Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 August 2025Main stream

ESTONI – Rrëzohet një dron ukrainas

26 August 2025 at 16:09

RIGA, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Një dron luftarak ukrainas u rrëzua në Estoni, thanë sot autoritetet.

Shefi i policisë së sigurisë, Margo Palloson deklaroi në Talin se incidenti besohet se ”ka ndodhur të dielën në mëngjes”.

”Ishte një dron ukrainas që kishte sulmuar objektiva ruse. Nuk ka prova që të ketë qenë dron rus”, tha Palloson.

Sipas raporteve, ky ishte incidenti i parë i këtij lloji në Estoni.

Ukraina kishte sulmuar një terminal nafte dhe gazi rus në portin e detit Baltik në Ust-Luga, pranë kufirit me Estoninë, të shtunën në mbrëmje.

Mjeti ajror ndoshta ishte devijuar nga masat ruse të mbrojtjes elektronike.

Nuk është e qartë nëse droni hyri nga hapësira ajrore e Letonisë apo e Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, deklaroi se droni goditi Estoninë për shkak se Rusia po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe Kievi po mbron veten.

Përdorimi i dronëve në luftë mund të përbëjë një kërcënim për vendet fqinje.

Në muajt e fundit, dronët rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë përmes Bjellorusisë, një aleate e Rusisë.

Kanë pasur gjithashtu raste të ngjashme në Rumani dhe Moldavi./  /Ad.Ab./

The post ESTONI – Rrëzohet një dron ukrainas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump urdhëron njësi speciale në Gardën Kombëtare

26 August 2025 at 15:37

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke i kërkuar sekretarit të tij të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të krijojë njësi të specializuara në Gardën Kombëtare që do të jenë të trajnuara dhe të pajisura posaçërisht për t’iu përgjigjur çështjeve të rendit publik.

Sipas CNN, ky është sinjali më i qartë deri tani për synimin e tij për të zgjeruar rolin e ushtrisë amerikane në polici kombëtare në gjithë vendin.

Me urdhrin e ri, Hegseth ngarkohet të sigurojë që Garda Kombëtare e Ushtrisë dhe Garda Kombëtare Ajrore e secilit shtet të jenë të pajisura, të trajnuara, të organizuara dhe të gatshme për të ndihmuar autoritetet federale, shtetërore dhe lokale në shuarjen e trazirave civile dhe garantimin e sigurisë publike dhe rendit, sa herë që rrethanat e kërkojnë, sipas ligjit.

Një nga misionet kryesore të Gardës Kombëtare tashmë është të jetë e trajnuar dhe në dispozicion për të ndihmuar forcat e rendit në sigurinë publike, zakonisht me kërkesë të guvernatorit të shtetit përkatës.

Urdhri gjithashtu e detyron Hegseth-in të ”caktojë një numër të mjaftueshëm anëtarësh të trajnuar të Gardës Kombëtare në çdo shtet, të cilët janë në dispozicion për mobilizim të shpejtë për këto qëllime”, si dhe të krijojë një ”forcë të reagimit të shpejtë” të përhershme, e cila do të jetë ”e gatshme për dislokim të menjëhershëm në mbarë vendin”./ /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Trump urdhëron njësi speciale në Gardën Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Coppola nderon Herzog me një fjalim mirënjohjeje në Festivalin e Venecias

26 August 2025 at 15:03

VENECIA, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Regjisori i famshëm amerikan, Francis Ford Coppola do të mbajë nesër një fjalim mirënjohjeje për regjisorin e njohur gjerman, Werner Herzog, me rastin e dhënies së ”Luanit të Artë për Arritje në Jetë”, në sallën e madhe të Pallatit të Kinemasë, gjatë natës hapëse të Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Nesër në orën 17:00, në sallën ”Korinto” do të prezantohet dokumentari i Mike Figgis ”Megadoc”.

Ky dokumentar bën pjesë në seksionin ”Venice Classics” dhe sjell prapaskenat e xhirimeve të filmit më të fundit të Francis Ford Coppola ”Megalopolis”.

Regjisori i madh Coppola e ka marrë ”Luanin e Artë për Arritje në Jetë” në vitin 1992, gjatë Festivalit të 49-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Werner Herzog do të shfaqë dokumentarin e tij të ri ”Ghost Elephants”, jashtë konkurrimit, nesër.

Po nesër ai do të mbajë edhe një masterclass në ”Match Point Arena”, pranë ”Tennis Club Venezia”, në Lido./   /Ad.Ab./

The post KINEMA – Coppola nderon Herzog me një fjalim mirënjohjeje në Festivalin e Venecias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – ”Reform UK” kërkon dëbimin e 600 000 azilkërkuesve nën një program emergjent pesëvjeçar

26 August 2025 at 14:29

LONDËR, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Partia ”Reform UK” do të kërkojë dëbimin e 600 000 azilkërkuesve, nëse në seancën parë parlamentare zgjidhet në qeveri.

Kreu i partisë, Nigel Farage, paralajmëroi për një “kërcënim të vërtetë për rendin publik”, ndërsa ai dhe Zia Yusuf paraqitën planet e partisë në një aktivitet.

”Reform UK” e përshkruan “operacionin e saj për rivendosjen e drejtësisë” si një program pesëvjeçar emergjence për të ndaluar dhe deportuar migrantët e paligjshëm dhe për të penguar mbërritjet e ardhshme që ata do të zbatonin nëse zgjidheshin në qeveri.

Partia u zotua të sigurojë marrëveshje me vende të tilla si Afganistani, Eritrea dhe Irani për të kthyer migrantët në vendet e tyre.

Farage nuk u përgjigj kur u pyet se sa do të ishte i përgatitur t’i paguante Iranit dhe talebanëve për të marrë mbrapsht të deportuarit.

