Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 August 2025Main stream

Osmani mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit: Ndër zërat më të spikatur të mendimit të lirë

24 August 2025 at 14:56

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përcolli sot mesazh ngushëllimi për ndarjen e papritur nga jeta të gazetarit, analistit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Artur Zheji.

Presidentja Osmani shpreh dhimbjen e saj për këtë humbje të madhe dhe e cilëson Zhejin si një nga zërat më të guximshëm dhe më të spikatur të mendimit të lirë në hapësirën shqiptare.

 

Ajo thekson se Zheji la pas një boshllëk të ndjeshëm në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, si dhe një trashëgimi të vyer profesionale dhe morale.

Në veçanti, Presidentja vlerëson kontributin e tij në dokumentimin dhe pasqyrimin e pasojave të regjimit gjenocidal serb në Kosovë, duke e cilësuar si një zë të vërtetës dhe një mbrojtës të dinjitetit njerëzor.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zheji, miqtë, kolegët dhe komunitetin mediatik, duke nënvizuar se kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që vijnë.

Gazetari dhe publicisti Artur Zheji u ndaj dje nga jeta në moshën 64-vjeçare.

The post Osmani mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit: Ndër zërat më të spikatur të mendimit të lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale

24 August 2025 at 14:46

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beorgadit, e dorëzoi ankesën në PZAP paraditen e 22 gushtit.

“Anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet KQZ-ja që ta cerifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, sipas rekomandimit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor i Kosovës i 21 gushtit u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Çfarë thuhet në vendimin e PZAP-it?

Në vendimin e PZAP-it u tha se Lista Serbe i ka përmbushur të gjitha detyrimet pasi ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar, përfshirë deklaratën politike, kodin e sjelljes, listën e kandidatëve dhe formularët për konfirmimin e kandidatëve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat”, tha PZAP-i.

“Me këtë sjellje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli si nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon të drejtën për një vendim të arsyetuar, ashtu edhe nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon sa vijon ‘1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të votojë dhe të zgjidhet, përveç nëse kjo e drejtë kufizohet me vendim gjykate’. Këto norma kushtetuese të cituara më sipër rregullojnë të drejtën aktive dhe pasive të votës, dhe përcaktojnë se kushdo që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje si votues, të votojë, që është një komponent aktiv i kësaj të drejte, dhe të zgjidhet, që do të thotë të kandidojë për poste në zgjedhje, që është një komponent pasiv i kësaj të drejte”, u tha në vendim.

PZAP-i tha se certifikimi i një subjekti politik nuk është “çështje vullneti të mirë të një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, por një detyrim ligjor i secilit anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të certifikuar çdo subjekt politik që ka përmbushur kushtet e përcaktuara me ligj.

Paneli argumentoi se në mënyrë që KQZ-ja të marrë vendim për mosceritifikim të Listës Serbe, ajo detyrohet që të shpjegojë në detaje se cilat kushte bazuar në Ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën nuk janë përmbushur.

“Në këtë rast, subjekti politik Lista Serbe, dhe të gjithë kandidatët e tij kanë përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë, dhe kjo është ajo që Zyra për Regjistrimin, Certifikimin, Konfirmimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike deklaroi në rekomandimin e saj”, u tha në vendimin e PZAP-it.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e KQZ-së?

Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të partive në KQZ rekomandoi certifikimin e Listës Serbe gjatë mbledhjes së 21 gushtit.

Megjithatë, anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan gjatë votimit për certifikimin e Listës Serbe.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Këto pretendime u kundërshtuan nga Lista Serbe dhe nga Beogradi zyrtar.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

LVV-ja luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe komisioni zgjedhor nuk e kishte certifikuar atë fillimisht edhe asokohe.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. /rel/

The post PZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen

24 August 2025 at 10:23

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përcolli sot vlerësimin e tij për sigurën e gazetarit dhe publicistit Artur Zheji i cili u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Kurti e cilësoi Artur Zhejin, personalitet të medias së shkruar e asaj televizive.

“I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.

