Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Koçiu: 73 mjekë të rinj iu shtuan spitaleve publike në korrik

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ 73 mjekë të rinj u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në 25 spitalet publike në vend gjatë muajit korrik, duke plotësuar nevojat dhe forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.

Lajmin e bëri me dije, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndërsa tha se do të ketë më shumë mjekë specialistë atje ku ka më shumë nevojë.

Koçiu u shpreh se “aktualisht, 850 mjekë janë në specializim afatgjatë, prej tyre 394 me kontratë pune me MSHMS menjëherë pas përfundimit të studimeve”.

Sipas ministres Koçiu, që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.

“Dhe për ata të rinj dhe të reja që zgjedhin specialitetin mjekësi urgjence apo mjekësi familjare, të cilat për ne janë degë prioritare, kemi dhënë mundësinë që të hyhet pa testimin e formalizuar dhe gjatë kohës që kryejnë specializimin, të paguhen me 100% të pagës së mjekut të përgjithshëm”, u shpreh Koçiu.

/e.i/r.e/

The post Koçiu: 73 mjekë të rinj iu shtuan spitaleve publike në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Vlora është vendi ku takohet historia me mikpritjen, ndërsa Spitali Rajonal i Vlorës është një pikë kyçe sigurie për pushuesit, në gatishmëri 24/7 për çdo rast urgjent, me një ekip të përkushtuar dhe shërbim cilësor.

Sipas Koçiut, “që nga 1 qershori, mbi 5,800 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 360 turistë të huaj, të cilët kanë gjetur kujdes profesional dhe njerëzor. Kujdes shëndetësor në zemër të turizmit, për pushime të sigurta dhe pa shqetësime”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Një prej mjekeve të këtij spitali, pohon se në mesin e sezonit turistik janë paraqitur 2 600 pacientë, nga të cilët 200 pacientë të huaj, jo rezident në Shqipëri.

“Javën e fundit janë shtuar rastet e gastroenteriteve dhe rastet virale. Kemi edhe rastet e të sëmurëve kronikë, situata e të cilëve ka precipituar nga temperaturat e larta. Kemi një shtim të hospitalizimit të rasteve neurologjike, në patologji te të sëmurët kronikë dhe në infektiv”, u shpreh ajo.

Mjekja shtoi se ka një koordinim shumë të mirë me urgjencën lëvizëse 127 për raste e paraqitura të asfiksisë, djegieve, mbytjeve në det, traumave dhe aksidenteve.

“Javën e fundit të korrikut është shtuar numri i vizitave ditore,  numri i të cilave ka shkuar deri në 150, nga këto 50-60 raste kanë qenë gastroenterite, gjendje febrile, tonsilite akute të cilat paraqiten me diarre, temperaturë, dobësi trupore, raste që janë menaxhuar më së miri nga stafi i pranim urgjencës”, vijoi mjekja, ndërsa këshilloi qytetarët që të mos ekspozohen gjatë në temperatura të lart dhe të ndjekin një regjim ushqimor të mirë dhe të shëndetshëm.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve i organizuar në pese kate ofron shërbime në Nefrologji dhe Dializë Pediatrike, Shёrbimi i Laboratorit tё Gjenetikёs Klinike, Shërbimi i Onkohematologjisë, Shërbimi i Specialiteteve 2 për neuropsikiatri, gastroenterologji, endokrinologji dhe okulistikë, Shërbimi i Specialiteteve 1 Pneumo-alergologji, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile, Njësia e Konsultave Pediatrike si dhe Njësia e Rehabilitimit Fizik (fizioterapia).

Një grup prindërish, të fëmijëve të shtruar në këtë pavion të QSUNT-së, ata shprehet se ndihen shumë të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet në të cilat marrin shërbimin për të vegjlit e tyre.

“Kemi 10 vite që ndiqemi me doktoreshë Ornelën. Godina e re plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret, duke filluar nga stafi mjekësor që më përgjigjen 24 orë sa herë fëmija ka problem, infermierët, kushtet higjieno sanitare janë fantastike. Gjendja e vajzës është përmirësuar, pasi mori ndihmën e parë në bazë të gjithë mjekimeve dhe analizave, vajza e ka marrë tashmë veten”, thotë një prej tyre.

Një tjetër prind, shprehet se është përballur me një staf të mirëpërgatitur, shërbim në kohë dhe me profesionalizëm.