”Reform UK” pretendon se plani do të kushtojë 10 miliardë paund (13,5 miliardë dollarë) për t’u zbatuar, por do të kursejë 7,1 miliardë paund që shpenzohen aktualisht për migrimin e paligjshëm gjatë pesë viteve të para./  /Ad.Ab./

 

The post BM – ”Reform UK” kërkon dëbimin e 600 000 azilkërkuesve nën një program emergjent pesëvjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n

26 August 2025 at 12:46

LONDËR, 26 gusht /ATSH – Një qytet bregdetar për të cilin ndoshta nuk keni dëgjuar, por që po përjeton një rritje të madhe të kërkesës nga turistët britanikë, shkruan Cyann FIelding për tabloidin më të njohur britanik ”The Sun”.

I vendosur në bregdetin e Adriatikut, Durrësi është një perlë pak e njohur, por që është shumë më e lirë se pushimet tuaja mesatare evropiane.

Të dhënat e reja nga ”Love Holidays” sugjerojnë se qyteti është një destinacion në zhvillim, me rezervime që janë rritur me një shifër marramendëse prej 224% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, qyteti portual idilik mbetet më pak i mbushur me njerëz dhe më i përballueshëm se disa vende të nxehta evropiane.

I quajtur “qyteti i përjetshëm në bregdetin e Adriatikut” nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e Shqipërisë, Durrësi përfiton nga një klimë mesdhetare dhe ofron një numër gjiresh të izoluara me ujëra bruz dhe rërë të artë.

Një nga vendet më të njohura në qytet është plazhi i Durresit, i cili shtrihet mbi tetë kilometra duke e bërë atë më të madhin në Shqipëri.

Të shpërndara përgjatë shëtitores janë bare, kafene dhe restorante të shumta për t’u eksploruar.

Restoranti “Cosmo”, i cili ndodhet në skajin perëndimor të plazhit, është vlerësuar si më i miri në qytet dhe shërben pjata me ushqime deti.

Në shëtitore ka edhe një numër hotelesh, shumë prej të cilave kanë qasje të drejtpërdrejtë në plazh.

Mysafirët gjithashtu mund të marrin me qira dy shezlongje dhe një ombrellë në plazh për një çmim midis 4,33 dhe 21,63 paund.

Nëse nuk ju pëlqen të uleni në plazh, atëherë shkoni në “Hawaii Beach Club” në skelë dhe merrni një koktej për ta shijuar në një nga shezlongjet e klubit me pamje nga deti.

Nëpër baret dhe restorantet në Durres, një birrë ka të ngjarë t’ju kushtojë nga 2,05 deri në rreth 2,40 paund, dhe një gotë verë do të kushtojë rreth vetëm 1,73 deri në 3,03 paund.

Për diçka më aktive, ka një numër aktivitetesh sportive ujore që mund të bëni edhe nga plazhi, të tilla si ski me ujë dhe ”peshq fluturues”.

Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë ka një mori vendesh të ndryshme historike dhe kulturore për t’u eksploruar.

Një vend janë rrënojat e Kalasë së Durrësit, e cila u ndërtua fillimisht në shekullin V, dhe Kulla Veneciane e cila u ndërtua në shekullin XV dhe u përdor për të mbrojtur qytetin nga sulmet.

Nëse shkoni në majë të kullës nëntë metra të lartë, do të shihni pamje mahnitëse të qytetit dhe detit.

Xhamia e Durresit, e cila ndodhet në qendër të qytetit, është gjithashtu falas për t’u vizituar.

U hap fillimisht në vitin 1938, por që atëherë ka pasur një mori përdorimesh të ndryshme, duke përfshirë, në një moment, si qendër rinore.

Sot, është një qendër fetare dhe një vend aktiv adhurimi – prandaj sigurohuni që të visheni siç duhet dhe të hiqni këpucët nëse e vizitoni.

Një tjetër vend kyç për t’u eksploruar është amfiteatri romak i perandorit Hadrian, i cili ka rreth 15 000 vende dhe është amfiteatri i dytë më i madh në të gjithë Ballkanin.

Amfiteatri u ndërtua në fillim të shekullit II dhe u përdor për të pritur tubime shoqërore dhe gara gladiatorësh me kafshë të egra.

Megjithatë, në shekullin IV, luftimet e gladiatorëve u ndaluan dhe një faltore e krishterë u ndërtua në qendër të amfiteatrit.

U zbulua më vonë në vitet 1960, pasi qëndroi e varrosur për qindra vjet për shkak të një numri tërmetesh.

Kushton rreth 2,60 paund për të hyrë në amfiteatër.

Pak jashtë qendrës së qytetit është vreshtaria ”Abaia”, ku vizitorët mund të bëjnë një turne dhe të shohin verëra të ndryshme që prodhohen në vend.

Kjo përvojë është gjëja më e vlerësuar për të bërë në Durrës, me shumë vizitorë që shijojnë vizitën në kantinë dhe restorantin që shërben ushqim vendas për të shoqëruar verërat.

Ka hotele të shumta në të gjithë qytetin, shumica e të cilave janë shumë të përballueshme.

Për shembull, mund të qëndroni në hotel ”Epidamn Boutique & Spa”, i cili ka një restorant, bar dhe kopsht, për 69 paund nata për dy të rritur. Ose, sipas ”Love Holidays”, mund të merrni një paketë shtatënetëshe të minutës së fundit për dy persona, për rreth 138 paund për person, për natë këtë verë./  /Ad.Ab./

The post ”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook

26 August 2025 at 10:31

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale (FED) Lisa Cook nga posti i saj, duke cituar deklarata të dyshuara të rreme në një ose më shumë marrëveshje hipotekare.

Kishte “arsye të mjaftueshme për të besuar” se guvernatorja kishte bërë deklarata të rreme, tha Trump në një letër drejtuar Cook, të cilën e ndau mbrëmë në Truth Social.

Sipas ligjit amerikan, një president mund të shkarkojë guvernatorët e FED vetëm për shkak të një arsyeje, duke ngritur mundësinë që vendimi i Trump të përballet me sfida ligjore.