Kurti solli në kujtesë se “i ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami”.

“Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri”, përfundoi Kurti duke përcjellë i ngushëllime familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut për këtë humbje të madhe.

The post Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kremtohet sot dita e Shën Kozmait, pelegrinazh në Manastirin në Kolkondas

24 August 2025 at 09:35

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin. Më i rëndësishmi është Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit, i ndërtuar me kontributin e Ali Pashë Tepelenës, më 12 maj 1814.

Ky manastir ka mbledhur sot besimtarë të shumtë, si vend pelegrinazhi jo vetëm për banorët e Fierit dhe zonave përreth, por edhe nga vende të tjera.

Festa zakonisht nis mbrëmjen e 23 gushtit dhe kulmon ditën e sotme. Më të devotshmit, e kalojnë natën në Kolkondas, me shpresë në ndihmën e shenjtit Kozma.

Manastiri është ngritur përbri lumit Seman. Dy letra të Ali Pashë Tepelenës drejtuar të krishterëve të Nahijes së Beratit dhe një mbishkrim i gdhendur mbi një pllake guri në apsidën e kishës dëshmojne për kontributin Pashait të Janinës në ngritjen e manastirit.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas përmbytjes që manastiri pësoi nga vërshimi i lumit Seman në fillim të shek. XX, u shkatërruan në vitin 1986.

Mbas punimeve të restaurimit të kishës dhe të plotësimit, restaurimit dhe rindertimit të konakëve me shumë vlerë për tipologjinë e kësaj gjinie, të kryera nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e vërteta dhe është kthyer në një qendër pelegrinazhi me veprimtari të dendur fetare e kulturore.

The post Kremtohet sot dita e Shën Kozmait, pelegrinazh në Manastirin në Kolkondas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin

24 August 2025 at 09:20

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës konstituive, nga ora 11:00, e katërta kjo pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, dështuan të marrin 61 votat e nevojshme, pasi nuk morën më shumë se 57 vota, raporton KosovaPress.

Vetëvendosja pas seancës ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, se me mos votimin e kryetarit të ri, dëshmuan pasi emrat nuk janë problemi kryesor për konsitutimin e Kuvendit, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha se Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Ndërsa, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të jep votë ‘pro’, pa u arritur një marrëveshje politike.

Kujtojmë zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt. Deri më tash janë mbajtur 55 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri dhe kjo e sotmja është numër pesëdhjetegjashtë.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e legjislativit të nëntë brenda 30 ditësh, i cili afat skadon më 18 shtator. /Kosovapress/

The post Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 August 2025Main stream

Parashikimi i motit, ulen temperaturat

23 August 2025 at 07:30

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash mesatare deri të dendura.

Në momentin e vranësirave të dendura, parashikohen reshje shiu të herëpashershme dhe intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit nga orët e para të ditës deri në orët e pasdites.

Në relievet e larta malore të zonës së veriut, reshjet në periudha tepër afatshkurtra do të jenë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Pas orëve të pasdites moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 15 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 18/30 Diell re shi
Kukës 13/29 Diell re shi
Lezhë 18/30 Diell re shi
Dibër 14/28 Diell re shi
Durrës 17/30 Diell re shi
Tiranë 20/31 Diell re shi
Elbasan 17/31 Diell re shi
Berat 16/31 Diell re shi
Vlorë 19/30 Diell re shi
Korçë 14/27 Diell re shi
Gjirokastër 14/30 Diell re shi
Sarandë 17/30 Diell re shi

 

 

 

The post Parashikimi i motit, ulen temperaturat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KFOR-i përfundon vendosjen e përkohshme e forcave rezervë në Kosovë

22 August 2025 at 20:59

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Mbërritja e afërsisht 70 automjeteve ushtarake dhe personelit mbështetës në Kampin Bondstil sot shënoi përfundimin e vendosjes së përkohshme të forcave rezervë shtesë në Kosovë, në mbështetje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO për qëllime trajnimi.

