Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil
TIRANE, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kryen menjëherë verifikimet dhe identifikuan automjetin.
Nga veprimet e kryera rezultoi se automjeti tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat, kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Dhërmi–Himarë.
Për këto shkelje, u vendos masa administrative 52 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.
Në një rast tjetër, pas një denoncimi se një automjet taksi kishte kryer parakalim të gabuar, duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë bënë menjëherë të mundur identifikimin e drejtuesit të tij, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte kryer parakalim të gabuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.
Për këto shkelje, u vendos masa administrative 40 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në zonat turistike ku lëvizshmëria është e lartë gjatë sezonit veror.
/m.m//a.f//r.e/
The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.