KQZ nis certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet lokale, debat rreth Listës Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në këtë mbledhje marrin pjesë anëtarët e KQZ-së, përfaqësues të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike, si dhe përfaqësues të institucioneve relevante.
Një nga pikat më të debatueshme të rendit të ditës është certifikimi i partisë Lista Serbe dhe kandidatëve të saj.
Zyra për rekomandimin e partive ka raportuar se pas verifikimeve pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Jashtme, asnjëri prej kandidatëve të Listës Serbe nuk rezulton në listat e personave të kërkuar ose të ndaluar.
Prandaj është rekomanduar certifikimi i saj me 238 kandidatë, për kryetarë në 11 komuna dhe për asamble komunale në 19 komuna.
Megjithatë, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka kundërshtuar certifikimin, duke e cilësuar Listën Serbe si parti me “trashëgimi terroriste” dhe duke akuzuar disa prej kandidatëve të saj se punojnë në mënyrë subversive kundër Republikës së Kosovës.
Ai tha se ka dokumente së paku për një person nga Lista Serbe që nuk i plotëson kushtet.
“Sasha Millosheviq, nga Lista Serbe që kandidon për Novoberdë, është i emëruar nga Serbia për kryetar paralel te Gjilanit”, ka shtuar Kurteshi.
Anëtari i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka deklaruar se edhe pse të gjitha institucionet kompetente kanë rekomanduar certifikimin e Listës Serbe, subjekti i tij politik ka vendosur të abstenojë nga votimi.
“Është dashur që këto informata të pranohen në mënyrë institucionale. Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim. Abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionet e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, tha Elshani.
Edhe anëtari i AAK-se ne KQZ, Muharrem Nitaj ka deklaruar se dokumentet qe posedon LVV dhe Sami Kurteshi është dashur te dërgohen ne institucionet përgjegjëse.
“Sekretariati thotë se kjo parti politike politike plotëson kriteret pas informatave qe kane marre nga institucionet përgjegjëse”.
Çështja ka marrë vëmendje edhe ndërkombëtare.
Një diplomate amerikane ka shprehur shqetësim për tendencat që, sipas saj, synojnë ndalimin e pjesëmarrjes së partive serbe në zgjedhje.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces. Jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre”, ka deklaruar ajo, duke theksuar se këto qëndrime ia ka bërë të ditura kryeministrit në detyrë./Telegrafi/
The post KQZ nis certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet lokale, debat rreth Listës Serbe appeared first on Telegrafi.