TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se nga vatrat e zjarreve në Gramsh ka humbur jetën një 80-vjeçar.
Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.
“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
“Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.
/m.m/j.p/
The post Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.