Kontingjenti britanik, i përbërë nga më shumë se 350 trupa që i përkasin Gardës skoceze, do të kryejë aktivitete trajnimi së bashku me personelin e KFOR-it.

Ky aktivitet kryhet rregullisht dhe synon të rrisë gatishmërinë operacionale dhe aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive zhvillimeve përkatëse të sigurisë.

Garda skoceze do të kthehet më pas në stacionin e saj në Britaninë e Madhe. /KosovaPress/

The post KFOR-i përfundon vendosjen e përkohshme e forcave rezervë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Saathoff: Gjermania planifikon të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së

22 August 2025 at 19:09

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Gjermania pret që Kosova shumë shpejt do të konstituoj Kuvendin e Kosovës dhe do të formoj qeverinë e saj të re.  Kështu tha sekretari Parlamentar i Shtetit Gjerman pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Johann Saathoff i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai gjatë vizitës në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP) tha se për shtetin gjerman është e rëndësishme që të kenë partner të besueshëm për bashkëpunim.

“Për ne është me rëndësi që të kemi partner të besueshëm me të cilin mund të bashkëpunojmë dhe të cilin ne mund ta shoqërojmë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Prandaj, ne shpresojmë shumë që së shpejti do të ketë edhe një parlament dhe një qeveri dhe e dimë po ashtu që edhe mund të ketë sfida por të cilat do t’i tejkalojmë së bashku”, tha ai.

Sekretari Parlamentar i Shtetit Gjerman pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Johann Saathoff tha se Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm në mes të të dyja vendeve.

“Shndërrimi i këtij kampi të mëparshëm gjerman në një vend të inovacionit, të kulturës dhe punësimit është shembull i orientuar sidomos kah e ardhmja është një rast unik dhe shembull i bashkëpunimit tonë shumë të mirë zhvillimor, po ashtu është edhe një shenj e bashkëpunimit tonë të suksesshëm në mes të dy vendeve tona dhe besimit të Kosovës në Gjermani…Isha jashtëzakonisht i impresionuar me ato që kanë ndodhur këtu në këtë vend këtu përveç se kisha lexuar tashmë pash me sytë e mijë se ka një sërë ndërmarrjes më shumë se 60 ndërmarrje të stacionuar këtu me më shumë se 430 persona të punësuar kryesisht të rinj”, tha ai.

Sekretari parlamentar gjerman tutje theksoi se shteti i tij planifikon të jap kontribut në përpjekjet e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, që nga viti 1999 Gjermania e ka mbështetur Kosovën me një shumë prej 900 milionë eurosh në programe të ndryshe.

Arsimi profesional dual të cilin e kemi themeluar dhe këtu e kemi nisur në Kosovë, pra në kuadër të këtij programi ka nxënës që në vitin e kaluar kanë diplomuar në 12 drejtime të ndryshme të arsimit profesional dhe janë kualifikuar për një profesion të caktuar….Bashkëpunimi të cilin e përmenda nënkupton edhe diçka tjetër, nënkupton një fokus më të shtuar në bashkëpunim tonë për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme edhe fusha të tjera sikurse janë energjia e ripërtritshme. Klima apo jo zhvillim i qëndrueshëm urban dhe sistemi administrativ modern. Nga viti 1999 Gjermania ka kontribuar në përgjithësi me një shumë prej 900 milionë eurosh për program të ndryshme të përbashkëta të cilat kanë kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të këtij vendi. Qeveria gjermane planifikon edhe në të ardhmen të jap kontributin e saj duke ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për tu përafruar me BE dhe për të forcuar këtë rrugë drejt anëtarësimit të plotë“, theksoi sekretari parlamentar i shtetit gjerman.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Qendra për Inovacion dhe Trajnim është hap i rëndësishëm për zhvillim rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Hajdari theksoi se Kosova e sheh Gjermaninë si partner kryesor për zhvillim të shpejt dhe integrim në familjen evropiane.

