Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin

20 June 2025 at 12:27

Pas tre javësh trysni dhe protesta të thirrura nga shoqëria civile, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka vendosur zyrtarisht të pezullojë ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit. Vendimi u konfirmua në një shkresë dërguar organizatës “Qëndresa Qytetare” ku theksohej se ndërprerja e punimeve bëhet “me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës”.

Në shkresë IKTK-ja tregon se pezullimin e punimeve e ka bërë që prej datës 2 qershor. Vendimi erdhi pas një vale reagimesh publike, peticionesh dhe mobilizimesh që u përqendruan në faktin se punimet restauruese në Spaç rrezikonin të deformonin memorien kolektive të vendit për një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste.

Më 10 qershor, një peticion i nënshkruar nga 35 organizata dhe 734 qytetarë iu dorëzua Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Peticioni kërkonte ndalimin e menjëhershëm të punimeve restauruese, të cilat ishin konsideruar si ndërhyrje jo transparente dhe të papërshtatshme në një vend që përfaqëson dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes politike.

Rreth 10 ditë më vonë, IKTK-ja konfirmoi se punimet tashmë janë pezulluar. Në reagimin e saj publik, “Qëndresa Qytetare” e përshëndeti pezullimin si një hap të rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por paralajmëroi se bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme.

“Themelet e kujtesës nuk mund të preken pa një vizion të qartë dhe pa një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në transparencë, respekt dhe konsultim publik”, theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratën e saj të shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Punimet në Spaç nisën në fund të majit dhe parashikohej të përfundonin brenda 56 ditëve.

Sipas dokumentacionit të siguruar, projekti përfshinte restaurimin e të paktën tetë ambienteve të brendshme, përfshirë vendrojen, komanden, dhomën e takimeve, infermierinë, kuzhinën/mensën, fjetoren, vendin e apelit dhe tualetet. Për më tepër, projekti përfshinte ndërtimin e një kulle vrojtimi të re, vendosjen e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimin me tela me gjemba të disa hapësirave të brendshme.

Këto elemente – sipas aktivistëve dhe studiuesve – rrezikonin autenticitetin e vendit dhe mund ta transformonin Spaçin në një “instalacion muzeal të sterilizuar” që i shmanget përballjes reale me të kaluarën.

Më 7 qershor, aktivistë dhe ish-të burgosur politikë u mblodhën pranë strukturave të ish-burgut të Spaçit. Në deklaratat e tyre publike, ata denoncuan përpjekjet për të “zbukuruar” apo “romantizuar” vendin ku për dekada u burgosën mijëra kundërshtarë të regjimit komunist.

Aktivistët ngritën gjithashtu pyetje mbi transparencën e procedurave: si u përzgjodh projekti, pse mungoi konsultimi me komunitetin e të përndjekurve dhe me studiues të fushës, dhe cilat janë objektivat afatgjata të Ministrisë për këtë vend? Këto pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qarta.

Më 6 qershor, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se ndërhyrjet në Spaç janë pjesë e një “strategjie më të gjerë për rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.

Në të njëjtin reagim, Gonxhja zbuloi se ndërhyrja ishte ndërmarrë për të mbështetur realizimin e një filmi nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili do të trajtojë revoltën e Spaçit që ndodhi në vitin 1973. Filmi është parashikuar të xhirohet në mjediset origjinale të burgut, dhe punimet për restaurimin janë cilësuar si “të nevojshme” për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti artistik.

Ky fakt shtoi më shumë shqetësimet, pasi përfaqësues të shoqërisë civile e konsideruan si të papranueshme që vendimmarrja për ndërhyrjet në një vend kujtese të ndikohet nga nevojat e një produksioni filmik.

Ndërhyrjet në Spaç kanë rikthyer në vëmendje edhe një herë boshllëqet në politikat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithëse vendi ka bërë hapa përpara në njohjen institucionale të vendeve të kujtesës, përfshirë edhe vetë Spaçin si monument kulture i kategorisë së parë, praktika konkrete vazhdojnë të ndjekin logjikën e projektimit nga lart dhe mungesës së dialogut publik.

Pezullimi aktual është një fitore e përkohshme për ata që kërkojnë transparencë dhe përfshirje, por beteja për Spaçin si vend i kujtesës vazhdon. Nëse autoritetet synojnë të restaurojnë dhe ruajnë vlerat e Spaçit, kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të ish-të dënuarve politikë, organizatave të kujtesës dhe komunitetit të gjerë qytetar.

Lexoni gjithashtu:

The post Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin appeared first on Citizens.al.

“Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat

3 June 2025 at 17:58

Ndërhyrjet restauruese në disa prej godinave të ish-burgut famëkeq të Spaçit kanë ndezur debat në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke ngritur pyetje thelbësore mbi ruajtjen e kujtesës dhe autenticitetit të vendit simbol të vuajtjes gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Restaurimi, i cili nga autoritetet konsiderohet i pjesshëm, po bëhet për të ndihmuar në realizimin e një filmi kushtuar së shkuarës së ish-kampit. Kjo ka ngjallur edhe më tepër reagime.

Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula, i cili botoi në rrjetet sociale fotografitë ku binte në sy një fasadë e suvatuar në të bardhë e godinës që dikur shërbente për pritjen e vizitorëve. Ai i konsideroi ndërhyrjet “të pakontrolluara” dhe që “zhdukin memorien historike”.

“Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike, ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese, është i të gjithëve,” theksoi Sula, autor i ekspozitës “E kaluara, e tashme” (2024) me 49 portretet e ish-të burgosurve politikë.