“Nga janë gjendur pranë si mjekët, si infermierët, kushtet janë shumë më të mira nga çfarë mund ta imagjinonim kur u shtruam që ditën e parë. Jemi shumë të kënaqur, sidomos me mjekët dhe infermierët që u përkujdes shumë dhe djali e mori veten”, vijoi një tjetër prind.

Një tjetër prind thotë se e ndjek fëmijën me doktoreshë Ornela Xhankon, ndërsa thotë se është shumë i kënaqur me mjekët, infermierët dhe sanitarët e spitalit.

“Jam emigrante, vijë nga Italia dhe kam djalin që vuan nga insuficienca renale kronike. Kemi ardhur për një shërbim më të specializuar këtu dhe jemi shumë të kënaqur me gjithë doktorët, kushtet, mjekimet, higjienën, të gjitha”, tha ajo.

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.

/e.i/j.p/

The post Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Nga 1 gushti hyn në fuqi receta e re mjekësore e unifikuar

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Lajmin e bëri me dije sot, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila tha se ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

Ministrja Koçiu, teksa vizitoi sot dy farmaci në Tiranë, zhvilloi edhe bashkëbisedime me dy farmaciste, të cilat ndanë përvojën e tyre dhe vlerësimin lidhur me modelin e ri të recetës së unifikuar.

“Receta e re mjekësore, krahas standardeve dhe informacioneve bazë, ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit që vjen në farmaci, dhe kjo është një garanci më shumë që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistë të shëndetësisë”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se nga 1 gushti, ky format i recetës mjekësore do të jetë i detyrueshëm për t’u përdorur jo vetëm nga institucionet publike, por edhe ato private shëndetësore.

“Kemi vendosur edhe tipin e recetës, për pacientët që kanë sëmundje akute apo ata që vuajnë nga problematika afatgjata”, pohoi Koçiu.

Ministrja Koçiu e cilësoi recetën e re mjekësore, si një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët.

Gjithashtu, farmacistja Elda Tomçini i shprehu ministres Koçiu vlerësimin lidhur me këtë nismë, duke e cilësuar ideale dhe një zgjedhje shumë të mirë, sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike.

“Deri në gjashtë muaj vlefshmëri është një periudhë ideale, sidomos për pacientët kronikë, por edhe për moshat e treta që e kanë shumë të vështirë vizitën te mjeku çdo muaj. Edhe mënyra si është ekzekutuar, që nga data e recetës, emri i farmacistit, vula e farmacisë, të gjitha këto japin një siguri më të madhe për pacientët”, tha Tomçini.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë, si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë takimit me dy farmaciste në ...
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Nga 1 gushti hyn në fuqi receta e re mjekësore e unifikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në qershor të këtij viti për shtimin e paketave të trajtimit të stomës, të cilat do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale opinionet e pacientëve që marrin mbështetje për trajtimin e stomës.

Ministrja Koçiu tha se “tashmë, trajtimi i stomës është falas për pacientët që e kanë të nevojshëm. Fondi i rimbursimit ka hyrë në zbatim dhe qytetarët kanë nisur të marrin produktet e stomës pa pagesë në farmaci”.

Sipas Koçiut, “mbështetja buxhetore me 100 milionë lekë për vitin 2025, është një ndihmë konkrete për mbi 800 qytetarë që përballen çdo ditë me këtë sëmundje”.

Një paciente në Qendrën Shëndetësore Nr. 1 në Durrës thotë se prej 14 vitesh vuan nga sëmundja e stomës dhe të gjitha aparatet e nevojshme për trajtimin e diagnozës së saj ka qenë e detyruar t’i blejë vetë.

“Falënderoj MSHMS që erdhi momenti të na rimbursojë këto materiale që i kemi jetike. Unë pa ato nuk kam asnjë ditë jetë”, thotë ajo.

“Kam një vit e gjysmë që i blej me lekët e mia, ndërsa nga sot i marrë falas. Falënderoj MSHMS për këtë ndihmë që po na bën”, shprehet një tjetër pacient.

Gjithashtu, mjekja e Qendrës Shëndetësore Nr. 1 në Durrës, teksa kryen kontrollin rutinë në banesë për pacientin Vasil Petro, thotë se ka ardhur njëherësh për t’i dhënë lajmin pacientit të saj që nga sot e në vazhdim të gjitha aparatet dhe pajiset e stomës do t’i marrë falas.

