I akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari
TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar i akuzuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike është ekstraduar nga Belgjika.
Policia njoftoi sot se “në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal””, njoftoi policia.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike kanabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
/m.q/j.p
The post I akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.