Pas tij, reagimet ishin të forta me në thelb shqetësimin se godina, dikur e degraduar, po merrte një pamje të transformuar. Sipas kritikëve kjo rrezikon të deformojë kuptimin e saj historik.

Filmi të cilit i vijnë në ndihmë punimet, është i regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti – të dy ish-të përndjekur dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës. Ajazi në Qafë Bari, Zhiti në Spaç.

Ish-dhoma e takimit me familjarët pas restaurimit me suva të bardhë/Foto nga Arnen Sula, Facebook.

Ajazi tha për Citizens.al se nuk është e vërtetë se ndërhyrjet po “manipulojnë historinë, përkundrazi”. Sipas regjisorit, ndërhyrjet po realizohen me supervizim teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), si dhe me pjesëmarrjen e skenografëve, arkitektëve dhe ekspertëve të huaj.

“Po luhet me faktin se ‘A u bë llaçi i bardhë, apo u bë i zi’,” theksoi Ajazi i revoltuar teksa ndau fotografi të mëvonshme të së njëjtës godinë. Sipas tij pas përfundimit të suvatimit dhe lyerjes është vijuar me “vjetërzimin e suvasë” pasi projekti i tij filmik synon të nxjerrë sa më mirë kontekstin historik.

Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur të cilët u angazhuan në minierën e bakrit dhe piritit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua. Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite.

Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Në vitin 2010 dhe – më vonë – në vitin 2023 u paraqitën projekte konkrete. Projekti i fundit duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).

Ajazi tregoi për Citizens.al se pas vendimit të vitit 2023, grupi i tij i punës zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi ndihmë për të materializuar idenë e filmit.

“I thamë kryeministrit, ju bëni muzeun, një projekt madhor i cili kërkon kohë, ne bëjmë filmin,” tha Ajazi duke nënvizuar se qëllimi i tij është i njëjtë, ruajtja e trashëgimisë historike të ish-burgut të Spaçit.

Sipas regjisorit ndërhyrjet që po bëhen aktualisht janë të pjesshme dhe të orientuara drejt rikrijimit të realitetit të asaj periudhe, e cila do ta ndihmojë ekipin e tij gjatë xhirimeve. Ai këmbënguli se nuk ka aspak rrezik për të dëmtuar sitin.

Më poshtë pamje të gjendjes së mëparshme të godinës në ish-burgun e Spaçit:

Çfarë parashikon projekti?

Projekti i (IKTKT-së) me vlerë rreth 100 mijë euro, parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.

Ndërtesës “Nr.3” njohur si “Komanda” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i riparohen dhe plotësohen parmakët dhe t’i suvatohet ballkoni i katit të dytë.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si vendroja parashikohet t’i rregullohet skarpata e sipërme dhe e poshtme, t’i vendosen parmakë, t’i rregullohen shkallët dhe muret.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si “Dhoma e takimeve” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i vendosen dritaret dhe dera e drurit, të suvatohet dhe lyhet me bojë hidromat.

Ndërtesave Nr.4 dhe Nr.5 njohur si “Infermieria, Kuzhina dhe Mensa” parashikohet t’u meremetohen muret, parmakët, t’u vendoset një derë dhe një dritare druri si dhe t’u rregullohen shkallët.

Ndërtesës Nr.6 njohur si “Fjetorja” parashikohet t’i vendoset parmak shkallëve të katit të parë dhe ballkonit të katit të dytë.

Brenda ish-dhomës së takimit me familjarët gjatë “procesit të vjetërizimit”/Foto Namik Ajazi.

Kritika dhe shqetësime për punimet

Arkitektë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur publikisht qëndrimin kundër mënyrës se si po veprohet në Spaç.

Kreshnik Merxhani, arkitekt, tha për Citizens se ndërhyrjet janë të papranueshme për një monument kulture.

“Aty ke një strukturë ekzistuese dhe ty të lejohet vetëm ta konservosh. Nuk ke të drejtë ta suvatosh, arnat lëri siç janë,” tha Merxhani duke theksuar se vetëm ekspertët mund t’i argumentojnë dhe mbrojnë ndërhyrjet e tilla.

Organizata të shoqërisë civile, përfshirë Bashkinë e Mirditës, fondacionin “Kujto.al”, “Qëndresën Qytetare”, shoqatën e të Përndjekurve Politikë Shkodër dhe figura të njohura publike si publicisti Fatos Lubonja (njëherësh ish-i përndjekur), kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim transparent dhe profesional.

“Ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës,” thuhet në letër, duke paralajmëruar rrezikun që Spaçi të shndërrohet në një “skenografi artificiale”.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i një prej organizatave nënshkruese dhe autor i ekspozitës “Anatomia e Burgut të Spaçit”, tha për Citizens.al se “kjo duket si ndërhyrje make-up-i”.

“Ai është vend vuajtjeje dhe nuk ka kuptim të bëhen ndërhyrje estetike, ku duket se lumturisht mund të jetoje. Duhet kthyer në nivelin që ka qenë, jo t’i ndërtohet realitet i ri.”

Tabela e Institutit të Monumenteve, jashtë objektit shënon se punimet do të zgjasin 8 javë dhe financohen nga Instituti. Nuk është e qartë nëse këto punime janë konform “Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit” të miratuar me propozim nga CHwB Albania në gusht 2024.

The post “Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat appeared first on Citizens.al.

Nga tregjet bujqësore te thertoret dhe përpunuesit, aksioni për faturimin do shtrihet në 3 faza

By: V K
18 July 2025 at 08:02

Prej disa ditësh, tatimorët kanë nisur aksionin për kontrollin e tregtimit të produkteve bujqësore me qëllim gjurmueshmërinë e mallrave për forcimin e sigurisë ushqimore.

