POLONI – Tusk paralajmëron për konflikt me Rusinë deri në vitin 2027
VARSHAVË, 26 korrik /ATSH-DPA/ – Evropa dhe Polonia duhet të jenë të përgatitura për një konflikt të mundshëm të madh me Rusinë deri në vitin 2027, tha sot kryeministri polak Donald Tusk.
Tusk tha se qeveria e tij do të shfrytëzonte maksimalisht dy vitet e ardhshme për të stabilizuar situatën në Poloni dhe për të garantuar sigurinë.
Kryeministri iu referua një vlerësimi të ngjashëm nga Komandanti i ri Suprem i NATO-s Alexus Grynkewich me të cilin kishte folur pak më parë.
Sipas këtij vlerësimi, Rusia dhe Kina mund të bëhen mjaftueshëm të forta deri në vitin 2027 për të kërkuar një përballje të koordinuar me NATO-n dhe SHBA-në.
Duke pasur parasysh luftën e Rusisë kundër Ukrainës, një sërë skenarësh të mundshëm po qarkullojnë midis ekspertëve ushtarakë perëndimorë rreth asaj se kur shtetet e tjera evropiane mund të përballen me agresion.
Viti 2027 është vlerësimi më i hershëm i përmendur deri më tani. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se mund të jetë viti 2029.
Shtetet e BE-së po riarmatosen dhe synojnë të jenë në gjendje të zmbrapsin sulmin rus deri në vitin 2030.
Rusia gjithashtu po zgjeron forcat e saj të armatosura. Megjithatë, udhëheqja e Moskës i ka hedhur poshtë pretendimet për sulme ndaj territorit të NATO-s – duke i quajtur ato një absurditet.
Gazeta ruse “Komsomolskaya Pravda”, kohët e fundit e përmbysi narrativën, duke pretenduar se NATO po planifikon të sulmojë Rusinë në vitin 2027.
Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën çdo ditë, në kuadër të pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Kremlini në vitin 2022. //a.i/
The post POLONI – Tusk paralajmëron për konflikt me Rusinë deri në vitin 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.