Sekretari Parlamentar i Shtetit Gjerman pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Johann Saathoff ka paraparë takime me krerë shtetëror e shoqërinë civile si dhe vizita në projekte të mbështetura nga qeveria gjermane. /KosovaPress/

The post Saathoff: Gjermania planifikon të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QUINT u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partive të mos pengojnë regjistrimin e partive pakicë për zgjedhje

22 August 2025 at 18:10

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Vendet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike në Kosovë të përmbahen nga “ndërmarrja e hapave të mëtejshëm” për pengimin e regjistrimit të partive të komunitetit pakicë për zgjedhjet e ardhshme lokale, një ditë pasi partisë më të madhe të serbëve në vend iu mohua certifikimi.

Në një deklaratë të përbashkët të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë, shprehën shqetësimin e tyre pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe.

“Shprehim shqetësimin lidhur me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar garën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”, thuhet në deklaratë.

Në mbledhjen e KQZ-së të enjten nuk u certifikua as partia Demokracia Serbe (Srpska Demokratija) e Aleksandar Arsenijeviqit, i cili kërkohet nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.

QUINT dhe BE vlerësuan se “çdo veprim i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara cenon parimet demokratike dhe minon besimin në institucionet e Kosovës”.

Ato thanë se “presim që qeveria në detyrë dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapa të mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive”.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, votuan kundër certifikimit të Listës, ndërsa anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan.

Të premten më herët, Lista Serbe bëri ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e saj për zgjedhjet e 12 tetorit.

Në një konferencë për media, kjo parti tha se moscertifikimi i saj është “i paligjshëm dhe diskriminues”.

QUINT dhe BE nënvizuan se inkurajojmë partitë e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar zgjidhje.

“Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen rreptësishtë në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet tutje në deklaratë. /rel/

The post QUINT u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partive të mos pengojnë regjistrimin e partive pakicë për zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte 22 gusht, mot me reshje shiu të herëpashershme

22 August 2025 at 07:30

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Shërbmi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh me këto të fundit kryesisht pas orëve të mesditës. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në një pjesë të madhe të territorit ndërsa në zonën e veriperëndimit reshjet me intensitet mesatar dhe hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Përgjatë orëve të mbrëmjes reshje shiu me intensitet të ulët në të gjithë territorin ndërsa në orët e mbrëmjes ka ndërprerje të reshjeve në pjesën më të madhe të vendit.

Era do të fryjë me drejtim juglindje  – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 16 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/30 Re shi diell
Kukës 19/30 Diell re shi
Lezhë 18/30 Re shi diell
Dibër 15/29 Diell re shi
Durrës 21/30 Re shi diell
Tiranë 23/32 Re shi diell
Elbasan 22/31 Diell re shi
Berat 18/32 Diell re shi
Vlorë 22/31 Diell re shi
Korçë 15/28 Diell re shi
Gjirokastër 16/33 Diell re shi
Sarandë 22/31 Diell re shi

 

The post E premte 22 gusht, mot me reshje shiu të herëpashershme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Refuzohet certifikimi i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet e 12 tetorit

21 August 2025 at 18:22

PRISHTINË, 21 gusht/ATSH/ Me dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Pro votuan kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja e Listës Serbe në KQZ, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ka votuar kundër, derisa PDK-ja ka abstenuar.

Kujtojmë, E ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Pratipatti në takimin e saj të sotëm me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e saj për tendencat që sipas saj janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një deklaratë pas takimit, Pratipatti tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët lokalë të përfshihen në procesin zgjedhor.

Pratipatti tha se është e shqetësuar për çdo përpjekje që do të kufizonte zgjedhjen e tyre në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. /Kosovapress/

The post Refuzohet certifikimi i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet e 12 tetorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada amerikane: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, udhëheqësit duhet ta prioritizojnë progresin dhe stabilitetin

21 August 2025 at 17:06

PRISHTINË, 21 gusht/ATSH/ Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë të enjten se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënes i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave. /rel/

The post Ambasada amerikane: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, udhëheqësit duhet ta prioritizojnë progresin dhe stabilitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kufizime në furnizimin me ujë në disa zona në Tiranë, UKT: Po riparohen defektet

21 August 2025 at 16:51

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Ujësjellës-Kanalizime Tiranë njoftoi sot qytetarët se për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjet, do të ketë kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit.

