TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Parandalimi i konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike ishte në fokus të një tryeze të organizuar sot nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.
Projektligji i ri i prezantuar në këtë tryezë zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 2005, dhe sipas propozuesve forcon integritetin e zyrtarëve dhe institucioneve publike.
“Ky projektligj i rëndësishëm, përkon edhe me një rekomandim të BE-së. Është ligj prioritar që duhet t’i kalojë shteti shqiptar. Asistohemi nga Këshilli i Evropës”, tha kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj.
Drafti është ende në hapat paraprakë, dhe ekspertët kërkuan jo pak rregullime të draftit. Një prej tyre solli në vëmendje se ligji nuk parashikonte adresimin e konfliktit të interesit për kreun e SPAK.
“Pse nuk është vendosur drejtuesi i SPAK”, pyeti Juelda Lamçe, këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK. “Do të plotësohet, drejtuesi i SPAK, çështje harrese”, sqaroi ekspertja e Komisionit Anti-Korrupsion, Migena Leskoviku.
“Ky ligj duhet të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe dinjitetin e zyrtarëve”, tha Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Aldo Merkoci, këshilltar në Ministrinë e Pushtetit vendor tha se ”kufizimi kaq ekstrem demotivon ata që janë të suksesshëm në jetën e tyre e që duan të japin kontribut, ndërsa një tjetër rrezik është që i shtyn zyrtarët ‘shkelës të ligjit’ drejt fshehjes së konfliktit të interesit”.
Pasi të konsultohet me të gjitha grupet e interesit, projektligji do të jetë një nga prioritetet e legjislaturës së re të Kuvendit në muajin shtator.
Drafti i projektligjit “Për parandalimin e Konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” përcakton se konflikti i interesit duhet të deklarohet 30 ditë nga data e fillimit të detyrës pranë ILDKPKI.
Ai vendos kufizimet për zyrtarët e lartë, që nga deputeti, Kryeministri, të zgjedhurit vendorë apo njerëzit e drejtësisë, të cilët me marrjen e detyrës nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese të organizatave jofitimprurëse, të ushtrojnë̈ veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e tregtarit, shoqërisë tregtare, apo të çdo forme tjetër.
Po ashtu ata nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare të çdo forme etj, si dhe përcakton vlerat e gjobave me të cilat zyrtarët do të përballen në rast të shkeljes së këtij ligji.
/m.m/j.p/
The post “Antikorrupsioni” diskuton draftin për konfliktin e interesit, Xhafaj: Rekomandim nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.