Ndërmarrja e aksionit parashikohet të zbatohet nëpërmjet disa fazave sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), ku përveç subjekteve në Tiranë aksioni do të zhvendoset drejt rretheve dhe më pas te pikat e grumbullimit dhe përpunimit.

Gjatë këtyre ditëve, aksioni i tatimorëve është fokusuar në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot dhe thertoret në Tiranë.

Në Tiranë në 3 ditët e para të aksionit, janë kontrolluar 87 subjekte dhe janë sekuestruar 20 ton mallra blegtorale që kanë rezultuar se tregtoheshin pa faturë.

“Fokusi i aksionit për tregtimin e mallrave me faturë do të jenë tregjet e mëdha, thertoret, baxhot, më pas grumbulluesit dhe përpunuesit të cilat kanë volum tregtar të lartë që më pas tregtohen në të gjithë vendin. Nga kontrollet e kryesore deri tani më problematik për tregtim të mallit pa faturë rezultojnë tregjet e mëdha të mallrave bujqësore dhe blegtorale dhe thertoret”, pohon administrata tatimore.

Në fazën e dytë, sipas drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përveç Tiranës dhe zonave përreth saj, aksioni do të shtrihet edhe në rrethe, ku fokusi do të jenë tregjet e mëdha, baxhot e grumbullit të qumështit dhe thertoret e kafshëve.

 

 

Në fazën e tretë, administrata tatimore parashikon që aksioni të shtrihet te pikat e grumbullimit dhe përpunimit të mallrave blegtorale.

Administrata Tatimore, thekson sërish se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, te tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore, thertoret, baxhot dhe më pas grumbulluesit dhe përpunuesit e mëdhenj.

Tatimet pohojnë se, tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Ndërsa numri i supermarketeve të kontrolluara deri tani mbetet i ulët.

Aksioni i ndërmarrë nga aksioni tatimet synojnë të rrisin të ardhurat, dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit.

Në mbyllje të aksionit nëpërmjet të cili synohet të rritet autofaturime për mallrat e tregtuara nga fermeri, qeveria parashikon të nisë zbatimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së në masën 10% për fermerin.

Projektligji për kthimin e skemës së kompensimit të TVSh-së, pritet të shqyrtohet për miratim vitin e ardhshëm, ku dhe do të nisë zbatimin.

Pas ndryshimeve që u bënë në vitin 2019 në skemën e rimbursimit të TVSH-së ku nga 20% u ul në 6%, prej 2022 TVSH-ja e kreditueshme për blerjet e mallrave nga fermerët u shfuqizua. / Monitor

The post Nga tregjet bujqësore te thertoret dhe përpunuesit, aksioni për faturimin do shtrihet në 3 faza appeared first on Albeu.com.

Irani: Nuk ka bisedime bërthamore, nëse SHBA kërkon ndalimin e pasurimit të uraniumit

14 July 2025 at 21:03

Irani ka deklaruar të hënën, 14 korrik 2025, se nuk do të marrë pjesë në bisedime me Shtetet e Bashkuara mbi programin e tij bërthamor nëse Uashingtoni këmbëngul që Teherani të ndalojë pasurimin e uraniumit, raportoi agjencia shtetërore iraniane IRNA. “Nëse negociatat duhet të kushtëzohen me ndalimin e pasurimit, të tilla negociata nuk do të zhvillohen,” […]

The post Irani: Nuk ka bisedime bërthamore, nëse SHBA kërkon ndalimin e pasurimit të uraniumit appeared first on BoldNews.al.

Inagurohet konsullata greke në Korçë, Hasani: Partner të rëndësishëm për ne

By: fra nc
7 July 2025 at 12:53

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë këtë të hënë në inaugurimin e konsullatës greke në qytetin e Korçës. Të pranishëm në këtë inagurim ishin dhe ministri i Jashtëm i Greqisë George Gerapetritis, si dhe eurodeputeti grek Fredi Beleri.

Në fjalën e tij, Hasani theksoi se hapja e konsullatës përfaqëson jo vetëm një institucion diplomatik, por edhe një urë lidhjeje me rrënjë europiane dhe miqësi shekullore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Është kënaqësi të inaugurojmë një ndërtesë të re për konsullatën greke në një qytet me rrënjë europiane. Përcjellim gatishmërinë tonë për marrëdhënie me respekt, vlera europiane dhe miqësi shekullore,” tha Hasani.

Ai vuri në dukje rolin thelbësor të Greqisë si partner i rëndësishëm i Shqipërisë, si dhe mbështetjen e saj për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Kjo frymë e re materializohet në projekte të reja për minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi. Në këtë kuadër, mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE është thelbësore. Mbështetja e saj është e dukshme edhe sot me prezencën e ministrit të jashtëm në Korçë.”- tha Hasani.

Hasani përmendi edhe figurën historike të Jorgo Seferit, nobelistit grek, në basnesën e të cilit do të hapet konsullata greke në Korçë.

“Siç thoshte vetë Seferis, urat nuk ndërtohen me gurë, por me fjalë e kujtesë. Rinovimi i kësaj konsullate është një pikë referimi për shkëmbime kulturore dhe afrimin me qytetarët.”

Në fund, ministri i Jashtëm uroi suksese konsullit të përgjithshëm dhe stafit të tij, duke theksuar se sot është mundësia për të ndërtuar një partneritet të ri.

“Nga Korça le të përcillet mesazhi se miqësia dhe marrëdhëniet e mira janë themeli për një të ardhme më të mirë për popujt tanë. Le të jemi brezi që e bën realitet një vizion të vërtetë,”- deklaroi Hasani.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Inagurohet konsullata greke në Korçë, Hasani: Partner të rëndësishëm për ne appeared first on Euronews Albania.