Trump i kishte treguar qëllimet e tij ditë më parë, duke u thënë gazetarëve se “do ta shkarkoj nëse ajo nuk jep dorëheqjen”.

Cook kohët e fundit ishte përballur me shqyrtim të hollësishëm për parregullsi të dyshuara në aplikimet për hipoteka, të cilat u raportuan në një letër nga drejtoresha e Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.

Për muaj të tërë, Trump ka ushtruar presion mbi Rezervën Federale për të ulur normat e interesit, një kërkesë që nuk është përmbushur pasi politikëbërësit mbeten të shqetësuar për inflacionin, pjesërisht të nxitur nga tarifat e importit të Trump./   /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANBERRA – Australia dëbon ambasadorin iranian, pas sulmeve antisemite

26 August 2025 at 10:05

SIDNEJ, 26 gusht  /ATSH-DPA/  – Kryeministri australian Anthony Albanese that sot  se qeveria iraniane orkestroi sulme antisemite në tokën australiane dhe ka njoftuar dëbimin e ambasadorit iranian.

Duke folur para gazetarëve, Albanese tha se Organizata Australiane e Inteligjencës së Sigurisë (ASIO) kishte konfirmuar përfshirjen e Teheranit në sulmet që synonin komunitetin hebre të Australisë, duke përfshirë sinagogën ”Adass Israel” të Melburnit.

“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një komb i huaj në tokën australiane”, tha kryeministri.

“Ato ishin përpjekje për të minuar kohezionin shoqëror dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, shtoi ai.

Ministrja e Jashtme, Penny Wong tha se kjo shënon herën e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që Kanberra ka dëbuar një ambasador.

Përveç ambasadorit Ahmad Sadeghi, tre diplomatë të tjerë iranianë janë shpallur persona ”non grata” dhe duhet të largohen nga Australia brenda shtatë ditësh.

”Ambasada australiane në Teheran pezulloi operacionet e saj”, tha Wong, me të gjithë stafin të zhvendosur në mënyrë të sigurt në një vend të tretë.

Ajo u bëri thirrje australianëve në Iran të largohen menjëherë nëse është e sigurt ta bëjnë këtë./   /Ad.Ab./

The post KANBERRA – Australia dëbon ambasadorin iranian, pas sulmeve antisemite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

TEL AVIV – Izraeli sinjalizon tërheqje nga Libani nëse Hezbollah çarmatoset

25 August 2025 at 16:09

TEL AVIV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tregoi sot shenja për një tërheqje graduale të trupave të mbetura izraelite nga jugu i Libanit, nëse ushtria e këtij vendi ndërmerr hapa për çarmatosjen e milicisë së Hezbollahut.

“Nëse forcat e armatosura libaneze (LAF) marrin masat e nevojshme për të zbatuar çarmatosjen e Hezbollahut, Izraeli do të ndërmarrë masa reciproke, duke përfshirë një reduktim të pranisë së IDF-së në koordinim me mekanizmin e sigurisë të udhëhequr nga SHBA”, tha zyra e Netanjahut në një deklaratë.

Një armëpushim është në fuqi mes Izraelit dhe Hezbollahut që nga fundi i nëntorit, por të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje.

Izraeli ende ka trupa të vendosura në pesë poste në jug të Libanit, ndërsa ushtria izraelite vijon të kryejë sulme pothuajse çdo ditë në vend, duke thënë se po synon Hezbollahun. Në këto sulme përsëriten viktima mes njerëzve.

Qeveria libaneze ndodhet nën presion për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit, e cila përfshin edhe çarmatosjen e Hezbollahut.

Në fillim të gushtit, qeveria në Bejrut pranoi një plan amerikan që parashikon çarmatosjen e plotë të milicisë deri në fund të vitit, por ky proces pritet të jetë tepër i vështirë dhe politikisht i rrezikshëm.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka deklaruar se do të pranojë të çarmatoset vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet në Liban dhe tërheq trupat e mbetura nga jugu i vendit. /Ad.Ab./

 

The post TEL AVIV – Izraeli sinjalizon tërheqje nga Libani nëse Hezbollah çarmatoset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Rritet presioni mbi Starmer për çështjen e migracionit

25 August 2025 at 15:33

LONDËR, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer përballet me presion në rritje për krizën e anijeve të vogla, pasi protestat vazhduan jashtë hoteleve të azilantëve dhe një sondazh sugjeroi se votuesit mendonin se ai nuk po arrinte ta zgjidhte problemin.

Kryeministri dhe qeveria e tij kanë përcaktuar masa për të përshpejtuar sistemin e apelimit për azil për të ndihmuar largimin e njerëzve pa të drejtë qëndrimi në Britaninë e Madhe.

Por, ish-sekretari i Brendshëm i Partisë Laburiste, David Blunkett, tha se qeveria deri më tani nuk kishte arritur të ofronte një “përgjigje gjithëpërfshirëse ose një narrativë të kuptueshme” për përballimin e krizës.

Deri më tani këtë vit, një numër rekord prej 28 076 personash kanë kaluar Lamanshin  me anije të vogla, 46% më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Protestat në vendet ku strehohen azilkërkuesit vazhduan gjatë fundjavës dhe qeveria është e përgatitur për beteja të mëtejshme ligjore mbi përdorimin e hoteleve.

Një sondazh i “YouGov “për gazetën “The Times” zbuloi se 71% e votuesve besojnë se kryeministri po e trajton keq çështjen e hotelit të azilit, përfshirë 56% të mbështetësve të Partisë Laburiste. /Ad.Ab./

The post BM – Rritet presioni mbi Starmer për çështjen e migracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Shefi i ushtrisë, Zamir i kërkon Netanyahut të pranojë marrëveshjen për pengjet

25 August 2025 at 14:55

TEL AVIV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka ashpërsuar paralajmërimet e tij lidhur me planin për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të pranojë një propozim armëpushimi për lirimin e pengjeve të mbetura, sipas raportimeve të mediave izraelite.