“I kam pas blerë në farmaci, kishte raste edhe tre mijë lekë copa. Falënderoj MSHMS që arrita ditën që t’i marrë falas”, u shpreh pacienti, që ka nevojë për vendosjen e stomës.

Stoma është një hapje në bark që lidhet me sistemin tretës ose urinar për të lejuar që mbetjet (urina ose feçet) të devijohen nga trupi. Mbi pjesën e sipërme të stomës mund të vendoset një qese, e cila mund të mbyllet ose të ketë një hapje në fund.

Ka shumë arsye pse disa njerëz kanë nevojë për një stoma. Arsyet e zakonshme përfshijnë kancerin e zorrëve, kancerin e fshikëzës, sëmundjen inflamatore të zorrëve, etj.

Stoma mund të jetë e përkohshme ose e përhershme në varësi të shkakut që po përdoret.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të stomës dhe ato janë: kolostomia, urostomia dhe ileostomia.

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Në Ditën Botërore të Hepatiteve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “falë programit të vaksinimit universal, Shqipëria ka arritur suksese domethënëse në luftën kundër hepatitit B”.

Koçiu shprehet se “një studim kombëtar i realizuar në vitin 2025 nga ISHP, me mbështetjen e OBSH/Evropa dhe Institutit Robert Koch, konfirmoi se asnjë nga mbi 2000 fëmijët 6–7 vjeç të përfshirë nuk rezultoi pozitiv për hepatit B”.

Ministrja Koçiu nënvizoi se “vaksinimi në lindje dhe mbulimi me dozën e tretë është shumë i lartë, ndërsa Shqipëria ka arritur objektivat e kontrollit dhe eliminimit të hepatitit B tek fëmijët”.

“Një hap i rëndësishëm drejt eliminimit të hepatitit B deri në vitin 2030 dhe sigurimit të një brezi te ardhshëm pa hepatit B”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Motoja e fushatës ndërgjegjësuese për këtë vit është: “T’i thyejmë barrierat!”.

Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar. Mbi 90% e rasteve të reja me hepatit B ndodhin nga transmetimi nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme.

Grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

/e.i/r.e/

The post Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit ka realizuar një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale te një pacient i moshës 75-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin, duke e konsideruar një tjetër histori suksesi në spitalin “Memorial” Fier, ku është realizuar kranioplastika e parë.

Koçiu bëri me dije se bëhet fjalë për “një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetën një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru”.

Ministrja Koçiu u shpreh se pas gjashtë muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Koçiu u shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor, dr. Egemen Nursoy, dr. Klaudio Disha, dr. Hasan Bayindir, dr. Holta Kraja, dr. Xhesika Hoxha dhe infermieres Fjorida Ago.

Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër.

Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit gjatë ndërhyrjes neurokirurgjikale te një paci...
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, Koçiu: Ndiqni këshillat e mjekëve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u bëri thirrje sot qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu thotë se, “sot shënohet dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, me temperatura mbi normën dhe rrezik të shtuar për shëndetin”.

“Ndiqni këshillat e mjekëve dhe për çdo nevojë, drejtohuni te mjeku i familjes apo qendra shëndetësore më e afërt”, është thirrja e Koçiut.

Në këto ditë me temperaturë ekstreme qytetarët duhet të pinë shumë ujë, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin diellin në orët e pikut.

Gjithashtu fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duhet të bëjnë kujdes.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u bëri sot thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë.

Në një postim në rrjetet sociale, ISHP theksoi se temperaturat e larta nuk janë vetëm bezdisëse, por edhe të rrezikshme për shëndetin.

Sipas ISHP-së, kur nxehtësia është e fortë dhe zgjat në kohë, rritet rreziku për: Dehidratim, rëndim të sëmundjeve kronike (tension i lartë, zemra, diabeti, etj.), infeksione dhe intoksikacione nga ushqimi – sidomos kur nuk ruhet në temperatura të sigurta, goditje nga i nxehti, ngërçe muskulare dhe dhimbje, të fikët, skuqje të lëkurës, ënjtje.

ISHP këshillon qytetarët dhe grupet e riskut si të moshuarit, fëmijët apo personat me sëmundje kronike që të mbrohen duke pirë më shpesh ujë, të qëndrojnë në vende të freskëta, të ruajnë ushqimet në frigorifer, si edhe të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 18:00).