Koçiu prezanton zv.ministren Majko: Në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin me energji të reja përpara

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu prezantoi sot Ina Majkon, e cila u emërua në pozicionin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministrja Koçiu tha se “në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin, gjithmonë me energji të reja përpara”, ndërsa falënderoi paraardhësin Niko Hyka për bashkëpunimin dhe gjithë kontributin e dhënë gjatë kohës në detyrë.

“Mirë se erdhe Ina Majko, suksese në këtë rrugëtim të ri si pjesë e ekipit tonë”, shkruan Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Niko Hyka dhe emërimin në këtë detyrë të Ina Majkos.

Ky vendim u mor në mbledhjen e qeverisë në datën 2 korrik, në mbështetje të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Edi Rama.

Zv.ministrja Majko është përfaqësuesja e parë e komunitetit rom në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit dhe do të mbulojë çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

/e.i/a.f/

The post Koçiu prezanton zv.ministren Majko: Në çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin me energji të reja përpara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shmangën detyrimet tatimore për 20 vite, Prokuroria e Fierit lëshon 14 masa sigurimi për “Bankers Petroleum”

By: V K
3 July 2025 at 11:45

Në kuadër të hetimeve për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ka dhënë masat e sigurisë për 14 persona dhe subjekte, nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje detyrash nga organet tatimore.

Hetimi, i nisur në dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive, zbuloi se kompania ka deklaruar humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme të kompanisë dhe banesa private, ku u sekuestruan dokumente dhe sende të lidhura me veprimtarinë kriminale. Janë ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj administratorit aktual Hongping Xiao, ish-administratorit Leonidha Çobo dhe disa drejtuesve të tjerë të kompanisë, ndërsa 5 persona të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”, thote prokuroria.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal, vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

The post Shmangën detyrimet tatimore për 20 vite, Prokuroria e Fierit lëshon 14 masa sigurimi për “Bankers Petroleum” appeared first on Albeu.com.

36 mijë euro fluturimi me charter/ Kryeministria: Udhëtimi i Ramës u mbulua nga “Air Albania”

28 June 2025 at 08:05

Pas shfaqjes së kryeministrit Edi Rama në një avion të ndryshëm privat nga ai qeveritar në udhëtimin drejt samitit të NATO-s, zyra e tij e shtypit pretendon se fluturimi mbulohet nga e njëjta marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania. Një video e shkurtër e publikuar nga Dosja.al më 26 qershor shfaqte kryeministrin Edi Rama teksa zbriste nga një avion […]

The post 36 mijë euro fluturimi me charter/ Kryeministria: Udhëtimi i Ramës u mbulua nga “Air Albania” appeared first on BoldNews.al.

36 mijë euro fluturimi/ Berisha: Do kërkojmë prap Komision Hetimor për udhëtimet me çarter të Ramës

27 June 2025 at 13:55

Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët, foli edhe për raportimin në media se Edi Rama udhëtoi pak ditë më parë drejt aeroportit të Schiphol-it në Hagë me një avion charter të tipit Gulfstream Aerospace G-IVSP, me regjistrimin “TC-EMR”, që kushton minimalisht 35 mijë euro vetëm vajtje. Berisha tha se e dënon këtë akt, që […]

The post 36 mijë euro fluturimi/ Berisha: Do kërkojmë prap Komision Hetimor për udhëtimet me çarter të Ramës appeared first on BoldNews.al.

“Këtu opozita duhet të tregojë forcën”/ Shpërthen gazetari: Rama është turbulluar nga analiza në Fox News

24 June 2025 at 21:50

Gjatë debatit në një studio televizive, Burimi u shpreh se, Edi Rama është turbulluar nga analiza e botuar në FoxNews, pasi ishte diçka që nuk e priste. Gazetari shqiptar i Radio France, Genc Burimi ka deklaruar se, opozita duhet të tregojë forcën e saj që të dëgjohet.

‘Jeta politike nuk është një skenë teatri ku duhet të dëgjosh publikun, por është një skenë raporti force. Fatkeqësia është që humbësi humbet dhe fituesi merr gjithçka. Kështu është Rama sot, fituesi merr gjithçka, e pëlqejmë apo jo, sot ka me vete rezultatin.

Tani varet pikërisht nga opozita, se sa do ketë mundësi që të angazhohet në një raport force. Në Serbi e pamë u angazhua një raport force, por nuk e zbriti dot Vuçiçin nga samari, apo të bëhen zgjedhje të reja.

Por, padyshim sot Vuçiç ka një reputacion si një personazh që i vodhi zgjedhjet. Në Shqipëri, Rama këtu e bën gabimin. Ai mendon se, Shqipëria është më pak e ekspozuar në mediat ndërkombëtare si Serbia apo vende të tjera, që kanë më shumë akses në këto media.

Dhe prandaj artikulli i fundit i publikuar në FoxNews nga Agim Nesho, i shkaktoi shumë turbullira Ramës, se nuk ishte i mësuar me këtë lloj reklame.

Dhe këtu është pika e tij e dobët, këtu mund të ngrejë opozita një raport force që mund të vejë qeverinë dhe Europën në një raport shumë të vështirë’, tha Burimi.

Ndërsa në diskutimin e tij, për masat që duhet ndërmarrë PD-ja, Genc Burimi ka bërë dhe disa propozime të tij.