“Ka një marrëveshje mbi tryezë, është marrëveshja e përmirësuar Witkoff, duhet ta pranojmë”, citoi televizioni izraelit “Channel 13” fjalët e Zamir drejtuar komandantëve gjatë një vizite në një bazë detare në Haifa.

Shefi i ushtrisë iu referua një propozimi të negociuar më parë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, që parashikon një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të liroheshin 10 pengje izraelite të gjallë në këmbim të të burgosurve palestinezë.

“Ushtria ka krijuar kushtet për një marrëveshje mbi pengjet, tani kjo është në duart e Netanyahut”, shtoi Zamir.

Ai përsëriti shqetësimin se marrja e planifikuar e qytetit të Gazës do të rrezikonte jetën e rreth 20 pengjeve që besohet se janë ende gjallë, disa prej të cilëve mendohet se mbahen në këtë metropol të madh.

Zamir paralajmëroi se militantët e Hamasit mund t’i vrasin pengjet ose të “bëjnë vetëvrasje së bashku me ta”.

Sipas kërkesës, Zamir ka hartuar planet operacionale për marrjen e qytetit të Gazës, të cilat janë miratuar nga udhëheqja politike e vendit.

Javën e kaluar, Hamasi tha se kishte pranuar një propozim të ri armëpushimi, i cili raportohet të jetë një version i përshtatur i propozimit Witkoff./   /Ad.Ab./

The post TEL AVIV – Shefi i ushtrisë, Zamir i kërkon Netanyahut të pranojë marrëveshjen për pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”New York Times”: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen

25 August 2025 at 14:14

NJU JORK, 25 gusht  /ATSH/ – Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit.

Dhjetë minuta me autobus larg Butrintit, në resortin modern bregdetar të Ksamilit, turistët shtrihen mbi shezlongë, vallëzojnë me muzikë elektronike dhe lëvizin me jet ski rreth një gjiri piktoresk, të bërë të famshëm nga influencerët e rrjeteve sociale, të cilët e krahasojnë pamjen e tij të harlisur me Maldivet.

Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.

Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu.

Vitin e kaluar, 11,7 milionë vizitorë hynë në vend nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

”Shqipëria është ende një vend ekzotik për shumë njerëz”,  tha Frenkli Prengaj, i  cili merret me ture turistike për “Discover Albania” dhe kaloi dy ditë duke më shëtitur.

Vendi, që shtrihet mes Greqisë dhe Malit të Zi përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, shpalli pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912 dhe duke filluar nga vitet 1940, kaloi dekada nën një diktaturë staliniste, i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1990.

Në fund të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një krizë ekonomike të ndjekur nga një periudhë trazirash, por vitet e fundit situata politike është përmirësuar dhe turizmi, i nxitur pjesërisht nga çmimet e ulëta, ka lulëzuar.

Shqipëria e re

Resorti i gjallë i Ksamilit është një shembull i qartë i Shqipërisë së re.

”Gjatë dekadave të diktaturës, një numër i vogël vullnetarësh dërgoheshin në Ksamil për të ngritur komunitete bujqësore”, shpjegon Dorina Dhima, një guidë e pavarur.

”Zona, megjithatë, mbetej e kufizuar, sepse njerëzit mund të arratiseshin duke notuar deri në Korfuz. S’kishte më shumë se katër pallate”, shton ajo.

Ajo epokë ka marrë fund prej kohësh. Unë shijova një drekë të qetë me oktapod (1 800 lekë, rreth 22 dollarë) me pamje nga uji kristal dhe ishujt e gjelbër në një ”beach bar” të quajtur “Freskia e Jonit”.

Por, vizitorët që preferojnë një pushim më të qetë mund të zgjedhin destinacionet bregdetare si Jala, Borshi apo Dhërmiu, një deri në dy orë më në veri.

Kur udhëtova në vitin 2023 në Dhërmi për festivalin e muzikës dhe mirëqenies “Kala”, mbeta e mahnitur nga bukuria natyrore e peizazhit dhe mikpritja lokale.

Rreth 20 minuta larg Ksamilit ose 30 minuta me traget nga Korfuzi (bileta një drejtim nga 14 deri në 33 dollarë), qyteti bregdetar i Sarandës ofron një atmosferë të ngjashme të qetë, plazhe publike, një shëtitore të gjallë që mbushet në mbrëmje me vendas të veshur bukur në xhiro, si dhe shumë mundësi për të ngrënë e pirë me fruta deti të shkëlqyera, si te ”Haxhi” dhe ”Marini”.

Qëndrova në “LaFe Boutique Hotel” në qendër të qytetit dhe kalova një mbrëmje të bukur duke parë familje dhe miq.

Çatitë e kuqe dhe domatet gjithë lëng

Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik.

Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë.

Kalaja e Beratit (hyrja falas), një kompleks i hapur mbi qytet, përfshin një kishë bizantine, rrënojat e një prej xhamive të para në Shqipëri dhe një lagje me shtëpi ende të banuara nga shekulli XVIII-XIX, disa prej të cilave janë bujtina.

Po ashtu, aty ndodhet muzeu ikonografik ”Onufri”, i cili ekspozon objekte fetare që datojnë që nga vitet 1300, përfshirë një ikonostas të gdhendur në dru të stolisur (biletë me audioudhëzues 500 lekë).

Kur e vizitova Beratin në fund të qershorit, qyteti ishte i heshtur deri në perëndim, kur rrugët papritur u mbushën me fëmijë me biçikleta, burra që luanin domino dhe shitës që ofronin kupa plastike të mbushura me rrush e qershi për rreth 100 lekë.

Bollëku i përbërësve të freskët e bënte ushqimin në Shqipëri një kënaqësi.

Në “Amalia Homemade Food” në Berat, bëra një duzinë fotosh të tryezës, e thjeshtë dhe e bukur. Sallata me domate ishte aq e lëngshme dhe e gjallë, sa ndjeva sikur kisha zbuluar një dije të humbur prej kohësh mbi shijen e vërtetë të domates.

