‘Bomba’ e mesnatës: Nëse Vinicius nuk rinovon, Real Madridi ka në listë top sulmuesin
Tensionet janë rritur në kampin e Real Madridit në lidhje me të ardhmen e Vinicius Junior. Ndryshe nga raportimet e disa mediave, ylli brazilian nuk e ka nënshkruar ende rinovimin e kontratës, ndërsa negociatat mbeten të bllokuara.
Siç raportoi më herët Defensa Central, rrethi i ngushtë i lojtarit nuk e sheh si të sigurt vazhdimësinë afatgjatë të tij në Madrid, dhe situata ka mbetur e pandryshuar me kalimin e kohës.
Sipas Cadena SER, presidenti Florentino Perez mund të ketë filluar të marrë në konsideratë skenarë të tjerë, madje edhe atë të një largimi të mundshëm të Viniciusit. Edhe pse dëshiron që ai të qëndrojë, Perez nuk është i gatshëm të shkelë strukturën aktuale të pagave të klubit.
Ai nuk do të shkojë përtej mundësive financiare të Realit për të mbajtur numrin 7 në skuadër. Një nga emrat që përflitet si zëvendësues i mundshëm është Erling Haaland.
Problemi financiar
Bllokimi në negociata është kryesisht financiar. Vinicius përfaqësohet nga agjencia Roc Nation Sports (në pronësi të Jay-Z), si dhe nga Thassilo Soares dhe Frederico Pena. Ata raportohet se kanë kërkuar një komision deri në 20 milionë euro – një shumë që drejtuesit e klubit në Concha Espina nuk janë të gatshëm ta paguajnë.
Përballë një oferte të mundshme nga Arabia Saudite, Real Madridi mund të konsiderojë shitjen e Viniciusit, edhe pse më e mundshme është që kjo të ndodhë në vitin 2026, kur ai do të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratë. Nëse nuk arrihet marrëveshje për rinovim, largimi do të ishte pothuajse i pashmangshëm. Klubi dëshiron ta lidhë Viniciusin deri në vitin 2029 ose 2030, çka do të garantonte qëndrimin e tij edhe gjatë të tridhjetave.
Opsioni Haaland
Sipas SER, Real Madridi po shqyrton një tjetër pistë — transferimin e Erling Haaland — për të “zëvendësuar” Viniciusin. Sulmuesi i Manchester Cityt është ndjekur prej vitesh nga madrilenët, por Perez pezulloi interesimin në favor të objektivit kryesor, Kylian Mbappé, që u bashkua me klubin verën e kaluar. Tani, me Mbappé në skuadër, Real Madridi mund të ëndërrojë një dyshe të fuqishme me Haaland dhe francezin.
Çmimi i Haaland
Haaland, i cili ka rinovuar me Manchester City deri në vitin 2024 (me klauzola shtesë), ka një vlerë tregu prej 180 milionë eurosh sipas Transfermarkt. Kontrata e tij e fundit eliminoi klauzolën e lirimit prej 200 milionë eurosh, e cila nuk do të riaktivizohet deri në vitin 2029 – duke krijuar një dritare mundësie për një transferim të mundshëm.
Norvegjezi 25-vjeçar thuhet se është i hapur për një kalim në Spanjë. Ai mund të shërbejë si zëvendësues ideal për Viniciusin, nëse ky i fundit largohet. Për një shumë mes 150 dhe 200 milionë eurosh, Florentino Pérez do të ishte i gatshëm ta linte brazilianin të largohej dhe të ndërmerrte një ofensivë për Haaland. /Telegrafi/
The post ‘Bomba’ e mesnatës: Nëse Vinicius nuk rinovon, Real Madridi ka në listë top sulmuesin appeared first on Telegrafi.