deri në kyçin e këmbës dhe sloganin “Kush e ka pushtetin?”

BE shpjegoi se kompania që e zgjodhi atë, pavarësisht se është themeluar nga një stiliste daneze, Frederikke Antonie Schmidt, ka një stil italian, duke filluar me emrin e saj, Roccamore – një neologjizëm që kombinon “Roccaforte” dhe “Amore”, për të përmbledhur faktin se këpucët janë të rehatshme, të forta dhe gjithashtu femërore.

Për më tepër, themeluesja e linjës së kepucëve studioi në Polimoda, shkolla e modës me qendër në Firence – e renditur ndër dhjetë institutet më të mira të modës në botë – dhe këpucët prodhohen në Itali dhe Portugali.

Sipas njoftimit për shtyp të kompanisë, modeli i dedikuar Margrethe Vestager – u krijua si një homazh për të dhe për të gjitha gratë që përballen kur përgjegjësia është më e madhe.

“Është për ato gra që guxojnë të qëndrojnë në syrin e stuhisë, që vendosin për një axhendë të re dhe e bëjnë të gjithën me stil dhe me kokën lart”, tha kompania.

Çizmet e saj deri në kyçin e këmbës, të disponueshme në ngjyrë lisi dhe të zezë, shiten me pakicë për rreth 415 euro.

Ato janë pjesë e “Power Collection” të Roccamore, që përfshin edhe këpucë të frymëzuara nga Camilla Ley Valentin, bashkëthemeluese e sistemit të menaxhimit të radhëve online Queue-it, dhe Marianne Dahl, shefja e Boston Consulting Group, Inc. (BCG) – një kompani amerikane globale konsulence menaxhimi e themeluar në vitin 1963. //a.i/

The post MODË – Ish-komisionerja daneze e BE-së lançon koleksionin e saj të këpucëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Katari kërkon armëpushim në Gazë pas përgjigjes pozitive të Hamasit

19 August 2025 at 21:42

JERUSALEM, 19 gusht /ATSH/- Katari theksoi sot urgjencën e ndërmjetësimit të një armëpushimi në Gazë – pasi Hamasi njoftoi një përgjigje pozitive ndaj një propozimi, por Izraeli ende nuk ka ndërhyrë, ndërsa ushtria e tij përgatit një ofensivë në disa nga zonat më të populluara të territorit, sipas AP.

Perspektiva e një sulmi të zgjeruar në zonat ku strehohen qindra mijëra civilë ka shkaktuar kritika brenda Izraelit dhe jashtë tij.

Shumica e palestinezëve të lodhur nga lufta nuk shohin asnjë vend në Gazë si të sigurt, madje as në zona – të shpallura humanitare, pas 22 muajsh lufte.

Qindra mijëra izraelitë, të cilët protestuan të dielën, kanë frikë se ofensiva mund të rrezikojë pengjet e mbetura në Gazë. Vetëm 20 nga 50 pengjet e mbetura mendohet se janë gjallë.

“Nëse propozimi për armëpushim dështon, kriza do të përkeqësohet”, u tha gazetarëve Majed al-Ansari, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, duke shtuar se ata ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Izraeli për këtë.

Witkoff ftohet të ribashkohet në bisedime

Al-Ansari tha se Hamasi kishte rënë dakord me kushtet që ishin në diskutim. Ai nuk pranoi të jepte detaje, por tha se propozimi ishte pothuajse identik me atë që ishte paraqitur më parë nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff.

Propozimi i SHBA-së ishte për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit disa nga pengjet e mbetura do të liroheshin dhe palët do të negocionin një armëpushim të qëndrueshëm dhe kthimin e pjesës tjetër.

“Nëse arrijmë një marrëveshje, nuk duhet të pritet që ajo të zbatohet menjëherë”, tha al-Ansari.

Ky vlerësim i kujdesshëm erdhi një ditë pasi ministri i Jashtëm i Egjiptit, vendi tjetër arab që ndërmjetëson bisedimet, tha se po bënin përpjekje për një marrëveshje me faza – dhe vuri në dukje se kryeministri i Katarit ishte bashkuar në negociatat midis udhëheqësve të Hamasit dhe ndërmjetësve arabë.

“Witkoff është ftuar të ribashkohet në bisedime”, tha ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.