Zonat e prekura nga defekti në stacionin e pompimit:

▪ Kombinat

▪ Prush

▪ Sharrë

Zonat e prekura nga defekti në linjën kryesore në depot qendrore të ujësjellësit mbi Qytetin Studenti:

▪ Rruga e Elbasanit

▪ “3 Vëllezërit Kondi”

▪ Zona e Sanatoriumit

▪ Kodra e Diellit

▪ Liqeni i Thatë

▪ Sauku i Ri

▪ Sauku i Vjetër

Sipas njoftimit të Ujësjellës Kanalizimeve, punonjësit janë në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më shpejt të furnizimit normal me ujë.

UKT njoftoi se do hap i punimeve dhe do zhvillim i ri do të bëhet me dije për qytetarët.

The post Kufizime në furnizimin me ujë në disa zona në Tiranë, UKT: Po riparohen defektet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E enjte 21 gusht, mot i qëndrueshëm me temperatura deri në 35° C

21 August 2025 at 07:30

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me një përkeqësim në orët e vona të mbrëmjes.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin nga orët e mbrëmjes shtim të vranësirave kryesisht në veri. Në mbrëmje vranësirat në zonën veriperëndimore do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme  me intensitet të ulët hera-herës deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike lokalisht breshër.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 16 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/34 Diell  re
Kukës 21/34 Diell
Lezhë 18/32 Diell re
Dibër 16/33 Diell
Durrës 21/33 Diell
Tiranë 22/35 Diell
Elbasan 20/34 Diell
Berat 17/35 Diell
Vlorë 21/34 Diell
Korçë 14/29 Diell
Gjirokastër 13/34 Diell
Sarandë 21/33 Diell

 

The post E enjte 21 gusht, mot i qëndrueshëm me temperatura deri në 35° C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot mot i paqëndrueshëm, reshje shiu në relievet malore

16 August 2025 at 07:30

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime ndërsa nga orët e mesditës deri ato të pasdites vonë alternime vranësirash mesatare hera-herës deri të dendura. Përgjatë relieveve kodrinore – malore në lindje të territorit këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët të karakterit lokal. Në relievet e larta malore të vendit reshjet e shiut në periudha afatshkurtra dhe në mënyrë të izoluar do të jenë në formën e shtrëngatave.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim- verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 7-10 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/38

Diell re

Kukës 16/35

Diell re shi

Lezhë 20/37

Diell re

Dibër 17/35

Diell re shi

Durrës 21/35

Diell re

Tiranë 23/36

Diell re

Elbasan 22/38

Diell re

Berat 19/37

Diell re

Vlorë 21/34

Diell re

Korçë 16/29

Diell re

Gjirokastër 17/37

Diell re shi

Sarandë 18/35

Diell re

 

The post Sot mot i paqëndrueshëm, reshje shiu në relievet malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Kosovës dorëzon aktakuzë në mungesë për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999

15 August 2025 at 12:23

PRISHTINË, 15 gusht/ATSH/ Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, tha se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

“Aktakuza është ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile, e cila lidhet me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës janar – qershor 1999 gjatë luftës në Kosovë”, tha Dema.

Dema tha se që të gjithë 21 të dyshuarit kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe se nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë.

Ai tha se nuk mund t’i bëjë të ditur emrat e të dyshuarve në këtë kohë.

Veprimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë shkatërrimin e pronës civile, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike, të cilat kanë rezultuar me dëbim të detyruar masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.

“Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863.000 civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”, tha Dema.

Dema nënvizoi se Prokuroria Speciale e Kosovës vlerëson se të pandehurit, në pozitën dhe funksionin që kanë pasur, kanë dështuar të ndërmarrin masa të nevojshme dhe të arsyeshme për t’i parandaluar ato krime, kanë dështuar t’i ndëshkojnë autorët e tyre dhe kanë dështuar t’i raportojnë ato te autoritetet më të larta.