‘Në vargun e masave që mund të marrë PD-ja, mund të shtoja dhe një masë që morën serbët, që morën biçikletat dhe shkuan deri në Strasburg dhe Bruksel, pikërisht për të kontestuar zgjedhjet e Vuçiç dhe në çdo qytet që kalonin bënin një manifestim. Ishin 80 të rinj.

Ky parlament aktual para disa muaj, ishte kjo opozitë që hodhi flakadanët, që dogji karriget. Ishin këto gjeste që një agjenci e madhe bëri një shkrim, që thanë se në Shqipëri njerëzit po protestojnë për mungesë demokracie dhe për të hapur komisione hetimore, ndërkohë që Rama mundohej me të tijët që ja servirte ato gjeste të opozitës sikur ishin kundër drejtësisë.

Mjafton që opozita të thotë që nuk i njoh këto zgjedhje dhe kjo shkon tek ndërkombëtarët, sepse vendi është në një proces integrimit dhe BE kërkon bashkëpunim, por kur opozita nuk e jep firmën, kjo kuptohet menjëherë’, theksoi Genc Burimi.

The post “Këtu opozita duhet të tregojë forcën”/ Shpërthen gazetari: Rama është turbulluar nga analiza në Fox News appeared first on Sot News | Lajme.

“Rinumërimi i votave humbje kohe”/ Shpërthen analisti: Zgjedhjet u vodhën, tani mbetet…

24 June 2025 at 17:50

Burimi u shpreh se nëse qëllimi është integrimi në BE, duhet të formohet një qeveri e bashkimit kombëtar, pa Ramën kryeministër. Analisti Genc Burimi, i ftuar në një intervistë televizive tha se rinumërimi i votave nuk ka kuptim, pasi zgjedhjet janë vjedhur.

Genc Burimi:

“Zgjedhjet janë vjedhur, rinumërimi i votave është humbje kohe. Rinumërimi i votave i shërben edhe maxhorancës, por edhe opozitës për të fituar kohë. Sali Berisha tha se manipulimi ka ndodhur që në fushatë, por se rinumërimi i votave është kërkuar nga kandidatët. Diskursi i Berishës, duam apo jo, mua më duket koherent. Nëse krahasojmë Shqipërinë qoftë edhe me Serbinë, atje ka shoqëri civile, ndërsa tek ne nuk ka shoqëri civile. Atje është rinia serbe që ngrihet në protestë, thotë nuk kam të bëjë fare me politikën.

Në Shqipëri vetëm protesta kundër armëve kimike ka qenë jopolitike. Nëse integrimi është vërtetë prioritet, pse mos kemi një qeveri e PS-së, pa kryeministër Edi Ramën, me një zëvendëskryeministër nga PD-ja, dhe të kemi qeveri të bashkimit kombëtar me qëllim integrimin. Kështu mund të dilej nga kriza. Nuk jemi në këtë situatë, sepse opozita nuk e ka detyruar akoma Perëndimin ta bëjë këtë. Nëse ka flakadanë e bllokime, nëse ka artikuj në media ndërkombëtare që opozita nuk njeh zgjedhjet, mund të jetë problem. Opozita mund të imponojë në vijim, por të shohim si shkojnë gjërat”.

The post “Rinumërimi i votave humbje kohe”/ Shpërthen analisti: Zgjedhjet u vodhën, tani mbetet… appeared first on Sot News | Lajme.

“Pushteti përdor justifikime”, Burimi sfidon qeverinë: Europa s’është e zënë, zgjedhjet po monitorohen seriozisht

23 June 2025 at 19:03

Gazetari Genc Burimi ka komentuar mbi situatën zgjedhore në Shqipëri dhe raportin e KiE, duke theksuar se pushteti po përdor arsyetimin se perëndimorët janë të zënë për të shmangur përgjegjësinë për problematikat zgjedhore.

Ai ka kundërshtuar këtë mendim dhe ka sjellë shembuj nga rajoni për të mbështetur pozitat e tij.

“Ajo që thotë pushteti që perëndimorët janë të zënë dhe nuk e kanë kaq mendjen. Nuk jam dakord, sepse Rama po të ishte kaq indiferent, nuk do të vinte mediat e tij dhe të mundohej të reaktivizonte artikullin që bëri shumë bujë mbi Rama Duron, firmosur nga Nesho. Në Shqipëri mund të gjesh në internet artikuj pro-qeveritar që thonë se është një artikull kopje. Nëse Rama është kaq indiferent, nuk do kishte pse të shqetësohej. Evropa mund të ketë luftë, por në Evropë ke funksionarë që merren me arsimin, me shëndetësinë, që merren me rrugët. Monitorimi i zgjedhjeve nuk ka të bëjë me luftën që ka Evropa. Në Serbi pati zgjedhje me alternativa politike, por në Serbi pati një përdorim të jashtëzakonshëm të burimeve shtetërore nga partia në fuqi. Në Serbi presidenti Vuçiç nuk ishte i lidhur në fushatë, ndërsa në Shqipëri hyri në fushatë. Në Serbi u ngritën në prostestë për manipulimin e votave. Po, nuk pati një jehonë brenda vendit tonë, nuk kanë provokacion të thonë që nuk i njohin zgjedhjet.” – tha Burimi.

 

 

 

The post “Pushteti përdor justifikime”, Burimi sfidon qeverinë: Europa s’është e zënë, zgjedhjet po monitorohen seriozisht appeared first on Sot News | Lajme.

