Ia kërkuan viktimës mijëra euro, Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për katër të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve Xh.K, D.K, A.K. dhe L.Sh për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje në njoftim thuhet se sipas prokurorisë, të pandehurit Xh.K, D.K, A.K. dhe L.Sh me datë 23 korrik 2025, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 euro, më pas edhe 30.000 mijë, deri sa janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore.
“Gjithashtu, i pandehuri L.Sh, dyshohet edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve’, sipas KPRK-së. Prokurori i shtetit, gjatë seancës se procedurës paraprake do kërkojë nga gjyqtari që të pandehurve t’u caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Policia e Kosovës dy ditë më parë ka realizuar një operacion të suksesshëm në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, duke arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “detyrim”.
Hetimet kishin zbuluar se të dyshuarit, përmes formave të ndryshme të kanosjes, i kanë pamundësuar viktimës posedimin dhe shfrytëzimin e pronës së tij, të blerë në mënyrë të ligjshme. Madje, për ta lejuar të njëjtin të përdorë pronën, viktima ishte detyruar të paguajë një shumë prej 30.000 eurosh. /Telegrafi/
The post Ia kërkuan viktimës mijëra euro, Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për katër të dyshuarit appeared first on Telegrafi.