Pjesa tjetër e menusë përfshinte djathë dhe perime të pjekura në enë balte; speca të mbushur me oriz e barishte; patëllxhan me hudhër, spec dhe domate; byrek me spinaq dhe djathë; dhe biftek vjenez, mish i mbushur me djathë (menu me 11 pjata për dy persona, 28 euro ose 32 dollarë).

Siç është tipike në Shqipëri, vakti u mbyll me një gotë raki, një pije e fortë alkoolike e bërë nga frutat e fermentuara, versione të së cilës janë të zakonshme në gjithë Ballkanin.

“Ata që janë mbi 40 vjeç e pinë pothuajse çdo ditë”,  tha Andi Kallanxhi, punonjës i “Pupa Winery”, 20 minuta me makinë në juglindje të Beratit.

”Dy gota të mëdha në 5 ose 6 të mëngjesit, të shoqëruara me një cigare dhe kafe turke, dy teke rreth orës 10 ose 11, një tjetër pas punës me kafe, dhe pastaj edhe tre a katër të tjera pas punës me salcë kosi e hudhër”, shton ai.

Rakia “te Amalia”, e zbutur me kanellë, ishte një përzierje ngrohtë dhe e fortë për fytin dhe një fund i përsosur i darkës sime.

Do ta pija për mëngjes? Më pyesni kur të kem mbushur 40 vjeçe.

Vizita në një bunker të Luftës së Ftohtë

Ismail Kadare, fitues i çmimit ”Booker International”, e përshkruan  qytetin e Gjirokastrës, rreth dy orë e gjysmë në jug të Beratit, si një “krijesë parahistorike që ngjitet si me grep në shpatin e malit”.

Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj.

Për t’u bashkuar me një tur prej 200 lekësh, shkoni në agjencinë turistike ”Experience Gjirokastra” në sheshin ”Çerçiz Topulli”.

Nëse ngjiteni përtej qendrës historike të Gjirokastrës, mund të vizitoni një kështjellë shekullore (hyrja 400 lekë), pjesë të së cilës u përdorën si burg, së fundmi gjatë regjimit të Hoxhës.

Qelitë e burgut dhe dhomat e torturave janë lënë kryesisht të paprekura dhe janë një muze magjepsës (200 lekë).

Tarifa shtesë e hyrjes përfshin hyrjen në Muzeun e Armëve si dhe në Muzeun e Gjirokastrës, i cili ofron një histori kompakte, por të plotë të rajonit.

Disa nga muzetë më të papritura dhe interesante në Gjirokastër janë shtëpi të epokës osmane.

Në shtëpinë e Skendulajve, Edlira Skenduli, një pasardhëse e familjes së pasur tregtare që ndërtoi shtëpinë më shumë se 300 vjet më parë, na udhëhoqi në një tur (300 lekë).

“Ka 64 dritare, 44 dyer, gjashtë banjo dhe katër hamame”, shpjegon ajo.

”Dhoma e sigurt e shtëpisë”, tha ajo, ”funksiononte si strehë për 70 persona gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore. Pikat kryesore të tjera përfshinin një frigorifer natyror, një hapësirë ​​nëntokësore të ftohur nga një cisternë ngjitur, dhe dhomën e dasmës, të dekoruar me dru shege, të pikturuara dhe të gdhendura, me një ballkon të mbrojtur të caktuar për gratë beqare që donin të shikonin ceremoninë”.

Ndërsa zbrisja shpatin nga kështjella drejt hotelit ”Rose Garden”, ku po qëndroja, mund ta shihja diellin duke filluar të perëndonte ngadalë pas maleve, duke lënë vija portokalli dhe rozë të pluhurosura mbi qytetin prej guri.

Një thirrje melodike për lutje mbushi luginën, duke më kujtuar edhe një herë pasurin kulturore të Shqipërisë.

Vendpushimet e zhurmshme të plazhit, në anën tjetër të maleve, dukeshin shekuj larg./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post ”New York Times”: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 10 vjet pas hapjes së kufijve, Merkel sheh përparim në çështjen e migracionit

25 August 2025 at 12:25

BERLIN, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Dhjetë vjet pas deklaratës së saj legjendare ”ne do t’ia dalim”, lidhur me mundësinë e Gjermanisë për të pranuar qindra mijëra refugjatë, ish-kancelarja Angela Merkel beson se vendi ka bërë përparim të madh në integrimin e migrantëve.

”Është një proces. Por, deri tani kemi arritur shumë”, tha Merkel në një intervistë për transmetuesin publik ARD, për një dokumentar që do të transmetohet sot.

”Dhe ajo që ende mbetet për t’u bërë, duhet të vazhdojë të bëhet”, shtoi ajo.

Më 31 gusht 2015, Merkel përdori ato fjalë pasi u bë e ditur se rreth 800 000 refugjatë priteshin të vinin në Gjermani atë vit, ndërsa mijëra të tjerë ishin rrugës nga Hungaria.

Merkel tha se e dinte se kjo  nuk do të ishte e lehtë.

”Ishte e qartë për mua që kjo do të ishte diçka me të vërtetë sfiduese”, theksoi ajo.

Njëkohësisht, tha se shpesh habitej se sa herë i ktheheshin fjalët e saj si kritikë.

Ajo shpjegoi se thjesht donte të pranonte se, ndonëse Gjermania po përballej me një detyrë të madhe, shpresën e vendoste tek populli i saj.

Merkel nuk beson se Gjermania u mbingarkua nga vendimi i saj.

”Nuk mendoj kështu. Gjermania është një vend i fortë. Në përgjithësi, isha e bindur që Gjermania mund ta përballonte”, tha ajo.

Ish-kancelarja theksoi se alternativa do të kishte qenë të ndalohej hyrja e refugjatëve me forcë.

