FOKUS – 10 vjet pas hapjes së kufijve, Merkel sheh përparim në çështjen e migracionit
BERLIN, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Dhjetë vjet pas deklaratës së saj legjendare ”ne do t’ia dalim”, lidhur me mundësinë e Gjermanisë për të pranuar qindra mijëra refugjatë, ish-kancelarja Angela Merkel beson se vendi ka bërë përparim të madh në integrimin e migrantëve.
”Është një proces. Por, deri tani kemi arritur shumë”, tha Merkel në një intervistë për transmetuesin publik ARD, për një dokumentar që do të transmetohet sot.
”Dhe ajo që ende mbetet për t’u bërë, duhet të vazhdojë të bëhet”, shtoi ajo.
Më 31 gusht 2015, Merkel përdori ato fjalë pasi u bë e ditur se rreth 800 000 refugjatë priteshin të vinin në Gjermani atë vit, ndërsa mijëra të tjerë ishin rrugës nga Hungaria.
Merkel tha se e dinte se kjo nuk do të ishte e lehtë.
”Ishte e qartë për mua që kjo do të ishte diçka me të vërtetë sfiduese”, theksoi ajo.
Njëkohësisht, tha se shpesh habitej se sa herë i ktheheshin fjalët e saj si kritikë.
Ajo shpjegoi se thjesht donte të pranonte se, ndonëse Gjermania po përballej me një detyrë të madhe, shpresën e vendoste tek populli i saj.
Merkel nuk beson se Gjermania u mbingarkua nga vendimi i saj.
”Nuk mendoj kështu. Gjermania është një vend i fortë. Në përgjithësi, isha e bindur që Gjermania mund ta përballonte”, tha ajo.
Ish-kancelarja theksoi se alternativa do të kishte qenë të ndalohej hyrja e refugjatëve me forcë.
”Unë kurrë nuk do të kisha qenë e gatshme ta bëja këtë”, u shpreh Merkel.
Megjithatë, duke parë pas, ajo tha se ndonjëherë e ka qortuar veten që nuk kishte bërë më shumë për njerëzit në terren në vitet 2012-2013, kur lufta civile në Siri kishte nisur tashmë./ /Ad.Ab./
The post FOKUS – 10 vjet pas hapjes së kufijve, Merkel sheh përparim në çështjen e migracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.