“Pushteti manipuloi zgjedhjet në Shqipëri”/ Burimi: Në Beograd serbët u ngritën në protesta

By: Oldi
23 June 2025 at 18:55

Gazetari Genc Burimi ka komentuar mbi situatën zgjedhore në Shqipëri dhe raportin e KiE, duke theksuar se pushteti po përdor arsyetimin se perëndimorët janë të zënë për të shmangur përgjegjësinë për problematikat zgjedhore. Ai ka kundërshtuar këtë mendim dhe ka sjellë shembuj nga rajoni për të mbështetur pozitat e tij. “Ajo që thotë pushteti që […]

The post “Pushteti manipuloi zgjedhjet në Shqipëri”/ Burimi: Në Beograd serbët u ngritën në protesta appeared first on BoldNews.al.

Përfundon restaurimi i ish-Kinostudios, digjitalizohet arkivi qendror i filmit

17 June 2025 at 21:39

Në kuadër të programit EU4Culture, ndërtesa e ish-Kinostudios, një pikë referimi emblematike për kulturën shqiptare, iu nënshtrua punimeve konservuese, që përfshinë restaurimin e fasadës historike, riparimet e dëmtimeve nga tërmeti dhe përmirësime infrastrukturore. Për godinën e re u deshën një vit punime, ndërsa u investuan 376,000 euro.

Pranë saj, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përfitoi pajisje moderne për digjitalizim dhe ruajtje të materialeve, me një investim prej rreth 100,000 euro

Në ceremoninë përuruese morën pjesë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, mes tyre Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë Ndërbreznore, Rininë, Kulturën dhe Sportin, Gleen Micallef.

 “Ky është misioni im i parë si Komisioner Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe jam veçanërisht i lumtur që Tirana, Shqipëria, është ndalesa ime e parë. Ky investim pasqyron angazhimin e fortë të BE-së për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe thekson solidaritetin tonë. Promovimi, mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përparësi politike për mua dhe do të jetë një gur themeli i Busullës së Kulturës për Evropën”

E ndërtuar në fillim të viteve 1950, ndërtesa e Kinostudios shërbeu si qendra e kompanisë shtetërore të prodhimit të filmave “Shqipëria e Re”.

Sot, ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, për vlerat e saj arkitektonike dhe kulturore.

Ndërsa Arkivi, i themeluar në vitin 1947, ruan mbi 4,330 vepra audiovizive, përfshirë filma, dokumentarë, animacione dhe pamje të rralla historike që datojnë që nga vitet 1920.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Përfundon restaurimi i ish-Kinostudios, digjitalizohet arkivi qendror i filmit appeared first on Euronews Albania.

Genc Burimi: Nëse Serbia njeh Kosovën, Vuçiç vritet nga Rusia

14 June 2025 at 21:58

Në një intervistë për Euronews Albania, analisti Genc Burimi ka komentuar përshkallëzimin e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, duke theksuar se Rusia ka linja të kuqe të qarta në lidhje me Iranin.

Sipas Burimit, Moska nuk do ta lejojë që regjimi iranian të bjerë dhe do të mbrojë interesat e tij, ashtu siç ka bërë në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Venezuelë dhe Kiev. Ai e cilëson Iranin si një “linjë të kuqe” për Rusinë, në të njëjtën mënyrë si Serbia, duke nënvizuar se Rusia është e gatshme të ndërhyjë për të mbajtur regjimet që mbështet.

Burimi ka shtuar se një revolucion në Iran mund të ishte e vetmja mundësi për të rrëzuar regjimin aktual, por ai theksoi se kjo është një mundësi shumë e largët.

“Të gjithë “fërkojnë barkun” që Irani të mos ketë bombë bërthamore, përfshirë edhe Rusia. Rusia nk do lejojë që regjimi iranian të bjerë, nuk do e lejojë as për në Serbi, as në Bosnje Hercegovine, as në Venezuelë, dhe Kiev. Rusia ka linja të kuqe, dhe për mua Irani është një linje e kuqe si Serbia.

Edhe Vuçiç në Serbi, po të njohë Kosovën, Rusia e vret, Rusia nuk të fal. Nuk besoj se mund të bjerë regjimi iranian, vetëm nëse ndodh një revolucion iranian dhe këtu luhet gjithçka.

Nëse Irani ekzagjëron me sulme dhe nga këto sulme vriten civilë, mund të ndodhë që populli iranian ti kthehet kundër”, tha Genc Burimi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Genc Burimi: Nëse Serbia njeh Kosovën, Vuçiç vritet nga Rusia appeared first on Euronews Albania.

Spaçi, Krimi që nuk restaurohet!

7 June 2025 at 18:39

“Unë kam bërë një skenar filmi me kërkesë të regjisorit Namik Ajazi. Ndodh rrallë në botë që dy autorë të burgosur bëjnë një film, regjisori dhe skenaristi. I është kërkuar institucioneve përgjegjëse të financohet një dëshmi, një vepër arti sepse duhet të shpëtojmë nga monologu, nga të rrëfyerit vit për vit të të njëjtës gjë, siç bën Izraeli me Holokaustin. Regjisori ka kontaktuar kryeministrin i cili i ka premtuar, meqenëse duhet ribërë burgu për të xhiruar, me këtë rast si të thuash, një rrugë dhe dy punë, Spaçi ose Qafë Bari do të kthehen në një muzeum”.

Gjatë një interviste për Ora e Betit, në 23 maj të 2023, ku kujtuam dy revoltat e përgjakshme të Spaçit dhe Qafë Barit, shkrimtari Visar Zhiti më foli për herë të parë për projektin e një filmi kushtuar burgjeve komuniste në Shqipëri.

Ajo që nuk dinim, madje as vetë skenaristi Zhiti, ishte se kjo marrëveshje verbale mes kryeministrit Rama dhe regjisorit Ajazi u bë zanafilla e një ndërhyrjeje restauruese në Spaç, një monument kulture i kategorisë së dytë.