Ai tregoi se Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarrestime ndërkombëtare për të dyshuarit, për të cilët tha se janë të paarritshëm për prokurorinë në këtë kohë.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile” është rritur dukshëm.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë. /rel/

The post Prokuroria e Kosovës dorëzon aktakuzë në mungesë për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë më 1999 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, partitë shqiptare bëhen bashkë për garën në Graçanicë

14 August 2025 at 11:24

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/ Partitë më të mëdha shqiptare janë bërë bashkë në një listë për të garuar në zgjedhjet komunale në Graçanicë.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë me iniciativën Aleanca Shqiptare, ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti.

Ajeti, i cili është edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka njoftuar se në ditët në vijim do të bëhet i ditur edhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme.

“Ditëve në vijim do të dalim edhe me programin tonë qeverisës për katër vitet e ardhshme, program që do të përfshij investim në çdo pjesë të Graçanicës, pa dallim etnie e feje, sepse ALEANCA SHQIPTARE do t’ju shërbej të gjithëve. Po ashtu, këto ditë do të njoftoheni me listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale, e cila do t’jetë listë fituese e këtyre zgjedhjeve”, ka shkruar në rrjetet sociale.

Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor.

The post Zgjedhjet lokale në Kosovë, partitë shqiptare bëhen bashkë për garën në Graçanicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Memaliaj, arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Iliras

13 August 2025 at 12:51

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Policia në Memaliaj identifikoi dhe arrestoi autorin e zjarrvënies në fshatin Iliras, nga i cili u dogjën territori i fshatit Koshtan, 3 banesa, 400 pemë frutore dhe mjedis pyjor.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe me zjarrfikësit, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar të fshatit Iliras, konkretisht në vendin e quajtur “Hams”, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit B. L., 62 vjeç, banues në këtë fshat.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën territori i fshatit Koshtan, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa (aktualisht të pabanuara).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon sërisht, për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me pasoja penale.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

The post Memaliaj, arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Iliras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkurë 13 gusht, temperatura të larta deri në 41°C

13 August 2025 at 07:30

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në lindje dhe në zonën e jugut.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim- verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë 12 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 25/42 Diell
Kukës 19/38 Diell pak re
Lezhë 28/40 Diell
Dibër 19/38 Diell pak re
Durrës 21/38 Diell
Tiranë 26/41 Diell
Elbasan 26/40 Diell pak re
Berat 18/40 Diell pak re
Vlorë 22/36 Diell
Korçë 18/33 Diell pak re
Gjirokastër 16/41 Diell pak re
Sarandë 21/35 Diell

 

 

The post E mërkurë 13 gusht, temperatura të larta deri në 41°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj apel banorëve të rrezikuar nga zjarret: Bashkëpunoni me strukturat e emergjencave civile

12 August 2025 at 16:18

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj u shpreh sot në një mesazh për situatën kritike të zjarreve në vend se po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet.

Begaj shpërndau mesazh në rrjetet sociale, ku bën thirrje për ndërgjegjësim.

“Me shqetësim të thellë po ndjek situatën kritike të shkaktuar nga zjarret, me të cilat po përballet vendi ynë. Në këto momente sfiduese dua të bëj thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga secili prej nesh, duke treguar kujdes, angazhim dhe përgjegjësi”, u shpreh Presidenti Begaj.

“Ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Gramsh, Njësisë Administrative Skënderbegas, ku situata është edhe më kritike, të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë, të cilët po punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën, pronën, pasurinë”, apeloi Presidenti.

“Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike”, vuri në dukje ai.

Në emër të të gjithë shqiptarëve, Begaj falënderoi të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën që Shqipëria po merr nga vendet mike, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara.

Vendi është përfshirë këto ditë nga zjarre të favorizuar nga temperaturat e larta ku në disa zona flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke djegur fshatra dhe rrezikuar banorët.

The post Begaj apel banorëve të rrezikuar nga zjarret: Bashkëpunoni me strukturat e emergjencave civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