Profesionalizëm i stafit të urgjencës së Durrësit, Koçiu ndan mesazhin e turistëve
TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Një turiste nga Zvicra dhe i biri i saj Pablo, falënderuan stafin mjekësor të urgjencës së Durrësit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndihmës mjekësore në këtë spital.
Në mesazhin që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale, ajo shprehet se Pablo dhe mamaja e tij, gjatë pushimeve në Shqipëri u shoqëruan me një situatë të papritur, për të cilën u kujdesen me profesionalizëm nga stafi i urgjencës së Durrësit.
“Faleminderit për besimin, shëndeti i çdo pushuesi mbetet prioriteti ynë”, tha Koçiu.
Turistja e huaj dhe i biri e nisin mesazhin me një “falënderim për pritjen e jashtëzakonshme, për njerëzit e dashur dhe të sjellshëm që gjetën gjatë pushimeve në Shqipëri”.
Ajo shprehet se ndërsa fëmijët po luanin një plazh, një prej tyre i hedh të birit rërë në sy.
“Ishim në det, situata u bë e vështirë dhe më pas vendosëm të shkonim në urgjencë. Në dhomën e urgjencës, stafi mjekësor reagoi menjëherë. Një mjeke shumë e sjellshme, dhe profesioniste mori situatën në dorë. Ajo i pastroi syrin me serum fiziologjik dhe pas disa minutave Pablo hapi sytë”, tha turistja.
Ajo shton se e gjithë përkujdesja në urgjencën e spitalit të Durrësit ishte shembullore, plot përkushtim, madje një shërbim më i mirë se në Zvicër.
“Ishte një lehtësim shumë i madh. E gjithë përkujdesja ishte shembullore, me shumë dashuri dhe përkushtim. Sinqerisht, nuk e prisnim këtë pritje dhe kujdes kaq të mirë madje më i mirë se në Zvicër”, përfundon ajo.
/e.i/j.p/
The post Profesionalizëm i stafit të urgjencës së Durrësit, Koçiu ndan mesazhin e turistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.