Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral
TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha edhe një prononcim për mediet ku u shpreh se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani është “mashtrues publik i rangut të lartë”.
“Deklaroi se paditë e sjella në SPAK, me dhjetëra e dhjetëra padi për krim elektoral, pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha.
Sipas Berishës “me këtë mashtrim publik, Dumani është edhe avokati kryesor i krimit të shëmtuar elektoral, garancia më madhore e dhunimit të çdo ligji, norme dhe standardi për votimin e lirë të shqiptarëve”.
Berisha tha se Dumani mashtroi edhe për rastin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçit.
Sa i takon çështjes në SPAK ndaj presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Metës, Berisha tha se nuk ka asnjë fakt penal në dosje.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.
/m.q/j.p/
The post Berisha paraqitet në SPAK: Dumani, avokat i krimit elektoral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.