Opozita e copëzuar e Berishës/ Petraj: Grupet parlamentare, skemë e tij! Nura: Të rinjtë në PD duhet të marrin stafetën!
TIRANË- Sali Berisha, nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit, por do të hyjë në kuvendin e ri si humbës, madje me tre grupe parlamentare.
Vetë doktori e justifikon këtë ndarje me votat e çdo subjekti të koalicionit opozitar. Por Berisha e la në ajër Gaz Bardhin deri në nisjen e legjislaturës, nëse do të vazhdojë të drejtojë grupin demokrat.
Berisha tha se për këtë do të vendosin forumet. E sigurt është që vetë doktori edhe pse më i moshuari në atë sallë, nuk do ta hapë seancën e parë të kuvendit.
Avokati Edmond Petraj, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News theksoi se krijimi i tre grupeve parlamentare është një skemë e njohur, e cila sipas tij është përdorur edhe më përpara.
Sipas tij, përmes kësaj formule, opozita do përpiqet të ngrejë më shumë mocione dhe interpelancë në Kuvend.
“Nuk i dihet se çfarë plani ka, nuk i dihet e çfarë xhiron Berisha. Këtë skemë që përdor Berisha është një skemë e njohur. Kjo ka lindur që nga 2005. Pjesa për të cilën po ë bën Berisha është një skemë, e cila synon organizmin e opozitës. Do të grenë mocione të ndryshe dhe mund të ngrenë disa shqetësime dhe janë problematike në të cilat qeveris mazhoranca”, tha ai.
Analisti Artur Nura u shpreh se Sali Berisha “de facto” i ka njohur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit dhe kjo faktohet shtoi ai nga deklarata se do të shkojë në Kuvend, në fillim shtatori.
Sipas Nurës, nëse Berisha do t’i njihte zgjedhjet edhe “de jure”, atëherë ai fillimisht do duhej të respektonte statutin e partisë dhe të largohej nga kryetari i Parisë Demokratike.
“Është një njohje “de facto” dhe jo “de jure” e zgjedhjeve. Nëse do i pranonte dhe de jure, duhet të jepte dorëheqjen dhe të hapte garën Brenda Partisë Demokratike. Po e menaxhon në interes të tij, por jo në interes të partisë”, tha ai.
Analisti Nura thekson se ringritja e Partisë Demokratike nuk mund të bëhet kurrsesi me Sali Berishës, por shton se stafeta duhet t’u kalojë të rinjve, të cilët janë gati të krijojnë një ofertë politike fituese.
“Të rinjtë në PD duhet të marrin stafetën. Ringritja e partisë bëhet vetëm me largimin e Sali Berishës”, tha ai/abcnews.al