/r.e/

The post Sot dita më e nxehtë e këtij sezoni veror, Koçiu: Ndiqni këshillat e mjekëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vijojnë të zgjerohen në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli sot mesazhet e falënderimit të pacientëve që marrin këtë shërbim në banesë, por edhe të familjarëve të tyre që kanë shprehur vlerësimin për marrjen në kohë të këtij shërbimi.

Koçiu u shpreh se “fuqizimi i këtij modeli të kujdesit në komunitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është kthyer në një realitet të prekshëm për mijëra qytetarë në të gjithë vendin, veçanërisht për ata që përballen me sëmundje kronike apo vështirësi në lëvizje“.

Ndërkaq, vajza e pacientes Razie Jaupaj në Patos thotë se shërbimi ka qenë maksimal në çdo moment si ditën dhe natën.

“Mamaja vuan nga azotemia, nga zemra, tensioni, hemoragjia në pjesët e brendshme dhe shërbimi në familje është një nga gjërat më të mira që MSHMS ka vendosur për këta pacientë. Shërbimi në shtëpi ka qenë maksimal në çdo moment, si ditën dhe natën“, tha ajo.

Gjithashtu, mjeku në Njësinë Administrative Dajç thotë se në këtë paketë shërbimi janë të përfshirë gjashtë pacientë.

“Në bazë të rregullores, ne bëjmë ndjekjen në banesë të këtyre të sëmurëve. Infermierja bën tre herë në javë vizitë te këto pacientë që i ka në ngarkim. Përveç vizitës, bën hedhjen në sistem të formularit të vizitës me të gjitha të dhënat sipas formularit. Aktualisht gjendja e këtyre acientë është stabël“, u shpreh mjeku.

Familjarët e këtyre pacientëve thonë se janë shumë të kënaqur nga përkushtimi i gjithë ekipit të mjekëve, që janë përgjigjur me të gjitha mjetet dhe mundësitë e tyre.

“Shërbimi në banesë jepet nga një ekip multidisiplinar mjekësh i përbërë nga infermierë, mjekët e familjes dhe punonjësi social“, tha mjekja pranë Qendrës Shëndetësore Nish-Tulla në Durrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka theksuar se “ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore, duke mundësuar mbi 58,700 vizita dhe procedura vetëm gjatë vitit 2024, për rreth 5,200 pacientë“.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: “Shefqet Ndroqi” pajiset me aparaturën jetëshpëtuese, e para e këtij lloji në Shqipëri

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” e cila u shërben pacientëve me sëmundje respiratore në mbarë vendin është pajisur me një tjetër aparaturë mjekësore jetëshpëtuese për trajtimit e pacientëve me stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriret koronare.

Ministrja Koçiu ndau sot lajmin, ndërsa tha se inovacioni në shërbim të pacientit mbetet gjithmonë një prioritet.

Sipas Koçiut, “pajisja Rotablator, e para e këtij lloji në Shqipëri, tashmë është në funksion dhe po përdoret me sukses për trajtimin e stenozave të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriet koronare”.

“Kjo teknologji e avancuar bën të mundur realizimin e procedurave të ndërlikuara të angioplastikës, duke shmangur operacionet e hapura dhe ofruar një trajtim modern, të sigurt dhe minimalisht invaziv për pacientët me koronaropati”, tha Koçiu.

Mjeku kardiolog Argron Meshi, pranë Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, shprehet se “Rotablator është një pajisje e re me anë të së cilës realizohen procedura të vështira stentimi”.

“Kjo do të thotë se stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike që e bëjnë shumë të vështirë të kalohen nëpërmjet stendës ose me balonë, falë kësaj pajisjeje arrihet të bëhet një gërryerje e pjesës së kalcifikuar që të realizohet kalimi i stendit dhe i balonit, si edhe stendimi në mënyrë të suksesshme”, tha ai.

“Kjo është një pajisje që futet për herë të parë në Shqipëri dhe falë kësaj duke arritur suksesin e procedurës së stenimit, shumë pacientë shpëtojnë nga operacioni bypass. Deri tani që nuk e kemi pasur këtë pajisje, kemi qenë të detyruar t’i çojmë pacientët në kirurgji”, përfundoi Meshi.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: “Shefqet Ndroqi” pajiset me aparaturën jetëshpëtuese, e para e këtij lloji në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Histori suksesi në maternitetin “Koço Gliozheni”, lindin trinjakë prematurë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë kanë ardhur në jetë trinjakë, dy vajza dhe një djalë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideron këtë lindje të veçantë, si një histori suksesi pasi, trinjakët ishin premature, ndërsa nëna Brunilda ka pasur një ndjekje të kujdesshme gjatë shtatzënisë për shkak të hipertensionit gestancional.