”Unë kurrë nuk do të kisha qenë e gatshme ta bëja këtë”, u shpreh Merkel.

Megjithatë, duke parë pas, ajo tha se ndonjëherë e ka qortuar veten që nuk kishte bërë më shumë për njerëzit në terren në vitet 2012-2013, kur lufta civile në Siri kishte nisur tashmë./   /Ad.Ab./

The post FOKUS – 10 vjet pas hapjes së kufijve, Merkel sheh përparim në çështjen e migracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Një gazetar i Reuters-it dhe një i NBC-së mes viktimave të sulmit izraelit

25 August 2025 at 11:46

ROMË, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Qeveria e Gazës e kontrolluar nga Hamasi njoftoi se midis katër gazetarëve të vrarë sot në një sulm të IDF-së në spitalin ”Nasser” në Khan Yunis ishin një fotograf i Reuters-it dhe një reporter për transmetuesin amerikan, NBC.

”Fotoreporteri i Reuters-it”, raporton Al Jazeera, ”ishte Hossam al-Masri, ndërsa reporteri i NBC ishte Moaz Abu Taha”.

Dy viktimat e tjera ishin fotoreporteri i ”Al Jazeera”-s, Mohammed Salama dhe Mariam Abu Daqa, një gazetare që punonte për disa media, përfshirë ”Independent Arabic” dhe ”Associated Press”.

Transmetuesi arab ”Al Jazeera” tha se një nga kameramanët e tij ishte midis katër gazetarëve të vrarë.

Të paktën 15 civilë palestinezë, përfshirë katër gazetarë, u vranë sot në një sulm izraelit në kompleksin mjekësor ”Nasser”, në jug të Gazës, raportoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

”Incidenti ndodhi në spitalin në Khan Younis”, tha agjencia, duke shtuar se një kameraman për televizionin palestinez dhe punonjës të emergjencës janë midis të vdekurve.

Transmetuesi arab ”Al Jazeera” tha se një nga kameramanët e tij ishte midis katër gazetarëve të vrarë.

Ushtria izraelite tha se po shqyrton raportet/   /Ad.Ab./

 

The post GAZA – Një gazetar i Reuters-it dhe një i NBC-së mes viktimave të sulmit izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Klingbeil në Kiev për të diskutuar garancitë e sigurisë

25 August 2025 at 10:40

KIEV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil mbërriti sot në Kiev për bisedime me qeverinë ukrainase.

“Jam duke u koordinuar ngushtë me kancelarin Friedrich Merz për mënyrën se si Gjermania mund të mbështesë më së miri Ukrainën në një proces të mundshëm paqeje”, tha Klingbeil pas mbërritjes së tij në kryeqytetin ukrainas.

“Bëhet fjalë për sigurinë e Ukrainës, por edhe për atë evropiane”, shtoi ai.

Klingbeil theksoi nevojën për “garanci të besueshme sigurie që të sigurojnë paqe të qëndrueshme për Ukrainën”.

“Ne po konsultohemi ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Gjermania do të përmbushë përgjegjësitë e saj”, tha ai.

Bëhet fjalë për sigurinë ukrainase, por edhe evropiane”, shtoi ai.

Klingbeil theksoi nevojën për “garanci të besueshme sigurie që sigurojnë paqe të qëndrueshme për Ukrainën”.

Gjatë vizitës së tij, Klingbeil planifikon të takohet me përfaqësues të qeverisë, parlamentit dhe shoqërisë civile të Ukrainës./  /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Klingbeil në Kiev për të diskutuar garancitë e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zbulohet dëmi afatgjatë i Covid-19 në shëndetin e zemrës së grave

25 August 2025 at 10:01

BRUKSEL, 25 gusht /ATSH/ – Një studim i ri ka zbuluar se Covid-19 mund të lërë pas një problem të fshehur që qëndron në trupat e grave për vite me radhë, sipas news.com.au.

Hulumtimi zbuloi se virusi mund të plakë para kohe enët e gjakut të grave me rreth pesë vjet, duke rritur rrezikun e tyre për atak në zemër dhe goditje në tru më vonë në jetë.

Studimi, i botuar në ’’European Heart Journal’’, ndoqi gati 2 400 të rritur në 16 vende.

Hulumtuesit gjurmuan ndryshimet në ngurtësinë e arterieve gjashtë dhe 12 muaj pas infeksionit, dhe ajo që gjetën ishte e habitshme.

Gratë që kishin Covid-19 treguan ngurtësim të konsiderueshëm të arterieve të tyre, edhe kur sëmundja e tyre fillestare ishte e lehtë.

Sa më i rëndë infeksioni, aq më i keq ishte dëmtimi.
Gratë e shtruara në kujdes intensiv kishin rritjen më të lartë, por efekti u pa ende tek ato që qëndruan në shtëpi.

Ngurtësimi arterial ka rëndësi sepse është i lidhur fort me sëmundjet kardiovaskulare.
Ekspertët vlerësojnë se plakja e enëve të gjakut mund të rrisë rrezikun e problemeve me zemrën me rreth 3% për një 60-vjeçare.

Në krahasim, efekti tek burrat nuk ishte statistikisht i rëndësishëm.
Profesoresha Rosa Maria Bruno e Universitetit ’’Paris Cité’’ tha se gjetjet ishin një flamur i kuq për shëndetin e grave pas Covid-19.

“Ne e dimë që Covid mund të ndikojë drejtpërdrejt në enët e gjakut. Gjetjet tona nxjerrin në pah se mund të ketë pasoja afatgjata, veçanërisht për gratë, dhe se duhet të identifikojmë se kush është në rrezik në një fazë të hershme për të parandaluar sulmet në zemër dhe goditjet në tru”, tha ajo.

Megjithatë, ka edhe disa lajme të mira. Njerëzit e vaksinuar treguan më pak ngurtësim arterial sesa ata që nuk kishin marrë kurrë një vaksinë, duke sugjeruar se vaksinat ofrojnë mbrojtje përtej parandalimit të sëmundjeve të rënda.