Witkoff u tërhoq nga negociatat më pak se një muaj më parë, duke akuzuar Hamasin se nuk po vepronte me mirëbesim.

Nuk ishte e qartë se si Witkoff i është përgjigjur ftesës.

Abdelatty zhvilloi sot një sërë telefonatash me ministrat e Jashtëm nga BM-ja, Turqia dhe Bashkimi Evropian, duke u kërkuar të ushtronin presion mbi Izraelin që të pranonte propozimin për armëpushim.

“Topi tani është në fushën e Izraelit”, tha Abdelattay në një deklaratë.

Një zyrtar i lartë izraelit tha sot se qëndrimi i vendit për një armëpushim është konsistent dhe nuk ka ndryshuar.

“Izraeli kërkon lirimin e të 50 pengjeve në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga Kabineti për t’i dhënë fund luftës”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se nevojitet një përpjekje përfundimtare për të përfunduar mposhtjen e Hamasit.

Ai është zotuar të vazhdojë luftën derisa të kthehen të gjithë pengjet dhe Hamasi të çarmatoset. //a.i/

The post FOKUS – Katari kërkon armëpushim në Gazë pas përgjigjes pozitive të Hamasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Pistorius: Gjermania dhe aleatët po punojnë për garancitë e sigurisë në Ukrainë

19 August 2025 at 20:57

BERLIN, 19 gusht /ATSH-DPA/- Gjermania dhe partnerët e saj po punojnë me përkushtim të plotë mbi detajet e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën, tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Shkalla e kontributit gjerman në garancitë e sigurisë ende nuk është vendosur dhe do të duhet të përcaktohet politikisht dhe ushtarakisht”, tha Pistorius – pasi anëtarët e Bundestag-ut u informuan mbi statusin quo.

“Së pari, do të marrim në konsideratë progresin e negociatave, së dyti një kontribut të mundshëm nga SHBA-ja dhe së treti konsultimet me partnerët tanë më të ngushtë”, vazhdoi Pistorius.

“Sigurisht, duhet të shqyrtohet edhe gatishmëria e Rusisë për të arritur një zgjidhje paqësore”, shtoi ai.

Që nga fundjava, diskutimet rreth kontributit të Gjermanisë edhe me një forcë paqeruajtëse në Ukrainë kanë fituar vrull.

Garancitë e sigurisë kundër sulmeve të mëtejshme ruse shihen si një parakusht themelor që Ukraina të bëjë lëshime territoriale në negociata.

“Qeveria gjermane është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj në Evropë këto ditë”, tha Pistorius.

“Gjermania ka qënë mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës, në aspektin e mbrojtjes ajrore dhe marrjen e përgjegjësive politike”, theksoi ai.

Ai iu referua gjithashtu kontributeve gjermane në blerjen e armëve amerikane për Ukrainën dhe trajnimin e më shumë se 21 000 ushtarëve ukrainas.

“Tani për tani është e qartë se na duhet një Ukrainë e fortë – në mënyrë që të mund të veprojë me besim në këto negociata të vështira. Vetëm në këtë mënyrë – procesi aktual mund të çojë në një zgjidhje paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”, tha Pistorius. //a.i/

The post BERLIN – Pistorius: Gjermania dhe aleatët po punojnë për garancitë e sigurisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Costa: BE dhe aleatët duhet të përshpejtojnë punën për garancitë e sigurisë për Ukrainën

19 August 2025 at 20:10

BRUKSEL, 19 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se ka një vrull në rritje rreth ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën, pasi organizoi një samit virtual me udhëheqësit e BE-së – për të diskutuar bisedimet e djeshme shumëpalëshe në Uashington.

“Tani është koha për të përshpejtuar punën tonë praktike për të vendosur një garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s – me angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së”, tha Costa në një deklaratë të lëshuar sot pas bisedimeve online.

Zyrtari i BE-së shtoi se më pas kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Neni 5 i traktatit të NATO-s përcakton se një sulm ndaj një shteti anëtar duhet të trajtohet si një sulm ndaj të gjithëve.

Ndërsa duket gjithnjë e më e pamundur që kërkesa e Zelensky për anëtarësimin e plotë të Ukrainës të materializohet ndonjëherë, aleatët evropianë dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se po diskutojnë mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën në modelin e Nenit 5.