Ministrja Koçiu thotë se “gjithçka shkoi me sukses për nënën dhe foshnjat e saj”.

Koçiu u ka shprehur “mirënjohjen ekipit multidisiplinar të maternitetit “Koço Gliozheni” që me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri, bëjnë të mundur që jetë të reja të vijnë në botë të sigurta”.

Gjithashtu, mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Drita Bujari shprehet se trinjakët kanë ardhur në jetë në javën e 35-të.

“Trinjaku më i vogël është 1 kilogramë e 600 gramë, i dyti është 2 kilogramë e 100 gramë dhe i treti 2 kilogramë e 500 gramë. Ata kanë pasur nevojë në lindje për t’u ranimuar, pasi problematikë ka pasur trinjaku i tretë që kishte nevojë të intubohej për vështirësi respiratore dhe është trajtuar me terapi intensive. Dynjakët e tjerë kanë qenë në gjendje subintensive”, tha Bujari.

Sipas mjekes, trinjakët tashmë gëzojnë shëndet të plotë, janë pranë nënës së tyre dhe janë gati për t’u kthyer në shtëpi.

“Ka qenë një lindje çezariane me urgjencë sepse ishin fëmijë premature, dhe trinjakët gjithmonë shfaqin risk të lartë për lindje para kohe dhe urgjencë”, vijoi mjekja Bujari.

Ndërsa, Brunilda Lala nga Bulqiza, nëna e trinjakëve thotë se shërbimi në maternitetin “Koço Gliozheni” ka qenë shumë i mirë, si nga ana e doktorëve, mjekëve dhe infermierëve.

Brunilda u shpreh falënderimet e rastit dhe mirënjohjen të gjithë stafit të maternitetit “Koço Gliozheni” për përkushtimin.

/e.i/

The post Koçiu: Histori suksesi në maternitetin “Koço Gliozheni”, lindin trinjakë prematurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, po kalojnë ditët e nxehta të verës në kampin veror për fëmijë, duke u larë në pishinë dhe duke u angazhuar në lojëra të ndryshme fizike apo edhe tavoline.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga momentet e bukura që po shijojnë fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Koçiu u shpreh se këta fëmijë po shijojnë mes të qeshurave dhe lojërave, kampin veror të këtij sezoni.

“Kujdes, mbështetje dhe mundësi për një fëmijëri më të bukur dhe një të ardhme më të sigurt, për çdo fëmijë në sistemin tonë të mbrojtjes sociale”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ky kamp veror për fëmijë është një mundësi e shkëlqyer për t’u argëtuar në ajër të pastër, mes lojërave në pishinë, lojërave sportive, akrobaci, atletike, apo në kërcim, recitim dhe lojërave të tavolinës..etj.

Mbështetja e fëmijëve në nevojë ka qenë ndër prioritetet e politikave të ndërmarra nga ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë. Në fokus të politikave ka qenë riintegrimi në shkollë, asistencë në çdo kohë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.

Qeveria ka mundësuar rreth 3,500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike, nxënës në nevojë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

/e.i//a.f/

The post Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Tendat shëndetësore verore në shërbim të pushuesve në kalanë e Gjirokastrës

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Në këto ditë të nxehta vere, kujdesi për shëndetin nuk mungon as në zonat turistike me fluks të lartë vizitorësh dhe pushuesish, siç është edhe kalaja e Gjirokastrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se “ekipet mjekësore janë në gatishmëri të plotë jo vetëm përgjatë vijës bregdetare, por edhe në zona të tjera turistike, si kalaja e Gjirokastrës, ku fluksi i vizitorëve është i lartë”.

“Tendat Shëndetësore Verore janë aty për të ofruar ndihmën e parë dhe kujdesin e nevojshëm, që pushimet tuaja të jenë të sigurta, pa shqetësime shëndetësore”, tha Koçiu, në një postim në rrjetet sociale.