Denoncimet me foto dhe pamje nga aktivisti Arnen Sula e të përhapura me shpejtësi në rrjetet sociale, treguan se ishte suvatuar dhe lyer me bojë të bardhë një prej godinave të kampit, ndërsa janë planifikuar ndërhyrje në vlerë mbi 100 mijë euro në disa godina të tjera që i kanë shpëtuar rrënimit, përfshirë edhe tarraca e apelit.

Këto ndërhyrje të bëra nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që në emër të restaurimit kanë dëmtuar kujtesen historike në kampin më të egër komunist në Shqipëri janë kundërshtuar nga ish-të burgosur politikë, aktivistë të shoqërisë civile arkitektë dhe studiues pasi rrezikojnë të deformojnë të kaluarën dhe ta manipulojnë atë. Reagimet kundërshtuese dhe një peticion kanë ngritur alarmin jo vetëm për mungesën e transparencës institucionale, por se ndërhyrjet e bëra pa një konsultim publik dhe plan konservimi po shkatërrojnë identitetin e kësaj hapësire kujtese.

Sot, shumë ish-të dënuar të regjimit komunist dhe aktivistë protestuan në burgun e Spaçit në Mirditë.

Sot në Spaç, kundër shkatërrimit të historisë së burgut kamp, në përpjekje për të mbrojtur atë çfarë ka mbetur legjenda e gjallë e burgjeve, Fatos Lubonja tha se menca dhe kuzhina tashmë janë shkatërruar ndaj asnjë gur nuk duhet prekur më.

Reagimi i djeshëm i Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Gonxhe, në vend që të kërkonte faljen për ndërhyrjen e pavend foli për “tymnajë”, për fabul të sajuar mbi “prishje të kujtesës dhe Sanço Panço të politikës së vjetër. Por me sa duket ministri qëllimisht “harron” se në ballë të zërave kundër kësaj ndërhyrje nuk janë dy personazhe periferikë të Servantesit, por dy të mbijetuar të burgjeve komuniste si Visar Zhiti dhe Fatos Lubonja, pa harruar edhe shumë të tjerë që janë shprehur publikisht. Do t’i lutesha ministrit që të lexonte shkrimin e Zhitit “Mos zbukurini ferrin” që së paku të heshtte, duke mos përdhosur dhimbjen e tij! E këtij kori do të kisha dashur t’i bashkohej edhe zoti Ajazi.

Sepse në fakt Spaçi nuk është thjesht një kamp me ca godina të rrënuara por një plagë ende e hapur e shoqërisë shqiptare. Është kujtimi i gjallë i atyre që u përballën me dhunën e regjimit totalitar dhe një dëshmi që flet me gjithçka, me muret, qelitë e ftohta, me telat me gjemba, me heshtjen e atyre që nuk dolën të gjallë nga ai ferr.

Në një shtet serioz, restaurimi i një vendi të tillë kujtese do të bëhej me transparencë, me pjesëmarrjen e viktimave, me përkushtim për të ruajtur autenticitetin e dhimbjes që ai mbart. E lyer me bojë të bardhë, një nga godinat e kampit ku është ndërhyrë nuk ka më asnjë gjurmë të së shkuares si dëshmi e vuajtjeve të qindra të burgosurve.

“Kulla e rojës, – siç tha me ironi Fatos Lubonja, -ngjan më shumë me një produkt hollivudian sesa me realitetin që ai dhe qindra bashkëvuajtes kanë përjetuar për vite të tëra.”

“Të mos lëvizet asnjë tullë! – këmbënguli me dhimbje Dashamir Biçaku në studion time, gjatë emisionit për këtë çështje. “Ishte burg, jo hotel” tha familjari i një ish të dënuari për gazetaren Enkelejda Mema në Euronews. Në fakt terrori i komunizmit nuk mund të mbulohet me suva dhe as të lyhet me bojën e 2025-ës. Nuk mund të restaurohet e kaluara për hir të një projekti filmi.

Në një vend dhimbjeje dhe kujtese si Spaçi kjo ndërhyrje është një dhunim i dytë ndaj viktimave për ta bërë krimin të pranueshëm. Sot rrezikojmë të harrojmë jo vetëm të shkuarën, por edhe kuptimin e saj. Spaçi nuk ka nevojë për dekor, skenografi dhe efekte. Spaçi ka nevojë për ruajtje dhe respekt! Spaçi ka nevojë për ndalimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje deri në miratimin e një plani tërësor konservues ku fjalën e fundit duhet ta thonë ata pak ish-të burgosur politikë që kanë mbetur gjallë dhe specialistët e trashëgimisë.

Sepse Spaçi nuk është skenë filmi. Është dëshmi krimi. Dhe krimi nuk lyhet me bojë, e as mund të restaurohet!

The post Spaçi, Krimi që nuk restaurohet! appeared first on Lapsi.al.

Festa e Kurban Bajramit, Blushi: Rruga drejt së mirës kërkon përkushtim dhe devotshmëri

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Blushi uroi popullin shqiptar për festën e Kurban Bajramit, ndërsa tha në një prononcim për gazetarët se bashkë me drejtuesit e tjerë të Partisë së Lirisë, i përcollën sot urimet e rastit Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe nëpërmjet tij, urimet më të përzemërta të Presidentit Ilir Meta.

“Ju urojmë të gjithë besimtarëve, sa më shumë shëndet, lumturi, paqe dhe begati në familjet e tyre. Të mos harrojmë se Kurban Bajrami na kujton se pa sakrifica nuk ka begati dhe se rruga drejt së mirës kërkon, në radhë të parë, devotshmëri dhe përkushtim”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, u ndal edhe te një tjetër shqetësim siç e quan ai, çështjen e kthimit të pronave të Komunitetit Mysliman.