Costa tha se udhëheqësit ushtarakë nga i ashtuquajturi Koalicion i të Gatshmëve, një grup kombesh – që kanë thënë se janë të gatshëm të kontribuojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës – në rast të një marrëveshjeje paqeje, do të takohen me partnerët amerikanë këtë javë për të përcaktuar detajet e garancive të mundshme të sigurisë.

Costa theksoi se nuk ishte vetëm siguria e Ukrainës, në rrezik – por edhe siguria e Evropës. //a.i.

The post BRUKSEL – Costa: BE dhe aleatët duhet të përshpejtojnë punën për garancitë e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Spanja përballet me një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve

19 August 2025 at 19:25

MADRID, 19 gusht /ATSH/- Spanja u përball sot me disa zjarre të mëdha – në një nga sezonet më shkatërruese të vendit në dekadat e fundit, pavarësisht rënies së temperaturave në të gjithë Gadishullin Iberik, sipas AP.

Mijëra zjarrfikës të ndihmuar nga ushtarë dhe avionë me cisterna uji – luftuan zjarret që shkatërruan pyjet e thata – që ishin kryesisht masive në Spanjën veriperëndimore.

Agjencia e motit – AEMET raportoi një rrezik zjarri ende “ekstrem” – veçanërisht në rajonin e Galicias.

Zjarret në Galicia kanë shkatërruar qytete të vogla, me popullsi të pakët, duke i detyruar vendasit në shumë raste të ndërhynin përpara se të mbërrinin zjarrfikësit.

“Njësitë e zjarrfikësve nga Gjermania mbërritën sot në Spanjën veriore – për të ndihmuar në luftimin e flakëve”, njoftoi Ministria e Brendshme e Spanjës.

“Më shumë se 20 automjete u vendosën në terren – për të ndihmuar në luftimin e një zjarri të vazhdueshëm në Jarilla në rajonin Extremadura – që kufizohet me Portugalinë”, tha ministria.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vizitoi sot zonën e prekur nga zjarret masive.

“Temperaturat në të gjithë Spanjën ranë sot me rreth 4 gradë Celsius pas – një vale të të nxehtit 16-ditore me mbi 40 gradë Celsius”, njoftoi agjencia meteorologjike e Spanjës.

“Zjarret në Spanjë kanë vrarë katër persona këtë vit dhe kanë djegur më shumë se 382,000 hektarë tokë”, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje të Bashkimit Evropian – EFFIS.

“Cilësia e ajrit u përkeqësua në disa pjesë të mëdha të Spanjës gjatë javës së kaluar si rezultat i zjarreve”, treguan të dhënat nga agjencia e monitorimit të klimës Copernicus e BE-së.

Tymi nga zjarret e Gadishullit Iberik arriti në Francë, BM dhe Skandinavi.

“Disa zjarre janë shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. Policia ka arrestuar 23 persona për zjarrvënie të dyshuara dhe po heton 89 të tjerë”, tha sot Garda Civile e Spanjës. //a.i/

The post FOKUS – Spanja përballet me një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Administrata Trump, aksionerja kryesore e “Intel” përmes granteve të Aktit të Çipave

19 August 2025 at 18:40

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH-DPA/- Qeveria amerikane synon të marrë një pjesë të madhe të aksioneve në kompaninë e prodhimit të çipave “Intel”, i cili është në vështirësi, konfirmoi sot sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick në një intervistë për CNBC – pas disa ditësh spekulimesh.

“Presidenti Donald Trump beson se kjo do të rezultojë në një kthim të mirë për taksapaguesin amerikan”, tha ai, duke shtuar se aksionet e qeverisë do të përbëheshin nga aksione pa të drejtë vote.

Lutnick nuk specifikoi madhësinë e aksioneve, apo kohën e blerjes.

Sipas raporteve të medias amerikane, Uashingtoni po kërkon afërsisht 10% të aksioneve të “Intel”, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së saj globale.

Kjo do të ishte ekuivalente me atë që mund të blihej në treg me më shumë se 10 miliardë dollarë subvencione që “Intel-it” iu premtuan nën drejtimin e paraardhësit të Trump, Joe Biden.