Kardiologët thonë se hulumtimi nënvizon rëndësinë e kujdesit pasues.

Kontrollet e rregullta, një stil jetese i shëndetshëm dhe menaxhimi i presionit të gjakut dhe kolesterolit mund të ndihmojnë në kompensimin e rrezikut.
Studimi është një nga hetimet më të mëdha ndërkombëtare mbi ndikimin afatgjatë vaskular të Covid-19 dhe shton provat në rritje se virusi nuk është vetëm një sëmundje e frymëmarrjes, por edhe një vaskulare me pasoja afatgjata./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Zbulohet dëmi afatgjatë i Covid-19 në shëndetin e zemrës së grave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JEMEN – Katër viktima pas sulmeve izraelite

25 August 2025 at 09:25

TEL AVIV, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Izraeli ka nisur sulme të rënda ndaj objektivave të lidhura me Huthit në Jemen, njoftoi ushtria, me të paktën katër persona të vrarë nga sulmet ajrore sipas grupit rebel të mbështetur nga Irani.

“Forcat Ajrore Izraelite goditën një strukturë ushtarake pranë pallatit presidencial në Sana’”, shkroi ushtria në Telegram.

”Objektiva të tjerë përfshinin dy termocentrale dhe një depo karburanti të përdorur nga Houthit”, tha ajo.

Ushtria tha se vala e sulmeve ishte në përgjigje të sulmeve të Houthit ndaj Izraelit, më i fundit prej të cilave u nis të premten në mbrëmje.

Ajo tha se mbrojtja e saj ajrore kishte kapur predhat.

Më shumë se 10 aeroplanë luftarakë izraelitë ishin të përfshirë në sulme, thanë burimet ushtarake izraelite.

Avionët duhej të furnizoheshin disa herë me karburant në mes të fluturimit, me objektivat e vendosur deri në 2 000 kilometra nga kufiri izraelit – një distancë që zgjat rreth pesë orë e gjysmë me aeroplan.

Një luftë civile ka shpërthyer në Jemen për 10 vjet, duke e ndarë në mënyrë efektive vendin.

Houthët kontrollojnë zona të mëdha në veri, përfshirë Sanaan, ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht kontrollon jugun./  /Ad.Ab./

The post JEMEN – Katër viktima pas sulmeve izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë!

24 August 2025 at 07:35

BERLIN, 24 gusht /ATSH– DPA/ – Një turiste nga Zelanda e Re u përball me një faturë prej  1 506 eurosh për një udhëtim me taksi prej vetëm 1,5 kilometrash gjatë vizitës sa saj turistike në kryeqytetin kroat, Zagreb.

Gruaja e kuptoi vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi se shuma i ishte tërhequr nga llogaria.

”Ajo më pas mori një pjesë të parave mbrapsht”, raportoi gazeta kroate “Jutarnji List”.

Shoferi tani është nën hetim për “evazion fiskal”, pasi dyshohet se nuk ka lëshuar faturë.

Prej kohësh ka paralajmërime për mashtrime me udhëtimet me taksi në Kroaci.

Turistja kishte marrë taksinë në maj nga stacioni kryesor i trenit në Zagreb drejt një destinacioni të afërt në qendër të qytetit.

Taksimetri tregoi në ekran pagesën prej 185 euro  dhe kur turistja protestoi, shoferi thuhet se i ofroi një “zbritje” me çmimin 150 euro,  të cilën ajo e pagoi me ngurrim e nën presion.

Më pas shoferi thirri një koleg që kishte lexues karte, por shuma e tërhequr doli shumë më e lartë.

Pasi u kthye në Zelandën e Re, gruaja zbuloi mashtrimin dhe e raportoi shoferin në polici përmes ambasadës kroate.

Pas publikimit të lajmit nga gazeta, shoferi i ktheu 1 350 euro, duke pretenduar se pagesa kishte qenë një “gabim i pafajshëm”. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTUGALI – Sërish një viktimë nga zjarret, ndërsa Spanja merr frymë e lehtësuar nga vala e të nxehtit  

23 August 2025 at 19:39

LISBONË, 23 gusht  /ATSH-DPA/ – Një person i katërt ka vdekur në Portugali duke u përpjekur të shuajë zjarret masive pyjore që kanë përfshirë pjesë të vendit, raportoi sot kanali shtetëror televiziv RTP.

”Zjarrfikësi pësoi djegie të rënda pranë qytetit të vogël Sabugal, në Portugalinë lindore dhe vdiq sot në një spital në Porto”, tha RTP.

Sipas shifrave zyrtare, rreth 1 400 zjarrfikës  po përpiqen të shuajnë zjarret  në Portugali.

Përpjekjet po vazhdojnë të marrin nën kontroll zjarret në qytetin Arganil.

Ndërkohë, autoritetet në Spanjën fqinje ndihen më të lehtësuar pasi vala e të nxehtit është ulur dhe reshje të shumta shiu ranë në disa zona në vend.

“Situata në vend është normale”, tha drejtoresha e përgjithshme e Mbrojtjes Civile, Virginia Barcones, në kanalin shtetëror të televizionit spanjoll RTVE.

Vlerësimet paraprake të Sistemit Evropian për Informacionin mbi zjarret pyjore (EFFIS) thane sot se më shumë se 4 000 kilometra katrorë tokë pyjore është djegur në Spanjë që nga fillimi i vitit, më shumë se sa është regjistruar ndonjëherë në një vit të tërë.

Në Portugali, një sipërfaqe prej pothuajse 2 800 kilometra katrorë është djegur, sipas EFFIS-it./   /Ad.Ab./

The post PORTUGALI – Sërish një viktimë nga zjarret, ndërsa Spanja merr frymë e lehtësuar nga vala e të nxehtit   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Riafirmohet bashkëpunimi Tokio-Seul, përpara takimit Lee-Trump

23 August 2025 at 19:00

TOKIO, 23 gusht /ATSH/ – Kryeministri japonez Shigeru Ishiba dhe presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung riafirmuan sot bashkëpunimin në fushën e sigurisë midis dy fqinjëve të Azisë Lindore, para një takimi që Lee do të zhvillojë të hënën me presidentin amerikan Donald Trump, sipas Reuters.