Në vetëm një muaj pas hapjes, 12 410 qytetarë kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore të hapura përgjatë bregdetit dhe zonave turistike.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

Nga tenda shëndetësore verore në kalanë e Gjirokastrës
1 nga 11

/e.i//r.e/

The post Koçiu: Tendat shëndetësore verore në shërbim të pushuesve në kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu prezanton zv.ministren Majko: Në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin me energji të reja përpara

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu prezantoi sot Ina Majkon, e cila u emërua në pozicionin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministrja Koçiu tha se “në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin, gjithmonë me energji të reja përpara”, ndërsa falënderoi paraardhësin Niko Hyka për bashkëpunimin dhe gjithë kontributin e dhënë gjatë kohës në detyrë.

“Mirë se erdhe Ina Majko, suksese në këtë rrugëtim të ri si pjesë e ekipit tonë”, shkruan Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Niko Hyka dhe emërimin në këtë detyrë të Ina Majkos.

Ky vendim u mor në mbledhjen e qeverisë në datën 2 korrik, në mbështetje të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Edi Rama.

Zv.ministrja Majko është përfaqësuesja e parë e komunitetit rom në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit dhe do të mbulojë çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

/e.i/a.f/

The post Koçiu prezanton zv.ministren Majko: Në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin me energji të reja përpara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ina Majko emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot lirimin nga detyra të  zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Niko Hyka dhe emërimin në këtë detyrë të Ina Majkos.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë në mbështetje të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s//r.e//a.f/

The post Ina Majko emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

124 mjekë të rinj specializantë nënshkruajnë kontratën me MSHMS, Koçiu: Do jeni dëshmitarë të transformimeve në QSUNT

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ 124 mjekë të cilët fillojnë këtë vit specializimin 4-vjeçar në mjekësi, kanë nënshkruar sot kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ofruar shërbime shëndetësore në specialitete të ndryshme aty ku ka nevojë vendi pas përfundimit të studimeve.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se “këtë vit nisin specializimin afatgjatë në mjekësi 253 mjekë nga të cilët 124 do nënshkruajnë një kontratë me MSHMS”.

Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe mjekësi urgjence”.

“Nisni sot rrugëtimin në një nga shërbimet kryesore të ofrimit të shërbimit shëndetësor që është QSUNT për dy nga specializimet që për ne si MSH në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë ia kemi dalë me sukses që të kemi edhe nga vjet, edhe nga sivjet prurje në këto degë që janë specialisti i mjekësisë së urgjencës dhe specialisti i mjekësisë familjare”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu pohoi gjatë fjalës së saj se për shkak të incentivave edhe të karakterit financiar, këta mjekë do të marrin pagë të plotë gjatë rrugëtimit të tyre afatgjatgë si specializantë, gjë që krijon bazën e premisës për të pasur në të ardhmen dy linja specialitetesh shumë të kërkuara, të domosdoshme dhe jetike në të gjitha strukturat shëndetësore dhe ato spitalore.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe tek transformimi i infrastrukturës shëndetësore dhe investimet në pajisje të teknologjisë së fundit duke përmirësuar dhe rritur shërbimet për qytetarët, por edhe krijimin e kushteve për stafet shëndetësore.

“Të gjithë ju do të jeni edhe dëshmitarë të transformimeve që QSUNT po merr dhe jetëson dita-ditës. Janë një sërë infrastrukturash spitalore të kësaj qendre që janë duke u rinovuar, si spitali i Kardiokirurgjisë që mbaron shumë shpejt dhe është një nga strukturat më bashkëkohore me ambiente dhe salla operatore të fjalës së fundit. Është spitali i djegie plastikës, i Psikiatrisë që do përfundojë së shpejti, është Pediatria Infektive që mbyll korpusin e spitalit pediatrik”, tha ajo.

Koçiu u shpreh se po krijohen të gjitha kushtet për mjekët shqiptarë që ta gjejnë Evropën këtu në Shqipëri.

“Ne po puojnë bashkërisht çdo ditë që nga MSHMS, Universiteti i Mjekësisë, strukturat tona shëdetësore. Të gjithë këtë punë do ta bëjmë bashkërisht. Duhet të jemi bashkë, një skuadër. Fakti që nënshkruajmë një kontratë së bashku, bën që ne të jemi mentoruesit dhe lobuesit tuaj më të mëdhenj”, theksoi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i uroi mjekët specializantë që rrugëtimin e tyre trevjeçar ta pasurojnë me eksperienca pozitive që do i rrisin profesionalisht, përtej materialeve që ata kanë mësuar në shkollë.

Mjekët e rinj kanë përzgjedhur të specializohen në fusha të ndryshme të mjekësisë, si pediatri, imazheri, anestezi-reanimacion, kardiologji, mjekë internistë, kirurgji e përgjithshme, pneumologji, sëmundje infektive, obstetri-gjinekologji, diagnoza me imazhe dhe mjekësi familje.