Trump prej kohësh i ka hedhur poshtë subvencionet për prodhuesit e çipave duke i quajtur ato një humbje parash, dhe duke preferuar tarifat e larta të importit për të detyruar kompanitë të prodhojnë gjysmëpërçues në SHBA.

Shumica e çipave të avancuar ende prodhohen pothuajse tërësisht në Azi, veçanërisht në Tajvan, ku tensionet në rritje me Kinën kanë nxitur përpjekjet perëndimore për të rritur prodhimin në vend.

Por ndërtimi i pajisjeve të reja zgjat me vite dhe kushton dhjetëra miliarda dollarë.

Në një masë të pazakontë, qeveria amerikane nën drejtimin e presidentit Trump siguroi së fundmi një “aksion të artë” në “US Steel” kur ajo u ble nga “Nippon Steel” i Japonisë – duke i dhënë presidentit të drejtën e vetos mbi transferimet e vendeve të punës, mbylljen e fabrikave ose blerjet e mëdha. //a.i/

The post UASHINGTON – Administrata Trump, aksionerja kryesore e “Intel” përmes granteve të Aktit të Çipave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – AP: Pavarësisht takimeve për luftën e Rusisë në Ukrainë, mbeten pengesa të mëdha për paqen

19 August 2025 at 17:56

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH/- Takimi i dytë në Zyrën Ovale brenda gjashtë muajsh midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dje në mbrëmje shkoi pa probleme, në kontrast të thellë me takimin e tyre katastrofik në shkurt.

Udhëheqësit evropianë iu bashkuan diskutimeve në një shfaqje të unitetit transatlantik, dhe si ata ashtu edhe Zelensky e falënderuan vazhdimisht Trump për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

“Nuk dua ta fsheh faktin se nuk isha i sigurt nëse do të shkonte kështu”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në Uashington.

“Por pritshmëritë e mia jo vetëm që u përmbushën, por u tejkaluan”, shtoi ai.

“Kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lufte dhe garantimit të sigurisë për Ukrainën dhe të gjithë Evropën”, tha dje Zelensky.

Por, pavarësisht optimizmit të matur dhe shakave miqësore midis udhëheqësve, nuk pati progres konkret në pengesat kryesore për përfundimin e luftës – dhe ky bllokim ka të ngjarë të favorizojë presidentin rus Vladimir Putin, forcat e të cilit vazhdojnë të bëjnë përparim të qëndrueshëm, megjithëse të ngadaltë, në terren në Ukrainë.

“Të gjitha detajet duhet të përcaktohen”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte për Fox News.

Ja një vështrim mbi çështjet që duhet të zgjidhen:

Garanci sigurie për Ukrainën

Për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje me Rusinë, Ukraina kërkon siguri për të penguar çdo sulm të ardhshëm nga forcat e Kremlinit.

“Kjo do të thotë, një ushtri e fortë ukrainase që pajiset me armë dhe trajnim nga partnerët perëndimorë”, tha Zelensky.

Kjo potencialisht mund të nënkuptojë gjithashtu ofrimin e një garancie për Ukrainën që i ngjan mandatit të mbrojtjes kolektive të NATO-s, i cili e sheh sulmin ndaj një anëtari të aleancës si një sulm ndaj të gjithëve. Se si do të funksiononte kjo nuk është e qartë.

Për më tepër, aleatët evropianë të Kievit po kërkojnë të krijojnë një forcë që mund të pengojë çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Një koalicion prej 30 vendesh, përfshirë vendet evropiane, Japoninë dhe Australinë, kanë nënshkruar për të mbështetur iniciativën, megjithëse roli që SHBA-të mund të luajnë në një forcë të tillë është i paqartë.

Udhëheqësit evropianë, duke pasur frikë se ambiciet territoriale të Moskës nuk do të ndalen në Ukrainë.

Trump tha se do të ndihmojë në sigurimin e mbrojtjes, por nuk u përfshi në angazhimin e trupave amerikane në Ukrainë, duke premtuar në vend të kësaj SHBA-ja do të ofronte koordinimin.

Rusia e ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë e një force të tillë, duke thënë se nuk do të pranonte që trupat e NATO-s të dislokoheshin në Ukrainë.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron bashkëkryesuan takimin online të martën të vendeve të koalicionit të të gatshëmve.