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Japoni që nga marrja e detyrës në qershor, Lee u takua me Ishiba në rezidencën e kryeministrit në Tokio për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale, përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë në fushën e sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një marrëveshjeje tripalëshe, të nënshkruar nga paraardhësit e tyre.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme sjellin përfitime për të dy vendet tona dhe për rajonin tonë”, tha Ishiba gjatë raundit të zgjeruar të bisedimeve të samitit.

“Është gjithashtu thelbësore të forcojmë aleancën me SHBA-në”, theksoi ai.

Fitorja e menjëhershme në zgjedhje e Lee-së, pas shkarkimit të presidentit konservator Yoon Suk Yeol për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ngjalli shqetësime në Tokio se marrëdhëniet me Seulin mund të përkeqësoheshin.

Lee ka kritikuar përpjekjet e kaluara për të përmirësuar marrëdhëniet, të cilat janë tensionuar nga pakënaqësitë për sundimin kolonial të Japonisë mbi gadishullin korean gjatë periudhës 1910–1945.

Qeveria e Koresë së Jugut shprehu javën e kaluar “zhgënjim dhe keqardhje të thellë” pasi zyrtarë japonezë vizituan një faltore në Tokio për të rënët e luftës së Japonisë, të cilën shumë koreanë e shohin si simbol të agresionit ushtarak japonez.

Megjithatë, Lee ka thënë se mbështet marrëdhënie më të afërta me Japoni, duke përfshirë takimin e tij të parë me Ishiba në kuadër të një samiti të G7-s në Kanada në qershor.

Pavarësisht dallimeve, të dy aleatët e SHBA-së mbështeten fort te Uashingtoni për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në rajon.

Së bashku, ata presin rreth 80 000 trupa amerikane, dhjetëra anije lufte dhe qindra avionë ushtarakë amerikanë.

“Duke qenë se rendi ndërkombëtar ka pësuar luhatje kohët e fundit mbi çështje tregtare dhe sigurie, mendoj se Koreja e Jugut dhe Japonia, të cilat kanë qëndrime të ngjashme në vlera, sisteme dhe ideologji, duhet të forcojnë bashkëpunimin më shumë se kurrë”, tha Lee gjatë takimit me Ishiba.

Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu ndajnë interes të përbashkët për tregtinë, duke rënë dakord për tarifa 15% mbi importet amerikane të mallrave të tyre pasi Trump kishte kërcënuar me tarifa më të larta./  /Ad.Ab./

The post FOKUS – Riafirmohet bashkëpunimi Tokio-Seul, përpara takimit Lee-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MJEDIS – Ngadalësohet përkohësisht shkrirja e akullit në Arktik

23 August 2025 at 18:23

LONDËR, 23 gusht /ATSH/ – Shkrirja e akullit në Arktik është ngadalësuar ndjeshëm gjatë 20 viteve të fundit, raportojnë shkencëtarët, pa pasur një rënie statistikisht të rëndësishme të shtrirjes së tij që nga viti 2005, sipas “The Independent”.

”Ky zbulim është befasues”, thonë ata, ”duke qenë se emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve fosile kanë vazhduar të rriten dhe të bllokojnë gjithnjë e më shumë nxehtësi gjatë kësaj kohe”.

Ata mendojnë se ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike, të cilat kufizojnë shkrirjen e akullit, kanë balancuar rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale.

Megjithatë, kjo është vetëm një shtyrje e përkohshme, dhe shkrirja ka shumë gjasa të rifillojë me një ritëm rreth dyfish më të shpejtë brenda 5-10 vitet e ardhshme.

Këto gjetje nuk do të thonë se akulli i Arktikut po rikuperohet.

Sipërfaqja e akullit në shtator – kur arrin minimumin vjetor – është përgjysmuar që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore.

Kriza klimatike mbetet “pa asnjë dyshim reale”, theksuan shkencëtarët, dhe nevoja për veprime urgjente për të shmangur pasojat më të rënda nuk ka ndryshuar.

Variacioni natyror që ka shkaktuar këtë ngadalësim lidhet ndoshta me luhatjet shumë-dekadëshe të rrymave në Oqeanin Atlantik dhe Paqësor, të cilat ndikojnë në sasinë e ujit të ngrohtë që hyn në Arktik.

Megjithatë, Arktiku pritet që gjatë këtij shekulli të përballet me periudha pa akull, duke dëmtuar njerëzit dhe jetën e egër në rajon dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale, pasi oqeani i errët thith më shumë nxehtësi.

“Është befasuese, kur sot diskutohet nëse ngrohja globale po përshpejtohet, që ne po flasim për një ngadalësim. Lajmi i mirë është se 10-15 vite më parë, kur humbja e akullit po përshpejtohej, disa flisnin për një Arktik pa akull para vitit 2020. Por tani variabiliteti natyror ka kaluar në fazën e balancimit të humbjes së akullit. Kjo na ka dhënë pak më shumë kohë, por është një shtyrje e përkohshme – kur të mbarojë, lajmet nuk do të jenë të mira”, tha Mark England nga Universiteti i Exeter, i cili udhëhoqi studimin.

Studimi, i botuar në revistën “Geophysical Research Letters”, përdori dy grupe të dhënash për nivelet e akullit detar në Arktik nga viti 1979 deri më sot.

Shkencëtarët analizuan sipërfaqen e akullit për çdo muaj të vitit dhe ngadalësimi u pa në të gjitha rastet. /Ad.Ab./

The post MJEDIS – Ngadalësohet përkohësisht shkrirja e akullit në Arktik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