“Më lejoni që të shpreh edhe shqetësimin që edhe këtë vit, Komuniteti Mysliman edhe gjithë komunitetet e tjera fetare i gjen me një problem ende të pa zgjidhur që është çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të  komuniteteve, një problem i cili qëllimisht, sidomos këto vitet e fundit, është penguar. Megjithatë jam i bindur se Kurban Bajrami i ardhshëm do të na gjeje të gjithëve më mire”, përfundoi Blushi. /e.i/ /a.g/

The post Festa e Kurban Bajramit, Blushi: Rruga drejt së mirës kërkon përkushtim dhe devotshmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Një festë e shenjtë për mirësi e solidaritet”/ Kryeministri Kurti uron Kurban Bajramin për të gjithë shqiptarët

6 June 2025 at 09:46

Në një mesazh të publikuar në Facebook, ai ka theksuar rëndësinë e zemërgjerësisë dhe ndarjes së gjërave me të tjerët, si dhe angazhimin për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar vlerat shoqërore dhe humane që përfaqëson kjo ditë e shenjtë.

“Kjo festë është një kujtesë për ne që të jetojmë në harmoni, duke ndarë dashurinë dhe begatinë me njëri-tjetrin,” u shpreh Kurti. Ai theksoi se Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për përkushtim ndaj barazisë, ku çdo anëtar i shoqërisë gëzon mirëqenie dhe siguri.

Kurti uroi që festa t’i gjejë qytetarët pranë familjes dhe të dashurve, me tryeza të mbushura dhe zemra të hapura. “Uroj që kjo ditë t’ju sjellë mirësi, shëndet dhe lumturi – sot dhe gjithmonë,” përfundoi ai urimin e tij.

The post “Një festë e shenjtë për mirësi e solidaritet”/ Kryeministri Kurti uron Kurban Bajramin për të gjithë shqiptarët appeared first on Sot News | Lajme.

Festa e Kurban Bajramit/ Presidentja Osmani uron të gjithë besimtarët: Një mundësi për unitet, dashuri dhe solidaritet

6 June 2025 at 09:29

Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani theksoi se Kurban Bajrami është më shumë se një festë fetare – është një shprehje e solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, duke na kujtuar rëndësinë e sakrificës dhe ndihmës së ndërsjellë.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët duke theksuar rëndësinë që kjo festë ka për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore. Ajo ka bërë thirrje për forcimin e lidhjeve ndërnjerëzore, përmes dashurisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

“Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, shëndet dhe begati në çdo shtëpi. Le të jetë Kurban Bajrami një burim frymëzimi për më shumë mirësi, dhembshuri dhe harmoni në shoqërinë tonë”, u shpreh Osmani në urimin e saj. Ajo përfundoi duke dëshiruar që festimet të jenë të mbushura me gëzim e dashuri, duke i uruar të gjithë qytetarëve: “Gëzuar dhe me fat Kurban Bajramin!”

The post Festa e Kurban Bajramit/ Presidentja Osmani uron të gjithë besimtarët: Një mundësi për unitet, dashuri dhe solidaritet appeared first on Sot News | Lajme.

Autoriteti i Dosjeve zbardh emrat e 7 bashkëpunëtorëve të Sigurimit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Në mbledhjen e ditës së sotme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit shqyrtoi një sërë çështjesh që lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e qytetarëve për të njohur të vërtetën dhe për të rikthyer kujtesën historike në shërbim të transparencës dhe edukimit qytetar.

Autoriteti ka shqyrtuar 6 kërkesa të reja nga qytetarë që kërkonin akses në dokumente arkivore dhe ka dhënë përgjigje për kërkesë qytetarit I. D i cili kishte interes për të zbuluar identitetin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit që e kishin raportuar e survejuar.

Nga 14 emra të kërkuar në total, 7 bashkëpunëtorë janë identifikuar dhe zbardhur, ndërsa për pjesën tjetër mungonin dokumente ose nuk përmbushnin kriteret ligjore.

Sipas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve, në mbështetje të ligjit individët e përndjekur mund të njohin emrat realë të atyre që u fshiheshin pas pseudonimeve që gjenden në dosjet tyre.

Tashmë kush fshihet pas pseudonimeve si; “Panairi”, “Dekori”, “Fani”, “Çika”, “Luani”, “Kështjella”, “Pompa” nuk janë më të panjohur për qytetarin I.D.

Në të njëjtën mbledhje, u trajtuan edhe katër kërkesa individuale nga familjarë që kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre të zhdukur nga regjimi. Rastet përfshijnë emrat: Kamber Kazazi, Bashkim Kaleci, Andon Floro dhe Qemal Draçini.

Autoriteti ka nisur procesin e integrimit të të dhënave ekzistuese në një sistem të ri të menaxhimit në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Sistemi IDMS përfshin regjistrimin dhe menaxhimin e personave të zhdukur, ndërlidhjen me familjarët e tyre, vendndodhjet e dyshuara të varreve dhe operacionet në terren.

Kjo platformë synon të përshpejtojë dhe përmirësojë procesin e identifikimit dhe rikuperimit të viktimave, duke ndërtuar një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse dhe funksionale.

Autoriteti shqyrtoi gjithashtu një rast të veçantë për verifikimin e pastërtisë së figurës së një kandidati për Gjykatën e Lartë, në përputhje me kërkesat ligjore dhe misionin për garantimin e integritetit institucional.

/a.f/

The post Autoriteti i Dosjeve zbardh emrat e 7 bashkëpunëtorëve të Sigurimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