Nuk ka pezullim të punës së AKU-së
Esmeralda Topi
Këtë fillim korriku, teksa fusha e mbetjeve në Elbasan digjej dhe tymi helmues u shpërnda përtej zonës urbane, vëmendja publike papritmas u devijua diku tjetër.
Kryeministri Edi Rama, në një tryezë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, lëshoi një deklaratë të fortë kundër Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke e quajtur një institucion që “më shumë bën dëm sesa mirë”
Me tone ultimative, ai i kërkoi ministres së Bujqësisë pezullimin e plotë të institucionit. “Ministre, duhet nxjerrë urdhri i pezullimit të AKU-së, totalisht. Nuk duhet më të dalin dhe të shkojnë askund”, deklaroi Rama.
Kjo deklaratë pati efekt të menjëhershëm mediatik. Brenda pak orësh, portale të shumta u mbushën me tituj bombastikë: “Shkrihet AKU-ja”, “Rama pezullon AKU-në”, “AKU merr fund”.
Ndërsa opinioni publik shfrytëzonte rrjetet sociale për të diskutuar mbi inspektorët e AKU-së dhe “shpërbërjen” e autoritetit, flakët në Elbasan vazhdonin të përhapeshin mbi një nga fushat më problematike të trajtimit të mbetjeve në vend, pa asnjë reagim nga autoritetet shtetërore në terren.
Çfarë ndodhi me AKU-në?
Pavarësisht ultimatumit të kryeministrit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk është pezulluar, as ‘shkrirë’, dhe as mbyllur. Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është pezullimi i inspektimeve të paplanifikuara si dhe ngritja e një komisioni vlerësimi për trupën inspektuese. Funksionet themelore të AKU-së, përfshirë inspektimet e planifikuara dhe miratuara, vijojnë të ushtrohen sipas planit operacional.
Pas një kërkese për informacion nga Faktoje.al, Ministria e Bujqësisë sqaroi se ky vendim është marrë si përgjigje ndaj një rritjeje të ndjeshme të ankesave nga subjektet e inspektuara, për sjellje joetike të inspektorëve dhe mungesën e transparencës në inspektime. Paralelisht, kjo masë lidhet me përgatitjet për zbatimin e Ligjit të ri për Inspektimet (nr. 99/2024).
Ligji i ri parashikon ristrukturimin e tri institucioneve ekzistuese; AKU, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA) dhe Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), duke i bashkuar funksionet e tyre inspektuese në një strukturë të vetme qendrore.
Në kuadër të kësaj reforme, është ngritur një grup pune me ekspertizë të jashtme nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, që do të merret me vlerësimin e trupës aktuale të inspektorëve dhe përzgjedhjen e kuadrove të rinj, në përputhje me standardet profesionale dhe kërkesat e ligjit të ri.
Ekspertët
Qeveria flet për një “ndryshim rrënjësor”, por çfarë thonë zërat që e njohin nga brenda sistemin? Prof. Abdyl Sinani, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, nuk e fsheh zhgënjimin.
“Kohët e fundit ka rënë si institucion. Nuk është ndjekur si duhet. Një nga arsyet kryesore është se i kanë dhënë përparësi agronomit dhe veterinerit, duke lënë mënjanë teknologun kimist”, argumenton ai për Faktoje.al
Por për Ilir Pilkun, ekspert i integrimit europian dhe politikave të bujqësisë, “tronditja” e AKU-së është më shumë se debat profesional, është një kërcënim institucional.
“Nuk mund të mbyllet një institucion që është pjesë e Kapitullit 12 të integrimit me BE-në, kur janë investuar miliona euro të taksapaguesve europianë. Janë zbatuar dy projekte me rreth 12 milionë euro në një dekadë”
Pilku rendit qartë se çfarë duhet të ndodhë, përtej fasadës së një reforme:
- Shkarkim i drejtuesve jo-profesionistë në qendër dhe rrethe;
- Testim i plotë profesional dhe çmontim i ndërhyrjes politike;
- Përfshirje e ekspertëve realë në proces — dhe këtu del në pah një tjetër boshllëk që nuk mund të anashkalohet:
“Si ka mundësi që në komisionin e ngritur nga Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë ekspert të teknologjisë ushqimore, as profesorë të standardeve ushqimore, laboratorëve apo kimisë? Ndërkohë që UBT ka Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, me figura si Kapllan Sulaj, Anila Kopali dhe Valbona Paluka, që do ishin aset për çdo reformë serioze”, pyet ai.
Kritika e tretë, por jo më pak e fortë, vjen nga Esmeralda Gjollesha, eksperte me përvojë në sektorin e sigurisë ushqimore.
“Prej më shumë se një dekade, AKU ka qenë institucioni që duhet të garantonte sigurinë ushqimore në Shqipëri. Por në vitet e fundit, ka dështuar sistematikisht, skandalet me mish të kontaminuar, fruta me pesticide të ndaluara, ushqime me origjinë të pasigurt janë bërë normë”, vë në dukje Gjollesha.
Sipas saj, ligji i miratuar në shtator të 2024 që parashikon bashkimin e tre institucioneve është reagim ndaj një situate që ka dalë jashtë kontrollit.
“Reforma duhet të sjellë një autoritet të pavarur, me bazë shkencore, me laboratorë të certifikuar dhe pa varësi politike. Kontrolli i ushqimit nuk nis në doganë dhe nuk mbaron në treg. Duhet të ndjekësh produktin nga ferma deri në tavolinën e konsumatorit”, përfundon Esmeralda Gjollesha.
Siguria ushqimore ishte një nga kapitujt me vlerësimin më negative të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë. Nga progres i limituar në fushën e sigurisë ushqimore vitin e kaluar vendi rezultoi se nuk ka bërë ‘asnjë progres’ në këtë drejtim. Ndonëse qeveria vit pas viti e shpall si prioritet, buxheti dhe investimet për sigurinë ushqimore nuk arrijnë të mbulojnë nevojat e tregut.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama ndaj ministrisë së Bujqësisë për të nxjerrë urdhër pezullimi total për AKU-në, e kategorizojmë të pavërtetë.
The post Nuk ka pezullim të punës së AKU-së appeared first on Faktoje.al.