“Sapo zyrtarët të kenë diskutuar propozimet në më shumë detaje, një takim virtual do të zhvillohet me Trump dhe udhëheqësit evropianë”, tha Rutte.

Duke rënë dakord për një armëpushim

Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë kanë bërë vazhdimisht thirrje për një armëpushim ndërsa zhvillohen bisedimet e paqes.

Putini e ka kundërshtuar këtë perspektivë.

Përpara takimit të tij me udhëheqësin rus javën e kaluar, Trump kërcënoi Rusinë me “pasoja të rënda” nëse nuk pranonte armëpushimin.

Më pas, ai hoqi dorë nga kjo kërkesë dhe tha se ishte më mirë të përqendrohej në një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje – siç ka kërkuar Putini.

Trump tha dje në takimin në Zyrën Ovale me Zelensky se armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës ishte i panevojshëm.

Por pas takimit të tij me dyer të mbyllura me udhëheqësit evropianë dhe Zelensky, Trump u tha gazetarëve – se të gjithë do të preferonin armëpushimin e menjëhershëm ndërsa ishin duke punuar për një paqe të qëndrueshme.

Territor i pushtuar ukrainas

Zelensky dhe udhëheqësit evropianë thanë se Putini kishte kërkuar që Ukraina të hiqte dorë nga Donbasi, një rajon industrial në Ukrainën lindore që ka përjetuar disa nga luftimet më intensive, por që forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë plotësisht.

Forcat e Moskës gjithashtu mbajnë nën kontroll Krimenë, si dhe pjesë të gjashtë rajoneve të tjera – të gjitha gjithsej përbëjnë rreth një të pestën e Ukrainës.

Zelensky ka theksuar prej kohësh se Kushtetuta e Ukrainës ndalon copëtimin e vendit të tij.

Ai gjithashtu ka sugjeruar që kërkesa për territor do të shërbente si një trampolinë për një pushtim të ardhshëm.

Rutte tha se mundësia që Ukraina t’ia lëshojë territorin e pushtuar Rusisë në këmbim të paqes nuk u diskutua në bisedimet e djeshme.

“Kjo është një çështje që Zelensky dhe Putin duhet ta shqyrtojnë së bashku”, tha ai për Fox News. //a.i/

The post ANALIZË – AP: Pavarësisht takimeve për luftën e Rusisë në Ukrainë, mbeten pengesa të mëdha për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – Zvicra e gatshme t’i japë Putinit “imunitet” për të marrë pjesë në bisedimet e paqes

19 August 2025 at 17:11

GJENEVË, 19 gusht /ATSH-DPA/- Zvicra është e gatshme të presë bisedimet mbi luftën në Ukrainë që përfshijnë pjesëmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht urdhërarrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN), tha sot qeveria zvicerane.

Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis tha sot se Putinit mund t’i jepet një imunitet i përkohshëm.

Qeveria zvicerane e ka përdorur më parë këtë qasje në konsultim me GJPN-në.

Valentina Matvienko, një aleate e ngushtë e Putinit, u shfaq në një forum të nivelit të lartë në Gjenevë në korrik, pavarësisht se ishte prekur nga sanksionet perëndimore.

Aktualisht, nuk ka plane konkrete për një samit që përfshin Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, vrulli për bisedime të tilla po rritet pas takimit të Zelensky me presidentin e SHBA-së Donald Trump, dje në Uashington.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni kanë sugjeruar Gjenevën si një vend të mundshëm për bisedime.

Putini udhëtoi për herë të fundit në Gjenevë në vitin 2021 për një samit dypalësh me presidentin e atëhershëm të SHBA-së Joe Biden, disa muaj përpara se të niste luftën kundër Ukrainës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare akuzon Putinin si përgjegjës për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret ukrainase në Rusi. Ajo lëshoi një urdhërarresti për udhëheqësin rus në mars të vitit 2023.

Moska i referohet transferimeve të detyruara të fëmijëve si “evakuime”.

Putini udhëtoi në Alaskë javën e kaluar për bisedime me Trump, por nuk ishte në rrezik arrestimi pasi SHBA-ja nuk është palë në traktatet që rregullojnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare.//a.i/

The post GJENEVË – Zvicra e gatshme t’i japë Putinit “imunitet” për të marrë pjesë në bisedimet e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