/e.i/j.p/

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë ceremonisë së zhvilluar në Q...
1 nga 6

/e.i/j.p/

The post 124 mjekë të rinj specializantë nënshkruajnë kontratën me MSHMS, Koçiu: Do jeni dëshmitarë të transformimeve në QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dezinsektimi në zonat turistike, Koçiu: Trajtimi i 4-rt në Gjirin e Lalëzit, vlerësim periodik i procesit


TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Programi Kombëtar i Dezinsektimit është një nga masat kryesore që po ndiqet me rigorozitet për të garantuar ambient të sigurt dhe të pastër për parandalimin e sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat.

Për këtë qëllim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shoqëruar edhe nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini inspektoi nga afër procesin e dezinsektimit në vijën bregdetare të Gjirit të Lalëzit në Durrës.

Ministrja Koçiu theksoi se procesi i dezinsektimit po vijon të kryhet nga veriu në jug, ku në bashkëpunim me ekspertët po bëhet edhe vlerësimi i zonave potencial për grumbullimin e larvave të mushkonjave.

“Ekipet janë në terren për të vlerësuar dhe për të kryer procesin rast pas rasti. Ky është një proces që kryhet periodikisht çdo dy javë. Pasi bëhet një dezinsektim, vijnë ekipet që bëjnë vlerësimet nëse ka qenë efektiv procesi dhe ripërsëritet sipas nevojës”, vuri në dukje Koçiu.

Gjithashtu, ministrja solli në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe operatorët privatë për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe garantimin e shëndetit të popullatës.

Sipas saj, është e domosdoshme që edhe vetë bizneset që operojnë në zonat turistike të kryejnë këtë proces në ambientin ku operojnë.

“Secili biznes që operon në vijën bregdetare sidomos, do të duhet të marrin masa brenda zonës ku ushtron biznesin apo aktivitetin që të kryejnë vetë proceset dezinsektuese si dhe të mbajnë pastër ambientin ku operojnë nga papastërtitë dhe mbetjet, pasi në periudhën e verës për shkak të temperaturave të larta, patjetër që krijojnë problematika”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nga Gjiri i Lalëzit, ku po kryhet trajtimi i katërt i dezinsektimit, sikurse edhe në zonat e tjera të Durrësit.

Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini sqaroi se “janë bërë deri tashmë 77 ha në këtë trajtim të katërt dhe ndërkohë mbi 6000 m2 bodrume, kanale, puseta dhe habitate të tjera”.

Procesi i dezinsektimit është shtrirë në gjashtë bashki të vendit në zonat turistike, parqe, kanale, pellgje, zona urbane, bodrume dhe puseta dhe do të vijojë në mënyrë periodike deri në fillim të muajit tetor, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të shëndetshëm.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe Drejtoresha e Institutit të Sh...
1 nga 5

/e.i//a.f//r.e/

The post Dezinsektimi në zonat turistike, Koçiu: Trajtimi i 4-rt në Gjirin e Lalëzit, vlerësim periodik i procesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mjekë për Shqipërinë”, Koçiu: Katër mjeke të reja përforcojnë shërbimin në Vlorë

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot shembullin e katër të rejave që kanë aplikuar në portalin “Mjekë për Shqipërinë” pas përfundimit të studimeve për mjekësi dhe tashmë u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në Vlorë.

Ministrja Koçiu shprehet se “katër mjeket e reja, kanë aplikuar në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, një proces që garanton transparencë dhe meritokraci”.

Ministrja Koçiu u ka uruar mjekeve të reja një rrugëtim të mbarë në shërbim të qytetarëve!

Njëherësh, mjekja Afërdita Baçi, e specializuar si gastrohepatologe, shpjegon se përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” ka aplikuar për pozicionin vakant të gastrohepatologes në spitalin rajonal Fier.

“Pasi kalova fazës e parë, sapo dhashë intervistën me gojë për këtë pozicion dhe jam në pritje për fazën e tretë”, tha ajo.

Ndërsa, mjekja tjetër Kristela Pepa thotë se pas përfundimit të studimeve për Mjekësi të Përgjithshme në Romë, vendosi që të kthehet në Shqipëri për t’u shërbyer qytetarëve në vendin e saj.

