Durrës, arrestohen dy persona me rrezikshmëri të lartë
TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Drejtori i Policisë së Durrësit Vilson Bala në një konferencë për shtyp njoftoi sot se “strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun””.
“Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje”, njoftoi Bala.
Sipas Balës “39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj”.
Drejtori i Policisë së Durrësit nënvizoi gjithashtu se gjatë sezonit turistik në qarkun Durrës nuk ka pasur asnjë problem për sa i përket rendit dhe sigurisë.
/m.q/j.p/
The post Durrës, arrestohen dy persona me rrezikshmëri të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.