Karamuço: Zbardhja e komunikimeve në Matrix mund të çojë në zbulimin e fatit të Ervis Martinajt
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka deklaruar se zbërthimi i komunikimeve të aplikacionit të koduar Matrix pritet të ndihmojë ndjeshëm në zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale të pazgjidhura në Shqipëri, përfshirë edhe rastin e zhdukjes së bujshme të Ervis Martinajt.
I ftuar në Euronews Albania, Karamuço tha se përdorimi i këtij aplikacioni është identifikuar te persona të dyshuar për përfshirje në krime të rënda, përfshirë individë të afërt me Martinajn.
“Jam i bindur se zbardhja e komunikimeve në Matrix do të ndihmojë për të zbuluar fatin e Ervis Martinajt, sepse përdorues të afërt me të, ose të atyre grupeve që policia dyshon se mund të jenë përfshirë në arratisjen apo ekzekutimin e tij të mundshëm, kanë përdorur Matrix” – tha Karamuço.
Ai përmendi gjithashtu edhe emra të tjerë që mund të përfshihen në këtë hetim të thelluar si Talo Çela, për të cilin ekzistojnë dyshime se ka ndarë një fat të ngjashëm me Martinajn.
Sipas Karamuços, aplikacioni Matrix është përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale që operonin në fshehtësi të plotë. Ai theksoi se:
“Matrix ishte i koduar, i kriptuar, pa identifikim të përdoruesit dhe me 40 serverë të shpërndarë në shtete të ndryshme. Janë kapur 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe.”
Eksperti vuri në dukje se kjo platformë ka qenë aktive pas periudhës së Sky dhe EncroChat, dy aplikacione të tjera të zbërthyera më herët nga autoritetet evropiane, që ofruan prova kyçe për ndjekjen penale të shumë grupeve kriminale. Matrix, sipas tij, mbulon komunikime nga viti 2024 e këtej, duke hapur një perspektivë të re hetimore.
“Kemi pasur shumë ngjarje që nuk janë zbardhur dot, përveç ndonjë dëshmitari të penduar. Tani kemi prova të shkruara, të mirëfillta. Është një fat i madh nëse këto mesazhe kanë lënë gjurmë nëpër servera,” u shpreh Karamuço.
Ai përmendi edhe një tjetër rast të një shtetasi nga jugu i vendit, i zhdukur në rrethana misterioze në Tiranë, për të cilin gjithashtu po hetohet dhe besohet se mund të jetë i ndërlidhur me komunikime të kapura në Matrix.
Zbardhja e kësaj platforme pritet të hapë një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar, duke i dhënë autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare mjete të reja për të hetuar ngjarjet që kanë tronditur opinionin publik gjatë viteve të fundit.
The post Karamuço: Zbardhja e komunikimeve në Matrix mund të çojë në zbulimin e fatit të Ervis Martinajt appeared first on Telegrafi.