“Aplikova dhe u bëra pjesë e portalit “Mjekë për Shqipërinë” ku kalova fazën e parë të vlerësimit të dosjes. Pasi u informova për pikëzimin tani po bëj fazën e dytë të intervistës me gojë”, u shpreh Pepa.

Eni Llaka, është gjithashtu një tjetër mjeke e përgjithshme që shprehet se ka përfunduar studimet në vitin 2024. “Aplikova në portalin “Mjekë për Shqipërinë” për një vend pune.

“Mbarova fazën e parë dhe tani sa përfundova fazën e dytë të intervistës me gojë”, pohoi ajo.

Gjithashtu, një tjetër mjeke që u është bashkuar ekipeve shëndetësore është Erisa Hasani. Mjekja u shpreh se ka mbaruar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në shtator të vitit 2024. “Jam licensuar në mars 2025, më pas aplikova në portal për një vend punë në një NJVKSH (Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor) në Sarandë dhe tani jam në pritje të fazës tjetër”, tha ajo.

Gjatë vitit 2024 dhe deri më 31 mars 2025, përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë punësuar 345 mjekë dhe 1575 infermierë.

Portali “Mjekë për Shqipërinë”, vjen si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, duke garantuar që profesionistët e kualifikuar të kontribuojnë në kujdesin për pacientët.

/e.i/a.f/

The post “Mjekë për Shqipërinë”, Koçiu: Katër mjeke të reja përforcojnë shërbimin në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Tale, shërbim 24/7 për pushuesit

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se qendra shëndetësore verore në Tale të Lezhës është e hapur nga 1 qershori deri në 30 shtator, për të ofruar ndihmë për çdo nevojë apo urgjencë shëndetësore, si edhe për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pushuesve gjatë sezonit veror.

Ministrja Koçiu pohoi se doktoreshë Regisa dhe infermiere Nertila ofrojnë çdo ditë shërbim në këtë qendër shëndetësore verore, duke u kujdesur për pushuesit vendas dhe të huaj që zgjedhin këtë plazh për të kaluar pushimet e tyre.

Mjekja e Përgjithshme, Regisa Ndoci shprehet se pas aplikimit te Operatori Qendror Shtetëror për të ofruar shërbim si mjeke e përgjithshme, ajo u punësua pranë qendrës shëndetësore verore Tale.

“Ne ofrojmë shërbime të ndryshme si mjekim plagësh, saturim, shërbime emergjente, reaksione, alergji të ndryshme. Qendra është e pajisur me të gjitha medikamentet dhe aparaturat e nevojshme mjekësore dhe është në shërbimin e duhur për emergjencat verore”, tha ajo.

Ndërsa, infermierja Nertila Gjinaj thotë se qendra është 24 orë hapur në shtatë ditë të javës dhe i vjen në ndihmë pushuesve dhe gjithë banorëve të zonës.

Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqëndrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.

Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Tale, shërbim 24/7 për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Shëngjin, ndihmë në çdo rast urgjence

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Gjatë sezonit turistik veror, 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug, janë në funksion të plotë për të garantuar shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se qendra shëndetësore verore në Shëngjin ndodhet në një nga plazhet më të frekuentuara të sezonit, e dedikuar për të ofruar kujdes dhe ndihmë të menjëhershme në çdo rast urgjence shëndetësore.

Sipas Koçiut, “në të gjithë bregdetin shqiptar, nga veriu në jug, janë hapur 36 qendra shëndetësore verore që garantojnë shërbim mjekësor 24/7 për pushuesit vendas dhe të huaj, me ekipe të përkushtuara mjekësh dhe infermierësh”.

“Për çdo nevojë shëndetësore, jemi pranë jush”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Mjekja Erisa Biba, e angazhuar në këtë QSHV në Shëngjin thotë se ndihet e privilegjuar që punon në këtë qendër.

“Ne trajtojmë urgjencat verore, urgjencat që përfshijnë alergjinë, lezionet, etj. Kemi kryer matje tensioni, kemi trajtuar gjendje hipertermie, dhe jemi në gatishmëri të plotë edhe nga baza materiale për të trajtuar rastet e mbytjeve apo ato me kod të kuq”, thotë ajo.

Gjithashtu, disa pacientë shprehen të kënaqur që marrin shërbimet në këtë qendër shëndetësore, ndërsa shijojnë pushimet në bregdet.

Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqëndrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.

Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Shëngjin, ndihmë në çdo rast urgjence appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